Lajmet

​Borrell sot takon ndaras Kurtin e Vuçiqin

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Published

on

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell sot në Paris do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili ka thënë se Bashkimi Evropian vazhdon përpjekjet për të ndihmuar në uljen e tensioneve dhe lehtësimin e përparuar të dialogut Kosovë-Serbi.

Të enjten në një konferencë për media Stano tha se ky takim do të mbahet në vazhdën e përpjekjeve të BE-së për të ndihmuar të dyja palët për të deeskaluar dhe zbutur tensionet në veri të Kosovës.

“Objektivi kryesor i këtyre takimeve është që të vazhdojnë përpjekjet e BE-së për të ndihmuar të dyja palët për të deeskaluar dhe zbutur tensionet aktuale dhe për të arritur përfundimisht përparim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, pra kjo është arsyeja kryesore, kjo është ajo që ne po përpiqemi të bëjmë prej disa kohësh, sidomos që kur ndodhi përshkallëzimi i fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Pra, ky është objektivi kryesor dhe Përfaqësuesi i Lartë, si lehtësuesi kryesor i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Beogradit dhe Prishtinës, po vazhdon përpjekjet e tij. Ndoshta e keni vënë re se ai ka folur me të dy ata, me kryeministrin Kurti dhe me presidentin Vuçiq gjatë fundjavës së kaluar. Takimi është një mundësi për të dhënë mesazhet kryesore për të arritur deeskalimin dhe përparimin dhe për të ecur përpara në dialogun e lehtësuar nga BE”, tha ai.

Një takim të mundshëm me presidentin serb e kishte paralajmëruar kryeministri Albin Kurti. Ai në një videomesazh para se të nisej për Paris ka thënë se atje mund të ketë një takim trelateral me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria. Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”, ka thënë ai. 

Lajmet

Arrestohet drejtori i Spitalit të Mitrovicës për dhunë në familje, gjykata e lë në arrest shtëpiak

Published

on

By

Drejtori i Spitalit të Mitrovicës, Gëzim Berisha, është ndaluar nga policia nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”. Me urdhër të prokurorit kujdestar ai u ndalua për 48 orë, ndërsa Prokuroria paraqiti kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit.

Mirëpo, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë dhe në vend të paraburgimit i ka caktuar Berishës masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji. Këtë masë do ta monitorojë Stacioni Policor në Vushtrri.

Sipas Gjykatës, arresti shtëpiak është i mjaftueshëm për të parandaluar përsëritjen e veprës dhe për të mbrojtur të dëmtuarën. Masa do të zbatohet në një pronë ku e dëmtuara nuk banon, meqë palët nuk jetojnë më bashkë, duke shmangur kështu kontaktin mes tyre./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Tahiri paralajmëron debat parlamentar për krizën energjetike në Kosovë

Published

on

By

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Besnik Tahiri, ka ngritur shqetësimin për gjendjen në sektorin e energjisë, duke bërë të ditur se javën e ardhshme do të mbahet një debat parlamentar lidhur me dështimet në këtë sektor.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri theksoi se situata aktuale është mjaft shqetësuese, pasi Kosova po blen energji me çmimin më të lartë në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që blloku B1 ndodhet jashtë funksionit. Ai nënvizoi se trajtimi i kësaj teme me prioritet është forcim i pozicionit strategjik dhe energjetik të vendit.

Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit ka caktuar që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet këtë të enjte, në orën 12:00.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu kërkon hetim nga Prokuroria Speciale për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë ka deklaruar se pret që të gjithë dëshmitarët e ftuar të përgjigjen para Komisionit Hetimor të formuar pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt.

Haxhiu i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që pa vonesa të nisë hetimet penale për veprimet apo mosveprimet e secilit zyrtar të përfshirë në këtë rast. Ajo sqaroi se Komisioni Hetimor shërben si mekanizëm shtesë që do të përpilojë një dokument përfundimtar për t’ia deleguar organit të ndjekjes.

Ndërsa vlerësoi pezullimin e kryeprokurores, prokurores së rastit dhe 11 zyrtarëve policorë, Haxhiu shprehu shqetësimin për mungesën e masave nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komuna e Pejës ndaj zyrtarëve përgjegjës, duke theksuar se ky rast duhet të shërbejë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Dogana e Kosovës mbledh 186.6 milionë euro të hyra në tetor, rritje prej 5.9 për qind

Published

on

Dogana e Kosovës ka mbledhur 186.6 milionë euro të hyra gjatë muajit tetor 2026, duke shënuar rritje prej 5.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas buletinit mujor të publikuar nga Dogana, në tetor të vitit 2025 të hyrat kishin arritur në 176.2 milionë euro, ndërsa këtë vit janë rritur në 186.6 milionë euro.

Përveç rritjes së të hyrave, gjatë tetorit janë shënuar edhe zhvillime të tjera në aktivitetin doganor.

Një ndër to ishte realizimi i eksportit të parë në pikën kufitare Dheu i Bardhë, pas hyrjes në zbatim të plotë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë–EFTA, e cila synon të krijojë mundësi të reja për bizneset kosovare.

Po ashtu, Sektori i Antikontrabandës ka realizuar një operacion gjatë të cilit janë ndaluar 121 telefona celularë pa dokumentacionin përkatës.

Një tjetër zhvillim ishte organizimi i punëtorisë së parë ndërkombëtare për vlerësimin doganor në Kosovë, në kuadër të programit Customs Programme, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të DG TAXUD.

Në buletinin mujor, Dogana e Kosovës ka theksuar përkushtimin për forcimin e kontrolleve doganore, luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme.

Institucioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara