Lajmet

​65 shtëpi të vërshuara tërësisht në “Lagjen e Boshnjakëve”, dëmi mbi gjysmë milioni euro

Gjendja vlerësohet të jetë alarmante në këtë lagje.

Published

on

“Lagjja e boshnjakëve” në veri të Mitrovicës e banuar me popullatë të përzier, është zona më e prekur nga vërshimet në të dyja komunat e këtij qyteti.

Gjendja vlerësohet të jetë alarmante në këtë lagje, ndërsa janë rreth 65 shtëpi të vërshuara tërësisht dhe rreth 100 të tjera pjesërisht.

Shumë banorë nga këtu janë strehuar nëpër hotele në jug të qytetit dhe mbështeten nga komuna e Mitrovicës Jugore. Shumë të tjerë janë sistemuar tek familjarët e tyre gjithandej, ndërsa Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore po shqyrton mundësinë e mbështetjes së të tjerëve.

Skender Selimi, banor i kësaj lagje, thotë për KosovaPress se uji ka vërshuar shumë shpejt në shtëpinë e tij, duke i zënë në befasi dhe mezi janë shpëtuar anëtarët e familjes. Sipas tij, dëmi i shkaktuar arrin shumën rreth 30 mijë euro

“Uji na ka zënë në befasi, për 10-15 minuta na ka vërshuar. Na u kanë mbushur oborret me ujë deri 1 metër e 20 centimetra. Mezi kemi arritur anëtarët e familjes me i dërgu në katin e tretë. E kam nënën 88 vjeçare të shtrirë. Kemi shkuar lart dhe më s’kemi guxuar me zbrit poshtë sepse u mbush ujë. Të nesërmen kur u qetësua pak, zbritëm dhe pamë se e kishte vërshuar krejt katin e parë… Dëmi material vetëm në shtëpinë time është minimum 15 mijë euro, si dhe tre automjete na u kanë dëmtuar të cilat pa 12 mijë euro nuk rregullohen. Është një Mercedes GL, Passat CC dhe një Volvo. Ato na u kanë bllokuar dhe na kanë mbetur, s’kemi pasur shans me dalë, po ju them për 15 minuta na ka vërshuar uji… Me rëndësi fundja që kanë shpëtuar jetët e njerëzve, dëmi material është boll, lusim institucionet çka kanë mundësi me na ndihmu”, thotë Selimi.

Myrvete Avdiu, poashtu nga kjo lagje, thotë se përveç bashkëshortit dhe fëmijëve të cilët kanë shpëtuar, gjithë çka ka pasur në shtëpi është shkatërruar.

“Brenda gjysmë ore na ka marrë shiu krejt, me kauçë, shporet, krejt i ka marrë. Kanë ardhur zjarrfikësit serbë na kanë marrë dhe na kanë dërguar në atë anë. Kështu që fëmijët dhe burri nuk mu kanë dëmtuar, tjerat krejt. Me pas mundësi dikush me na ndihmu me rregullu shtëpinë… Na kanë vendosur në një hotel në jug prapa shtëpisë së mallrave, sot na kanë sjellë bukë dhe tjetër asgjë”, thotë ajo.

Edhe Bogoljub Mihajlloviq, pronar i një kafeneje të vogël në Lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës, bënë të ditur se është pensionist dhe me këtë dyqan ka mbajtur familjen e tij katër anëtarëshe, ndërsa tani i ka humbur të gjitha.

“Për dyzetë minuta gjithçka ka qenë nën ujë… Kam humbur shumë, katër frigoriferë, dy frigo-ngrirës, vitrina, dy shporetë, aparat për saldim… Jemi katër anëtarë të familjes, jam pensionist, vetëm nga kjo kemi jetuar”, thotë Mihajloviq.

Ndërkaq, Avni Peci, duke rrëfyer për dëmtimin e shtëpisë së tij dhe të vëllezërve nga këto vërshime, tha se tani janë detyruar të jetojnë në banesën e motrës së tyre që gjendet në jug të Mitrovicës.

Sipas tij, shtëpitë kanë pësuar dëmtime aq të mëdha sa që tani paraqet rrezik për të qëndruar në to. Ai lavdëron institucionet dhe organizatat e ndryshme, për të cilat tha se kanë reaguar menjëherë për t’u dalë në ndihmë banorëve të këtushëm në këto momente të vështira.

“Jemi tre vëllezër që jetojmë në të njëjtin vend, në tre shtëpi…Jam pesë anëtarë të familjes, vëllai njëjtë pesë anëtarë, dhe vëllai tjetër jeton i vetëm…Dëmtimet janë të mëdha, shembull shtëpia ime ka ‘flejt’, është qarë dhe dëmtuar tërësisht. Nuk e di edhe sa është e rrezikshme kjo, sepse kulmi peshon, dhe në momentin që shtëpia qahet anash atëherë ekziston rreziku me u rrënu krejt… Jemi duke qëndruar në banesën e motrës në jug… Prej institucioneve kemi pasur ndihma si prej organizatave ashtu edhe institucioneve. Jam drejtuar në Shtabin Emergjent në Lagje, Kryqi Kuq presim sot me na u lajmëru për veshmbathje, organizata turke ka sjellë pako ushqimore dhe veshmbathje, pastaj Komuna e Jugut, BIK-u, dhe të tjerat”, thekson Peci.

Në anën tjetër, Nexhat Uglanin, kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, gjendjen aktuale pas vërshimeve në këtë lagje e ka quajtur alarmante. Ai ka përmendur shifra të shtëpive të dëmtuara tërësisht dhe pjesërisht, duke thënë se janë gjithsej rreth 160 të tilla, ndërsa për vlerën e dëmeve konsideron se tejkalon gjysmë milioni euro.

“Gjendja është alarmante… 65 shtëpi janë të dëmtuara në të cilat uji ka hyrë dhe 93 shtëpi janë dëmtuar pjesërisht, ku uji ka depërtuar nëpër oborre, bodrume etj., ndërsa ne akoma jemi duke punuar dhe vëzhguar situatën në terren… Dua t’i falënderoj organizatat humanitare dhe individuale të cilat e kanë përkrahur Qendrën Emergjente me ndihma konkrete si ushqim e veshmbathje. Kam pasur bisedime edhe me kryetarin e Komunës së Jugut, Bedri Hamza, i cili ka premtuar se do të na mbështesë në këto momente të vështira…Gjysmë milioni sigurisht, ndoshta edhe më shumë… I kemi strehuar disa familje… janë në jug në motel privat, ku komuna (e Jugut) i paguan harxhimet, por janë edhe disa familje të cilat ne do t’i mbështesim financiarisht sepse janë me qira dhe ne si Kuvend Komunal do të vendosim për t’ua paguar qiranë. Janë disa edhe në familjarë të tyre”, thotë Uglani.

Mitrovica është ndër komunat më të prekura si pasojë e vërshimeve.

Lajmet

Mjet i pashpërthyer në Rahovec, deminohet nga KFOR-i dhe FSK-ja

Published

on

By

Një mjet i pashpërthyer është gjetur gjatë punimeve me ekskavator nga një punëtor në Rahovec.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet e deminimit të KFOR-it dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilat kanë bërë tërheqjen e mjetit në mënyrë të sigurt.

Nga ky rast nuk është raportuar për ndonjë incident. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Pesë specializime në programin e Muzikës Moderne në UBT, studio në nivelin Bachelor në programin e parë të këtij lloji në Kosovë

Published

on

By

Interesimi i të rinjve për të ndërtuar karrierë në industrinë moderne të muzikës po rritet çdo ditë, deri sa gjithnjë e më shumë prej tyre po kërkojnë mundësi akademike që talentin dhe pasionin për muzikën ta shndërrojnë në profesion. Në këtë drejtim, programi Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment në UBT po tërheq interesim të madh, duke ofruar një qasje ku muzika është në linjë me teknologjinë, krijimtarinë dhe menaxhimin.

Programi është i pari i këtij lloji në Kosovë dhe është i ideuar në përshtatje me zhvillimet e industrisë moderne të muzikës, e cila sot përfshin jo vetëm performancën artistike, por edhe produksionin digjital, teknologjinë e zërit, platformat online, menaxhimin e artistëve, organizimin e ngjarjeve, festivalet, televizionin, radion, filmin dhe teatrin.

Një nga veçoritë kryesore të programit është mundësia që studentët të orientohen në fusha specifike të industrisë përmes pesë specializimeve kryesore: Audio Produksion, Performancë Instrumentale, Performancë Vokale, Kompozim dhe Menaxhim në Muzikë.

Këto specializime u mundësojnë studentëve të ndërtojnë profilin e tyre profesional në përputhje me talentin, interesat dhe objektivat e tyre të karrierës. Në këtë mënyrë, një student mund të fokusohet në krijimin dhe produksionin muzikor, një tjetër në performancën vokale ose instrumentale, ndërsa të tjerë mund të zhvillohen në kompozim apo në menaxhimin e artistëve dhe projekteve muzikore.

Programi fokusohet në zhvillimin e aftësive praktike dhe krijuese, duke i përgatitur studentët jo vetëm për të kuptuar muzikën, por edhe për ta krijuar, prodhuar, interpretuar dhe menaxhuar atë në mënyrë profesionale. Përmes kombinimit të njohurive teorike, praktikës aplikative, projekteve reale, punëtorive dhe bashkëpunimit me industrinë, studentët krijojnë përvojën e duhur për të hyrë lehtësisht në tregun global të muzikës sot.

Në veçanti, Audio Produksioni i orienton studentët drejt botës së produksionit muzikor dhe teknologjisë së zërit, ndërsa Performanca Instrumentale dhe Performanca Vokale synojnë zhvillimin e interpretuesve të aftë për skena dhe formate të ndryshme profesionale.

Në fushën e Kompozimit, studentët zhvillojnë krijimtarinë muzikore dhe aftësinë për të krijuar vepra që mund të gjejnë aplikim në produksionin muzikor, film, teatër, animacion dhe projekte të tjera artistike. Ndërkaq, Menaxhimi në Muzikë fokusohet në dimensionin profesional dhe organizativ të industrisë, duke përfshirë menaxhimin e artistëve, projekteve dhe ngjarjeve muzikore.

Një element i rëndësishëm i programit është lidhja e drejtpërdrejtë ndërmjet studimeve dhe praktikës profesionale. Studentët kanë mundësi të zhvillojnë përvojë në studio, festivale dhe institucione muzikore, si dhe të bashkëpunojnë me partnerë ndërkombëtarë dhe aktorë të industrisë.

Përmes kësaj qasjeje, UBT synon të përgatisë profesionistë që mund të angazhohen në një gamë të gjerë rolesh, nga producentë dhe inxhinierë të tingullit, kompozitorë, këngëtarë dhe instrumentistë, deri te menaxherë artistësh, agjentë të marrëdhënieve me publikun dhe profesionistë të organizimit të projekteve dhe ngjarjeve muzikore.

Programi i përgjigjet gjithashtu transformimit të industrisë muzikore, ku zhvillimi i teknologjisë dhe platformave digjitale ka ndryshuar mënyrën se si muzika krijohet, prodhohet, shpërndahet dhe menaxhohet. Për këtë arsye, studentët pajisen me njohuri dhe shkathtësi që u mundësojnë të jenë pjesë aktive e këtij transformimi.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Pesë raste të dhunës në familje në raportin e Policisë së Kosovës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka regjistruar pesë raste të dhunës në familje në disa rajone të vendit, ku përfshihen sulme fizike, psiqike dhe tentativa për sulm. Rastet janë raportuar në Prishtinë, Fushë Kosovë, Istog, Deçan dhe Mitrovicë të Jugut.

Në Fushë Kosovë një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një burrë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Në Prishtinë një burrë ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një grua. Rasti ndodhet nën hetime nga njësitë përkatëse.

Ndërsa në Istog një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë psiqike ndaj dy personave, një gruaje dhe një burri. Rasti vazhdon të hetohet.

Edhe në Deçan një grua ka njoftuar se bashkëshorti i saj ka tentuar ta sulmojë fizikisht. I dyshuari nuk është takuar në shtëpi nga policia dhe rasti mbetet nën hetime.

Një grua në Mitrovicë e Jugut ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante policore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Gjendet pa shenja jete një person në Prishtinë

Published

on

By

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, sot rreth orës 05:15 në Prishtinë është gjetur i shtrirë në rrugë një burrë.

Ekipi i emergjencës ka dalë në vendngjarje, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Në lokacion kanë dalë edhe njësitet përkatëse policore. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.  /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara