Lajmet

​Clark: Grumbullimi i madh i armëve në manastirin serb, problemi më i madh për sigurinë

Clark tha se NATO-ja duhet të forcojë aftësitë e saj për qenë më efikase kudo në Kosovë.

Published

on

Ish-komandanti i lartë i NATO-s, Gjenerali Wesley Clark, i cili drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, thotë se incidenti në veri të Kosovës përbën një problem real për qëndrueshmërinë në Ballkan. Clark tha se NATO-ja duhet të forcojë aftësitë e saj për qenë më efikase kudo në Kosovë, ndërsa u shpreh se armatimet ka të ngjarë të kenë ardhur nga Serbia, dhe ndoshta ky ka qenë një veprim i koordinuar ose të paktën i miratuar në heshtje nga forcat speciale serbe.

“Ne e dimë nga përvoja e mëparshme në Ballkan në vitet 1990, dhe që atëherë se manastiret serbe kanë qenë strehë e nacionalizmit serb. Dhe kjo nuk e përjashton përdorimin e tyre si arsenale. Ndaj kjo është gjëja më shqetësuese. Shpresoj që KFOR të insistojë që këto manastire të inspektohen dhe arsenalet të konfiskohen, sepse nuk ka vend për këtë në mes të përpjekjeve për të arritur marrëveshjen e autonomisë për qytetarët serbë të Kosovës. Është kundërproduktive dhe nuk ka vend për kërcënime me dhunë dhe armë”, ka thënë Clark.

Sa i përket sulmit terrorist të dielën e kaluar në veri të Kosovës, Clark tha se përbën tragjedi dhe problem real.

“Para së gjithash, është një tragjedi për të gjitha palët dhe është një problem real për qëndrueshmërinë në Ballkan. Duhet të përbëjë shqetësim për Bashkimin Evropian dhe NATO-n, ndërsa dalin në pah detajet e incidentit. Ajo që është më shqetësuese për mua është se pas incidentit, rezultoi se kishte një grumbullim të madh armësh në manastirin serb. Kjo ka ndodhur edhe më parë. Ne e dimë nga përvoja e mëparshme në Ballkan në vitet 1990, dhe që atëherë se manastiret serbe kanë qenë strehë e nacionalizmit serb. Dhe kjo nuk e përjashton përdorimin e tyre si arsenale. Ndaj kjo është gjëja më shqetësuese. Shpresoj që KFOR të insistojë që këto manastire të inspektohen dhe arsenalet të konfiskohen, sepse nuk ka vend për këtë në mes të përpjekjeve për të arritur marrëveshjen e autonomisë për qytetarët serbë të Kosovës. Është kundërproduktive dhe nuk ka vend për kërcënime me dhunë dhe armë”, vijoi ai.

Intervista e plotë:

Zëri i Amerikës: Si i komentoni ngjarjet që ndodhën të dielën e kaluar në veri të Kosovës afër fshatit Banjskë?

Wesley Clark: Para së gjithash, është një tragjedi për të gjitha palët dhe është një problem real për qëndrueshmërinë në Ballkan. Duhet të përbëjë shqetësim për Bashkimin Evropian dhe NATO-n, ndërsa dalin në pah detajet e incidentit. Ajo që është më shqetësuese për mua është se pas incidentit, rezultoi se kishte një grumbullim të madh armësh në manastirin serb. Kjo ka ndodhur edhe më parë.

Ne e dimë nga përvoja e mëparshme në Ballkan në vitet 1990, dhe që atëherë se manastiret serbe kanë qenë strehë e nacionalizmit serb. Dhe kjo nuk e përjashton përdorimin e tyre si arsenale. Ndaj kjo është gjëja më shqetësuese.

Shpresoj që KFOR të insistojë që këto manastire të inspektohen dhe arsenalet të konfiskohen, sepse nuk ka vend për këtë në mes të përpjekjeve për të arritur marrëveshjen e autonomisë për qytetarët serbë të Kosovës. Është kundërproduktive dhe nuk ka vend për kërcënime me dhunë dhe armë.

Zëri i Amerikës: Çfarë lloj formacioni do të kishte qasje tek pajisjet dhe burimet që janë kapur pas neutralizimit të sulmit?

