Aktualitet

​“Bëhu Zëri im”, platforma që synon fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale në nivel ndërkombëtar

Published

on

Dokumentimi i rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, përfaqësimi i interesave të të mbijetuarve të dhunës seksuale dhe fuqizimi i tyre në nivel ndërkombëtar janë caqet që synon të arrijë platforma “Bëhu Zëri im”, e cila u lansua të enjten në Prishtinë.

Kjo platformë është themeluar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave, Medica Gjakova dhe Medica Kosova, koalicion ky që ka për qëllim rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit mes organizatave në avancimin e kauzës së përbashkët, realizimin e të drejtave dhe fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti, tha se përmes kësaj platforme synojnë të jenë zë i fuqishëm i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Përmes saj, Rushiti tha se do të ngrisin këtë çështje në nivel ndërkombëtar, e që synojnë që kauza të cilën e ka kjo platformë të jetë zë i fuqishëm edhe në dialogun me Serbinë.

“Kjo platformë përtej që ka për qëllim edhe më tej me e fuqizua kauzën e të mbijetuarve të dhunës seksuale ka për qëllim që këtë kauzë ta ngritë edhe në nivel ndërkombëtar, për faktin se krimet e dhunimit janë shumë herë krime të heshtura, krime që shumëherë janë jashtë agjendave rajonale dhe botërore. Fatkeqësisht, edhe iniciativat rajonale për ballafaqimin me të kaluarën, dokumentimin e krimeve të dhunës seksuale e ka lënë anash, për faktin se ky krim nuk është lehtë të dokumentohet. Ne përmes kësaj platforme synojmë të fuqizojmë edhe më tej zërin e të mbijetuarave të dhunës seksuale dhe të lidhemi ngushtë me dokumentimin e këtyre krimeve… 6:10 E pse jo, edhe për të qenë zë i fuqishëm edhe në përgatitjen e të gjithë hapave të nevojshëm në kuadër të dialogut me Serbinë, që kjo çështje të mos mbetet e heshtur”, tha ajo.

Se platforma e lansuar sot do të jetë një zë i fuqishëm në adresimin e nevojave të të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë, e tha edhe Edward Lister nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar.

Ai theksoi se janë të përkushtuar që të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë të arrijnë drejtësinë dhe kryerësit e këtyre veprave të bëhen përgjegjës.

“Në Kosovë e dini si janë kushtet. Mbështetja e organizatave siç është juaja, duke shfrytëzuar rrugët ligjore në adresimin e stigmës, ka pasur sukses… Platforma e lansuar sot do të jap kontribut të rëndësishëm që të mbështetet të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe do të avokojë në adresimin e nevojave në Kosovë dhe përmes mekanizmave tjerë ndërkombëtar që janë këtu… Mbretëria e Bashkuar është që të gjithë të mbijetuarit të arrijnë drejtësinë dhe kryerësit e veprës të bëhen përgjegjës”, tha ai.

Mirlinda Sada, drejtoreshe e Medica Gjakova, tha se është dashur bukur kohë që të mbijetuarit e dhunës seksuale të flasin.

Si organizata joqeveritare, ajo bëri të ditur se kanë filluar të ofrojnë ndihmë edhe për familjarët e të mbijetuarve të dhunës seksuale, pasi traumat janë bartur edhe tek ta dhe në disa gjenerata.

“Përkrahja që prisnin gratë nuk u gjet as tek familja, as tek shoqëria. Ato nuk guxonin të ankoheshin, ato nuk guxonin të tregonin atë që iu ka ndodhur sepse të tjerët diktonin jetën e tyre… Për fat të mirë shumë gra dhe burra mbijetuan, vet mbijetesa e tyre tregon forcën e tyre. Në fillim ishin pak dhe ishin vetëm, mirëpo pas disa viteve me shumë frikë, ato pranuan atë që ju ka ndodhur. Në fillim si individ, e pastaj ngjarjen traumatike e ndan me shoqet e tyre dhe kuptuan se nuk ishin vetëm… Ishin këto organizata joqeveritare që përkrahën dhe vazhdojnë të përkrahin të mbijetuarit e dhunës seksuale”, u shpreh ajo.

Drejtoresha e Medica Kosova, Veprore Shehu, kujtoi fillimet e para të punës në organizata, për çka tha se për shkak të ndjeshmërisë së rasteve dhe traumave të shumëfishta që viktimat kanë pasur, ka qenë shumë e vështirë paraqitja edhe e ofertës për ta.

Kurse Kadire Tahiri, drejtoreshë e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, kritikoi institucionet shtetërore, duke thënë se këto të fundit deri më sot kanë njohur vetëm dhimbjen e vuajtjes, asgjë më shumë.

E pranishme në lansimin e platformës “Bëhu Zëri im” ishte edhe deputetja Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e cila vlerësoi punën e organizatave që merren me këtë çështje, teksa apeloi për bashkëpunim më të madh për thyerjen e stigmës.

“Unë e di se shumë prej viktimave nuk kanë derë tjetër veçse të shkojnë tek shoqatat dhe të rrëfejnë historinë e vet. Duhet të punohet më shumë së bashku për të thyer stigmën. Unë e di se është vështirë për ta thyer stigmën siç është në Kosovë, siç është dhuna seksuale duke e ditur shoqërinë që e kemi. Ne duhet me punua shumë familjet e tyre, sepse familjet janë ato që i mbajnë ato të mbyllura dhe të heshtura”, tha ajo.

Përgjatë dekadaveQendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave, Medica Gjakova dhe Medica Kosova kanë punuar me të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës, duke mbështetur rehabilitimin, mirëqenien dhe fuqizimin e tyre.

Continue Reading

Aktualitet

Tri raste të dhunës në familje brenda një dite

Published

on

By

Policia e Kosovës, në raportin e saj 24-orësh, ka njoftuar se janë regjistruar tri raste të dhunës në familje. Rastete janë regjistruar në qytetet Shtërpcë, Pejë dhe Skenderaj.

Në qytetin e Shtërpcës, policia ka arrestuar një burrë i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje.

Lidhur me këtë rast, policia bën të ditur se “me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

Ndërkohë, një rast tjetër është raportuar në Pejë rreth orës 20:20, ku burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një burri tjetër.

Lidhur me këtë ngjarje, Policia e Kosovës ka njoftuar se “i dyshuari ndodhet në kërkim policor” dhe se hetimet po vazhdojnë për lokalizimin e tij.

Rasti i tretë ka ndodhur në Skenderaj, ku një person është shoqëruar në stacionin policor nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje.

Pas marrjes në pyetje të palëve të përfshira, “me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”.

 

Continue Reading

Vendi

Arrestohet një grua në Podujevë për keqtrajtim apo braktisje të fëmijëve

Published

on

By

Në raportin e policisë, në 24 orët e fundit është raportuar një rast i keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijëve në Podujevë, që ka çuar në arrestimin e një personi.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, ku njësitet policore kanë vënë në pranga të dyshuarën grua nën dyshimin për kryerjen e kësaj vepre penale.

Sipas raportit, “e dyshuara është dërguar për tretman mjekësor dhe e njëjta me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Policia nuk ka dhënë detaje shtesë mbi gjendjen e fëmijës, mirëpo ka konfirmuar se rasti po trajtohet nga organet kompetente për procedura të mëtejshme hetimore.

Continue Reading

lajme

Ekstradohet nga Franca i kërkuari për vrasje në tentativë në rajonin e Pejës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se është realizuar ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Franca për në Kosovë, i cili ishte i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.

Operacioni u krye dje nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim të plotë me institucionet e drejtësisë dhe njësitet tjera relevante.

I dyshuari, i cili akuzohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”, ishte arrestuar më parë nga autoritetet franceze pasi ishte shpallur në kërkim përmes INTERPOL-it për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë kosovare.

Sipas njoftimit zyrtar, procesi u krye me sukses falë marrëdhënieve të mira ndërshtetërore, duke u theksuar se: “Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre franceze”.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse të policisë në rajonin e Pejës për procedim të mëtejshëm ligjor.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të mbetet aktive në luftën kundër krimit pa marrë parasysh kufijtë, duke deklaruar se: “Policia e Kosovës do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale”.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e Arkitekturës në UBT realizojnë vizitë studimore në terren në lagjen Kalabria

Published

on

By

Në kuadër të lëndës Studio e Planifikimit Urban, studentët e vitit të dytë nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT kanë zhvilluar një vizitë studimore në lagjen Kalabria në Prishtinë, së bashku me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska.

Vizita në terren kishte për qëllim mbledhjen e të dhënave dhe vëzhgimin e drejtpërdrejtë të hapësirës urbane, si hap fillestar drejt analizës së gjendjes ekzistuese. Kjo analizë do të shërbejë si bazë për zhvillimin e detyrave semestrale të studentëve në këtë lëndë.

Përmes kësaj përvoje praktike, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre duke lidhur aspektet teorike me realitetin urban, si dhe të zhvillojnë një qasje kritike ndaj organizimit dhe funksionimit të hapësirës në qytet.

Vizita u realizua në bashkëpunim me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska dhe asistentët Gazmend Uka dhe Agnesa Thaqi, të cilët udhëhoqën studentët gjatë procesit të vëzhgimit dhe analizës në terren.

Continue Reading

Të kërkuara