Lajmet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 8 prill, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

8 prill 1993

Lajm i plotë:

Pesëmbëdhjetë ditë burg dhe ndalim kthimi në Kosovë për dy vjet dy anëtarëve të organizatës humanitare franceze “Equilibre” nga Franca

 Të hënën në mbrëmje policia serbe burgosi dy anëtarë të organizatës humanitare franceze “Equilibre” me seli në Lion, Natali Kornye dhe Paskal Greje, të cilët me procedurë të shpejtë u dënuan me pesëmbëdhjetë ditë burg nga Gjykata serbe e Prishtinës. Agjencia France Press bën të ditur se ata akuzoheshin se “nuk kanë leje qëndrimi” dhe se “kanë prishur (zhurmuar) valët e policisë”. Natali Kornye dhe Paskal Greje u akuzuan se nuk u janë paraqitur organeve policore serbe 24 orë pasi që kanë hyrë në Jugosllavinë e vetëshpallur dhe se me mjetet e tyre të radios kanë penguar komunikimet e policisë, i tha AFP-së Bruno Marke, anëtar i “Equilibre”-it, i cili po ashtu gjendej në Prishtinë.

France Press-i dhe Rojter-i njoftojnë po ashtu se simbas vendimit të gjyqit serb në Prishtinë, me të mbaruar dënimin prej pesëmbëdhjetë ditësh, dy qytetarët francezë do të dëbohen dhe do ta kenë të ndaluar të kthehen në Kosovë për dy vjet.

Agjencia Rojter bëri të ditur se të mërkurën në Ministrinë e Jashtme të Francës u thirr i ngarkuari me punë i ambasadës së federatës serbo-malazeze.

“Ne i japim rëndësi të madhe këtij rasti”, tha një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme Franceze.

Paskal Greje, i cili po e vuan dënimin me burg në Prishtinë, dhe Natali Kornye, e cila është dërguar në një burg femrash në Mitrovicë, qëndronin në Kosovë në përpjekje për të hapur një zyrë të përhershme, e cila do të ofronte ndihmë në ushqime dhe ilaçe, siç thekson Rojteri, “për nja 250.000 shqiptarë që po i kap varfëria për shkak të çmimeve jashtëzakonisht të larta të ushqimit dhe mundësive të vogla për përkujdesje mjekësore”.

France Press citon fjalët e zotit Marke se ekipi i “Equilibre”-it është përpjekë disa herë ditët e fundit në Prishtinë e Beograd ta regjistrojë materialin e vet teknik, një radio që do t’u mundësonte të kontaktonin me selinë e organizatës në Lion dhe tre toki-voki, të cilat janë konfiskuar nga policia.

“Equilibre”, organizatë private humanitare, tashmë ka sjellë në Kosovë dy konvoje ndihmash në ushqime në sasi prej 60 tonësh.

Rojteri ndërlidh aplikimin e vizave nga autoritetet serbe me ndjeshmërinë e tyre të madhe ndaj kritikave të jashtme për sjelljet e Serbisë në Kosovë.

Merret vesh se një zyrtar i ambasadës franceze vizitoi dje në burg dy anëtarët e organizatës “Ekuilibre”.

 

 

Lajm i plotë:

Gazeta serbe e Prishtinës “Jedinstvo”: Vëllezërit Gërvalla i likuidoi Shërbimi i Sigurimit Shtetëror të ish-Jugosllavisë

Shërbimi i Sigurimit Shtetëror të ish-Jugosllavisë ka likuiduar vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Vehbi Ibrahimin, Kadri Zekën dhe Enver Hadrin, thotë publicisti serb Marko Llopushina, në një fejton në gazetën serbe të Prishtinës “Jedinstvo”.

Autori është i afërt me qarqet zyrtare ushtarake dhe policore serbe, ndërsa të dhënat, siç e pohon vetë, i ka marrë nga burimet zyrtare të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të ish-Jugosllavisë.

Kjo është hera e parë që pala serbe e pranon se ka likuiduar këta veprimtarë politik e kulturor shqiptarë të Kosovës, të cilët përkundër ustashëve të Kroacisë e çetnikëve të Serbisë, nuk predikonin përdorimin e dhunës për zgjidhjen e problemeve politike.

Jusuf Gërvalla u vra më 17 janar 1982 afër Shtutgardit në Gjermani, bashkë me vëllain e tij Bardhoshin dhe mikun e tij Kadri Zekën. Jusufi më 1980 filloi së botuari gazetën “Lajmëtari i Lirisë”, ndërsa në nëntor të vitit 1981 gazetën “Zëri i Kosovës”. Në veprimtarinë e tij politike e kulturore në Gjermani, ku ishte strehuar politikisht, ai bënte thirrje për afrimin dhe bashkimin e shqiptarëve, siç i takonte një shkrimtari e humanisti.

Ndërsa, Enver Hadri themeloi Komitetin për të drejtat e liritë e njeriut në Kosovë, me seli në Bruksel. Ai u vra më 25 shkurt 1990. Enver Hadri, me Komitetin për të drejtat e njeriut, ishte pothuaj personaliteti i parë që në mënyrë institucionale e afirmonte çështjen e Kosovës dhe këtë e bëri me sukses të madh, sidomos në Parlamentin Evropian.

Rreth vrasjeve të këtyre personaliteteve të njohura e të rëndësishme në botën shqiptare, sidomos në mesin e mërgatës sonë, janë shqiptuar supozime të ndryshme. Megjithë këtë, në mesin e shqiptarëve, është ditur se Shërbimi i Sigurimit serb ka qenë planifikues dhe ekzekutues i tyre. Jusuf Gërvalla, në çastet e fundit të vdekjes i kishte thënë bashkëshortes së tij: “Në qoftë vrasësi shqiptar, kurrë mos u zbuloftë!”

Ndonëse me vonesë, Serbia, më në fund, pranoi se ajo është përgjegjëse për vrasjen e këtyre veprimtarëve dhe humanistëve shqiptarë. Me këtë krijohen mundësi për ndjekjen e vrasësve, në rend të parë nga shtetet ku vepronin dhe ku kishin statusin e të strehuarve politikë Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Vehbi Ibrahimi dhe Enver Hadri.

 

Lajme të tjera:

Në Prizren policia serbe rrahu një qytetar

Në Pejë u rrah rëndë nxënësi Arjan Curri

Në Bosnjë deri tash u vranë ose humbën mëse 150 mijë boshnjakë

“Trepça” para mbylljes përfundimtare

Gjendje e rëndë e ekonomisë së Kosovës

Serbët që kthehen në Kosovë keqpërdorin pronat që u jipen

Korrupcioni në kreun e instaluar serb në Kosovë

 

 

8 prill 1994

Lajm i plotë:

Konferencë për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova

Represioni në Kosovë po vazhdon, tha në fillim të konferencës së sotme për gazetarë kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova.

Po vazhdojnë bastisjet me pretekst të kërkimit të armëve që filluan para më se një viti e gjysmë. Janë kontrolluar me mijëra familje e me mijëra e njerëz. Ndërsa kohëve të fundit bastisjet janë përqëndruar në komunat e Podujevës, Prishtinës, Mitrovicës, Vushtrrisë, Ferizajit, Deçanit, Fushë Kosovës, Suharekës, Prizrenit, Skënderajt, Gjilanit, Junikut, Malishevës, Klinës, Obiliqit, Shtimjes e të tjera, ndërsa vetëm në fshatin Strofc të Vushtrrisë, këto ditë janë thirrë në polici 22 veta, disa prej të cilëve janë rrahur në stacionin e policisë, tha dr. Rugova dhe shtoi se në fshatin Llapashticë e Epërme të Podujevës policia afër një shkolle fillore shtiu me armë dhe kjo është një metodë që po përdoret kohëve të fundit.

Pasi përmendi arrestimet e ndryshme si në fshatin Gllarevë të Klinës, ai tha se po paralajmërohen edhe gjykime e procese të reja politike. Në Prishtinë akuzohen 9 shqiptarë për veprimtari të ndryshme, ndërsa në Mitrovicë po mbahen në paraburgim e po zhvillohen hetime kunër tetë vetave.

Vazhdon ndjekja e aktivistëve politikë, sidomos e aktivistëve të LDK-së, e deputetëve të Parlamentit të Kosovës, represioni ndaj shkollës shqipe, dëbimi nga banesat, siç ndodhi në Prizren, Mitrovicë dhe Prishtinë, tha më tutje dr. Rugova, ndërsa marrjen e banesave nga shqiptarët dhe dhënjen e tyre serbëve që po zgjat qe disa vite, ai e cilësoi si një përpjekje në kuadër të konceptit për rikolonizimin dhe rivendosjet e serbëve në Kosovë. Në Istog janë falur 150 hektarë tokë për troje për serbët. Çka është edhe më keq po sillen refugjatë nga Sllovenia, Kroacia e Bosnja. Parashikohet ndërtimi i shtëpive edhe për refugjatët serbë nga Shqipëria. Pasi i vlerësoi këto si shenja vërtetë të shumë të këtija, kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova kërkoi nga Komesariati i Lartë për Refugjatë që serbët që sillen në Kosovë të trajtohen si refugjatë dhe kurrsesi mos të përdoren për kolonizim të Kosovës. Ne do të bisedojmë me përfaqësues të këtij Komesariati dhe nëse kjo bëhet me dijen e tyre, atëherë mund të themi se ai Komesariat po merr pjesë në rikolonizimin e Kosovës që do të ishte mjaft tragjik. Në anën tjetër, theksoi dr. Rugova, po ky regjim serb thotë se edhe tash po shpërnbulen serbët, edhe kur e kanë pushtetin në Kosovë, dominimin policor dhe ushtarak. Kjo bëhet me qëllim që të krijohet konfuzion. E gjithë kjo tërhoqi vërejtjen ai po ndodh në këtë fazë, kur Gjermania dhe disa vende evropiane, kanë kërkuar kthimin e refugjatëve shqiptarë, ndërsa regjimi u kërcënohet me dënime dhe arrestime të ndryshme.

Këtyre ditëve pati edhe kërcënime kundër zyrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si në zyrën Degës së Kodrës së Trimave, ku policia kërkoi mbylljen e zyrës. Ky kërcënim mund të jetë një paralajmërim për mbylljen fizike të selive të partive të ndryshme në Kosovë.

Pasi tërhoqi vërejtjen se po vazhdon dërgimi i të rinjëve me dhunë në ushtri, ai veçoi rastin e të riut nga Deçani, të cilit policia ia vizatoi me thikë një kryq në gjoks. Kjo bëhet me qëllim që të ngjallet edhe urrejtja fetare, e cila në Kosovë nuk ka ekzistuar dhe mund të themi se kemi pasur dhe kemi një tolerancë fetare brenda shqiptarëve dhe popujve të tjerë. Këto na përkujtojnë ngjarjet e Luftës së Parë Botërore, të pushtimit serb e malazez të Kosovës, kur me dhunë kanë dëshiruar që shqiptarëve t’ua ndërrojnë fenë, tha ai.

Në planin ndërkombëtar theksoi dr. Rugova, gjatë kësaj Kosova është mjaft e pranishme në planin ndërkombëtar që dëshmon se po shtohet vëmendja për Kosovën.

Në këtë plan, kryetari Rugova përmendi deklaratën e shefit të Shtabit të Ushtrisë së SHBA-ve, Shalikashvili gjatë vizitës në Maqedoni, kur tha se prezenca ndërkombëtare dhe ushtarake në Maqedoni është preventivë edhe për Kosovën.

Edhe komandanti i NATO-s, gjatë vizitës në Shqipëri përsëriti këtë konstatim dhe theksoi për këtë rëndësinë e prezencës në Maqedoni.

E vlerësojmë si të rëndësishme pikëpamjen e ekspertit të Institutit Botëror të Anglisë, Xhonaton Ejllëit, njërit ndër analistët më të njohur për çështjet e ish-Jugosllavisë dhe të Ballkanit, i cili tha se autonomia më nuk mjafton dhe nuk vlen për Kosovën dhe për shqiptarët.

Me këtë rast dr. Rugova përshëndeti botimin “Plagët e hapura”, një analizë në 160 faqe për represionin në Kosovë nga Helsinki Uoçi.

Në fund, kryetari i Republikës së Kosovës përsëriti qëndrimin se Kosova e pavarur dhe neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë dhe ndaj Serbisë, do të ishte zgjidhja më e mirë për shqiptarët dhe për të tjerët. Ndërsa duke pasur parasysh gjithë këtë situatë që mbretëron në Kosovë, me dëshirë që të mos eskalojë dhuna, kërkojmë një mbrojtje ndërkombëtare, theksoi ai.

Gazetari i “Borbës” pasi citoi deklaratat e një zyrtari të Qeverisë së Serbisë për kinse gatishmërinë e Beogradit për bisedime me shqiptarët, kërkoi komentin e dr. Rugovës dhe pyeti se për cilat probleme do të mund të bisedohej eventualisht së shpejti.

Ne natyrisht jemi për bisedime dhe për dialog serioz, me prani të palës së tretë. Ne kemi provuar në kuadër të Konferencës së Gjenevës për të biseduar për çështje konkrete, si për arsimin e masmediumet. Për fat të keq këto bisedime nuk kanë dhënë kurrfarë rezultate. Ne kemi insistuar që para dy vjetësh që të bisedojmë për çështje konkrete, por as kjo nuk pati sukses, u përgjigj dr. Rugova.

Gazetari i “Borbës” shtroi edhe këtë pyetje: Po flitet se Bujar Bukoshi e ka ofruar dorëheqjen dhe se ju keni kërkuar shkarkimin e tij. A është e vërtetë kjo dhe nëse është, ku janë shkaqet?

Për njëfarë konflikti në mes të dr. Bukoshit e LDK-së po shkruhet shumë edhe në shtypin tonë. Konflikt nuk ka. Ajo qeveri është formuar para dy vjetësh. Edhe disa parti politike kanë shfaqur dëshirën që qeveria të zgjerohet, me qëllim që të bëhet më e fortë në këtë situatë dhe në procesin e institucionalizimit të mëtutjeshëm në Kosovë. Prandaj nuk është e vërtetë se kemi kërkuar shkarkim. Në një sistem demokratik pluralist është normale që të bisedohet për qeverinë, tha kryetari Rugova.

I pyetur se çka pret nga Konferenca Ndërkombëtare që po mbahet në Turqi, kryetari Rugova, pasi tha se kjo është një konferencë mjaft e rëndësishme për arsye se në të janë ftuar mjaft delegacione nga të gjitha vendet ballkanike, tha: Nga Kosova kam qenë i ftuar edhe unë. Por në të merr pjesë një delegacion, trup ekspertësh dhe zoti Bukoshi. Mendoj se është një konferencë mjaft e rëndësishme pasi në të marrin pjesë ekspertë e përfaqësues nga 26 vende të botës, si nga SHBA-të, Anglia, Gjermania, Franca. Besoj se në deklaratën përfundimtare do të ketë edhe qëndrime pozitive, qëndrime reale për Kosovën dhe natyrisht do të bisedohet për të gjitha çështjet ballkanike, edhe në planin historik, në planin aktual dhe në planin e perspektivës së Ballkanit. Është hera e parë që Turqia ndërmerr një hap kaq të rëndësishëm në planin politik, kulturor e shkencor, tha kryetari Rugova.

Gazetari i Radio Tiranës pasi e vlerësoi si normale diskutimin për punën e qeverisë dhe ndërrimet në të, shtroi edhe çështjen e aktivizimit të Këshillit Koordinues të Partive Politike të Kosovës, i cili siç dihet kishte rol të madh në formimin e qeverisë.

Pas zgjedhjeve, tha dr. Rugova, nuk mundëm ta konstituojmë Parlamentin dhe ta zgjedhim qeverinë e re. Me autorizimin tonë qeveria e tashme ka vazhduar punën, pasi edhe në këtë situatë të pushtimit ne duhet t’i kemi institucionet tona. Prandaj Këshilli Koordinues i Partive Politike ka ndikuar në themelimin e kësaj qeverie, e cila ka qenë qeveri e koalicionit, e jo qeveri e formuar në bazë të rezultateve të zgjedhjeve. Ne asnjëherë nuk kemi qenë strikt rreth aplikimit të standardeve të zgjedhjeve dhe në këtë s’ka kurrgjë të keqe. Këshilli Koordinues nuk mund t’i marrë kompetencat e Qeverisë, por mund të kërkojë shqyrtimin e punës së Qeverisë. Por ne, duke kuptuar situatën në të cilën gjendemi, jemi mjaft të kujdesshëm edhe ndaj institucioneve e organeve tona, tha kryetari Rugova. Duke u ndalur veçanërisht në çështjet që lidhen me Këshillin Koordinues, ai tha se është fakt se nuk është takuar shumë kohë, mirëpo për sa u përket pikëpamjeve të përgjithshme, aty nuk kemi dallime. Ky edhe ka qenë dhe është qëllimi kryesor i Këshillit Koordinues. Këto ditë do të bisedojmë për të gjitha çështjet. Në këtë situatë dhe në bazë të Kushtetutës, kryetari i Republikës, në bazë të zgjedhjeve që kemi pasur, ka kompetenca që të konultohet dhe të bashkëpunojë me Këshillin Koordinues, me përfaqësuesit e grupeve politike në Parlament dhe të marrë vendime për situatën, tha kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova.

Edhe bashkëpunëtorja e “Zërit të Amerikës” shtroi një pyetja lidhur me kompletimin e qeverisë.

Shumë parti politike, themeluese dhe pjesëmarrëse në qeveri, kërkojnë që të forcohet dhe të kompletohet qeveria. Dihet se në kushte të vështira, një pjesë e qeverisë ka vepruar jashtë, një pjesë këtu. Ne po shikojmë që të gjejmë edhe trupa të tjerë të cilët do t’i ndihmojnë edhe punës së qeverisë!ill. Vetëm gjatë kësaj jave, janë bastisur 10 familje, janë arrestuar 7 persona, kurse 6 të tjerë janë rrahur.

 

Lajme të tjera:

Në Gjakovë policia financiare konfiskoi sasi të madhe malli

Në Ferizaj mbahet festivali “Kosovarja këndon ’94”

Ndërpreu punën termocentrali “Kosova A”

Anëtari i Parlamentit Evropian qëndroi në Beograd

Kërkohet pezullimi i Fondacionit Soros në Beograd

Si u plaçkit fabrika “Plastika” në Skënderaj

Këshilli i Sigurimit kërkon ndërprerjen e pushtimeve serbe në Bosnjë

Embargoja e Greqisë u shpall e paligjshme nga Komisioni Evropian

Hungaria dhe Polonia paraqesin kandidaturën për Unionin Evropian

 

 

 

8 prill 1995

Lajm i plotë:

Në Prishtinë akuzohen 71 ish-policë të Kosovës

Në një konferencë për gazetarë në Prishtinë, dje zëvendësprokurori i instaluar serb në Prokurorinë e Qarkut në Prishrtinë njofotoi se është ngritur aktpadia kundër 71 ish-policëve të Kosovës për “vepër penale – bashkimi me qëllim të veprimtarisë armiqësore” dhe për “vepër penale – rrezikim i tërësisë territoriale”.

Zëvendësprokurori i instaluar Jovanoviq serb tha se nga 71 personat që akuzohen, 60 gjenden në paraburgim, ndërsa 11 në arrati, ndërsa, në mungesë të fakteve, siç e cilësoi Jovanoviq, hoqi dorë nga akuza ndaj 12 personave që gjendeshin në paraburgim dhe të cilët do të lirohen nga burgu. Poashtu 4 shqiptarë tjerë që gjendeshin në arrati, mund të kthehen lirisht në shtëpi, tha Jovanoviq, sipas “Bujkut”.

“Bujku” thekson se ndër argumentet që i ofroi para gazetarëve Jovanoviq, ishin tri-katër pushkë, një radiostacion, dhe 6 toki-voki.

Gazetari i “Rilindjes” vuri në dukje se aktakuza shpalon të dhënën se nga 71 të akuzuarit, vetëm dy akuzohen për vepër penale të paraparë me Ligjin për armë e municion të Serbisë. A mund të kuptohet në bazë të kësaj se armë u gjetën vetëm te dy persona, e që nuk mjafton as përafërsisht kualifikimin dhe dimensinet kaq të rënda ndaj 71 personave. Poashtu, ai kërkoi(informatën e saktë se te sa persona u gjetën dëshmi materiale, ai kërkoi sqarimin e zëvendësprokurorit se a pati gjatë procedurës së hetimeve edhe dëshmitarë të tjerë, apo si dëshmi u shfrytëzuan vetëm deklaratat e pjesëtarëve të sigurimit dhe të policisë serbe dhe se a u evidencua ndokund në aktakzë a në ndonjë shkresë tjerër gjendja shëndetësore e të privuarve nga liria, të cilët, siç është e njohur botërisht, u torturuan mizorisht.

“Bujku” shkruan se dy pyetjet e para ngelën pa pëgjigjje. Jovanoviq nuk ishte në gjendje të thoshte në mënyrë decidive se sa vetave iu gjetën armë e sa të tjerëve dëhsmi të tjera materiale.

Më tutje ai tha se prokuroria serbe “hetimet dhe aktakuzën e saj i mbështet ekskluzivisht në deklaratat e të pandehurve dhe në materialin dëshmues.

Ai tha se “me rastin e sheshimit të provave dhe deklaratave nuk pati dëshmitarë jashtë organeve të sigurimit të Serbisë”.

Korrespodenti i Agjencisë Shtetërore të Radio-Suedisë, i programit në gjuhën shqipe, pyeti se në çfarë deklaratash të të pandehurve u mbështet prokuroria, në ato që u morën në procedurën hetimore policiore, kur të pandehurit u torturuan, apo u morën deklarata e tjera?

Jovanoviq vuri në dukje se bazë të aktakuzës u morën deklaratat që i kanë dhënë të pandehurit në prokurori.

Jovanoviqi nuk mundi të përgjigjej se me çfarë frekuencash dhe gjatësish të valëve funksionin radiostacini i prezentuar në konferencën për shtyp.

“Bujku” komenton se kjo mosaftësi e Jovanoviqit tregon se penalisht mund të ndiqen njerëzit edhe për një radiostacin të rëndomtë të amatorëve.

Gazeta “Bujku” sot shkruan se, sipas paralajmërimit të zëvëndësprokurorit serb Jovanoviqit në një konferencë për gazetarë, gjatë ditës së djeshme është dashur të lirohen: Nuredin Ibishi, Bexhet Rexhepi, Vehbi Fazliu, Riza Elezi, Jonuz Shurdhani, Hysen Bela, Sami Raci, Bahtir Fetahu, Rrustem Tahiri, Sylejman Syla, Ruzhdi Maliqi, Menduh Spahiu, Zeqir Nebiu, Hilmi Uka, Faton Kumnova dhe Esat Troni.

Jovanoviq nuk e njoftoi dje datën e fillimit të procesit të montuar.

Ndërsa gazeta serbe “Veçernje Novosti” e publikon sot listën e ish-policëve të akuzuar në Prishtinë.

Sipas kësaj gazete akuzohen këta persona: Avdija Mehmedoviq, Jonuz Tërstena, Sherif Krasniqi, Sheremet Ahmeti, Hajrullah Tërrnava, Fadil Krasniqi, Blerim Olloni, Hajzer Ahmeti, Ejup Kamerolli, Murat Sahiti, Afrim Karaxha, Hakif Latifi, Ramadan Ferizi, Ilmi Sylejmani, Arsim Mehmeti, Bajram Munishi, Destan Thaçi, Vesel Rexhepi, Idriz Jashari, Hasan Abdyli, Bejtullah Alidema, Haki Mehmeti, Fadil Hyseni, Bajram Jakaj, Fadil Berisha, Izet Ymeri, Isak Aliu, Enver Hakiu, Sylejman Berisha, Ramiz Hoxha, Tahit Tahiri, Reshat Maliqi, Adem Dulaku, Rexhep Kamenica, Kemajl Aliu, Bajram Berisha, Izet Azizi, Tahir Çaka, Sali Bruti, Fahredin Mehmeti, Ilaz Gashi, Sejdi Ademi, Agim Gashi, Haqif Berisha, Muhamet Hajdari, Qazim Omura, Rexhep Haziri, Sejfullah Sahatçiu, Faton Zhubi, Pleurat Fatmiri, Bedri Juniku, Lah Lahu, Shaban Hajredini, Shefqet Beqaj, Xhavit Osmani, Xhafer Sahatçiu, Muhamet Nimani, Remzi Tertica, Zef Bekaj, Tahir Bezhani, Bibë Biblekaj, Zenel Rama, Selim Çitaku, Zejnullah Shala, Enver Maxhuni, Afrim Olloni, Bedri Tahiri, Jonuz Loshaj, Hamit Peci, Abdyl Doroci dhe Shefqert Budakova.

Kjo gazetë saktëson se 21 ish – policët e Kosovës akuzohen për vepër penale sipas nenit 136, alineja 1 dhe 51 të tjerët sipas nenit të njëjtë, por sipas alinesë 2.

Sipas alinesë 1 të këtij neni parashihet dënimi me burg prej 1 deri në 10 vjet për organizatorët, ndërsa sipas alinesë 2, prej 6 muaj në 5 vjet për ata ish- policë që, iu kanë bashkangjitur organizatës paralele të policisë, citon kjo gazetë pjesë të aktakuzës.

Me ngritjen e djeshme të aktakuzës në Prishtinë, numri i ish-policëve të Kosovës që do të nxirren në proceset e montuara politike, arriti në 159 veta.

Në Pejë tashmë ka filluar procesi kundër 9 shqiptarëve. Pritet të fillojë edhe proceset e montuara në Prizren e Gjilan, si edhe procesi në Prishtinë.

Në Pejë akuzohen 16 shqiptarë, në Gjilan 28 (17 janë në paraburgim, 8 në arrati, kurse 3 janë liruar nga paraburgimi), në Prizren 44 veta(22 prej tyre janë në paraburgim) dhe në Prishtinë 71 shqiptarë (60 gjenden në paraburgim, kurse 11 janë arratisur).

 

Lajme të tjera:

Mjetet serbe të informimit për ngritjen e aktakuzës kundër ish-policëve të Kosovës

Gjykimi kundër ish-punëtorëve të SPB-së në Pejë vazhdon të martën

AP njofton për gjykimin në Pejë

Van den Bruk: Shqetëson gjendja e shqiptarëve në Kosovë

Kundër politikës gjenocidiale serbe

Mehmet Bardhi u takua me sekretaren e Ambasadës Greke në Beograd

Dhuna e përditshme në Kosovë

Dhunë e madhe kundër shqiptarëve në Podujevë

Në fshatin Prugovc ftohen të rinjtë për rekrutim dhe për ushtrinë serbe

Ajshe Gërvalla u mor në pyetje rreth dy orë

U lirua nga arresti anëtari i Kryesisë së Degës së LDK-së në Malishevë

Policia financiare në Kosovë plaçkiti mbi 21 milionë dinarë

“Dagens Myheter”:Po ndiqen shqiptarët në Kosovë

 

 

 

8 prill 1997

Lajm i plotë:

Në Durrës dje u vranë edhe tre veta

Mbrëmë në një repart riparimi të automjeteve në Durrës, katër persona shkuan me automjetin e tyre në një ofiçinë ku midis tyre dhe punëtorëve të ofiçinës ndodhi një grindje, njofton ATSH.

Bëhet e ditur se nga ana e poseduesve të automjetit u qëlluan dhe u vranë punonjësit e repartit, Besnik Kollçaku dhe ndihmësi i tij, Aleksandër Surçe.

Organet e rendit menjëherë shkuan në vendin e ngjarjes duke identifikuar plotësisht autorët e krimit, me ç’rast edhe e bllokuan automjetin me të cilin udhëtonin ata.

Po ashtu dje në zonën e plazhit, katër persona të ardhur nga Tirana tentuan që të vjedhin një veturë. Njoftohet se kundër tyre u hap zjarr dhe si pasojë mbeti i vrarë një shtetas, i cili ndodhet në morgun e spitalit, ndërsa organet e rendit po punojnë në identifikimin e kufomës.

 

 Lajme të tjera:

Në Nju Jork filloi punimet tryeza shqiptaro-serbe për Kosovën

Çka presin pjesëmarrësit e takimit të Nju-Jorkut?

Reagimet serbe rreth tryezës së Nju-Jorkut

  1. Drashkoviq: “Kosova patjetër duhet të mbetet në Serbi”

Mediat zyrtare në Serbi sulmojnë tryezën e Nju Jorkut

  1. Rifkind: Qeveria britanike është e brengosur për keqtrajtimin e shqiptarëve

Tomas Najls: Kosova sundohet e qeveriset nga një forcë e jashtme

Fred A. Ridi: Shqiptarët janë të pushtuar në Kosovë dhe të shtypur në Maqedoni

Rusia kërkon “Dejton evropian” për faktorin shqiptar në Ballkan

  1. Ren tërheq vërejtjen për rrezikun e luftës së re në ish-Jugosllavi

Konferencë për gazetarë në Partinë Liberale të Kosovës

Berisha fton partitë politike të diskutojnë për Kushtetutën

SHBA shpreh shqetësimet e saj për vazhdimin e trazirave në Shqipëri

Kofi Anan viziton Italinë

Krijohet një forum i përhershëm parlamentar i vendeve mesdhetare

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë priti ambasadorin rus

Banka Botërore do të vazhdojë ndihmat për Shqipërinë

Protestë kundër bartjes së xhirollogarisë së Bankës së Kosovës në Beograd

UNICEF-i bën vaksinime në Kosovë edhe gjatë kësaj pranvere

KE hapi Qendrën informative në Shkup

Ish-policët e dënuar në Gjilan u thirrën të vuajnë dënimin me burg

Një azilkërkues nga Gjilani u keqtrajtua në aeroportin e Shtutgardit dhe të Prishtinës

Keqtrajtime të policisë në Mitrovicë

U mor në pyetje një mësimdhënës në shkollën e Junikut

Nga Janjeva u shpërngulen edhe gjashtë familje kroate

 

 

8 prill 1998

Edicioni i parë (13:00)

Lajm i plotë:

Forcat serbe po shtijnë në drejtim të fshatit Llaushë të Skënderajt

Sot pak para mesditës, forcat serbe që po mbajnë të rrethuar një pjesë të madhe të Drenicës, filluan të shtijnë në drejtim të Llaushës.

Një burim nga Llausha tha se me armë të ndryshme po gjuhet në drejtim të lagjeve Rrecaj, Gecaj e tjera.

Një anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së nga Skënderaj njoftoi se forcat serbe po shtijnë me armë të rënda në drejtim të Llaushës. Ai tha pas të shtënave me armë, në kodrat e fshatit shihet tym e flakë.

Duke iu referuar burimeve të veta në Skënderaj, këtë lajm e konfirmoi edhe Dega e LDK-së në Mitrovicë.

 

 

Lajm i plotë:

Edicioni i dytë (13:50)

Të shtëna në Llaushë – gjendje e rëndë edhe në fshatrat tjera të Drenicës

Për dallim nga dita e djeshme e cila ishte relativisht e qetë sot gjendja në rajonin e komunës së Skënderajt është e tendosur.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Skënderaj njofton se në drejtim të fshatit Llaushë, respektivisht lagjes Spahiaj, kanë filluar që herët të shtëna nga armë të ndryshme automatike.

Këto të shtëna u intensifikuan prej orës 11. 30 deri në orën 12, ndërsa, në orën 12. 35 (kur u dërgua kjo informatë) dëgjoheshin rafale të herëpashershme.

Rreth orës 11 është parë një “xhip” me oficerë të lartë policorë dhe një kamion përplot policë të cilët erdhën nga drejtimi i Mitrovicës dhe shkuan në stacionin policor në Skënderaj.

Njoftohet gjithashtu se gjendja në fshatin Brojë është e rëndë. Banorët e lagjeve Mulaku, Thaçi, Kastrati, Muhajdini e disa familje të tjera i kanë lënë shtëpitë që në sulmin e parë (5 e 6 mars), ndërsa shumë shtëpi kanë mbetur në mëshirën e policisë serbe e cila po plaçkit çdo gjë me vlerë dhe po demolon gjithçka. Bagëtia po ngordh dhe po therret nga policia për nevojat e saj!

Në fshatin Tërnafc postblloku policor po përforcohet edhe më. Sot janë parë shtatë të burgosur të cilët i kishin sjellë për të hapur gropa (llogore), ndërsa janë sjellur edhe minahedhës të kalibrit të madh dhe disa mitralezë të rëndë.

Në këtë postbllok policia ka filluar t’i ndalojë edhe autobusët e t’i legjitimojë udhëtarët, gjë që më parë nuk ka ndodhur, sepse ky punkt ndodhet ndërmjet dy punktesh, atij të Shipolit dhe të Klinës së Epërme.

Policët këtu kanë zënë shtëpitë e katër familjeve të cilat janë ndjekur prej tyre. Madje njëri prej pronarëve, Xhafer Syla, pati përjetuar infarkt dhe pat vdekur nga tronditja).

Edhe në Skënderaj, në kodrinën që ndan Skënderajn me Llaushën, po vazhdon hapja e llogoreve të reja dhe përforcimi me armë të reja artilerike. Dje është vendosur edhe një top kundërajror me tri tyta.

E gjithë kjo flet për një rrezik të madh për shpërthim të një dhune dhe masakri të ri, thuhet në fund të njoftimit.

 

Lajme të tjera:

Përqendrime të forcave ushtarake dhe aksione të shpeshta të policisë serbe në komunën e Lipjanit

Transportuesit privatë në shënjestër të organeve serbe

Prani e shtuar e forcave serbe në Vushtrri

Trajtim i denjë i çështjes së Kosovës në Konferencën për Kosovën në Kuala Lumpur

Dje u dënuan dhe u keqtrajtuan fizikisht funksionarë të lartë të LDK-së

Kosova – temë kryesore e bisedimeve e treshes së OSBE-së

Rusia kërkon nga shqiptarët e Kosovës që të futen në bisedime

Nano: “Kosova me skenarin e Irlandës Veriore”

Dëshmi rreth rastit të Rahovecit: “20-30 veta me mjekrra, flokë të gjata e shajkaqa ikën nën urën e lumit Remnik”

Në Skënderaj ndërprehet mësimi në kohë të pacaktuar

Dhunë e shtuar e policisë gjatë marsit në Gjilan

 

Edicioni i tretë (15:00)

Lajm i plotë:

Forcat serbe po shtijnë me armë në drejtim të Llaushës, Kopiliqit e Vojnikës

Një burim i LDK-së në Llaushë i tha QIK-ut në orën 14:00 se forcat serbe po shtinin ende me armë në drejtim të fshatit. Forcat serbe të përforcuara në kodrinat për rreth fshatit po shtinin me automatikë dhe me mitralozë prej mesditës.

Dëshmitari tha se në lagjen e Spahiajve po dilte tym, mirëpo ai nuk mundi të saktësonte asgjë lidhur me pasojat e këtij sulmi.

Burimi i LDK-së në Llaushë tha se të shtënat për rreth fshatrave Kopiliq dhe Vojnikë kishin filluar në orën 9:00.

Në Llaushë vlerësohet se sulmi i sotëm ka për qëllim frikësimin dhe vrasjen e banorëve që kanë mbetur në këtë fshat.

Ne jemi në shtëpinë tonë dhe prej ëktu nuk kemi as nuk mund të shkojmë tjetërkund! – i tha QIK-ut Haxhi Geci nga Llausha, duke komentuar sulmet e sotëme.

 

Lajme të tjera:

Grupi negociator përfundoi punën rreth platformës iniciale për negociata

Nesër në Prishtinë organizohet protestë gjithëpopullore

Në Gjakovë pati përqëndrime ushtarake-policore

Policia mori në pyetje dhe keqtrajtoi një student nga Klina

Likoshan, Qirez: Festë e mbuluar me ngushëllime

Kinkel: Bota do të bëjë presion masiv ndaj Milosheviqit

Seminar për Kosovën në Londër

Zëri i Amerikës: “Burim grindjeje në Kosovë edhe ekonomia”

Greqia kërkon autonomi të gjerë për Kosovën

Kruqi i Kuq i Norvegjisë i brengosur për gjendjen në Kosovë

Shqiptarët në Norvegji grumbullojnë ndihma për Kosovën

Boksieri shqiptar Elvir Muriqi fitoi trofeun e Kampionatit Amator të boksit në SHBA, “Dorëzën e Artë”.

 

 

Edicioni i katërt (19:00)

Lajm i plotë:

Forcat serbe shtien vazhdimisht me armë në drejtim të fshatrave Llaushë, Vojnikë, Açarevë, Burojë

Haxhi Geci, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Llaushë të Skënderajt i tha QIK-ut në orën 18:00 se forcat serbe vazhdonin të shtienin ende kundër këtij fshati. Ai tha se forcat serbe kishin filluar një sulm në orën 11. 00 dhe se gjatë gjithë ditës kishin shtënë me armë automatike dhe me mitralozë. Z. Geci tha se në lagjen Spahiaj ende dilte tym nga një zjarr i shkaktuar prej predhave të forcave serbe.

dhe se gjatë gjithë ditës mbi Llaushë kanë fluturuar aeroplanët ushtarakë, mirëpo ai nuk mundi të jipte hollësi për pasojat e sulmit të sotëm kundër këtij fshati.

Kryetari i Nëndegës së LDK-së në Llaushë tha se prej orës 9:00 forcat serbe kanë shtënë pa ndërprerë me armë të rënda drejt fshatrave Turiçevc, Burojë, Açarevë, Kopiliq, Vojnikë, e tjera. Nga këto fshatra, që kanë mbetur qe një muaj më të izoluarat për shkak të rrethimit të forcave serbe, nuk ka dalë deri më sot asnjë dëshmitar, kështu që njoftimet nga kjo zonë janë të pakëta.

  1. Geci tha se nga Llausha vërehen lëvizje të shumta të forcave serbe edhe në Skënderaj.

Forcat serbe vendosën një rrethim të rreptë në një zonë të gjerë të Drenicës në fund të muajit të kaluar. Nga sulmet në Likoshan, Qirez, Prekaz i Ulët, Llaushë, Burojë e tjera janë vrarë mbi 90 shqiptarë, shumica fëmijë, gra e pleq.

Bashkësia ndërkombëtare, si Grupi i Kontaktit, Bashkimi Evropian, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, OSBE-ja, e tjera i kanë kërkuar Beogradit tërheqjen e njësive speciale nga rajoni dhe fillimin e një dialogu me udhëheqjen e Kosovës me qëllim të zgjidhjes paqësore të çështjes së Kosovës.

Mirëpo, përkundër vendosjes së sanksioneve nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Beogradi vetëm ka vazhduar me përforcimin e njësive speciale dhe të forcave të policisë e të ushtrisë serbe. Është e qartë se këto përforcime bëhen me qëllim të përgatitjeve për një sulm masiv kundër popullsisë së mbetur në këto fshatra.

Të gjitha burimet e LDK-së nga rajoni sot flasin për një gjendje shumë të rrezikshme.

 

Lajme të tjera:

Ushtarët serbë ndërtojnë bunkerë në Lebanë

Lëvizje e shtuar e forcave ushtarako-policore serbe në Fshatin e Vjetër të Ferizajt

Forca të mëdha ushtarake në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri

Policia serbe rrah dhe merr në pyetje qytetarë të Podujevës

U ftua për të bashkëpunuar me policinë serbe

 

 

Edicioni i pestë (19:30)

Lajm i plotë:

Rreth orës 19:00 pushuan të shtënat me armë në Llaushë

Të shtënat që kishin zgjatur qysh prej mesditës kundër fshatit Llaushë, pushuan rreth orës 19:00 në mbrëmje.

Këtë njoftim e dha kryetari i Nëndegës së LDK-së në fshat, Haxhi Geci. Ai tha se nuk ka njohuri për të vrarë ose të plagosur. Duke iu referuar dëshmitarëve, z. Geci tha se në lagjen Spahiaj ishte djegë ushqim kafshësh nga predhat e armëve.

Kryetari i Nëndegës së LDK-së në Llaushë tha se prej orës 19:00 më nuk dëgjoheshin as të shtënat në fshatrat për rreth. Mirëpo nuk ka njohuri për pasojat e sulmit që kishte filluar me armë të rënda në orën 9:00 të mëngjesit kundër fshatrave Açarevë, Vojnikë, Burojë, e tjerë.

Foto: Llausha e Skenderajt

Continue Reading

Vendi

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 28 qershor 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Gazimestani, aty ku Serbia ndezi fitilin e luftërave

28 qershor 1993

Katër vjet pas “betejës” së Gazimestanit

Sot, bëhen katër vjet që nga dita kur afër 1 milion serbë erdhën në Gazimestan, të magjepsur me homogjenizimin dhe mitin serb rreth Kosovës. Kryetari serb Milosheviq, duke prekur në një nga fushat spekultative më të ndjeshme të popullit serb, ia doli që t’i mobilizojë qindra mijëra bashkombës për të filluar luftën e serbëve pothuaj kundër të gjithë popujve përreth. Kosova ishte hapi i parë i fillimit të kësaj lufte që u paralajmërua më 28 qershor në Gazimenstan dhe që po vazhdon edhe sot e kësaj dite, duke marrë me dhjetëra jetëra të civilëve të pafajshëm.

Nga një kodër gjysëm e zhveshur, pa shenja të mëdha dalluese për një betejë të largët, e cila nga historianët ende nuk është ndriçuar plotësisht, Milosheviqi dërgoi atëherë mesazhin e tij të krimit kundër shqiptarëve dhe popujve të tjerë. Po ashtu, ai asokohe ua tërhoqi vërejtjen kriptokomunistëve në të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë se i priste dora e zgjatur për t’iu bërë aleatë në projektin e tij serbomadh. Në të kundër, kërcënohej Millosheviqi, popujt e republikave të tjera do të bëhen theror i mitit serb, përkatësisht viktimë e projektit për Serbinë e Madhe. Gjatë këtyre viteve është përsëritur shpesh fjalia e Milosheviqit se ai qëllimet serbe do t’i realizojë “përmes mjeteve institucionale dhe joinstitucioonale”.

Katër vjet pas asaj feste të madhe të nacionalizmit serb, kur shqiptarët në shenjë prtoteste kundër veprimeve gjithnjë e më agresive, u mbyllën nëpër shtëpitë e tyre, sot manifestimi i kujtimit të Betejës së humbur në Kosovë nga ballkanasit dhe nga serbët, po bëhet me ca manifestime modeste dhe pa entuziazmin e atëhershëm dhe të viteve që pasuan. Përkundër kërkesave të vazhdueshme disamujore, Milosheviqi nuk erdhi në Kosovë për të paraqitur qëndrimin më të ri për Kosovën në dritën e zhvillimeve të ngjarjeve në hapësirën e ish-Jugollsavisë dhe të Ballkanit, por nuk erdhi as Qosiqi.

Qosiqi sikur bëri me dije se nga vala e ngrohtë e ëndrrave serbe për Kosovën ka mbetur pakgjë dhe se po ashtu mund të realizohet pakgjë. Abstenimi i tij po kështu lë të nënkuptohet se Qosiqi, si viktimë poltike e idesë së vet mbi Serbinë e Madhe, më në fund është i pafuqishëm të tërheq përpara ëndërrat dhe projektitet nacionaliste, të cilat objektivisht nuk mund të realizohen.

Ndërkaq, mosardhja e Milosheviqit në Kosovë duhet kuptuar edhe si pranim i dështimit të politikës së tij rreth Kosovës, si shenjë e fort e abstenimit nga politika që e krijoi vetë, pa gjetur ende zëvendësim për atë politikë.

Ndryshe nga dy të parët, Patriarku Pavle këto ditë ishte në Kosovë dhe kjo flet vetvetiu për vazhdimin e projektit shpirtëror e historik të serbëve për Kosovën si “djep të serbizmit”.

 

28 qershor 1994

Në procesin e montuar politik në Prishtinë dje u morën në pyetje dëshmitarët

Procesi i montuar politik në Prishtinë kundër 14 shqiptarëve vazhdoi dje me marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Dje u morën në pyetje dëshmitarët: Nazmi Emërllahu, Avni Neziri, Abdurrahim Islami dhe Hamit Zejnullahu. Dy të parët folën në gjuhën amtare, ndërsa të tjerët në serbe..

Në stacionin e milicisë është mbajtur 35 orë dëshmitari Avni Neziri (1961) nga fshati Doganaj i Ferizajt. Tregoi se Adem Salihajn, kryetar i Degës së LDK të Ferizajt dhe deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës, e njeh pas vitit 1991, se ky asnjëherë nuk i ka folur për veprimet inkriminuese që i vihen në barrë.

– A u ka dhënë ndokush ndonjë formular për obliguesit ushtarakë? – pyeti kryetari Dragolub Zdravkoviq.

– Jo, ishte përgjigjja e shkurtër.

– A u ka dhënë ndonjë regjistër Adem Salihaj?

– Jo. Nga ai nuk kam marrë kurrfarë materiali, pasoi përgjigjja tjetër, duke shtuar se në stacionin e milicisë e thirrën “vetëm katër herë”. Ky dëshmitar foli për një regjistër tjetër, tha se është fjala për të dhënat e vashave të djelmoshave, atyre që kanë mbushur moshën 18-vjeçare përkitazi me zgjedhjet që u bënë për Parlamentin e Kosovës (1992). Kryetarët e aktivave të LDK, vuri në pah ai, kanë pasur për detyrë t’i korrigjojnë këta regjistra.

Në ç’vend është bërë korrigjimi i regjistrave? – rodhi pyetja.

– Në kafenenë “Bolero” të Ferizajt – tha dëshmitari.

Dëshmitari tjetër Abdurrahim Islami (avokat nga Ferizaj) foli për rrjedhën e një mbledhjeje të Akivit të LDK në Ferizaj. Edhe shtëpinë e Abdurrahimit e ka bastisur milicia. Për Ademin, shtoi ky dëshmitar, e di se është edhe deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës, se atë e njeh vetëm nga pamja, ndërsa Ismail Mehmetin dhe Sylejman Hasanin nuk i njeh fare.

– A janë bërë listat e obliguesve ushtarakë? – pyeti prokurori Jovica Jovanoviq.

– Jo, – ishte përgjigjja e shkurtër.

Hamit Zejnullahu nga Prishtina, dikur punëtor i Sekretariatit të MP të ish-KSAK, tregoi se në fillim e kishte cilësinë e “të dyshimtit” në procedurën policore, ndërsa më vonë, pas katër ditë paraburgimi, para gjykatësit hetues (Zvonimir Maksimoviq) u mor në pyetje si dëshmitar. Disa nga mbrojtësit shtruan një sërë pyetjesh: si, kush, në ç’mënyrë Hamitin e çuan inspektorët para gjykatësit hetues, ç’foli ai para tij etj. Rrëfimi i këtij dëshmitari më tepër u përqëndrua rreth mbledhjeve, në njërën sosh, ku ishte i pranishëm edhe dr.Fehmi Agani, ku është folur për ndihmat punëtorëve të dëbuar nga Sekretariati në fjalë. Hamiti tha troç: “Me Hajzer Hajzerin nuk kemi pasur kurrfarë bisede rreth asaj që akuzohet”.

Pra, siç u dëgjua edhe në këtë mënyrë u përpiluan deklaratat e dëshmitarëve, sikundër ato të akuzuarve, që disa prej tyre e dhanë mbrojtjen në heshtje gjatë hetuesisë (rasti i Adem Salihajt, Xhelil M.Ramës etj.).

Gjykatësi i instaluar serb Dragolub Zdravkoviq i bëri me dije të pranishmit se gjykimi vazhdon nesër (të mërkurën), ndërsa fjalën përfundimtare të zëvendësprokurorit publik Jovica Jovanoviq dhe të shtatëmbëdhjetë mbrojtësve, sipas dinamikës së shqyrtimit kryesor, e parashikoi të nisë të premten, kurse shpalljen e aktgjykimit javën e ardhshme, njofton sot “Bujku”.

 

28 qershor 1995

Ish-policët mohojnë në tërësi aktakuzën

Në sallën e madhe të ish-Kuvendit të Kosovës, vazhdoi procesi gjyqësor kundër 72 ish-policëve të Kosovës. Para të njëjtit trup gjykues, të përbërë në tërësi nga serbët, sot u morën në pyetje Izet Ymeri, Isak Aliu, Enver Hakiu, Sylejman Berisha, Ramiz Hoxha, Reshat Maliqi dhe Kemajl Aliu.

Edhe këta të akuzuar, sipas njoftimeve të avokatëve, sikur edhe të akuzuarit e marrë në pyetje në pjesën e deritashme të këtij procesi të montuar politik, e mohuan në tërësi aktakuzën dhe veprën penale që u vihet për barrë.  Ata folën në hollësi për aktivitetin e tyre sindikal, në kuadër të degës së sindikatës së ish-punëtorëve të SPB-së, në Ferizaj dhe mohuan formimin e çfarëdo “ministrie” a shërbimi të “sigurimit shtetëror” në kuadër të kësaj ministrie, për çka akuzohen.

Ish-policët, të cilët sot u morën në pyetje, në fjalën e tyre mbrojtëse rrëfyen edhe për të gjitha format e torturës që janë përdorur kundër tyre, me qëllim të nxjerrjes së deklaratave të rrejshme.

Kemajl Aliu, te gjyqtari hetues është mbrojtur në heshtje, përkundër faktit se ishte shumë i torturuar, edhe para marrjes në pyetje te gjyqtari hetues, edhe pas marrjes në pyetje.

Sylejman Berisha nuk e ka pranuar as te gjyqtari hetues se është themeluar “ministria e punëve të brendshme…” e në kuadër të kësaj nuk ka pranuar as se është formuar “shërbimi i sigurimit shtetëror” për Ferizaj.

Isak Aliu rrëfeu se së paku 25 herë është marrë në pyetje dhe gjithnjë ndaj tij është përdorur dhunë e egër fizike, duke përfshirë këtu përdorimin e shufrës së gomës, shufrës elektrike, futjen e çorapëve në gojë, goditjet me shqelma e grushta në çdo pjesë të trupit, etj. Ai pastaj rrëfeu se e kanë zhveshur dhe ashtu e kanë rrahur derisa është alivanosur, pastaj ashtu të lagur dhe të zhveshur e kanë lënë gjithë natën, e dihet se ishte kohë dimiri dhe temperaturat ishin shumë të ulëta. Pastaj atij i janë kërcënuar se do ta vrasin, se do t’ia likuidojnë familjen. Në këto rrethana, shpjegoi ai, jam detyruar të nënshkruaj deklaratën e rrejshme.

Reshat Maliqi, duke përshkruar dhunën që është ushtruar ndaj tij, theksoi se ishte i kënaqur që te gjyqtari hetues kishte arritur deri-diku ta reprodukonte deklaratën e dhënë në hetuesi. Ndaj tij është përdorur një dhunë e egër fizike, me përdorimin e të gjitha mjeteve të mundshme të ushtrimit të dhunës. Ai rrëfeu se është torturuar aq rëndë, shpesh e ka humbur vetëdijen dhe, në një moment të pashpresë, ka lënë amanet që nëse e mbysin, ta varrosin në vendlindjen e tij. Pothuaj të gjithë të akuzuarit rrëfyen se inspektorët iu kanë “bërë me dije” se hetimet zgjasin gjashtë muaj, se edhe pas dhënies së deklaratës para gjyqtarit hetues, do të merren në pyetje para tyre, duke ua përkujtuar kështu se do të pësojnë edhe më keq nëse e ndryshojnë deklaratën para gjyqtarit hetues.

Gjykimi vazhdon nesër, me marrjen në pyetje të të akuzuarve tjerë.

 

 

28 qershor 1997

Sipas mediave amerikane, “Millosheviqi përsëri e ngriti temperaturën në Kosovë”

“Millosheviqi përsëri e ngriti temperaturën në Kosovë me një fjalim nacionalist, i cili shqetësoi popullsinë shqiptare dhe opinionin ndërkombëtar, në mënyrë që pas kthimit në Beograd të ballafaqohet me rezistencën e re ndaj regjimit të tij autokrat”, njoftoi Radioja kombëtare amerikane, duke transmetuar informacionet e agjencive botërore për ngjarjet për të cilat u tha se paralajmërojnë “një verë të nxehtë dhe të gjatë politike në Serbi”.

Po ashtu ato njoftuan se në Beograd qe disa ditë po demonstrojnë invalidët e luftës me të cilët nuk deshi të takohej Millosheviqi, të cilët i kishte dërguar që ta pushtojnë Kroacinë dhe Bosnjën.

Agjencia amerikane e lajmeve Asoshieted pres nga ana e saj konstatonte se Millosheviqi në çdo mënyrë synon t’i ikë fajit për luftërat e paradokoshme në Kroaci dhe në Bosnje, si dhe akuzën eventuale të Tribunalit të Hagës, gjë që është edhe arsye e ikjes së kontakteve me invalidët e luftës.

 

28 qershor 1998

Një i vrarë në Shishman të Rekës së Keqe

Arsimtari Rexhep Binak Syla (55) nga Shishmani i Bokës së Rekës së Keqe u vra dje në luftimet mes forcave mbrojtëse dhe ushtrisë serbe që sulmoi këtë fshat. Varrimi i tij u bë dje.

Nga Gjakova njoftohet se edhe sot në fshatrat e brezit kufitar vazhduan luftimet, ndërsa lëvizje dhe përqendrime të forcave serbe ka kryesisht në Kodrën e Çabratit.

 

Gjakovë: 150 qytetarët e mbajtur peng dje, u lejuan të hyjnë në Gjakovë

Të 150 qytetarët, kryesisht gra, fëmijë dhe pleq, që u ndaluan dhe u mbajtën dje disa orë në postbllokun policor të Gjakovës, u liruan pas orës 13 dhe u lejuan të hyjnë në qytet.

Burime të LDK-së në Gjakovë bëjnë me dije se në mesin e udhëtarëve të ndaluar ishin së paku 50 fëmijë, shumë prej të cilëve u alivanosën nga qëndrimi i gjatë në autobus dhe nga temperatura e lartë.

Nuk dijet vetëm për fatin e tre prej udhëtarëve, të cilët u dërguan në stacionin e policisë në Gjakovë.

 

Deçan: Dihet edhe për katër të tjerë të vrarë

Në Deçan ende nuk dihet numri i saktë i të vrarëve, për shkak të bllokadës së plotë të shumë fshatrave shqiptare.

KI i Degës së LDK-së në Deçan njoftoi sot edhe emrat e katër shqiptarëve të vrarë: Halit Z. Tolaj (80), Murat Z. Tolaj (75), Mustaf Z. Tolaj (70) dhe Zize Tolaj (75), gruaja e Halit Tolajt.

Në njoftim nuk jipen të dhëna për datën dhe vendin ku janë vrarë ata.

Continue Reading

Vendi

United Hospital, në kujdes të zemrës së qytetarëve – Ekspertiza e Dr. Edis Demirit sjell siguri dhe shpresë për pacientët kardiakë

Published

on

Kur bëhet fjalë për shëndetin e zemrës, përvoja, profesionalizmi dhe vendimmarrja e saktë klinike janë faktorë përcaktues për jetën e pacientit. Në United Hospital, Dr. Edis Demiri, kardiolog invaziv me përvojë të konsoliduar në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare, përfaqëson një nga emrat më të spikatur të këtij specialiteti.

Në një kohë kur sëmundjet kardiovaskulare vazhdojnë të jenë ndër shkaktarët kryesorë të problemeve shëndetësore, United Hospital po forcon angazhimin e tij për mbrojtjen e shëndetit të zemrës së qytetarëve, duke ofruar diagnostikim të avancuar, trajtime moderne dhe kujdes profesional në Departamentin e Kardiologjisë.

Kur bëhet fjalë për shëndetin e zemrës, përvoja, profesionalizmi dhe vendimmarrja e saktë klinike janë faktorë përcaktues për jetën e pacientit. Në United Hospital, Dr. Edis Demiri, kardiolog invaziv me përvojë të konsoliduar në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare, përfaqëson një nga emrat më të spikatur të këtij specialiteti.

Me ekspertizë në procedurat invazive të zemrës dhe përdorimin e teknologjive bashkëkohore, ai ofron diagnostikim të hershëm, trajtim të personalizuar dhe ndërhyrje të avancuara që synojnë rikthimin e shëndetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve. Përkushtimi ndaj standardeve më të larta profesionale, përditësimi i vazhdueshëm me zhvillimet më të fundit në kardiologji dhe qasja njerëzore ndaj çdo pacienti e kanë bërë Dr. Demirin një figurë të besueshme për qindra qytetarë që zgjedhin United Hospital për kujdesin ndaj zemrës së tyre.

Nën udhëheqjen e Dr. Edis Demirit, kardiolog invaziv me përvojë të gjatë, pacientët përfitojnë shërbime të standardeve bashkëkohore, duke filluar nga vizitat dhe diagnostikimi i detajuar e deri te ndërhyrjet më komplekse invazive. Ekokardiografia, EKG-ja, Holteri 24/48/72-orësh, Stres Testi, koronarografia, vendosja e stenteve, angioplastika, si dhe trajtimet për çrregullimet e ritmit të zemrës përmes pacemakerëve, ICD dhe CRT, janë vetëm një pjesë e shërbimeve që ofrohen në këtë institucion.

Me moton se kujdesi për zemrën nuk pret, United Hospital u bën thirrje qytetarëve të mos e neglizhojnë kontrollin kardiologjik, pasi diagnostikimi i hershëm mbetet arma më e fuqishme në parandalimin e komplikimeve serioze.

Në kuadër të promovimit të kujdesit parandalues, spitali ka prezantuar edhe oferta të veçanta për pacientët. Pakoja e Plotë e Zemrës, me vlerë vetëm 69 euro, ofron një vlerësim të detajuar të shëndetit kardiovaskular, ndërsa paketa e avancuar për diagnostikimin e aterosklerozës premature, që përfshin ekzaminime kardiologjike dhe analiza specifike laboratorike, ofrohet me çmimin promocional prej 99 euro, nga vlera e rregullt prej 228 euro.

Përfaqësues të spitalit theksojnë se investimet në teknologji moderne dhe në staf profesional kanë një qëllim të vetëm: të ofrojnë kujdes cilësor, të sigurt dhe të besueshëm për çdo pacient.

United Hospital po konsolidon çdo ditë e më shumë pozicionin e tij si një institucion modern shëndetësor, falë vizionit strategjik dhe përkushtimit të vazhdueshëm të udhëheqësit të tij, Edmond Hajrizi. Duke ndërtuar bashkëpunime dhe shkëmbyer përvoja me institucione prestigjioze shëndetësore ndërkombëtare, ai po orienton zhvillimin e spitalit drejt standardeve më të avancuara të mjekësisë bashkëkohore.

Ky vizion reflektohet në investimet e vazhdueshme në teknologji moderne, fuqizimin e kapaciteteve profesionale të stafit, zgjerimin e gamës së shërbimeve dhe krijimin e modeleve të kujdesit të bazuara në cilësi, siguri dhe efikasitet. Paralelisht, United Hospital po synon ta bëjë kujdesin shëndetësor më të qasshëm për qytetarët, përmes paketave dhe çmimeve konkurruese, duke dëshmuar se ekselenca klinike mund të shoqërohet edhe me përgjegjësi sociale dhe qasje të orientuar ndaj pacientit.

Qytetarët që dëshirojnë të rezervojnë një konsultë ose kontroll kardiologjik mund të kontaktojnë në numrat 038 60 70 70 dhe 046 60 70 70, ose të vizitojnë United Hospital, në aksin M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7.

Sepse një zemër e shëndetshme është themeli i një jete të gjatë dhe me cilësi./rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 27 qershor 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: Zëdhënësi i dr. Rugovës, Xhemail Mustafa

 27 qershor 1994

Represioni në Kosovë

Ferizaj: – Më 14 qershor, rreth orës 22:00, në kafenenë “Paris” në Ferizaj, derisa ishin duke qëndruar Myrtë Shehu, Basri Topalli dhe Sami Omuri, në lokalet e kësaj kafeneje hyri polici serb Zllatko nga Zaskoku, i njohur për dhunë kundër shqiptarëve dhe kërkoi nga Sami Omuri dhe Basri Topalli që t’i dërgoi me automjet deri në kafenenë “Mani”. Meqë personat e lartëshënuar nuk kishin automjet, ndërsa Myrtë Shehu atij i thotë se i mungon benzina, polici Zllatko e urdhëroi me dhunë që ta dërgoi në kafenenë “Mani”. Më pas nga kafeneja e lartpërmendur, polici Zllatko doli së bashku me tre shokë të tij dhe e urdhëruan me dhunë Myrtë Shehun që t’i dërgoi në fshatin Firajë.

Polici dhe tre shokët e tij në fshatin Firajë shkuan në shtëpinë e Gafurr Xhaferit nën pretekst se ia kanë borxh 2.300 DM. Gjatë kësaj kohe fshatarët e Firajës u grumbulluan para automjetit, si dhe njoftuan organet e policisë së Shtërpcës. Pas ardhjes së policisë së lartëshënuar, polici Zllatko i thotë Myrtë Shehut se duhet patjetër të deklarosh se nuk kemi ardhur për borxh, por për të kërkuar armë. Në stacionin e policisë në Shtërpcë, polici Zllatko deklaroi para kolegëve të tij se kinse njërit nga bashkëpunëtorit e tij Gafurr Xhaferi ia ka borxh 2.300 DM.

Pasi Myrtë Shehu lirohet, polici Zllatko i kërcënohet atij se nëse nuk deklaron se atje ishim për armë e jo për borxh do të kesh pasoja, njofton Kryesia e Aktivit III të LDK-së së Nëndegës së Gremes së Ferizajt.

Më 23 dhe 24 qershor, inspektorët serbë morën në pyetje dr.Asllan Bajramin, kryetar i Kryqit të Kuq të Ferizajt, për shkak të një letre, e cila ditë më parë nëpërmes postës i kishte arritur nga Partia Transnacionale Radikale nga Sofja e Bullgarisë, në të cilën bëhej fjalë rreth Gjyqit ndërkombëtar dhe kriminelëve të luftës së Jugosllavisë së vetëshpallur.

Më 24 qershor, rreth orës 13:00, inspektorët serbë ndërhynë tek shitësit e cigareve dhe rrahën rëndë Hasim Rifatin nga Ferizaj, i cili mori lëndime të rënda trupore.

Më 20 qershor, rreth orës 14:00, nën pretekst të kërkimit të armëve, policia mori Rrahman Ramadanin në fshatin Kosinë të Ferizajt, i cili u dërgua në postkomandën e Nerodimes. Bëhet me dije se Rrahman Ramadani u rrah rëndë, ndaj të cilit u përdor edhe elektroshoku. Rrahman Ramadani u lirua me kusht që të paraqitet sërish në polici.

Skënderaj: – Më 24 qershor rreth orës 22, një ekspeditë e policisë, nën pretekst të kërkimit të armëve arrestoi në shtëpinë e tij Nezir Nebihun nga fshati Vojnikë i Skënderajt. Së bashku me Nezirin, polici e mori me vete edhe bashkëshorten e tij, e cila në polici u mbajt deri të nesërmen në orën 9 të mëngjesit.

Nezir Nebihu po mbahet ende në arrest, ndërsa këtë bastisje e bëri policia serbe e Klinës.

Gllogovc: – Më 23 qershor, rreth orës 23:00, policia bastisi shtëpinë e Ismail Bytyçit në Arllat të Gllogovcit.Gjatë bastisjes policia u soll brutalisht, me ç’rast në prani të anëtarëve të familjes rrahu djemtë e Ismailit, Shefqet e Xhevdet Bytyçin, të cilët edhe i morën me vete në stacionin e policisë në Gllogovc dhe i mbajtën deri rreth orës 23:00.

Të lartëshënuarit u morën sërish të nesërmen në polici, nën pretekst se prindi i tyre ka bërë një faj. Policia të lartëshënuarit i liroi me kusht që Shefqet Bytyçi të lajmërohet sërish të nesërmen në polici.

Deçan: – Sot rreth orës 7 të mëngjesit, policia serbe hyri në shtëpinë e Haxhi Përgjegjajt nga Lumbardhi i Deçanit, të cilin policia e rrahu në prani të anëtarëve të familjes. Pas bastisjes policia mori me vete Haxhi Përgjegjajn, i cili pas një orë qëndrimi u lirua me kusht që të paraqitet sërish.

 

27 qershor 1995

U arrestua gazetari Ramadan Muçolli

Sot, rreth orës 9:00, në Prishtinë, u arrestua gazetari Ramadan Muçolli. Anëtarët e familjes thanë se tre policë me rroba civile ia bastisën banesën, ku ai jeton me qira, dhe e arrestuan.

Bashkëshortja e Ramadanit tregoi se policët u interesuan gjatë bastisjes për punën e tij si gazetar. Ajo tha se policët kërkonin shënime gazetareske dhe kaseta të magnetofonit. Pas bastisjes, atij iu mor kasetofoni dhe pasaporta.

Ramadan Muçolli ishte gazetar dhe redaktor në Radio Prishtinë. Pas pushtimit të RTVP-së, ai punonte si gazetar i lirë dhe ka bashkëpunuar me radiostacione e gazeta shqipe. Ramadan Muçolli, si edhe shumë gazetarë të tjerë shqiptarë, ka qenë në shenjestër të policisë serbe.

Ai një herë u mbajt disa orë në stacionin e policisë në Ferizaj, ndërsa gjatë aksionit të forcave serbe të pushtimit të ndërtesës së Institutit Albanologjik vitin e kaluar, bashkë me punëtorët shkencorë, ishte keqtrajtuar edhe zoti Muçolli.

Ramadan Muçolli, deri në mbylljen e këtij Informatori, në orën 15:00, nuk është liruar.

Lidhja e Gazetarëve të Kosovës (LGK) sot i njoftoi asociacionet ndërkombëtare lidhur me këtë arrestim.

LGK kërkoi lirimin e menjëhershëm të Ramadan Muçollit dhe ndërprerjen e shtypjes serbe ndaj gazetarëve shqiptarë në Kosovë.

 

27 qershor 1997

Xh. Mustafa: Ardhja e Millosheviqit – si e çdo ardhacaku antishqiptar

 

Këshilltari për informim i kryetarit Rugova, Xhemail Mustafa, në një deklaratë dhënë “Bujkut”, e cilësoi ardhjen e pardjshme të kryetarit serb në Kosovë, si ardhje të çdo ardhacaku tjetër antishqiptar dhe si një provokim të rëndë për popullin e Kosovës, veçmas për shqiptarët.

– Arsyet e ardhjes së Millosheviqit në Kosovë padyshim duhet kërkuar në përpjekjet e tij për ta ringjallur nacionalizmin më ekstrem serb pikërisht nëpërmjet Kosovës dhe për t’ia zgjatur kështu edhe për një mandat eventual jetën regjimit të tij antishqiptar e antidemokratik. I vetëdijshëm se serbët e Kosovës dhe jo vetëm ata, tashmë i ka bërë viktimë të një politike të dështuar, Millosheviqi po përpiqet që me ta të manipulojë mbase për herë të fundit. Ai nuk e ka guximin e as moralin e njeriut e të politikanit që me serbët e Kosovës, me viktimat e regjimit të tij, të ballafaqohet në Beograd, aty ku po protestojnë e po bëjnë grevë urie me javë për mashtrimet që ua bëri pikërisht Millosheviqi dhe regjimi i tij gjatë kësaj dekade. Në vend që me ta të përballet e t’u japë llogari atje ku e kanë vendin edhe ata, edhe vetë Millosheviqi, kryetari serb, po përpiqet që serbëve në Kosovë t’u çojë sinjale dhe t’u japë kurajo për mashtrimet, për keqpërdorimet dhe për dështimet e reja që po ua përgatit përmes fjalimeve boshe nëpër qytete të Kosovës dhe nëpërmjet zgjedhjeve të ardhshme. Mashtrimin më të madh që u përpoq t’ua bëjë serbëve sot në Prishtinë Millosheviqi ishte premtimi se regjimi i tij nuk do të përkulet para presioneve ndërkombëtare për Kosovës. Premtime të këtilla ai u jepte me bollëk edhe serbëve në Kroaci e në Bosnjë, kurse fatin dhe fatkeqësinë e tyre e dinë të gjithë, besojmë edhe serbët e Kosovës.

Por, me ardhjen e tij në Kosovë, Millosheviqi jo vetëm që i bën një provokim të rëndë popullit të Kosovës, por me vetë aktin e pranisë këtu, shqiptarëve u çon indirekt disa sinjale po aq të rënda. Ai don që para popullit të Kosovës të demonstrojë jo forcën politike, sepse për shqiptarët ai është politikan i një shteti të huaj, por forcën fizike, brutalitetin e aparatit të tij represiv, që po vepron tash disa vjet në Kosovë kundër shqiptarëve. Nuk di a është momenti të thuhet, por me praninë e tij në Kosovë, Millosheviqi paradoksalisht ua tërheq vërejtjen të gjithë atyre politikanëve dhe njërëzve tanë publik, të cilët po e dëmtojnë unitetin politik në Kosovë, rendin që e kemi krijuar, bashkëpunimin mes institucioneve dhe mirëkuptimin mes forcave politike e shqiptarëve përgjithësisht, qoftë me mospunën e tyre, qoftë me prirjen për ngatërresa e për konfrontime rrënuese brendashqiptare. Për të gjithë shqiptarët bashkarisht, për rezistencën paqësore për pavarësinë e Kosovës, ndërkaq, ardhja e kryetarit serb në Prishtinë dhe në disa qytete të tjera të Kosovës është edhe një sinjal se për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës, veç deklarimeve radikale verbale, kërkohet punë shumë më e madhe dhe veprime konkrete.

Le të përkujtojmë me këtë rast se Millosheviqi në Prishtinë ishte edhe para tetë vjetësh, në kohën e grevës së minatorëve në Stan-tërg, të histerisë antishqiptare, të rrënimit me dhunë të mëvetësisë së atëhershme politike e shtetërore të Kosovës dhe të ngritjes së tij në krye të regjimit serb. Ardhja e tij e tashme në Prishtinë, ndërkaq, shënon fillimin e rënies së këtij regjimi diktatorial, të paktën në Kosovë dhe për shqiptarët. Këtë krizë dhe rënie të pashmangshme Millosheviqi e paralajmëroi indirekt sot në Prishtinë, tek ua shpjegoi serbëve presionin e madh rreth çështjes së Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare, tha në fund të deklaratës së tij z. Mustafa.

 

27 qershor 1998

Forca të mëdha ushtarake në Sllatinë të Madhe

Në Sllatinë të Madhe të Fushë Kosovës sot në mëngjes u stacionuan forca të mëdha të ushtrisë serbe.

KI i Degës së LDK-së në Fushë Kosovë njofton se rreth orës 5 mbi këtë fshat fluturoi një aeroplan i forcave serbe ndërsa më vonë erdhi një konvoj i madh i forcave serbe i cili u vendos në pishat e Sllatinës së Madhe, ndërsa fshati pothuaj në tërësi është i rrethuar nga këto forca.

Konvoji përbëhej prej më shumë se 100 mjete motorike, prej të cilave 58 tankse, 30 kamionë me ushtar si dhe një numër i autoblindave ushtarake. Konvoji kishte me vete edhe ura të improvizuara dhe eskavatorë.

Një pjesë e mjeteve luftarake të ushtrisë i ka kthyer tytat në drejtim të fshatit Bardh i Madh, ku gjendet mihja sipërfaqësore, e cila nga fillimi i kësaj jave kontrollohet nga forcat e UÇK-së.

Njoftohet se mbrëmë rreth orës 18, derisa sa kalonin disa kamionë ushatarakë në drejtim të pishave të Sllatinës, 6 ushtarë malazezë ikën nga kamionët. Edhe pse oficerët shtinë me revole në drejtim të tyre, ushtarët ikën në drejtim të panjohur.

Gjendje e rëndë është edhe në vetë qytezën e Fushë Kosovës. Në mëngjes pizgauerët e policisë serbe morën në rrugë vullnetarët serbë, të cilët para dy ditësh janë veshur me uniforma të policisë, dhe i dërgoi në drejtim të Drenicës.

Continue Reading

Aktualitet

Të hënën, UBT do të organizojë forum akademik të veçantë në Kosovë në nder të 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Published

on

By

Projekti “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”, njofton se UBT, Partneri Kryesor Akademik i projektit, do të organizojë një forum akademik të veçantë më 29 qershor 2026 në Prishtinë, si pjesë e programimit zyrtar ndërkombëtar që shënon 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Forumi, me titull “Nga Çlirimi te Lidershipi: Edukimi i Gjeneratës së Ardhshme përmes Partneritetit Kosovë–SHBA”, do të mbledhë studiues të njohur amerikanë, ekspertë të politikave publike, përfaqësues të komunitetit të veteranëve, studentë, profesorë universitarë dhe zyrtarë publikë për të diskutuar marrëdhënien e qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe rolin e arsimit në formësimin e lidershipit demokratik për gjeneratat e ardhshme.

Ky aktivitet është pjesë e projektit më të gjerë “America Inspires Freedom: The Kosovo Story”, i cili u njoh zyrtarisht më herët gjatë këtij viti përmes Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet Fondacionit Shqiptaro-Amerikan dhe America250, Komisionit Amerikan për Shënimin e Çerek-shekullit të Pavarësisë së Amerikës. Përmes kësaj marrëveshjeje, Kosova u bë vendi i parë dhe i vetëm jashtë Shteteve të Bashkuara i përfshirë zyrtarisht në programimin ndërkombëtar të America250.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mirëpriti partneritetin dhe mundësinë për të organizuar këtë forum në UBT.

“UBT-ja është e nderuar të shërbejë si Partneri Kryesor Akademik i Projektit për Shënimin e 250-vjetorit të Amerikës në Kosovë dhe të organizojë këtë forum akademik të veçantë. Marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është ndër partneritetet më të rëndësishme në historinë moderne të vendit tonë, ndërsa institucionet e arsimit të lartë kanë përgjegjësi të veçantë për të ruajtur dhe avancuar vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky partneritet. Ne jemi krenarë që UBT do të kontribuojë në këtë iniciativë historike dhe do të ndihmojë në forcimin e themeleve intelektuale të partneritetit Kosovë–SHBA për vitet që vijnë”.

Faton Bislimi, Themelues dhe Drejtor i Projektit “America Inspires Freedom: The Kosovo Story”, theksoi rëndësinë e aktivitetit dhe rolin udhëheqës të UBT-së.

“250-vjetori i Amerikës ofron një mundësi të jashtëzakonshme jo vetëm për të festuar historinë amerikane, por edhe për të reflektuar mbi ndikimin e thellë që lidershipi, vlerat dhe miqësia amerikane kanë pasur për popullin e Kosovës. Pak kombe në botë mund të flasin për rolin e Amerikës në historinë e tyre me aq shumë mirënjohje dhe respekt sa Kosova. Jemi thellësisht të nderuar që kemi UBT-në si Partnerin tonë Kryesor Akademik në këtë iniciativë historike. Duke sjellë së bashku folës të shquar amerikanë dhe pjesëmarrës të tjerë të rëndësishëm, ky forum do të ndihmojë që gjeneratat e reja të kuptojnë si sakrificat që siguruan lirinë e Kosovës, ashtu edhe vlerat demokratike që duhet të udhëheqin të ardhmen e saj”.

Si partner i projektit, UBT do të organizojë një nga aktivitetet më të rëndësishme intelektuale dhe edukative të kësaj nisme, duke riafirmuar përkushtimin e kahershëm të universitetit ndaj inovacionit, vlerave demokratike, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ekselencës akademike.

Forumi do të trajtojë tema që lidhen me lirinë, demokracinë, lidershipin, përgjegjësinë qytetare, partneritetin transatlantik dhe mësimet që përvoja e Kosovës mund t’u ofrojë gjeneratave të ardhshme.

Continue Reading

Të kërkuara