Wesley Clark: Armatimet ka të ngjarë të kenë ardhur nga Serbia, dhe ndoshta ky ka qenë një veprim i koordinuar ose të paktën i miratuar në heshtje nga forcat speciale serbe. Ne i kemi parë këto lloj veprimesh edhe më parë, sepse më kujtohet se gjatë fushatë ose në fillim të fushatës ajrore të vitit 1999 në Kosovë, një grup ushtarësh serbë në rroba civile rrëmbyen tre ushtarë amerikanë të cilët ishin pjesë e patrullës në atë që sot njihet si Maqedonia e Veriut.

Ata nuk kishin uniforma ushtarake, por kaluan kufirin dhe rrëmbyen tre ushtarë amerikanë nga makina e patrullës, i rrahën dhe i dërguan në Beograd. Pra, mbetet për t’u parë se kush ishin sulmuesit në pjesën veriore të Kosovës dhe lidhet me forcat speciale dhe qeverinë serbe.

Zëri i Amerikës: Presidenti serb pretendoi se sulmuesit ishin serbë të zonës të cilët nuk mund ta përballonin represionin nga qeveria e Kryeministrit Kurti. Çfarë mendoni për këtë?

Wesley Clark: Do të më duhej të kuptoja më mirë se cilat janë ankesat e tyre për shtypjen. Shtypja nuk filloi pas futjes së KFOR-it në vitin 1999 nën udhëheqjen franceze. Në thelb, në atë zonë ishte eliminuar autoriteti shqiptar dhe shqiptarët ishin spastruar nga detyrat në spitale apo vende të tjera ku mund t’i shërbenin komunitetit. Që nga atëherë, zona ka qënë relativisht e ndarë.

Ka qenë një tranzicion i vështirë për qeverinë e Kosovës që të merret me separatizmin serb në veri, kështu që unë mendoj se këto pretendime për shtypje janë të pakuptimta. Është thjesht një deklaratë. Nuk ka asnjë tregues për ndonjë shtypje.

Në fakt, të dhënat tregojnë se ky rajon po i paguan taksa Beogradit dhe fondet vijnë nga Beogradi sikurse ky rajon të ishte një shtet më vete. Por nuk është. Është pjesë e Kosovës. Duhet të jetë pjesë e sistemit të taksave të qeverisë së Kosovës. Por nuk është. Pra, atje ka një problem të vërtetë.

Zëri i Amerikës: Autoritetet e Kosovës pretendojnë se një nga sulmuesit është Milan Radoiçiq, nënkryetar i partisë më të madhe dhe më me ndikim të serbëve të Kosovës, që ka lidhje të ngushta me partinë serbe në pushtet. Ai është gjithashtu nën sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Si e shihni këtë?

Wesley Clark: Kjo është një dëshmi e mëtejshme e përfshirjes së qeverisë serbe. Incidenti tregon për rrezikshmërinë që mund të ketë zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Incidenti është tregues i një lidhje me Serbinë, vendosjen e një shteti policor ushtarak që mund të përbëjë një rrezik të konsiderueshëm shkatërrimi brenda Kosovës.

Zëri i Amerikës: A ka ndonjë pasojë specifike që mendoni se duhet të kenë palët? Kush dhe në çfarë mënyre?

Wesley Clark: Serbët që morën pjesë në sulm duhet të sillen para drejtësisë sipas të gjitha rregullave të legjislacionit të Kosovës. Mendoj se NATO-ja duhet të forcojë aftësitë e saj për të qenë në mënyrë efikase kudo në Kosovë. Nëse është e nevojshme të kontrollojë manastiret serbe nëse në to strehohen individë ndaj të cilëve janë vënë sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Përse një individ i tillë duhet të jetë udhëheqës i një partie politike në Kosovë? Si mund të lejohet kjo? Zoti Thaçi, ndaj të cilit janë ngritur akuza, është ende në burg në Hagë. Pra, duhet të ketë një masë mirëkuptimi nga të dyja palët për sundimin e ligjit në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Ministri serb i mbrojtjes, përveç tjerash, tha se Serbia është e pakënaqur me reagimin e KFOR-it. Si duhet të reagonte KFOR-i në këtë situatë ?

Wesley Clark: KFOR duhet të veprojë me forcë kundër dhunës në Kosovë, kudo qoftë apo ndaj palëve që ushtrojnë dhunë. Kjo është arsyeja pse KFOR ndodhet atje.

Por do të vëreja gjithashtu se këto veprime në Kosovë nuk janë të palidhura me dhunën në Ukrainë. Për Rusinë, nxitja e trazirave në Kosovë, duke përdorur Serbinë si agjent të saj do të ishte ekuivalenti i një sulmi të thellë të luftës hibride. Rusia do të dëshironte të shihte paqëndrueshmëri më të madhe në Ballkan, një shpërqendrim për NATO-n, me preteksin se demokracia nuk funksionon.

Gërryerja e pavarësisë së Kosovës do të ishte në interes të Moskës. E gjitha është pjesë e një agjende që po ndiqet nga të paktën disa elementë në Beograd.

Zëri i Amerikës: Për serbët e vrarë u mbajtën përkujtimore dhe ditë zie, një lloj nderimi për autorët. Çfarë mesazhi dërgon kjo?

Wesley Clark: E kuptoj kur bëhet fjalë për anëtarët e familjes. Por si çështje e politikës shtetërore, jo, këta njerëz janë të jashtëligjshëm. Ata shkelën sundimin e ligjit në Kosovë. Dhe ata që morën pjesë duhet të ndëshkohen dhe të mos njihen si heronj. Por unë e di se në Serbi dhe në këtë rajon, trashëgimitë e konfliktit që datojnë më shumë se një shekull janë përplasjet etnike, përplasjet fetare, Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore e deri në epokën e Titos, përpjekja për të shtypur nacionalizmin shqiptar dhe ardhja e Milosheviçit në pushtet, gjithçka është shoqëruar me dhunë, me urrejtje, me tensione ndëretnike. Dhe është koha për ta ndaluar atë dhe për të ecur përpara në shekullin e 21-të. Është një tragjedi e vërtetë. Më vjen shumë keq për familjen e këtyre njerëzve të vrarë nga të dyja anët. Dhe polici shqiptar që u vra, polici i Kosovës po bënte detyrën.

Ai po mbështeste sundimin e ligjit. Serbët (që ndërmorën sulmin) ishin rebelë, terroristë. Dhe ata nuk meritojnë asnjë njohje zyrtare. Por, sigurisht, është një tragjedi për ta dhe familjet e tyre. Dhe na vjen keq për të gjitha humbjet e jetëve në zonë.

Zëri i Amerikës: Si do të ndikojë kjo lidhur me dialogun tashmë të ngecur mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve?

Wesley Clark: Është për të ardhur keq, por nuk do ta çojë përpara dialogun. Shtetarët e arsyeshëm nga të dyja palët duhet të thonë se kjo duhet të ndalet. Është koha për ta njohur Kosovën, të shkohet përpara dhe të vendoset paqja në rajon.

Por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ka gjasa të ndodhë. Por fuqia e urrejtjes ndëretnike, trashëgimia e më shumë se një shekulli konflikti dhe vdekjesh është kaq e madhe sa mendoj që vendet e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara duhet të bashkohen dhe thjesht ta qetësojnë situatën. Ta ruajnë status quo-në. Nuk do të shohim përparime të shpejta në drejtim të normalizimit. Duhet të gjejmë mënyra të tjera për të forcuar stabilitetin në Ballkan dhe për t’u përkujdesur për njerëzit atje.

Vendi

Arrestohen pesë persona pas një përleshjeje fizike në Ferizaj, një i lënduar dërgohet në QKUK

Published

on

By

Pesë persona janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë pas një përleshjeje fizike që ka ndodhur pas mesnatës në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, në afërsi të dy lokaleve.

Si pasojë e incidentit, tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre, 33-vjeçari me inicialet SH.A., për shkak të natyrës së lëndimeve është transferuar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku do të intervistohet nga policia posa t’i stabilizohet gjendja shëndetësore.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë intervistimit njëri nga të dyshuarit ka pranuar se ka përdorur një kaçavidë gjatë përleshjes, me të cilën dyshohet se e ka goditur viktimën. Policia ka sekuestruar kaçavidën në cilësinë e provës materiale, si dhe ka siguruar një incizim të ngjarjes që do t’i dorëzohet prokurorisë.

Të arrestuarit për këtë rast janë: D.A. (21 vjeç), E.A. (22 vjeç), A.N. (39 vjeç), O.A. (18 vjeç), A.A. (22 vjeç)

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”. Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë incident. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Përfshihet nga zjarri një deponi me goma të vjetra në Sllatinë

Published

on

By

Një deponi për grumbullimin e gomave të vjetra në Sllatinë është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar tym të zi dhe të dendur që është përhapur në zonën përreth. Deponia ndodhet në afërsi të rrugës kryesore.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve për zonën e Prishtinës, Abdusamed Shkodra, ka konfirmuar për mediat se ekipet janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes për të lokalizuar dhe shuar flakët.

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme të tjera materiale, ndërsa zjarrfikësit po vazhdojnë punën në terren. /Ekonomia online/

Continue Reading

Rajoni

Ministri i Shqipërisë Hoxha i përgjigjet Gjuriqit: Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime

Published

on

By

Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama, nuk ka munguar as ai i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha. Kryediploti shqiptar i është përgjigjur deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, duke theksuar se e ardhmja e rajonit qëndron te dialogu, besimi dhe bashkëpunimi pragmatik, e jo te kërcënimet apo akuzat.

Përmes një reagimi lidhur me debatin për lumin Ibër, kryediploti shqiptar bëri të ditur se uji nuk duhet të përdoret si instrument ndëshkimi. Ndonëse Ibri nuk rrjedh përmes Shqipërisë, Hoxha nënvizoi se çfarëdo kërcënimi për ndërprerjen e ujit dëmton bashkëjetesën paqësore në të gjithë rajonin.

“Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime, ndërsa kufijtë duhet të përcaktojnë juridiksione, jo të ndajnë përgjegjësinë tonë për paqen”, ka deklaruar Hoxha.

Më tej, ai hodhi poshtë pretendimet për projekte të mëdha territoriale, duke potencuar se i vetmi projekt që e intereson Shqipërinë është një “Bashkim Evropian më i Madh”, që përfshin Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.

Kryediploti i Shqipërisë shprehu gatishmërinë e plotë për dialog dhe bashkëpunim konkret mes shqiptarëve dhe serbëve, duke bërë thirrje për më shumë fokus drejt së ardhmes evropiane dhe më pak drejt mitologjive të së kaluarës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja: Deklaratat për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit duhet të shmangen

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka thënë se deklaratat për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, si dhe veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të shmangen.

“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian më 11 gusht.

“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 9 gusht se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklarata e tij nxiti reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë dhe u pasua edhe nga një përplasje publike ndërmjet zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.

Komisioni Evropian rikujtoi gjithashtu se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre evropiane.

BE-ja komentoi edhe rrënimet e fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, me të cilat presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kishte lidhur deklaratën e tij për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.

“Sa i përket situatës në liqenin e Gazivodës/Ujmanit, ne tashmë kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me rrënimet e fundit”, thuhet në përgjigje.

Sipas Komisionit Evropian, çdo masë zbatuese me pasoja të pakthyeshme duhet të respektojë procesin e rregullt ligjor.

“Personave të prekur duhet t’u jepet mundësi efektive për të kërkuar mbrojtje ligjore dhe, kur është e zbatueshme, mbrojtje të përkohshme gjyqësore para se masa të zbatohet”, thuhet në përgjigje.

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në Kosovë, ku furnizon liqenin artificial të Ujmanit.

Rreth dy të tretat e këtij liqeni ndodhen në territorin e Kosovës.

Uji nga sistemi i Ujmanit dhe Ibër-Lepencit furnizon shtatë komuna, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, të cilat prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë.

Ekspertët që kanë folur më herët për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se devijimi i rrjedhës së Ibrit është teknikisht i mundshëm, por do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe, nëse do t’i shkaktonte dëme Kosovës, do të binte ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Serbia është nënshkruese e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare për qëllime të tjera përveç lundrimit.

Kjo konventë përcakton, mes të tjerash, parimin e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, si dhe detyrimin për të mos u shkaktuar dëme të konsiderueshme shteteve të tjera.

Kosova nuk është palë në këtë konventë, pasi nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. /REL/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara