Lajmet

​102 kandidatë do të intervistohen për anëtarë të Bordit të RTK-së, eliminohen 30 të tjerë

Për intervistim do të ftohen 102 kandidatë që i kanë plotësuar kriteret, nga gjithsej 132 sa kanë aplikuar.

Published

on

Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së, ka shqyrtuar sot listën e kandidatëve të propozuar, me ç’rast janë eliminuar 30 kandidatë për shkak të mos plotësimit të kritereve për aplikim.

10 prej kandidatëve janë eliminuar për shkak se kanë arritur moshën e pensionimit, derisa pati të tillë që u eliminuan për shkak të mosplotësimit të dokumentacionit të kërkuar edhe përkundër që u është dhënë mundësia për një gjë të tillë. Për intervistim do të ftohen 102 kandidatë që i kanë plotësuar kriteret, nga gjithsej 132 sa kanë aplikuar.

Kryetari i këtij komisioni, Armend Zemaj, tha se në mesin e këtyre 30 personave që nuk ftohen për intervistim janë edhe 10 kandidatë që kanë arritur moshën e pensionimit.

“Sipas listës që e kemi, 10 kandidatë përjashtohen nga lista për shkak të pensionimit, me thënë të drejtën mua personalisht më vjen keq që kjo pikë është kështu, por kështu e kemi opinionin ligjor siç na është thënë edhe nga konkurset e fundit. Dy kandidatë janë të komunitetit tjera jo shumicë, një kandidat nuk ka treguar nënshtetësi apo nuk ka paraqitur nënshtetësi të Kosovës dhe nuk ka paraqitur asnjë aplikacion sipas kushteve të konkursit edhe pse i është dhënë afat dhe tre kandidatë janë evidentuar në kundërshtim me nenin 27 të Ligjit për RTK-në… Nga të gjitha aplikimet 30 persona nuk ftohen për intervistim për arsye të ndryshme të cilat bien në kundërshtim me ligjin dhe procedurat e konkursit”, tha Zemaj.

Anëtarët e këtij komisioni kanë diskutuar nëse duhet të vazhdohet tutje me procedura të përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së, përderisa ka një ankesë në Kushtetuese rreth shkarkimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së nga Kuvendi i Kosovës.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka pasur dilema nëse duhet të vazhdohet tutje me këtë proces derisa Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë vendim për pezullimin e vendimit të shkarkimit të Bordit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civil.

“Përderisa kemi një ankimim nga AAK-ja për vendimin e shkarkimit të Bordit të RTK-së, çka nëse gjykata na sjell një vendim, çka nëse ne kemi një vendim të gjykatës, të cilin nuk dua ta paragjykoj, por cili do të jetë roli i këtij komisioni dhe si do të veprojmë ne në rast se kemi precedentë të njëjtë”, tha Deliu.

Deputetja e LVV-së, Doarsa Kica-Xhelili, tha se duhet të vazhdojnë me procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së dhe nëse do të ketë vendim nga Gjykata Kushtetuese atëherë do ta pezullojnë punën e komisionit.

“Varianti i parë është që ne mos të emërojmë një bord, ndërkohë Gjykata Kushtetuese mos ta lëshojë një masë të përkohshme sepse rastet janë të ndryshme dhe ne të mbesim pa bord edhe në dhjetor, ndërsa unë vlerësoj që tashmë jemi vonë me bord të RTK-së. Ndërsa, varianti tjetër është që ta emërojmë këtë bord dhe të kemi parasysh që Kushtetuesja s’mund të marrë masë të përkohshme pasi të jetë një bord i emëruar. Mendoj që edhe vetë Gjykata Kushtetuese e ka parasysh aspektin e kohës dhe aspektin që ne jemi duke proceduar me këtë komision. Kështu që, unë e kam një bindje që nuk ka gjasa teorike të emërohet ky bord pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme. Jemi të gjithë dakord që në momentin që mund të lëshohet një masë e tillë, ne të pezullojmë çfarëdo pune që jemi duke e bërë në komisionin ad hoc”, tha ajo.

Edhe kryetari i Komisionit, Armend Zemaj, tha se komisioni duhet të vazhdojë punën derisa nuk ka një vendim, e që u përkrahë nga të gjithë anëtarët e komisionit.

“Mendoj që ne të vazhdojmë me procedura edhe ashtu nuk mundemi shpejt të ecim, nëse ka pezullim ose përgjigje nga Gjykata Kushtetuese dhe është mirë që ka Gjykatë Kushtetuese në këtë vend, se e ka paraparë ata që e kanë shkruar e kanë ditë që vjen një shumicë ndonjë herë që shkarkon e ngarkon kur t’i teket. Kështu që, për ta mbrojtur kushtetutshmërinë, na japin një përgjigje meritore a është i drejtë shkarkimi apo nuk është, por unë mendoj që të vazhdojmë me procedura nëse vjen diçka e tillë, ne jemi këtu”, tha ai.

Anëtarët e Komisionit janë dakorduar që intervistimi i çdo kandidati të zgjasë 20 minuta dhe që pyetjet të jenë të njëjta. Në komision u vendos që poentomi i kandidatëve të jetë i hapur dhe në fund të procesit anëtarët e shoqërisë civile do të mund të pyesin deputetët për poentimin që kanë bërë ndaj kandidatëve. 

Lajmet

Dyshohet se Policia përdori gaz lotsjellës me afat të skaduar mbrëmë: Cilat janë rreziqet dhe efektet e tij shëndetësore?

Published

on

By

Gjatë përplasjeve të mbrëmshme mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës para Kuvendit, ku forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën, janë ngritur dyshime mbi specifikat e mjeteve të përdorura. Nga pamjet e siguruara në terren, një nga gëzhojat e gazit lotsjellës të përdorur (e llojit CS POWDER) mban datën e prodhimit qershor 2018 (Mfg Date: 06/2018), çka ngre dyshime se afati i përdorimit të tij ka skaduar prej kohësh.

Sipas raporteve ndërkombëtare mbi pajisjet për kontrollin e turmave nga organizata si Physicians for Human Rights dhe studimeve mjekësore mbi ekspertizën e mjeteve kimike, përdorimi i gazit lotsjellës të skaduar përbën një rrezik shtesë për shëndetin publik, pasi përbërësit kimikë mund të dekompozohen dhe të shkaktojnë reaksione anormale.

Ndër efektet kryesore të dëmshme të dokumentuara nga gazi i skaduar numërohen:

  • Tolerancë e zvogëluar kimike dhe reaksione më të ashpra: Komponimet e dekompozuara kimike mund të bëhen më toksike ose më irrituese se gazi me afat të rregullt.
  • Dëmtime më të rënda në rrugët e frymëmarrjes: Mund të shkaktojë spazma më të forta bronkiale, djegie intense të fytit e mushkërive dhe vështirësi më të gjata në frymëmarrje.
  • Irritim dhe djegie të theksuar të lëkurës e syve: Në vend të efektit të përkohshëm, gazi i skaduar mund të shkaktojë djegie kimike të lëkurës, skuqje të zgjatur ose dëmtime më serioze në indet e syve.
  • Rrezik për shpërthim ose ndezje anormale: Me kalimin e afatit, mekanizmi i ndezjes dhe lënda djegëse në gëzhojë mund të mos funksionojnë siç duhet, duke rritur rrezikun e djegieve fizike apo lëndimeve nga fragmentet. /E.A/

Foto: Dardan Shala

 

Continue Reading

Lajmet

Vdes në QKUK gruaja e plagosur muajin e kaluar në Klinë, trupi dërgohet për obduksion

Published

on

By

Një grua ka ndërruar jetë të hënën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), si pasojë e plagëve të marra gjatë një incidenti të ndodhur muajin e kaluar në Klinë, rast ky i cilësuar nga organet e rendit si “Vrasje e rëndë”.

Ngjarja fillestare kishte ndodhur më 6 shtator rreth orës 18:30. Pavarësisht trajtimit intenziv mjekësor që nga ajo ditë, viktima nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë më 5 tetor.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, me vendim të prokurorit të rastit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

/E.A/

Continue Reading

Lajmet

Nga roje sigurie në model, 24-vjeçari bëhet viral gjatë Javës së Modës në Londër

Published

on

Një ditë e zakonshme pune gjatë Javës së Modës në Londër ndryshoi papritur jetën e 24-vjeçarit Soufian Boucetta, i cili po punonte si roje sigurie në një sfilatë të stilistes Simone Rocha.

Boucetta, me origjinë nga Girona e Spanjës dhe që jeton në Londër, tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve për pamjen e tij. Një prej tyre publikoi një video të tij në rrjetet sociale, duke shkruar me shaka se koleksioni ishte i bukur, por vëmendjen e kishte marrë roja i sigurisë. Videoja u bë shpejt virale dhe mori më shumë se 900 mijë shikime.

Boucetta ka treguar se gjatë kohës që ishte në punë kishte vënë re se njerëzit po e shikonin, por nuk e kishte imagjinuar se dikush do ta publikonte në Instagram. Kur përfundoi ndërrimin dhe u kthye në shtëpi, zbuloi se videoja ishte shpërndarë gjerësisht.

Pas suksesit të videos, ai mori oferta dhe interesim nga agjenci modelingu në Milano, Paris dhe Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, vendosi të qëndrojë në Britani dhe nënshkroi kontratë me agjencinë londineze PRM.

Para se të punonte në sektorin e sigurimit, Boucetta ishte marrë me ndërtimtari. Gjatë punës si roje sigurie kishte pasur mundësi të punonte edhe me figura të njohura ndërkombëtare, përfshirë Rihanna-n, Dwayne “The Rock” Johnson, Jason Statham dhe Aaron Pierre.

Edhe pse vazhdon të punojë herë pas here në sektorin e sigurisë, 24-vjeçari tashmë ka nisur përgatitjet për karrierën e re. Ai po ushtron ecjen në pasarelë dhe ka realizuar setet e para profesionale fotografike, ndërsa synon që në të ardhmen t’i përkushtohet plotësisht modelingut.

Boucetta ka treguar se gjatë viteve shpesh kishte marrë komente nga njerëzit për gjatësinë dhe pamjen e tij, madje thotë se disa herë deri në 15 persona në ditë i kishin sugjeruar të merrej me modeling.

Ajo që nisi si një video e publikuar rastësisht gjatë një dite pune, tashmë i ka hapur një kapitull të ri në karrierë. Boucetta thotë se është i emocionuar për botën e modelingut dhe për mundësitë që mund t’i sjellë kjo kthesë e papritur./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ermonela Jaho në Prishtinë, sonte mbahet edicioni i nëntë i “Ta Zbardhi Ftyrën”

Published

on

Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho do të jetë figura qendrore e edicionit të nëntë të mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën”, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë KultPlus.

Mbrëmja do të mbahet sonte, më 6 tetor, nga ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë. Jaho do të shoqërohet nga pianistja e njohur Lule Elezi. <Link url=”https://kultplus.com/ardiane-pajaziti-edicioni-i-nente-i-ta-zbardhi-ftyren-me-sopranon-e-famshme-ermonela-jaho/” title=”Burimi: KultPlus”/>

Programi do të zhvillohet në dy pjesë. Fillimisht, Jaho do të bashkëbisedojë me publikun për rrugëtimin e saj artistik, sfidat dhe sukseset në skenën ndërkombëtare të operës, ndërsa pjesa e dytë do t’i kushtohet performancës së saj.

Në këtë mbrëmje do të prezantohet edhe talentja e re Anna Krasniqi, e cila do të performojë nën përcjelljen e pianistes Lule Elezi.

Drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, ka thënë se përgatitjet për aktivitetin janë drejt përfundimit dhe se pjesëmarrja e sopranos Jaho përbën një moment të veçantë për këtë edicion.

Gjatë nëntë viteve, në kuadër të “Ta Zbardhi Ftyrën” janë prezantuar artistë të njohur, përfshirë Sislej Xhafën, Imer Kutllovcin, Flaka Gorancin, Erza Muqollin, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketën, Elbenita Kajtazin, Enon Pecin dhe Blenard Azizajn.

Mbrëmja organizohet nga KultPlus dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Ministria e Punëve të Jashtme, Universiteti i Prishtinës, PriBank dhe Radio Televizioni i Kosovës. Aktiviteti do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara