Adriano Galliani pritet të rikthehet te AC Milan, megjithatë pa ndikuar në pozicionin aktual të presidentit Paolo Scaroni. Sipas “Corriere dello Sport”, marrëveshja për rikthimin e ish-drejtorit legjendar është arritur në parim dhe pritet të konkretizohet pas përfundimit të procesit të ndryshimit të pronësisë te klubi i Monzës.
Galliani, aktualisht zëvendëspresident dhe drejtor ekzekutiv i Monzës, do të jetë i lirë të largohet pasi Fininvest të përfundojë kalimin e aksioneve të klubit te fondi amerikan Beckett Layne Ventures, gjë që pritet të ndodhë në mesin e muajit shtator.
Ky fond tashmë ka emëruar Mauro Baldissonin dhe Nicolas Burdisson si drejtues sportivë të rinj, duke hapur rrugë për lëvizjen e Gallianit.
Rikthimi i tij te Milani është përkrahur nga figura të rëndësishme brenda klubit, përfshirë Gerry Cardinale, pronarin e Milanit, Giorgio Furlani, drejtorin ekzekutiv, si dhe Zlatan Ibrahimovic, këshilltar i RedBird Capital.
Galliani do të marrë rolin e drejtorit të futbollit dhe nuk do të ketë konflikt kompetencash me presidentin Scaroni, i cili do të vazhdojë të merret me procesin e ndërtimit të stadiumit dhe detyrat e tij institucionale.