Lajmet

​BE për targat: Kosova të ketë të drejtën të heqë gradualisht tabelat ilegale

Ajo ritheksoi se Prishtina ka të drejtë që vendimin për ri-regjistrim ta zbatojë në faza.

Published

on

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Nabila Masrali tha sot se BE do të vazhdojë të punojë me Beogradin dhe Prishtinën për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave dhe u bëri thirrje të dyja palëve të qëndrojnë të qetë për të shmangur tensionet e reja.

Në konferencën për media në Bruksel, ajo ritheksoi se Prishtina ka të drejtë që vendimin për ri-regjistrim ta zbatojë në faza, porse procesi duhet të zhvillohet në mënyrë të dakorduar, gjithëpërfshirëse dhe përmes dialogut.

Ajo theksoi se BE-ja vazhdon të punojë me partnerët për të gjetur një zgjidhje të përhershme dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të qëndrojnë të qetë në mënyrë që të mos ketë tensione të reja në terren.

“Ju e keni parë deklaratën tonë.Ne e marrim parasysh vendimin e Kosovës, vendimin më të fundit të qeverisë në lidhje me targat. Është shumë e qartë se ajo që ne duam është që Kosova të ketë të drejtën të heqë gradualisht tabelat KM, por procesi duhet të merret në bazë të dakordimit në dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative. Ndërsa vendimi siç themi është një hap drejt vendimit te duhur, ai nuk përputhet me marrëveshjen e dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët dhe marrëveshjen përkatëse të vitit 2016. BE-ja do të vazhdojë të angazhohet me partnerët tanë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. Dhe sigurisht ne u bëjmë thirrje palëve të interesuara të ruajnë qetësinë dhe të parandalojnë tensionet e reja të panevojshme në terren”, ka thënë Masrali në konferencën për media, duke iu përgjigjur pyetjes se cilët do të jenë hapat e ardhshëm të Brukselit.

Ndryshe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës u ka bërë sërish thirrje qytetarëve serbë që të regjistrojnë automjetet e tyre në targa RKS, ndërkohë që gjoba për ata që hasen duke vozitur pa këto targa gjoba do të jetë 150 euro.

Në një komunikatë për media thuhet se një gjë e tillë mund të bëhet në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, me datë 28.10.2022 që procesi i regjistrimit të bëhet i shkallëzuar në faza, deri në përmbylljen e këtij procesi legal më datë 21 prill 2023.

Me vendimin e ri, nga data 1 nëntor 2022, të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, do të shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.

Nga data 21 nëntor deri me datë 21 janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE” “DA” apo “ĐA”, do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi, në lartësi prej 150 euro.

Nga data 21 janar 2023, pronarët e mjeteve me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, për të hyrë dhe qarkulluar në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të pajisen me targa provuese duke e pasur të drejtën e regjistrimit me targa RKS me lehtësirat e parapara.

Nga data 31 mars deri me datë 21 prill 2023, do të mundësohet regjistrimi i mjeteve me “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” në targa RKS, por të njëjtat nuk do të mund të shfrytëzojnë lehtësirat e ofruara deri me këtë datë.

Pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Ky proces ka për synim ligjshmërinë në shtetin tonë, rritjen e sigurisë në trafik dhe nuk është i drejtuar ndaj asnjë etnie të caktuar. 

Live

Gjashtë të vrarë pasi një dron rus godet një park në Ukrainë

Published

on

By

Gjashtë persona, përfshirë fëmijë, janë vrarë, kur një dron rus goditi një park në rajonin e Harkivit, në verilindje të Ukrainës, thanë autoritetet më 19 tetor.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e dënoi sulmin, që e cilësoi si “mizori”, duke shkruar në Facebook se droni “goditi direkt njerëzit në një park afër një kafeneje”.

Në mesin e tyre ishte një vajzë njëvjeçare, shkroi ai, duke ripublikuar një fotografi të një vajze të vogël në një karrocë fëmijësh.

Sulmi në parkun qendror të Nova Vodollagës, në rajonin verilindor të Harkivit, la të vrarë edhe nënën e vajzës.

Qyteti, që gjendet pranë vijës së frontit, kishte rreth 10.000 banorë para se Rusia të niste pushtimin në shkallë të plotë të ZUUkrainës në vitin 2022.

Guvernatori i rajonit të Harkivit, Oleg Synegubov, tha në Telegram se në mesin e viktimave janë tre fëmijë dhe 15 persona të tjerë janë plagosur – shtatë prej të cilëve, sipas tij, janë fëmijë.

Në një postim të mëhershëm në Telegram, Synegubov dënoi “një tjetër akt terrorist nga Federata Ruse”.

“Armiku godet një park rekreativ në mes të ditës, duke e ditur se aty nuk ka fare infrastrukturë ushtarake”, tha ai.

Edhe policia e rajonit të Harkivit publikoi në Telegram fotografi ku shiheshin një karrocë e djegur, pajisje të dëmtuara të këndit të lojërave dhe një strukturë prej druri në prag të shembjes.

Ndërkohë, Zelensky përsëriti thirrjen drejtuar aleatëve të Kievit që t’i sigurojnë vendit më shumë kapacitete të mbrojtjes ajrore, në një kohë të rritjes së tensioneve me presidentin amerikan, Donald Trump.

“Kërkojmë që sanksionet ndaj Rusisë të mbeten në fuqi për sa kohë që vazhdojnë vrasjet. Kërkojmë që Amerika të jetë e fortë”, tha Zelensky, i cili më herët ka kritikuar vendimin e Uashingtonit për të hequr disa sanksione ndaj Moskës.

Ndërkaq, autoritetet lokale në rajonin lindor të Luhanskut, të pushtuar nga Rusia, thanë se tre persona u vranë të hënën, kur një sulm ukrainas goditi një automjet për transportin e arkivoleve.

“Një sulm ukrainas shënjestroi një automjet të shërbimit funeral që po transportonte një person të vdekur. Ky sulm u mori jetën tre personave”, tha në Telegram Leonid Pasechnik, udhëheqësi i rajonit i instaluar nga Moska. /REL/

Continue Reading

Kronikë e zezë

68 persona të arrestuar pas protestës se djeshme në Tiranë, në mesin e tyre edhe të mitur

Published

on

By

Policia e Tiranës ka njoftuar se vetëm gjatë ditës së djeshme janë arrestuar 68 persona në lidhje me protestën e mbajtur në kryeqytet. Në mesin e të arrestuarve janë edhe shtatë të mitur, të moshës 15 deri në 17 vjeç, ndërsa ndaj 22 protestuesve të tjerë ka nisur procedimi penal.

Përplasjet fizike gjatë ditës së gjashtë të protestës shkaktuan të lënduar në të dyja palët, si dhe dëme të konsiderueshme materiale në disa godina institucionesh ku u shfaqën edhe vatrat e para të flakëve.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, personat e ndaluar dyshohen se kanë goditur zyrtarët policorë dhe godinat publike e private me gurë, sende të forta dhe lëndë piroteknike.

“Gjatë tubimit të djeshëm janë dëmtuar 20 punonjës Policie. Personat e ndaluar kanë dëmtuar fizikisht efektivët si dhe kanë shkaktuar dëme materiale në godinat e institucioneve dhe në sinjalistikën rrugore. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë. /E.A/

Foto: REL

Continue Reading

Rajoni

Protestuesit sulmojnë objektin e Gjykatës së Apelit

Published

on

By

Protestuesit në Shqipëri kanë hyrë në objektin e Gjykatës së Apelit. 

Pasi kanë qëndruar për pak minuta aty, ata janë larguar. 

Kjo është hera e parë që është sulmuar objekti i Gjykatës së Apelit.

Pasi janë larguar protestuesit, në vendngjarje kanë arritur pjesëtarë të Policisë. Njëri prej protestuesve është shoqëruar në Polici.

Continue Reading

Lajmet

Presidenti i Malit të Zi në vizitë në Kosovë

Published

on

By

Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë. 

Policia e Kosovës ka njoftuar se sipas detyrës zyrtare, do të ndërmarrë masat e sigurisë si dhe do të kujdeset për rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të tij në Kosovë.

Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës, sipas itinerarit të lëvizjes, nga pika kufitare Kullë – Pejë, si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës në rajonin e Pejës, Policia e Kosovës, sipas nevojës, do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. 

Continue Reading

Të kërkuara