Sport

​Boban: Kosova ka infrastrukturë më të mirë se Kroacia

Boban tha se është tejet i kënaqur me Kosovën se si është zhvilluar në aspektin e infrastrukturës së futbollit.

Published

on

Një tjetër fytyrë e rëndësishme e futbollit ka vizituar sot Kosovën, vetëm disa ditë pas vizitës së numrit një të FIFA-s, Gianni Infantino.

Bëhet fjalë për shefin e futbollit të UEFA-s, Zvonimir Boban, i cili pas vizitave të sotme iu adresua edhe mediave. Me këtë rast, Boban tha se është tejet i kënaqur me Kosovën se si është zhvilluar në aspektin e infrastrukturës së futbollit. Po ashtu, shefi i futbollit të UEFA-s nuk ngurroi që ta pranojë se Kosova ka infrastrukturë më të mirë se vendlindja e tij, Kroacia.

“Le të themi se nga pikëpamja e infrastrukturës unë besoj se ju jeni më mirë se Kroacia sepse ne nuk kemi akademinë tonë, nuk kemi stadiumet tona, por tani jemi duke punuar shumë në këtë aspekt. Nuk është gjithmonë e lehtë që të bësh krahasime, ndonjëherë është arrogante dhe e dhimbshme për dikë, por ajo se çfarë shoh këtu është që procesi është tejet i mirë, federata është duke bërë punë të mirë, e shoh edhe që qeveria dëshiron ta ndihmojë qytetin e Prishtinës”, tha Boban.

Ndërkaq, përkrah Boban në konferencë për media ishte edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, i cili edhe shpjegoi qëllimin e vizitës së legjendës kroate. Ademi tha se me Boban kanë diskutuar kryesisht për çështje të futbollit, respektivisht për infrastrukturën e futbollit kosovar.

“Ky ka ardhur për çështje të futbollit, fillimisht, sepse është shefi i futbollit të UEFA-s, dhe sigurisht që kemi folur për infrastrukturën që është baza e futbollit, për me pas mundësi që futbolli të ecë sa më para, dhe për të treguar talentin siç e tha se shquhemi si shtet me talentë të programuar tashmë në UEFA dhe FIFA, por gjithsesi ka ardhur për turneun që e kemi të UEFA-s sepse kur është shef i futbollit normalisht që është mbikëqyrës i të gjitha këtyre garave të cilat janë. Nuk është e rastësishme që është dhënë ky organizim i këtij kompeticioni apo i këtij grupi për faktin që duhet të jesh i vlerësuar edhe në UEFA për ta dhënë një kompeticion të tillë dhe për ta besuar një kompeticion të tillë. Sigurisht kemi folur gjithçka për futbollin, për edukimin e futbollit sepse që në mbikëqyrjen e tij nuk e ka vetëm futbollin por ka edhe referët, edhe të gjitha organet të cilat merren me futbollin, referë delegatë e gjitha të tjerat. Kemi folur rreth kyçjes së anëtarëve tonë atje në UEFA, domethënë si delegatë të UEFA-s”, tha Ademi.

Gajtë kësaj vizite, Boban u takua me Ministrin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrull Çeku si dhe Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Sport

Notarët kosovarë garojnë në “Taranto 2026”, Beiqi pranë finales

Published

on

By

Notarët kosovarë kanë zhvilluar garat e radhës të martën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, ndërsa paraqitjen më të mirë e pati Hana Beiqi.

Beiqi garoi në disiplinën 50 metra stil i lirë, ku u rendit e 13-ta në kualifikime nga gjithsej 22 notare. Ajo e përfundoi garën me kohën 26.72 sekonda, ndërsa për një vend në finale nevojitej koha 25.89 sekonda. Në finale u kualifikuan tetë notaret më të mira.

Në të njëjtën disiplinë garoi edhe Riga Shala, e cila e përfundoi garën në vendin e fundit, me kohën 28.11 sekonda.

Te meshkujt, në 50 metra stil i lirë garoi Dior Krasniqi. Ai u rendit i 18-ti dhe i fundit nga notarët që morën pjesë, me kohën 24.97 sekonda. Për krahasim, notari i parafundit regjistroi kohën 23.93 sekonda, ndërsa koha e fundit që siguronte kualifikimin në finale ishte 22.73 sekonda.

Ndërkohë, Erina Idrizaj garoi në disiplinën 100 metra shpinë dhe u rendit e nënta nga 11 notare. Ajo regjistroi kohën 1:08.56, ndërsa për finale nevojitej të ishte në mesin e tetë më të mirave. Notarja e fundit që siguroi finalen kishte kohën 1:04.33.

Megjithatë, Idrizaj arriti të lërë pas notare nga Libani dhe Shqipëria.

Paraqitjet e notarëve kosovarë vazhdojnë në ditët në vijim, me synimin për rezultate sa më të mira në “Taranto 2026”.

D.L

Continue Reading

Sport

Kosova pëson edhe ndaj Egjiptit, humbja e dytë në “Taranto 2026”

Published

on

By

Hendbollistët e Kosovës kanë pësuar edhe humbjen e dytë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Kosova u mposht të martën paradite nga Egjipti me rezultat të thellë 42:21, në një ndeshje ku kundërshtari konsiderohet ndër favoritët kryesorë për triumf në turne.

Hendbollistët kosovarë arritën të qëndronin pranë egjiptianëve në pjesën e parë, e cila u mbyll me rezultat 17:14. Megjithatë, në pjesën e dytë Egjipti dominoi plotësisht dhe krijoi një epërsi të madhe deri në fund.

Kosova pati probleme me realizimin, ndërsa gjuajtjet e pasuksesshme dhe gabimet teknike ndikuan në rezultatin përfundimtar.

Në ndeshjen e parë të turneut, të dielën, Kosova ishte mposhtur nga Italia me rezultat 39:23.

Hendbollistët kosovarë do ta zhvillojnë ndeshjen e radhës të enjten, kur do të përballen me Portugalinë.

D.L

Continue Reading

Sport

Kosova garon në katër sporte në ditën e gjashtë të Lojërave Mesdhetare

Published

on

By

Kosova të martën do të jetë në garë në hendboll, volejboll, futboll dhe not, në ditën e gjashtë të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.

Në hendboll dhe volejboll do të garojnë ekipet e meshkujve, ndërsa në futboll do të paraqitet përfaqësuesja e vajzave.

Të gjitha këto ekipe janë ende në kërkim të fitores së parë në këtë edicion të Lojërave Mesdhetare dhe do të synojnë ta ndryshojnë bilancin në ndeshjet e radhës.

Ndërkohë, notarët kosovarë do të zbresin sërish në pishinë për garat e tyre, me synimin për të arritur rezultate sa më të mira dhe për të sjellë suksese të reja për Kosovën.

D.L

Continue Reading

Sport

Yjet e futbollit blejnë 90 për qind të Estrela Amadorës

Published

on

By

Ajo që për një kohë të gjatë ishte komentuar, të martën është bërë zyrtare. Një grup investitorësh, në mesin e të cilëve janë futbollistët e njohur Thomas Müller, Mats Hummels, Yann Sommer dhe Lucas Hernández, ka blerë shumicën e aksioneve të klubit portugez të kategorisë së parë, Estrela Amadora.

Grupi i investitorëve ka blerë 90 për qind të aksioneve të klubit, ndërsa vlera e investimit arrin në 40 milionë euro.

Të katër futbollistët kanë luajtur gjatë karrierës së tyre te Bayern Munichu. Hummels e ka përfunduar karrierën, Müller aktualisht luan te Vancouver Whitecaps në Kanada, Sommer është pjesë e Club Brugge, ndërsa Hernández aktivizohet te Paris Saint-Germain.

Hummels dhe Müller janë gjermanë, Sommer është zviceran, ndërsa Hernández francez.

Sipas raportimit të “Kicker”, futbollistët nuk pritet të japin ndonjë kontribut të madh financiar në projekt, por do të përqendrohen kryesisht në çështje strategjike dhe në zhvillimin e klubit.

Investimi është udhëhequr nga Johannes Mosmang, i cili i njeh mirë disa prej këtyre yjeve nga koha kur punonte si menaxher lojtarësh. Ai tani pritet ta drejtojë klubin portugez si president.

Estrela Amadora ka shënuar rritje të hovshme në vitet e fundit, ndërsa investimi i ri pritet t’i sjellë klubit ambicie dhe mundësi të reja për zhvillim.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara