Lajmet

​Bizneset kundërshtojnë liberalizimin e tregut të energjisë, kërkohet rishqyrtim i bazës ligjore

Published

on

Bizneset e Kosovës po e kundërshtojnë liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, i cili sipas tyre sjell rritje të kostos së prodhimit dhe shtrenjtim të jetës qytetarëve në vend.

Komuniteti i biznesit po ashtu kërkoi rishqyrtim të bazës ligjore për hapjen e tregut të energjisë.

Në takimin e grupeve parlamentare me përfaqësuesit e biznesit për të diskutuar daljen në treg të hapur të energjisë për biznese, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi tha se qe tri vjet me një sfidë që po iu paraqitet bizneseve dhe operatorëve të energjisë në kalimin nga tregu i rregulluar i energjisë në tregun siç e quajti ai të de-rregulluar të energjisë.

Për këtë Rukiqi tha se liberalizimi i tregut të energjisë ka një kosto të lartë për prodhuesit 30-40 përqind.

“Kjo nënkupton rritje e çmimeve për konsumatorët, sepse nëse rritet një kosto këtë duhet me bartë, ngase askush nuk punon me humbje. Rritet çmimi i produkteve që nënkupton edhe rritje të kostos së jetesës për shumë kënd në këtë vend”, thekson Rukiqi.

Ndërsa, Astrit Panxha, drejtor i Klubit të Prodhuesve të Kosovës me këtë rast kërkoi të rishqyrtohet komplet baza ligjore për tregun e liberalizimit.

“Me këtë liberalizim po cenohet interesi publik dhe po rrezikohen vendet e punës. Për këtë arsye duhet me reagua edhe kuvendi, edhe Qeveria që të kemi jo vetëm shtyrje, por duhet të rishikohet komplet baza ligjore e këtij liberalizimi”, tha Panxha.

Kurse, Kushtrim Ajvazi nga kompania “Vipa Chips”, ngriti shqetësimin e tij se kostoja vjetore për këtë fabrikë do të rritet mbi 50 mijë euro më tregun e hapur të energjisë.

“Një prej ofertave që kemi pranuar për liberalizim të tregut është prej KESCO-s dhe ne po kalojmë në një çmim të derregulluar ose liberalizim me të njëjtën kompani që jemi furnizuar deri tash. Me kushte të njëjta, ne do të paguajmë rrymë diku 36 përqind më shumë ose një kosto vjetore mbi 50 mijë euro”, theksoi Ajvazi.

Në këtë diskutim, bizneset morën mbështetjen e deputetëve të rinj të Kuvendit të Kosovës. Deputetja nga Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se për shkak se bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë nuk është funksional është i kufizuar edhe veprimi i Kuvendit, megjithatë ajo tha se këtë çështje do ta adresojnë në Qeveri dhe tek ministri përkatës.

“Në situatën aktuale janë paradokset që veç u përmenden, por ekziston kufizimi për ne si legjislaturë që me funksionuar përmes Autoritetit Rregullativ të Energjisë, në këtë rast të ZRRE-së për faktin se nuk ka kuorum në bord. Në situatën aktuale dje kemi pasur edhe një takim me përfaqësuesit e ZRRE-së dhe zyrën ligjore të kuvendit me i shqyrtua të gjitha mundësitë që ne si deputet të kuvendit në një seancë të veçantë me pasur mundësi me vendosur ose me sjellë një ndalesë të implementimit të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë… Tash në ngushtimin e fushëveprimit aktualisht ekziston një element tjetër dhe ai është elementi i trajtimit të furnizimit nga ana e KEK-ut te KESCO dhe ndonjë marrëveshje eventuale për këtë periudhë deri në kompletim të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe shqyrtimit të çmimit të derregulluara”, theksoi Kusari-Lila.

Deputeti nga LDK-ja, Besian Mustafa theksoi se kjo parti është në parim për liberalizim, por sipas tij për një treg që do të sillte çmime më të ulëta se me treg të derregulluar.

“Bazuar në këto dy parime pajtohem me përfaqësuesit e sektorit privat që duhet analizuar mundësia e plotësim-ndryshimit të legjislacionit në fuqi për të reflektuar këto dy parime, parimin e tregut të lirë dhe parimi që në planin afat gjatë të paktën tregu i lirë duhet të kenë çmime më të ulëta se tregjet e rregulluara”, tha Mustafa.

Ndërsa, deputeti nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri theksoi se janë kundër çdo rritje të çmimit të energjisë elektrike për sektorin privat. Tahiri tha se kjo është e papranueshme dhe mund të ketë kolaps të bizneseve prodhuese.

“Jemi kundër çfarë do situate ose me ngritë çmime në këto rrethana për sektorin privat. Jo, pse duam me dëmtuar ndonjë operator siç është KESCO, por për shkak se ne kemi marrë hapa në atë kohë si qeveri për mos me mbyllur ekonominë, sepse ne kemi vendosur me lanë ekonominë hapur për të mos kolapsuar shteti dhe tash po i vendosim çmim më të lartë sektorit privat”, theksoi Tahiri.

Drejtoresha e Rrjetit të Shitësve me Pakicë, Yllka Metaj ka thënë po ashtu se tregu i hapur i energjisë pa dyshim që ka me shkaktuar luhatje edhe në çmime të produkteve dhe shërbimeve për qytetarët.

Mësohet se mbi 100 biznese të mëdha në vend që janë të kyçura në tensionin 10 ose 35 kilovoltë kanë afat deri më 1 prill që të nënshkruajnë marrëveshje me ndonjërën nga kompanitë e licencuara për furnizim me energji. Kjo pasi nga kjo datë ato do të dalin në kategorinë e konsumatorëve me çmim të çrregulluara.

Lajmet

Zëvendëssekretari i Shtetit njofton për takimin me presidenten Osmani

Published

on

By

Zëvendëssekretari i Shtetit, Christopher Landau ka njoftuar për takimin që ka zhvilluar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai, përmes një postimi në X, ka bërë të ditur se kanë diskutuar për fushat e mundshme të bashkëpunimet ekonomik.

Në takimin tim me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, diskutuam fushat e mundshme të bashkëpunimit ekonomik në të ardhmen dhe shprehëm besimin se prosperiteti dhe bashkëpunimi ekonomik do të ndihmojnë në largimin e Ballkanit Perëndimor nga përçarjet e së kaluarës dhe do të promovojnë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon”.

Për këtë takim më herët ka njoftuar edhe presidentja Osmani duke thënë se “Kosova qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara për “të ndërtuar kapituj të rinj të bashkëpunimit strategjik, në përputhje me vizionin e fortë të Presidentit Trump”.

Më shumë siguri. Më shumë zhvillim. Më shumë mundësi për qytetarët tanë dhe bizneset tona”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Continue Reading

Lajmet

Kusari-Lila kritikon opozitën pas dështimit të Kuvendit, bën thirrje për votim

Published

on

By

Deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka kritikuar opozitën pas dështimit të 45-të me radhë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Ajo theksoi se seanca konstituive sipas rregullores nuk parasheh debat parlamentar, por vetëm proces votimi, ndërsa opozita nuk po merr pjesë në votim dhe po mban diskutime, gjë që sipas saj është shkelje e rregullores.

Është e qartë në rregullore se seanca konstituive nuk parasheh debat parlamentar. Ka vetëm proces votimi. Opozita nuk po merr pjesë në votim dhe për më tepër po mban diskutime, çka përbën shkelje të dytë”, tha Kusari-Lila.

Continue Reading

Lajmet

Bahtiri: Urat po ndërtohen, nuk mundet askush me i ndal

Published

on

By

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri deklaroi se askush nuk mund të ndalë ndërtimin e dy urave mbi lumin Ibër.

Prokuroria Speciale ka filluar hetim lidhur me procesin e urave të reja në Mitrovicë.

Megjithatë, Bahtiri u shpreh i kënaqur me ndërtimin e tyre dhe u shpreh i bindur se nuk do të ndalet ndërtimi i tyre.

Jam i kënaqur që po ndërtohen urat mbi lumin Ibër dhe jam shumë i lumtur për këtë. Çka do që ndodhë urat po ndërtohen, kjo është dhe nuk mundet askush me i ndal, këtë ta dini”, deklaroi ai.

Këto deklarata Bahtiri i bëri para fillimit të seancës, ku për herë të 45-të po tentohet konstituimi i legjislaturës së nëntë të Kuvendit.

Continue Reading

Lajmet

LVV-ja vazhdon akuzat kundër PDK-së, LDK-së dhe AAK-së

Published

on

By

Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar akuzat ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës se “po bllokojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës”.

Para nisjes së seancës konstituive për herë të 45-të, në LVV thanë që partitë, të cilat deri tani ishin në opozitë, “janë destruktive dhe nuk po punojnë” në funksion të zgjidhjes së krizës politike, edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kosova është në krizë politike tash e gjashtë muaj, pasi partitë parlamentare pas zgjedhjeve të 9 shkurtit assesi nuk po merren vesh për zgjedhjen e trupave të Kuvendit, proces që do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë.

Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, tha se partia e tij nuk është fajtore për bllokadën në Kuvend, derisa tha se deputetët e partive që deri tani ishin në opozitë po vijnë kot në Kuvend, pasi nuk po marrin pjesë në votim.

Pyetja është sesi do të veprojnë PDK, LDK dhe AAK. A do të vazhdojnë me këtë destruktivitet apo do të kemi reflektim të zërave të arsyes. Bllokimi i Kuvendit të Kosovës qartazi është duke marrë karakter dhe ndikim financiar, duke i prekur të gjitha pjesët e jetës institucionale dhe politike. Mos të harrojmë se kjo opozitë, që më herët i ka bërë marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend, tani po shkakton dëm që kap miliona euro. Kjo po vazhdon edhe tash. Nuk ka faj Lëvizja Vetëvendosje në këtë çështje. Ne jemi duke bërë gjithçka që kërkohet prej nesh – jemi duke marrë pjesë në votim dhe duke ngritur dorën. Pyetja është: çfarë bëjnë deputetët e opozitës në këto seanca, ku vijnë kot. Nuk votojnë dhe nuk e marrin obligimin e tyre si deputetë në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, tha se sot bëhen dymbëdhjetë vjet nga miratimi i Ligjit për Amnisti në Kosovë, i cili sipas saj ishte një kompromis i dëmshëm dhe një gabim historik i ish-pushtetarëve të atëhershëm.

Sipas saj, në Kuvendin aktual ka deputetë që në atë kohë votuan për këtë ligj të dëmshëm, ndërsa sot kontribuojnë në krizën politike duke mos votuar për konstituimin e Kuvendit.

Votimi i ligjit për amnisti ishte një kompromis i dëmshëm dhe përtej kësaj ishte një gabim historik, pasi përveç tjerash, jo vetëm që u amnistuan krimet, por u inkurajuan grupet kriminale të vazhdojnë aktivitetet e tyre. Politikanët që qeverisën vendin tonë në atë kohë u kujdesën për amnistimin e krimeve. Sot, pas më shumë se një dekade, është e qartë se shumë nga ata që u amnistuan përmes këtij ligji jo vetëm që nuk u integruan, por vazhduan veprimtarinë e tyre kriminale. Kosova u përball me sulme dhe dhunë ndaj policisë dhe me organizime kriminale e terroriste. Është shumë e rëndësishme të flasim sot për 13-vjetorin e ligjit për amnisti. Atje poshtë, në Kuvend, ka deputetë që kanë ngritur dorën dhe kanë votuar këtë ligj të dëmshëm për Kosovën. Të njëjtit kanë votuar edhe për Zajednicën dhe Gjykatën Speciale. Sot, ata të njëjtit deputetë nuk po e ngrenë dorën për konstituimin e Kuvendit”, theksoi ajo.

Continue Reading

Të kërkuara