Lajmet

​A po punon me kolegë që krijojnë konflikte pa pasur nevojë?

Published

on

A keni dëgjuar që ka edhe konflikte të mira? Këto konflikte janë të llojit që janë të shëndetshme, sepse na shtyjnë neve që të jemi më të mirë me veten dhe shoqërinë. Kështu që, pothuajse të gjitha kompanitë kanë nevojë për konflikte të mira. Por në shumicën e herëve, konfliktet nuk janë të mira, përkundrazi e dëmtojnë besimin dhe energjinë, krijojnë “armiqësi” me njëri-tjetrin në vendet e punës dhe e devijojnë realitetin.

Çfarë i nxitë këto konflikte? Autorja e librit “High Conflict: Why We Get Trapped and How We Get Out”, thotë që ka gjetur se është prezenca e “sipërmarrësve të konflikteve”. Këta janë njerëz që nxisin konfliktet për fundin e tyre. Nganjëherë këtë e bëjnë për përfitime, por shumicën e kohës për vëmendje ose fuqi. Sipas saj, kjo nuk ekziston në secilën organizatë, por më së shpeshti është aktive në vendet e punës si spitalet, universitetet dhe grupet politike apo lobet.

Njerëzit që përballen me personalitete që nxisin konflikte përfshirë avokatët, terapistët dhe vëzhguesit e konflikteve, sugjerojnë të ndërmerren veprime me kujdes të madh me ta.

Identifikoni shpejt konfliktet

Mësoni së pari t’i identifikoni sipërmarrësit e konfliktit! Kujtoni që njerëzit mund t’ju kritikojnë, të mos pajtohen, të shkojnë të burimet njerëzore, ta udhëheqin një veprim ose nxisin ndonjë peticion pa qenë menaxherë të konfliktit. Karakteristika e një nxitësi konflikti ka të bëjë më shumë me mënyrën se si njerëzit vijnë në konflikt me kalimin e kohës, ka të bëjë me një model të përsëritur të mosfunksionimit, sjelljes ekstreme dhe fajit të përjetshëm. Ata shpesh akuzojnë shpejt, të etur për të vërtetuar çdo ankesë dhe për të artikuluar gabime të reja që askush tjetër nuk i ka menduar më herët. Ata i ndërmjetësojnë thashethemet dhe teoritë e komplotit dhe, e ndajnë botën me kujdes në të mirën kundrejt së keqes.

Është e domosdoshme që ta shihni që nxitësit e konfliktit mund të kenë trauma të pazgjidhura në të kaluarën ose të tashmen e tyre, përfshirë përvojat e neglizhimit, abuzimit dhe dhunës. Mundohuni të keni dhembshuri, pavarësisht sa e vështirë është! Mos harroni se ne të gjithë jemi të aftë të veprojmë si sipërmarrës konfliktit!

Kaloni më shumë kohë me ta

Nëse punoni me ndonjë nga kolegët që janë nxitës të konflikteve, atëherë dëgjoni dhe mundohuni që t’i kuptoni, jo gjithmonë, por mjaftueshëm sa për të krijuar lidhje, duke i përshëndetur po ashtu me fjalë të mira dhe të sjellshme.

Devijoni energjinë e tyre

Në kompani, kjo mund të nënkuptojë kanalizimin e energjisë së një nxitësi të konfliktit në diçka produktive për të cilën ju dy kujdeseni. Jepuni atyre një zgjedhje në vend të një mandati! Shpesh, stërvitja profesionale është një opsion i mire. Pra, duhet të përqendroheni në të ardhmen.

Ndërtoni barriera të përkohshme

Konflikti i mirë nuk ndodhë vetvetiu. Kërkon rituale dhe kufij e mënyra për t’u “bërë pjesë” në tension, duke mos e shmangur atë, apo ose duke u konsumuar prej tij. Kjo do të thotë që, përveç punonjësve, duhet të hartohen edhe rregulla të sjelljes me të cilat të gjithë mund të pajtohen.

Më poshtë, janë disa shembuj të konflikteve të mira që mund të përdoren si praktika në shumë organizata.

Nëse keni ndonjë problem, shkoni fillimisht te personi me të cilin keni pasur probleme. Këtë duhet që ta bëni drejtpërdrejt ose me telefon, por ë asnjë mënyrë me shkrim!Sillni zgjidhje për problemin! Bëni shumë pyetje, me kuriozitet të vërtetë, në çdo mosmarrëveshje! Reflektoni përsëri për atë që keni dëgjuar dhe kontrolloni nëse e keni bërë mirë, edhe nëse vazhdoni të mos pajtoheni! Gjeni një ndërmjetës të besuar i cili mund të lehtësojë biseda më të ashpra kur është e nevojshme. Përqendrohuni në probleme dhe jo në njerëz! Mos merrni pjesë në thashetheme ose sulme anonime! /Akademi Pune

Lajmet

UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës

Published

on

Më 24 tetor 2026, UBT do të organizojë Konferencën Ndërkombëtare të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës (IC-CEIE 2026), e cila synon të bashkojë akademikë, studiues, inxhinierë dhe profesionistë të industrisë për të shkëmbyer njohuri dhe përvoja, si dhe për të diskutuar zhvillimet më të fundit shkencore, sfidat dhe inovacionet në sektorin e ndërtimit, infrastrukturës dhe mjedisit.

Konferenca do të krijojë një platformë bashkëpunimi ndërmjet akademisë, kërkimit shkencor dhe praktikës profesionale, duke nxitur zhvillimin e zgjidhjeve inovative dhe të qëndrueshme për sfidat me të cilat përballet industria e ndërtimit dhe e infrastrukturës.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Prof. Dr. Visar Krelani, theksoi rëndësinë e kësaj konference në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe sektorit profesional.

“Përmes IC-CEIE 2026 synojmë të forcojmë lidhjen ndërmjet akademisë, kërkimit shkencor, industrisë dhe profesionistëve të fushës, duke krijuar një platformë të përbashkët për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira. Pjesëmarrja e profesionistëve dhe anëtarëve të Odës së Inxhinierëve i jep konferencës një dimension të veçantë, duke afruar kërkimin dhe edukimin universitar me sfidat reale të industrisë dhe praktikës inxhinierike. Synimi ynë është që ky bashkëpunim të kontribuojë në zhvillimin e zgjidhjeve inovative, të qëndrueshme dhe të zbatueshme për sektorin e ndërtimit, infrastrukturës dhe mjedisit”, ka thënë Krelani.

Një element i rëndësishëm i konferencës është edhe përfshirja e Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës, përmes së cilës pjesëmarrësit do të kenë mundësi të përfitojnë pikë profesionale, duke mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe avancimin e kompetencave në fushën e inxhinierisë.

Përmes organizimit të IC-CEIE 2026, UBT vazhdon të promovojë kërkimin shkencor, inovacionin dhe bashkëpunimin ndërmjet akademisë dhe industrisë, duke krijuar mundësi për shkëmbim të përvojave profesionale dhe zhvillimin e praktikave bashkëkohore në funksion të infrastrukturës së qëndrueshme.

Continue Reading

Lajmet

DW: Bosch, Microsoft dhe gara për inteligjencën artificiale

Published

on

Bosch dhe Microsoft: mundësi apo rrezik? Kur korporatat e mëdha bashkëpunojnë me gjigantët e teknologjisë në fushën e inteligjencës artificiale

Bosch është plotësisht i përkushtuar ndaj inteligjencës artificiale dhe po punon ngushtë me Microsoft për këtë qëllim. Megjithatë, ekspertët digjitalë paralajmërojnë se industria gjermane po ekspozohet ndaj varësisë së tepruar nga gjigantët amerikanë të teknologjisë, shkruan “Duetsche Welle”.

Nga pompa e presionit të lartë deri te kandelat: te Bosch-i, çdo produkt tashmë është i lidhur në një mënyrë apo tjetër me inteligjencën artificiale. Kjo është ajo që pretendon vetë kompania – dhe me këtë nënkupton që produktet ose përfshijnë inteligjencë artificiale, ose janë prodhuar duke e përdorur atë.

Prandaj, inteligjenca artificiale është tashmë e pranishme në një formë apo tjetër në të gjitha ambientet e Bosch-it, por veçanërisht në ambientin në Stuttgart-Feuerbach. Është pikërisht aty ku testohen aplikacione të shumta të inteligjencës artificiale para se të zbatohen globalisht. Që nga fillimi i vitit, Bosch ka bashkëpunuar me kompaninë amerikane Microsoft për këtë qëllim.

 Nga Feuerbach-u shvab drejt botës

Konkretisht, kjo merr formën e asaj që njihet si ‘mbledhja e mëngjesit’ në fabrikën e Bosch-it në Feuerbach. Gjatë kësaj mbledhjeje, shefi i ekipit takohet me stafin e tij. Por IA ka hyrë tashmë në lojë më parë, në formën e një ‘agjenti’. Ky është një lloj asistenti digjital i aftë jo vetëm t’u përgjigjet pyetjeve, por edhe të kryejë detyra në mënyrë të pavarur.

Ky agjent po testohet aktualisht në Feuerbach dhe është, në veçanti, rezultati i bashkëpunimit me Microsoft-in. Agjenti specifik i takimit të mëngjesit identifikon automatikisht rreziqet kryesore të lidhura me prodhimin bazuar në të dhënat, i vlerëson ato dhe formulon rekomandime të përshtatshme.

Për ta bërë këtë, IA nuk analizon thjesht 24 orët e fundit, por parashikon edhe 24 orët e ardhshme. Sipas Bosch-it, agjenti lehtëson kështu ngarkesën e punës së drejtuesve të ekipeve. Me fjalë të tjera: fitim në produktivitet.

Sipas Elisabeth Schwarz-it, drejtoreshës së digjitalizimit të prodhimit në fabrikën e Feuerbach-ut, kjo tashmë po jep rezultate: krahasuar me modelin e vjetër, takimi i mëngjesit me asistencë digjitale po u kursen drejtuesve të ekipeve tetë orë në javë. Prandaj, ata mund t’ia kushtojnë këtë kohë detyrave të tjera si menaxhimit të stafit dhe iniciativave për përmirësim.

 

Mbrojtja e të dhënave ‘jashtëzakonisht e rëndësishme’ për Bosch-in

Sipas një zëdhënësi të Bosch-it, bashkëpunimi funksionon si më poshtë: Microsoft-i kryesisht ofron infrastrukturën IT dhe softuerike, ndërsa Bosch furnizon të dhënat e prodhimit.

Përsa i përket mbrojtjes së të dhënave dhe varësisë nga Shtetet e Bashkuara, Bosch-i deklaron: ‘Sovraniteti i të dhënave mbetet tek Bosch-i.’ Një zëdhënës i kompanisë shton: ‘Në të gjitha proceset e biznesit, Bosch garanton privatësinë, mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë e të gjitha informacioneve tregtare, në përputhje me kërkesat ligjore.’

Çështja e sigurisë së të dhënave është ‘jashtëzakonisht e rëndësishme’ për Bosch. Bosch-i gjithashtu operon fabrika në SHBA, Azi dhe pjesë të tjera të Evropës. Pengesat kryesore qëndrojnë kryesisht në rregullat. “Europa ka rregullore relativisht të rrepta në lidhje me përdorimin e inteligjencës artificiale,” shpjegon zëdhënësi i Bosch-it:

Në Evropë, ne duhet të sigurojmë që udhëzimet për përdorimin e inteligjencës artificiale të mos zbatohen këtu shumë rreptësisht, pasi kjo mund ta bëjë Evropën më pak tërheqëse si vend biznesi përballë konkurrencës globale.”

 Bosch-i po zhvillon zgjidhjet e veta të inteligjencës artificiale

Megjithatë, sipas deklaratave të veta, Bosch-i po zhvillon gjithashtu zgjidhjet e veta të inteligjencës artificiale dhe i bën ato të disponueshme për kompani të tjera. Janë zhvilluar disa agjentë përmes platformës ‘Manufacturing Co-Intelligence’, të cilën Bosch e zhvilloi në bashkëpunim me Microsoft-in.

‘Shopfloor Agent’ është një shembull i tillë: sipas Bosch-it, ai zbulon më shpejt defektet, identifikon shkaqet e tyre dhe sugjeron masa korrigjuese. Kjo redukton ndjeshëm kohën e ndalimit dhe ngarkesën administrative në linjën e prodhimit.

Sipas Bosch-it, kjo inteligjencë artificiale është, për shembull, tashmë në përdorim në Sick AG në Villingen-Schwenningen, një prodhues global i sensorëve për fabrikat, logjistikën dhe teknologjitë e automatizimit. Inteligjenca artificiale është çelësi për të siguruar qëndrueshmërinë afatgjatë të industrisë gjermane dhe evropiane përballë konkurrencës globale, thotë Tanja Rückert, Drejtoreshë Menaxhuese në Bosch

 Varësitë e tepruara: A nuk ka nxjerrë mësime Bosch-i?

Mirko Ross, ekspert digjital, ka një qëndrim kritik ndaj bashkëpunimit midis Bosch-it dhe Microsoft në fushën e inteligjencës artificiale. Ross këshillon kompanitë për sigurinë kibernetike, ndër të tjera. Kur u intervistua nga SWR, ai shkroi: “Ky njoftim sugjeron se, kur bëhet fjalë për varësinë, Bosch nuk ka mësuar asgjë, ose shumë pak, nga përvojat e kaluara me sistemet operative, aplikacionet e biznesit dhe cloud-in.”

Sipas Ross, Microsoft dhe qeveria amerikane përcaktojnë se kush ka akses në inteligjencën artificiale me performancë të lartë. “Kompanitë gjermane janë tashmë në disavantazh sot për shkak të kufizimeve të eksportit, në atë masë që modelet e gjeneratës së fundit ose disa veçori u mohohen atyre, ose mund të përdoren vetëm nga kompanitë amerikane.

“Microsoft tashmë përdor pozitat dominuese në treg për të vendosur çmimin për përdorimin e softuerit kritik për biznesin – duhet të presim që e njëjta gjë të ndodhë edhe me inteligjencën artificiale,” shpjegon Ross.

 IA: teknologji kyçe për të ardhmen

Ross e konsideron IA-në një teknologji kyçe për të ardhmen, një që do të ketë një ndikim vendimtar në produktivitet dhe konkurrueshmëri. “Mosinvestimi në zgjidhje sovrane në këtë fushë sjell rreziqe të konsiderueshme,” vazhdon Ross.

Ross dëshiron që industria gjermane të investojë masivisht në zgjidhje evropiane të inteligjencës artificiale. Ai beson se “fondet që Bosch-it po investon te Microsoft-i do të sillnin një fitim shumë më të mirë afatgjatë nëse do të investoheshin në modele dhe mjete evropiane të inteligjencës artificiale”.

Continue Reading

Lajmet

Rektori Hajrizi: UBT po ndërton infrastrukturën shkencore dhe mjekësore për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Published

on

By

Gjatë punimeve të Konferencës së Dytë Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (ICSM 2026), Presidenti dhe Themeluesi i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka bërë të ditur se ky institucion po punon intensivisht për krijimin e kapaciteteve të qëndrueshme shkencore dhe mjekësore në shërbim të ngjarjes më të madhe sportive në historinë e vendit – Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Sipas Rektorit Hajrizi, mjekësia sportive moderne tashmë e ka kaluar kornizën e thjeshtë të trajtimit të lëndimeve, duke u shndërruar në një fushë ndërdisiplinore ku bashkohen inteligjenca artificiale, pajisjet inteligjente të bartshme (wearables), diagnostikimi i avancuar dhe shëndeti funksional.

“Ne po shikojmë drejt Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ si një mundësi të madhe për të ndihmuar në zhvillimin e kapaciteteve të qëndrueshme në mjekësinë sportive, arsim, parandalim dhe rehabilitim. Synimi ynë nuk është thjesht të mbështesim një ngjarje sportive, por të forcojmë infrastrukturën shëndetësore dhe shkencore që do të mbetet trashëgimi afatgjatë për vendin pas tyre”, u shpreh Hajrizi.

 

Ai theksoi se vizioni i UBT-së është ndërtimi i një ekosistemi të integruar, ku arsimi, kërkimi shkencor dhe teknologjia vendosen plotësisht në shërbim të shëndetit publik dhe performancës sportive. Në këtë kuadër, koncepti “UBT Smart City” shërben si një hapësirë kërkimore praktike për zbatimin e inteligjencës artificiale, modelimit digjital dhe teknologjive më të avancuara interaktive në arsim.

“Në UBT, ne besojmë fuqimisht se e ardhmja e kujdesit shëndetësor dhe e mjekësisë sportive do të varet pikërisht nga ky integrim. Teknologjia nuk duhet të jetë qëllim në vete, por një mjet efektiv që na ndihmon të mbrojmë shëndetin, të parandalojmë dëmtimet dhe të përmirësojmë cilësinë e jetës së sportistëve dhe të gjithë komunitetit”, tha mes tjerash Rektori Hajrizi.

Përmes këtij angazhimi dhe akreditimit të fundit nga Federata Ndërkombëtare e Mjekësisë Sportive (FIMS), UBT po konfirmohet si shtylla kryesore akademike dhe shkencore që do të mbështesë përgatitjet teknike e mjekësore për Lojërat Mesdhetare 2030.

Continue Reading

Lajmet

UBT pranon zyrtarisht pllakën e anëtarësimit në Federatën Botërore të Mjëkësisë Sportive

Published

on

By

Në kuadër të Konferencës së Dytë Ndërkombëtare të Mjekësinë Sportive (ICSM 2026), Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS), Prof. Dr. Fabio Pigozzi, i ka dorëzuar zyrtarisht pllakatën e anëtarësimit Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.

Ky hap historik e fut UBT-në dhe Kosovën në rrjetin ekskluziv global prej vetëm 31 qendrave të njohura të mjekësisë sportive në të gjithë botën.

Me rastin e dorëzimit të pllakatës, Presidenti i FIMS-it, Prof. Dr. Fabio Pigozzi, vlerësoi lart këtë sukses institucional.

“Dëshiroj t’i dorëzoj zyrtarisht pllakatën Edmondit, e cila do të vendoset në mjediset e qendrës së re, dhe t’ju uroj përzemërsisht për këtë arritje të jashtëzakonshme. Vlen të theksohet se këtë vit kemi akredituar vetëm tri qendra të reja në nivel global: në Prishtinë, në Tashkent të Uzbekistanit dhe në Hong Kong të Kinës”, u shpreh Pigozzi.

Nga ana e tij, Rektori Edmond Hajrizi theksoi se ky pranim ndërkombëtar kurorëzon vizionin e UBT-së për ndërlidhjen e shkencës, teknologjisë dhe shëndetit publik, duke krijuar kështu një bazë të fuqishme edhe në prag të organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

 

Continue Reading

Të kërkuara