Lajmet

​Banka Botërore: Rritja ekonomike e Kosovës do të ngadalësohet më 2022

Kështu thuhet në raportin e fundit të rregullt ekonomik të Bankës Botërore për Kosovën.

Published

on

Rritja ekonomike në Kosovë vitin 2022 pritet të ngadalësohet në nivelin mes 3 dhe 4 për qind, duke supozuar se çmimet do të normalizohen gjatë gjysmës së dytë të vitit. Investimet e vazhdueshme private dhe përshpejtimi i investimeve dhe konsumit publik pritet të jenë mbështetës të rritjes. Kështu thuhet në raportin e fundit të rregullt ekonomik të Bankës Botërore për Kosovën.

Në raport thuhet se ekonomia e Kosovës përjetoi një rimëkëmbje të plotë të mbështetur nga konsumi privat, rritja rekord e eksporteve, rikthimi i jashtëzakonshëm i vizitave nga diaspora, rritja e fortë e kreditimit, si dhe stimujt e konsiderueshëm fiskalë.

Me rimëkëmbjen e ekonomisë u përmirësua bilanci fiskal dhe u ngadalësua rritja e borxhit publik falë performancës së fortë të të hyrave publike. Megjithatë, Banka Botërore kujton se rimëkëmbja u shoqërua edhe me presione jashtëzakonisht të larta inflacioniste, veçanërisht gjatë pjesës së dytë të vitit, të nxitura kryesisht nga rritja e çmimeve të importeve.

Ndikimet e zgjatura të presioneve të jashtme të kohëve të fundit mund t’i përkeqësojnë më tej perspektivat ekonomike të Kosovës. Pengesat strukturore, siç janë kapacitetet e vjetruara të prodhimit të energjisë, e shtojnë më tej pasigurinë.

Rritja në vitin 2022 pritet të ngadalësohet në nivelin mes 3 dhe 4 për qind, duke supozuar se çmimet do të normalizohen gjatë gjysmës së dytë të vitit. Investimet e vazhdueshme private dhe përshpejtimi i investimeve dhe konsumit publik pritet të jenë mbështetës të rritjes.

“Ka nevojë urgjente për trajtimin e kufizimeve për rritjen me produktivitet më të lartë dhe për investime në kapitalin njerëzor më mënyrë që Kosova t’i shfrytëzojë avantazhet që sjell popullsia në moshë të re”, tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

“Nëse Kosova nuk e forcon kapitalin e vet njerëzor, do ta ketë më të vështirë të sigurojë rritje më të shpejtë dhe më gjithëpërfshirëse, nuk do të ketë fuqi punëtore të përgatitur për punët e së ardhmes, si dhe nuk do të jetë në gjendje të konkurrojë në ekonominë globale“, ka shtuar ai.

Ndryshe, në raport përmendet se të gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor po përballen me një gamë të re sfidash ekonomike, përkundër ringritjes më të mirë sesa pritej nga recesioni i shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Rritja e BPV-së në rajon kapi nivelin prej 7.4 për qind në vitin 2021, pas tkurrjes prej 3.2 për qind në vitin 2020. Ky kthim në rritje solli hapje të konsiderueshme të vendeve të punës, dhe kërkesa për punësim ndihmoi në uljen e varfërisë në të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

Në vitin 2021, shkalla e punësimit në Ballkanin Perëndimor kapi nivelin më të lartë historik prej 45.8 për qind. Megjithatë, rimëkëmbja pas pandemisë u ndërpre nga valët e tronditjeve që lufta në Ukrainë ka dërguar në mbarë rajonin. Tashmë, rritja për Ballkanin Perëndimor parashikohet të jetë 3.1 për qind në vitin 2022, thueht më tej në raport.

Rreziqet e rënies për perspektivën ekonomike të rajonit duken tepër brengosëse. Zgjerimi i konfliktit ose zgjatja e luftës në Ukrainë mund të shkaktojë trazime të mëtejshme të tregtisë globale dhe çmimeve të energjisë dhe ushqimeve. Rreziqet e rifinancimit mund të lindin nëse vazhdojnë të shtrëngohen kushtet e tregut të jashtëm financiar. Qëndrueshmëria e borxhit mund të kthehet në shqetësim nëse hapësira e kufizuar fiskale gërryhet nga përgjigjet e politikave ndaj rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, ndërkohë që rriten edhe kostot e rifinancimit, thekson Banka Botërore.

“Në një mjedis të tillë, politika e qeverisë duhet të fokusohet në ndërtimin e qëndrueshmërisë dhe në ndërmarrjen e reformave strukturore për të mbështetur rritjen dhe për të gjetur drejtimin përgjatë krizave”, tha Sanja Madzarevic-Sujster, Ekonomiste e lartë e Bankës Botërore dhe një nga autoret kryesore të raportit.

“Duke pasur hapësirë të kufizuar fiskale, vendet do të duhet t’i peshojnë me kujdes kostot dhe përfitimet e zotimeve të reja për shpenzime në përgjigje ndaj rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, duke u dhënë përparësi familjeve më të cenueshme”, shtoi ajo.

Në kontekstin e krizës energjetike në Evropë, raporti ofron gjithashtu një vlerësim të cenueshmërisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor ndaj goditjeve prej çmimeve të energjisë, masave të marra nga qeveritë për të zbutur ndikimet, dhe si mund të ndikojë kriza në ecjen përpara me tranzicionin e energjisë së gjelbër.

“Për t’iu përgjigjur krizës aktuale energjetike dhe për të garantuar mbrojtjen e amvisërive dhe firmave më të cenueshme, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet t’i harrojnë synimet e tyre afatgjata për të arritur sigurinë energjetike dhe reziliencën si pjesë e agjendës së reformës së gjelbër”, shton Richard Record, krye-ekonomist i Bankës Botërore dhe një nga autorët kryesorë të raportit.

Raporti argumenton se rritja e qëndrueshme nuk mund të ndodhë pa reforma strukturore që shtojnë produktivitetin, rrisin konkurrencën, investojnë në kapitalin njerëzor dhe forcojnë qeverisjen.

Masat për uljen e kostove rregullatore të biznesit, për rritjen e konkurrencës në treg, për mbështetjen e pjesëmarrjes në tregun e punës dhe për forcimin e pavarësisë së institucioneve publike, do të ishin të gjitha mbështetëse për rritjen në një mjedis të pasigurt.

Lajmet

Ndahet nga jeta legjenda e rock-ut David Clayton-Thomas

Published

on

David Clayton-Thomas, këngëtari kanadez dhe frontmeni i grupit legjendar Blood, Sweat & Tears, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.

Fituesi i çmimit Grammy u nda nga jeta në mënyrë paqësore të mërkurën në një spital në Toronto, ka bërë të ditur publicisti i tij, Eric Alper. Shkaku i vdekjes nuk është bërë publik.

Clayton-Thomas ishte një nga zërat më të njohur të muzikës jazz-rock dhe interpretoi hite si “You’ve Made Me So Very Happy”, “And When I Die” dhe “Spinning Wheel”. Gjatë karrierës së tij shiti mbi 40 milionë disqe dhe konsiderohet një nga artistët që ndikoi në zhvillimin e këtij zhanri muzikor.

Ai iu bashkua grupit Blood, Sweat & Tears në vitin 1968. Albumi me të njëjtin emër u shit në mbi 10 milionë kopje në mbarë botën, qëndroi shtatë javë në krye të klasifikimit Billboard dhe fitoi pesë çmime Grammy, përfshirë edhe çmimin për Albumin e Vitit, duke lënë pas edhe albumin Abbey Road të The Beatles.

Në vitin 1970, grupi u bë formacioni i parë rock që zhvilloi një turne në Evropën Lindore, pas një kërkese të Departamentit Amerikan të Shtetit. Më vonë u zbulua se Clayton-Thomas ishte përballur me një ultimatum për ta zhvilluar turneun në këmbim të qëndrimit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara.

Ai u largua nga grupi në vitin 1972 për shkak të lodhjes nga turnetë e shumta, por më vonë publikoi mbi një duzinë albumesh solo dhe iu rikthye Blood, Sweat & Tears në fillim të viteve 1980.

David Clayton-Thomas lë pas dy vajzat e tij, Ashleigh Clayton-Thomas dhe Christine Graham. Sipas publicistit të tij, në një datë të mëvonshme do të organizohet një koncert përkujtimor në nder të jetës dhe muzikës së tij, ndërsa të ardhurat do t’i dedikohen organizatës bamirëse Peacebuilders Canada. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Spekulimet shtohen, Taylor Swift dhe Travis Kelce mund të martohen në Madison Square Garden

Published

on

Spekulimet për martesën e këngëtares me famë botërore Taylor Swift dhe yllit të NFL-së, Travis Kelce, janë shtuar pas raportimeve se është paraqitur një kërkesë për mbylljen e disa rrugëve pranë Madison Square Garden në New York gjatë fundjavës së 4 Korrikut.

Zëdhënësja e zyrës së kryetarit të New Yorkut, Dora Pekec, konfirmoi për BBC se në fillim të qershorit është dorëzuar një kërkesë për mbylljen e rrugëve rreth arenës nga 2 deri më 4 korrik. Megjithatë, ajo nuk bëri të ditur se kush e ka paraqitur kërkesën, ndërsa CNN raportoi se emrat e Swift dhe Kelce nuk figurojnë në dokumentacion.

Sipas The New York Times, disa lojtarë të ekipit Kansas City Chiefs, ku luan Kelce, kanë rezervuar dhoma hoteli në afërsi të arenës. Po ashtu, policët e Amtrak, që kujdesen për sigurinë në stacionin Penn Station poshtë Madison Square Garden, janë njoftuar të jenë të përgatitur për një dasmë të mundshme të Swift gjatë fundjavës festive.

Raportimet thonë se më 2 korrik mund të organizohet një ceremoni private me rreth 100 të ftuar, ndërsa më 3 korrik një festë më e madhe, ku nuk përjashtohen edhe performanca muzikore.

Lajmi ka ngjallur reagime të shumta mes fansave. Disa e kanë cilësuar Madison Square Garden si një zgjedhje të pazakontë për një martesë, duke menduar se Swift do të zgjidhte një ambient më romantik, si rezidenca e saj në Rhode Island. Të tjerë, megjithatë, e konsiderojnë arenën një vend simbolik, pasi ajo lidh botën e muzikës dhe sportit, dy fushat ku çifti ka ndërtuar karrierën.

Një tjetër arsye që përmendet është siguria e lartë që ofron arena, me hyrje private dhe masa të rrepta që do ta bënin të vështirë fotografimin e çiftit dhe të ftuarve nga paparacët.

Taylor Swift dhe Travis Kelce njoftuan fejesën e tyre në muajin gusht, ndërsa deri më tani nuk kanë konfirmuar zyrtarisht datën apo vendin e martesës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Një grua gjendet pa shenja jete në Lipjan, trupi dërgohet për obduksion

Published

on

Një grua ka humbur jetën në rrethana ende të panjohura në Lipjan.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 25 qershor, rreth orës 09:55, nga një dëshmitare, e cila ka njoftuar se viktima kishte rënë papritur në tokë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e emergjencës, të cilat kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rasti po hetohet si “Hetim mbi vdekjen”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Published

on

Policia e Kosovës ka raportuar gjashtë raste të dhunës në familje të regjistruara më 25 qershor në komuna të ndryshme të vendit, ku katër persona janë arrestuar.

Në Graçanicë, pas një mosmarrëveshjeje familjare, tre meshkuj u përfshinë në një përleshje. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të tre u liruan në procedurë të rregullt.

Në Prishtinë, një grua u arrestua pasi dyshohet se sulmoi fizikisht një grua tjetër. Viktima mori trajtim mjekësor, ndërsa e dyshuara u dërgua në mbajtje.

Në Viti, një grua raportoi se ishte sulmuar fizikisht nga një mashkull pas një mosmarrëveshjeje verbale. I dyshuari u arrestua dhe, me vendim të prokurorit, u dërgua në mbajtje.

Në Pejë, një grua raportoi se kishte qenë vazhdimisht viktimë e dhunës fizike dhe psikike nga një mashkull, ndërsa së fundi kishte pranuar edhe telefonata kërcënuese prej tij. Pas intervistimit, palët u liruan në procedurë të rregullt hetimore.

Në Deçan, një mashkull u arrestua pasi dyshohet se sulmoi fizikisht një mashkull tjetër. Viktima mori trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari u dërgua në mbajtje.

Ndërkaq, në Mitrovicë, një mashkull u arrestua pasi dyshohet se ushtroi dhunë fizike ndaj një gruaje. Edhe në këtë rast, viktima pranoi trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari u dërgua në mbajtje me vendim të prokurorit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara