Lajmet

ZRrE ende s’ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen e arritur mes KEDS-it dhe Elektroseverit

Fejzullahu nuk ka dhënë detaje të sakta të afateve kohore në lidhje me faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore.

Published

on

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ende nuk e ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen komerciale të nënshkruar të shtunën ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever për ofrimin e shërbimeve energjetike.

Sa i përket kësaj marrëveshje, kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu nuk ka dhënë detaje të sakta të afateve kohore në lidhje me faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore. Ndërsa kompania KEDS nuk është përgjigjur lidhur me detajet e marrëveshjes së nënshkruar të shtunën për energji.

Ndërkaq analisti Gazmir Raci ka vlerësuar se me këtë marrëveshje, serbët në katër komunat me shumicë serbe obligohen të paguajnë rrymën e shpenzuar. Ai thekson se nga kjo marrëveshje zgjidhet përfundimisht edhe qasja e autoriteteve të Kosovës në trafostacionin e Vallaqit.

“Përfundimisht serbët e veriut ose katër komunave në veri po obligohen të paguajnë energjinë elektrike që e marrin prej Kosove dhe tashmë janë bërë shumë vite që ata nuk kanë paguar asnjë cent për Kosovën. Natyrisht, kjo po ndodh falë kësaj qeverie dhe insistimit të Qeverisë Kurti që gjithsesi këta të hyjnë në sistem të pagesave dhe marrëveshja e fundit për energji ka pas këtë qëllim që sa më shpejtë kompania Elektroserver të lidhë marrëveshje me KEDS-in në Prishtinë…00:47 Është me rëndësi po ashtu që kjo marrëveshje e zgjidh përfundimisht edhe qasjen e trafo stacionit Vallaq që është në veri, që do të lidhet me sistemin nacional të energjisë së Kosovës dhe do të jetë nën urdhrat e KOSTT-it që është me seli në Prishtinë”, thotë Raci.

Ai beson se konsumi i energjisë në katër komunat veriore do të jetë e prodhuar nga Kosova, përkatësisht nga termocentralet e KEK-ut.

“Besoj se vitin e ardhshëm, pasi tashmë jemi në fund të vitit dhe vitin e ardhshëm serbët lokal të katër komunave në veri përfundimisht do të paguajnë për energjinë që po e shfrytëzojnë për shumë vite…Rryma është e Kosovës, ajo prodhohet prej termocentraleve të Kosovës nga Obiliq, dhe për këtë arsyeje është bërë marrëveshja që ata të futën në sistem të Kosovës dhe të pranojnë sistemin energjetik të Republikës së Kosovës si sistem i pavarur tashmë nga sistemi energjetik i Serbisë”, thotë Raci.

Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu përmes një përgjigje me shkrim thekson për KosovaPress se marrëveshja e arritur më 9 dhjetor 2023, është nënshkruar Marrëveshja Komerciale ne mes Elektrosever dhe KEDS për ofrimin e shërbimeve te distribuimit ( faturim, mirëmbajtje dhe lidhje fizike të konsumatorëve), në katër Komunat veriore me shumicë serbe, ashtu siç ishte përcaktuar me Nenin 5 të “Marrëveshjes për Energjinë “ te vitit 2013.

“Korniza ligjore që rregullon sektorin e energjisë në Kosovë promovon një treg të liberalizuar të energjisë elektrike. Prandaj, siç është e përcaktuar në kushtet e licencës, ky aktivitet i furnizimit nuk i nënshtrohet rregullimit apo miratimit të tarifave nga ZRRE-ja, si rrjedhojë, Elektrosever nuk ka ndonjë obligim për përgatitje të propozimit për tarifa për konsumatorët të cilët i shërben”, thotë ai në një përgjigje me shkrim.

Fejzullahu thekson se veprimtaria e Elektroseverit si Furnizues i Licencuar për furnizim me energji elektrike kryhet në përputhje me dispozitat ligjore që parashohin Ligjet e Sektorit të Energjisë në Republikën e Kosovës.

Megjithatë, ai thotë se ZRRE-ja ende nuk ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen e nënshkruar të shtunën mes KEDS-it dhe Elektrosever.

“Rregullatori ende nuk e ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen komerciale të nënshkruar për ofrimin e shërbimeve dhe nuk mundë të ofrojë detaje të sakta të afateve kohore në lidhje me faturimin”, thekson Fejzullahu.

KosovaPress për këtë çështje ka dërguar pyetje edhe tek KEDS-i, mirëpo deri në publikimin e kësaj teme nuk janë përgjigjur. Mirëpo, të njëjtit përmes një komunikate kanë njoftuar të shtunën se është nënshkruar kontrata me Elektrosever, e cila ka për qëllim normalizimin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike në komunat Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.

Në komunikatë po ashtu thuhet se KEDS-i pret bashkëpunimin me Elektroserverin, i cili do të jetë me sukses kyç për shërbimet e shpërndarjes dhe investimeve në komunat e lartpërmendura.

“Kjo kontratë përkon me ligjin e Kosovës dhe kornizën rregullative, në përputhje me Marrëveshjet në lidhje me Energjinë të datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshjet e Energjisë 2013”) dhe Konkluzionet e Lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015 (“ Marrëveshjet për Energjinë të vitit 2015”), si dhe Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve Energjetike të 21 qershorit 2022. Ky proces i zgjatur ka qenë shumë delikat dhe sfidues për tërë sistemin energjetik në Kosovë, dhe ne jemi të kënaqur që kemi arritur këtë moment historik”, thuhet në njoftimin e KEDS.

Zëvendëskryeminstri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka mirëpritur marrëveshjen komerciale në mes KEDS-it dhe Elektroserverit. Bislimi tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje bëhet një hap tutje për furnizimin me energji në katër komunat veriore.

“Me nënshkrimin e kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever, sipas pikës 3 të Udhërrëfyesit për Marrëveshjen e Energjisë, u bë një hap tutje drejt normalizimit të furnizimit me energji dhe faturimit në katër komunat në veriun e Kosovës”, shkroi Bislimi.

Ndërsa zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi i cili e ka mirëpritur marrëveshjen e djeshme ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit.

Xhemaili i ka kujtuar Bislimit qëndrimin e kryeministrin Kurti që si opozitar kishte ndaj Elektroseverit.

“Prej kur marrëveshja me Elektroseverin, qenka bërë marrëveshje historike dhe sukses i jashtëzakonshëm për Kosovën? Shiheni videon e mëposhtme të Albin Kurtit sa ishte në opozitë dhe qëndrimin e tij për Elektroseverin”, ka thënë Xhemaili.

Ai ka shtuar se qeveria Kurti me rrena ka ardhur në pushtet e me rrena ka me shkua.

“Zëvendëskryeministri paska deklaru që më në fund pas 20 vjetësh do të fillojë faturimi i rrymës në veri, por nuk paska tregu se cila është hisja e Elektroseverit të Serbisë në tregun energjetik të Kosovës. Kjo qeveri me rrena ka ardhë e me rrena do të perfundojë. Populli nuk han bari, populli ju sheh!”, është shprehur Xhemaili.

Ndërkaq prej muajit dhjetor 2022 deri në shtator 2023 humbjet për energjinë elektrike në katër komunat veriore janë 25 milionë euro, të cilat ende nuk janë paguar nga qeveria. Ekzekutivi, ndërkaq përmes subvencionimit, ka paguar 63.2 milionë euro gjatë vitit 2022 dhe rreth 50 milionë për 2021, që në total i bie se 113 milionë euro për dy vjet i ka kushtuar vendit furnizimi me energji elektrike në veri për shkak të mos faturimit të energjisë elektrike. Kështu ka bërë të ditur ditë më parë gjatë raportimit të bordit të KOSTT në Komisionin për Buxhet dhe Financa.

Vendi

Sulmet e Iranit, Konjufca: Kosova krah Emirateve të Bashkuara

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan.

Gjatë këtij komunikimi, fokusi kryesor ishte te zhvillimet e fundit dhe situata e sigurisë në rajonin e Lindjes së Mesme, ku Kosova ka mbajtur një qëndrim të prerë ndaj akteve të fundit agresive.

Në emër të Republikës së Kosovës, ministri Konjufca ka dënuar fuqishëm sulmet e Iranit ndaj shteteve partnere në rajon, duke përfshirë këtu edhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas njoftimit zyrtar të MPJD-së, këto sulme vlerësohen si cenim i drejtpërdrejtë i sigurisë dhe stabilitetit rajonal, ndërsa Konjufca ka shprehur solidaritetin e plotë të Kosovës me këtë shtet mik në përballjen me këto kërcënime.

Përveç zhvillimeve gjeopolitike, në bisedë u vlerësua lart edhe marrëdhënia dypalëshe mes dy vendeve.

Konjufca ka falënderuar Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan për mbështetjen e vazhdueshme që Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë dhënë Kosovës përgjatë procesit të shtetndërtimit dhe zhvillimit ekonomik ndër vite.

Biseda u mbyll me një ftesë zyrtare për ministrin Konjufca që të vizitojë Emiratet e Bashkuara Arabe, ftesë të cilën ai e ka mirëpritur.

 

Continue Reading

Aktualitet

Gjykata urdhëron rikthimin e 1,000 punonjësve të “Zërit të Amerikës” në punë

Published

on

By

Gjyqtari federal Royce C. Lamberth ka marrë një vendim historik duke urdhëruar rikthimin e menjëhershëm në punë të mbi 1,000 punonjësve të “Zërit të Amerikës” (VOA), pasi e cilësoi përpjekjen për shkrirjen e këtij mediumi si të paligjshme.

Punonjësit e këtij transmetuesi ndërkombëtar kishin kaluar një vit të plotë në leje të paguar administrative, ndërkohë që administrata e presidentit Donald Trump po përpiqej ta zvogëlonte agjencinë në “minimumin e saj ligjor”.

Gjyqtari Lamberth ishte mjaft i ashpër në vendimin e tij, duke e quajtur mungesën e bashkëpunimit të zyrtares Kari Lake si një veprim të qëllimshëm dhe me mirëbesim të keq.

Në vendimin e shpallur të martën, gjykata konstatoi se procesi i mbylljes së operacioneve në Agjencinë e SHBA-së për Mediat Globale (USAGM), që është institucioni mëmë i VOA-s, binte ndesh me ligjin administrativ federal. Për këtë arsye, agjencia është urdhëruar që t’i kthejë të gjithë punonjësit me orar të plotë në vendet e tyre të punës më së largu deri më 23 mars.

Gjithashtu, institucionit i kërkohet të rifillojë transmetimet ndërkombëtare, të cilat ishin ndërprerë pothuajse tërësisht gjatë vitit të fundit, me përjashtim të disa programeve të kufizuara në gjuhë të huaja si farsi.

Gjyqtari Lamberth, i cili njihet si i emëruar i kohës së Ronald Reagan-it, kritikoi ashpër refuzimin flagrant të qeverisë për të zbatuar rregullat e përcaktuara nga Kongresi.

Ai drejtoi akuza të drejtpërdrejta ndaj Kari Lake, zyrtares që mbikëqyri çmontimin e agjencisë, duke thënë se ajo e ka drejtuar institucionin në mënyrë të paligjshme. Sipas gjyqtarit, fshehja e informacioneve kyçe nga ana e zyrtarëve gjatë këtij procesi gjyqësor ishte një përpjekje e qartë për të manipuluar të vërtetën.

Ky vendim erdhi pas dy padive të ndërlidhura, njëra prej të cilave u ngrit nga drejtori i VOA-s, Michael Abramowitz, dhe tjetra nga një grup punonjësish të agjencisë.

Gazetaret Patsy Widakuswara, Jessica Jerreat dhe Kate Neeper e mirëpritën vendimin duke e quajtur atë “monumental” dhe shprehën gatishmërinë për të nisur menjëherë punën për riparimin e dëmeve që i janë shkaktuar institucionit. Ato theksuan se synimi i tyre i parë është rindërtimi i besimit te audienca globale, të cilës nuk kanë mundur t’i shërbejnë gjatë vitit të kaluar.

Në anën tjetër, drejtori Abramowitz u shpreh i lumtur me këtë fitore ligjore, duke vlerësuar qëndrueshmërinë e stafit dhe duke thënë se nevoja për “Zërin e Amerikës” nuk ka qenë kurrë më e madhe se tani.

Vendimi i gjykatës shfuqizon zyrtarisht një dokument të nënshkruar vitin e kaluar, i cili parashihte mbajtjen e vetëm 68 pozicioneve dhe shkarkimin e të gjithë të tjerëve. Deri më tani, as Agjencia për Mediat Globale dhe as Departamenti i Drejtësisë nuk kanë dhënë komente rreth këtij vendimi të ri. /Washington Post/

Continue Reading

Vendi

Pas bastisjeve në ARBK, reagon Ministria: Hetimet lidhen me një rast të ndryshimit të pronësisë së një biznesi

Published

on

By

Pas aksionit të hershëm të Prokurorisë dhe Policisë në ambientet e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), ka reaguar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), duke dhënë sqarime mbi natyrën e hetimeve.

Sipas Ministrisë, njësitë policore për krime ekonomike kanë qenë të pranishme në ARBK në kuadër të një rasti që ka të bëjë me ndryshimin e pronësisë së një biznesi, pas vdekjes së pronarit të tij.

Ministria ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një lëshim që ishte identifikuar më parë nga vetë stafi i tyre. “Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve gjyqësore relevante, stafi i ARBK-së ka konstatuar muaj më parë se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor. Si rrjedhojë, ky interpretim është korrigjuar përmes procedurave përkatëse ligjore dhe administrative”, thuhet në sqarimin e MINT-it, duke shtuar se institucioni mbetet plotësisht i përkushtuar për bashkëpunim me organet e rendit.

Ky reagim vjen si pasojë e një aksioni të gjerë të ndërmarrë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila ka bastisur objektet e ARBK-së nën dyshimet për vepra të rënda penale.

Sipas Prokurorisë, hetimet po zhvillohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”, ku dyshohet se zyrtarët kanë manipuluar dokumentacionin zyrtar brenda sistemit të regjistrimit të bizneseve.

Në mbyllje të reagimit, Ministria ka siguruar qytetarët dhe bizneset se po punon me vëmendje të shtuar në avancimin e sistemeve brenda ARBK-së, me qëllim rritjen e transparencës dhe sigurisë juridike. Ndërkohë, aksioni i Prokurorisë, i cili u realizua me urdhër të Gjykatës, është ende në zhvillim e sipër për grumbullimin e provave materiale që do të zbardhin plotësisht këtë rast.

 

Continue Reading

Lajmet

Izraeli vret ministrin e Inteligjencës së Iranit: Urdhër ushtrisë për eliminimin e çdo zyrtari të lartë

Published

on

By

Izraeli deklaroi të mërkurën se ka vrarë ministrin e Inteligjencës së Iranit, në sulmin e dytë brenda dy ditëve ndaj një figure të lartë udhëheqëse, dhe ka autorizuar ushtrinë që të shënjestrojë çdo zyrtar të lartë iranian që arrin të lokalizojë. Izraeli goditi gjithashtu Bejrutin qendror, duke shkatërruar ndërtesa banimi në disa prej sulmeve ajrore më intensive në kryeqytetin libanez në dekadat e fundit – ky një front tjetër i Izraelit në luftën e nisur bashkë me Shtetet e Bashkuara kundër Iranit.

Një ditë pas vrasjes së shefit të fuqishëm të sigurisë së Iranit, Ali Larijani – vrasja e nivelit më të lartë që nga ajo e liderit suprem në ditën e parë të luftës – Izraeli njoftoi se ka vrarë ministrin e Inteligjencës, Esmail Khatib.

“Askush në Iran nuk ka imunitet dhe të gjithë janë në shënjestër,” deklaroi ministri i Mbrojtjes, Israel Katz. “Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe unë kemi autorizuar Forcat Mbrojtëse të Izraelit që të shënjestrojnë çdo zyrtar të lartë iranian për të cilin paraqitet një mundësi inteligjente dhe operacionale, pa pasur nevojë për miratim shtesë.”

Kjo duket të jetë hera e parë që Izraeli deklaron publikisht se do të lejojë ushtrinë të godasë zyrtarët armiq pa kërkuar leje të veçantë nga udhëheqësit politikë për misionet. Katz nuk tregoi se kur ishte dhënë ky urdhër.

Në Teheran, mijëra njerëz dolën në rrugë për funeralin e Larijanit dhe figurave të tjera të vrarë në sulmet amerikano-izraele. Turma valëviti flamuj iranianë dhe mbante portrete të zyrtarëve të vrarë, ndërsa këndoheshin vargje për dëshmorët.

Irani u hakmor për vrasjen e Larijanit duke lëshuar raketa me mbushje të shumëfishta drejt Izraelit, sulme këto që sipas autoriteteve izraelite vranë dy persona afër Tel Avivit. Teherani njoftoi se gjatë natës ka goditur Tel Avivin, Haifën dhe Beershebën në Izrael, si dhe bazat amerikane në Bahrein, Irak, Jordani, Kuvajt, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha se SHBA dhe Izraeli dështuan të kuptojnë se Republika Islamike është një sistem politik i fortë që nuk varet nga asnjë individ i vetëm. /Reuters/

Continue Reading

Të kërkuara