Lajmet

Zjarret në Shqipëri, gjatë 24 orëve janë evidentuar 29 vatra zjarri, 13 vatra ende aktive

Published

on

Gjatë 24 orëve të fundit, vendi po përballet me një numër të madh zjarresh, duke përfshirë 29 vatra të evidentuara, nga të cilat 13 mbeten aktive, ndërsa 6 janë në monitorim. Zjarret kanë përfshirë disa prej qarqeve më të mëdha të vendit, duke përfshirë Vlorën, Dibrën, Gjirokastrën, Elbasanin dhe Kukësin, si dhe shumë zona rurale si fshatrat e Matit, Bulqizës dhe Pogradecit.

Përballë këtyre flakëve, janë angazhuar mbi 485 forca operacionale, përfshirë 45 automjete zjarrfikëse dhe 4 helikopterë, dy nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe dy helikopterë të mbërritur nga Hungaria. Pavarësisht përpjekjeve të intensifikuara, disa vatra vazhdojnë të jenë të vështira për t’u shuar për shkak të terreneve të vështira malore dhe kushteve të papërshtatshme, transmeton RTSH.

Në qarkun e Vlorës, zjarri i rënë në “Majën e Paliskës”, mbi fshatin Dukat, është ende nën monitorim, ku forcat e MZSH dhe pyjorët janë angazhuar për shuarjen e tij.

Po ashtu, në lartësitë e malit mbi fshatin Kalasë në Delvinë, zjarri ka përfshirë kullota dhe ka shkaktuar shqetësime serioze për banesat, ndërsa disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për asfiksinë. Ditën e djeshme ka vijuar operacioni me të gjitha strukturat, të ndihmuar nga 60 efektivë dhe 4 automjete zjarrfikëse të FA-së dhe gjithashtu janë asistuar nga helikopterë të FA-së dhe ata Hungarez. Gjatë operacionit pati djegie Shefi Komisariatit Delvinë, Agim Troci, si dhe 5 persona patën probleme nga asfiksia. Zjarri vazhdon të jetë aktiv dhe janë përshkuar 10 banesa. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale. Mbi fshatin Ploç, njësia administrative Sevaster, bashkia Selenicë vazhdon aktiv zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurredhe ndodhet në një vijë të gjatë shtrirje të përhapur në kodrat në afërsi të fshatrave Velc – Ramic – Verbas – Matogjin të njësisë administrative Brataj. Ka prezencë të forcave operacionale, por për shkak të terrenit nuk mund të ndërhyjnë. Kërkohet ndërhyrje nga ajri.

Në qarkun Gjirokastër, zjarri i rënë në fshatin Fushëbardhë dhe pranë tunelit të Skërficës, njësia administrative Cepo, i cili ka ardhur nga territori i bashkisë Delvinë, për shkak se ishte në lartësi të madhe, forcat operacionale nuk mundën të ndërhyjnë ditën e djeshme dhe e mbajtën situatën në monitorim. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale, pasi zjarri është afruar pranë tunelit të Skërficës.

Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat, ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit . Në terren operuan 16 forca vendore dhe 30 efektivë nga FA, mbështetur edhe nga 2 helikopterët Hungarez H225M. Ditën e sotme zjarri zhvillohet në një perimetër me një shtrirje mbi 13 km, me zhvillime në tre kahe. Në njërin kah po zhvillohet nga Masdeja, ku përfshin sipërfaqe të konsiderueshme në pyje. Në njërin kah në vendin e quajtur Qafa e Tolle, ku rrezikohet një banesë, si dhe në vendin e quajtur Fushë Kuqe, ku rrezikohen tre banesa. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

Në fshatin Ulëz, vatra e zjarrit është në monitorim dhe drejt izolimit të plotë. Sot janë angazhuar mbi 15 forca operacionale, të cilat po punojnë që të mos lejohet zhvillimi i zjarrit në vatra të ndezura brenda vatrës.

Vazhdon aktive, por me zhvillime të pakta, vatra e zjarrit të rënë në Livadhet e Peladhisë, e cila ka kaluar mbi fshatin Krajkë të bashkisë Bulqizë. Zjarri ka përshkuar mbi 40 ha sipërfaqe. Ditën e djeshme janë angazhuar në operacion 16 forca të bashkisë Bulqizë dhe zjarri është mbajtur nën monitorim për të ndaluar përhapjen e mëtejshme. Sot kjo vatër po vendoset nën kontroll nga 10 forca të bashkisë.

Qarku Elbasan. Nëz onën e Shmilit në fshatin Lugaxhi, njësia administrative Labinot-Mal, bashkia Elbasan, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë. Në terren u angazhuan rreth 50 forca, ku nga këta 20 janë forca ushtarake të FA-së dhe 30 forca janë të MZSH Elbasan, forca bashkiake dhe forca të pyjores. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

Qarku Lezhë. Në zonën e Shkopetit. Pjesa më aktive e vatrës është përhapur në zonën e kufirit ndarës mes bashkive Kurbin-Mirditë-Mat, mbi lartësitë e fshatit Lurth. Ditën e djeshme janë angazhuar 39 forca vendore të bashkive Kurbin e Mirditë dhe 50 forca ushtarake të ndihmuar edhe nga 2 helikopterët Hungarez H225M. Nuk ka rrezik për banesat. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

Qarku Korçë. Në fshatin Dishnicë. Vatra e zjarrit mbetet aktive, por me intensitet të ulët. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

Zjarri në vendi i quajtur Qeramica ndërmjet fshatrave Trestenik- Vishocicë të bashkisë Devoll, për shkak të erës rrezikon të përhapet, pasi vendi ku është kjo vatër zjarri është i veshur me barishte e shkurre. Në vendngjarje ndodhen forcat operacionale, që po punojnë për neutralizimin e saj

Vatra në fshatin Strelcë, bashkia Maliq vijon në drejtim të Veriut. Vatrat e tjera janë të neutralizuara dhe po mbahen në monitorim për të mos lejuar riaktivizim. Po punohet për shuarjen e zjarrit në fshatin Kriçkovë, njësia administrative Proptisht, bashkia Pogradec.

Qarku Berat. Në fshatin Muzhakë. Terreni është malor, pyll lisi dhe bimësi të dendur dhe vështirëson ndërhyrjen e punonjësve të zjarrfikëses, por situata është nën kontroll.

Në fshatin Konisbaltë, bashkia Dimal. Zjarri është në kufi të dy bashkive Dimal dhe Berat (në fshatin Mbreshtan dhe Galinë). Gjatë natës zjarri ka përparuar në drejtim të fshatrave Mbjeshovë, dhe Bistrovicë. Dje është ndërhyrë edhe me 1 helikopter Hungarez H225M. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

Në fshatin Zgërbon, bashkia Poliçan po vijon puna për shuarjen e flakëve nga forcat operacionale.

Qarku Kukës, në vendin e quajtur Gryka e Motinës, mbi fshatin Dragobi, brenda Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë. Për shkak të terrenit të vështirë dhe largësisë, punonjësit e AdZM-së nuk kanë mundur të izolojnë vatrën e zjarrit. Ditën e sotme janë angazhuar 7 punonjës të AdZM Kukës, për shuarjen e zjarrit.

Në Malin me Gropa, saktësisht në vendin e quajtur Fusha e Stanëve, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një terren me barishte të buta. Sipërfaqja e djegur e raportuar është më shumë se 10 ha. Kjo vatër zjarri vazhdon të jetë aktive dhe po punohet me 30 forca operacionale MZSH dhe 11 forca AdZM.

Zjarret kanë shkrumbuar më shumë se 450 hektarë sipërfaqe të mbuluara me bimësi dhe pemë.

Vendi

Rritet numri i viktimave në Poloni, të paktën gjashtë të vrarë nga të shtënat në Krakov

Published

on

Numri i viktimave nga të shtënat me armë zjarri në Poloni është rritur sërish.

Të paktën gjashtë persona kanë mbetur të vrarë nga të shtënat në qytetin jugor të Krakovit, ka bërë të ditur administrata rajonale, raporton SkyNews.

Ndërkohë, të paktën 15 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Më herët, policia kishte raportuar për të paktën pesë viktima dhe rreth një duzinë të plagosurish, transmeton Ekonomia Online

Ndwrkobw, agjencia Kosovapress ka njoftuar se autori i vrasjes së gjashtë personave sot në qendër të Krakov ishte i veshur me uniformë kamuflazh dhe, sipas portalit polak Wirtualna Polska, ai mbante veshur edhe një jelek antiplumb.

Ish-specialisti i policisë kundër terrorizmit Kuba Jaloszyński beson se pajisjet dhe armët e tij tregojnë se ai po përgatitej për sulm. Deri më tani, policia nuk ka konfirmuar veçmas se ai mbante veshur një jelek antiplumb balistik.

Zëdhënësja e policisë së Krakow, Katarzyna Cislo, konfirmoi për TVN24 se disa armë zjarri dhe municione të tjera u gjetën në veturën e sulmuesit.

Mediat polake raportojnë gjithashtu se vetura është ekzaminuar nga ekspertët e policisë për eksplozivë. Ende nuk është njoftuar saktësisht se çfarë arme ishte, sa u gjetën ose si e siguroi sulmuesi atë.

Sulmi ndodhi sot rreth orës 3 pasdite në qendrën historike të Krakov. Një burrë e drejtoi veturën e tij në sheshin kryesor të qytetit, Rynek Główny, dhe filloi të qëllonte kalimtarët. Ndërsa udhëtonte nëpër qytet, ai qëlloi gjithashtu në një tramvaj të transportit publik, duke thyer dritaren e kabinës së shoferit.

Policia qëlloi dhe plagosi sulmuesin gjatë ndërhyrjes, pas së cilës ai u arrestua dhe u dërgua në spital, ku thuhet se është në gjendje kritike. Dy oficerë policie u plagosën gjithashtu në shkëmbimin e zjarrit. Njëri prej tyre pësoi tri plagë me armë zjarri dhe është në gjendje kritike.

Policia konfirmoi se sulmuesi është shtetas polak dhe mohoi thashethemet se një polic u vra dhe se një sulmues i dytë është në kërkim. Identiteti i të dyshuarit nuk është publikuar ende zyrtarisht. Mediat polake raportojnë se ai është një burrë i moshës 25-vjeç. Policia ende nuk e ka përcaktuar motivin e sulmit.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

7 nëntor 1992

Katër të vrarë e shumë të plagosur nga policia maqedonase

Bilanci tragjik i ndërhyrjes së policisë maqedonase në lagjen e banuar me shqiptarë Bit Bazar të Shkupit, është së paku dy persona të vrarë e me dhjetëra të plagosur.

Shërbimi për Informim i Partisë për Prosperitet Demokratik na njoftoi se dje pasdite, rreth orës l6, policia maqedonase ndërhyri kundër qytetarëve shqiptarë në Bit Pazar, që është qendër tregtare e shqiptarëve. Me këtë rast, policia maqedonase rrahu brutalisht një fëmijë, rreth 14 vjeç.

Ky veprim shkaktoi indinjatë, dhe pastaj reagime të shqiptarëve. Në mesin e qytetarëve të tubuar në Bit Pazar, u përhapën fjalë se fëmiu shqiptar kishte vdekur në spital. Duket se kjo u bë me qëllim që të rritet zemërimi i qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkonin informata të sakta për gjendjen e fëmiut të rrahur dhe sqarime nga autoritetet maqedonase.

Ndërkohë, rreth orës 20, pa kurrfarë paralajmërimi policia maqedonase e cila kishte vënë gjendje të plotë shtetrrethimi në këtë lagje të banuar kryesisht me shqiptarë, ndërhyri egërsisht, duke përdorur bomba lotsjellësi, shkopinj gome, e, edhe armët e zjarrit. Sipas disa mjeteve të informimit, policia kishte për qëllim shpërndarjen e masës së madhe në grupe të vogla. Siç informojnë zyrtarët e Partisë për Prosperitet Demokratik, nga të shtënat e policisë u vra Safet Sejfullahu, 25 vjeçar. Mjetet e informimit pohojnë se janë vrarë dy persona. Me dhjetëra janë të plagosur nga armët e zjarrit, ose të lënduar nga intervenimi brutal i policisë. Mbi 85 qytetarë shqiptarë janë arrestuar mbrëmë dhe po mbahen ende në polici. Bëhet me dije se janë demoluar vetura e lokale të shumta në këtë lagje.

Ndërkaq, sot RadioShkupi, në emisionet e veta informative në gjuhën maqedonase, duke u mbështetur në informatat zyrtare, njofton se gjatë mbrëmë në Bit Pazar, janë vrarë dy shqiptarë, një grua maqedonase dhe një person i paidentifikuar ende.

Informata të hollësishme për këtë intervenim të policisë kundër popullësisë shqiptare nuk dhanë as organet zyrtare të Maqedonisë, e as partitë politike shqiptare në Maqedoni, ose degët e tyre në Shkup.

Gjatë natës të gjitha lidhjet telefonike me Shkupin ishin të bllokuara.

Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Nevzat Halili, i deklaroi Qendrës për Informim se tërë kjo që ndodhi në orët e pasditës dhe të mbrëmjes në Bit Pazar ishte një skenar për destabilizimin e gjendjes në Maqedoni, përkatësisht në territoret ku jetojnë shqiptarët.Me këtë akt, policia maqedonase deshi të provokonte pakënaqësinë e grumbulluar për shkak të gjendjes së rëndë politike, ekonomike, kulturore në mesin e popullatës shqiptare. Ne do të insistojmë, tha ai më tutje, që e vërteta për tërë ngjarjen të dalë në shesh dhe që shkaktarët të mirren në përgjegjësi. Ai theksoi se momentalisht situata nuk është dramatike si mbrëmë. Veprimtarët e kësaj partie janë në kontakt me qytetarët shqiptarë dhe po bëjnë përpjekje që të ndërprerjnë daljen e situatës nga kontrolli. Gjendja e të plagosurve dhe e të lënduarëve nuk është në rrezik. Z. Halili shpreson se do të lirohen së shpejti të arrestuarit.

Nga burime të ndryshme, sidomos nga qytetarët shqiptarë që udhëtuan mbrëmë e sot nga Shkupi për në Kosovë, mirret vesh se policia maqedonase po bën një kontroll shumë të rreptë, sidomos në Shkup.

Brenda ditës së sotme pritet që me vlerësime e qëndrime zyrtare të dalin partitë politike shqiptare dhe organet maqedonase.

Qeveria e Maqedonisë, në të cilën shqiptarët kanë pesë ministra, dhe përfaqësuesit e popullit shqiptar në Maqedoni, që përbën rreth 40% të popullsisë, deri më tash nuk kanë arritur marrëveshje për rregullimin e shtetit maqedon dhe statusin e shqiptarëve. Në janar të vitit l992 shqiptarët organizuan një referendum, në të cilin u deklaruan par autonomi politikoterritoriale. Në bisedimet e drejtëpërdrejta me autoritetet maqedonase, si edhe në bisedimet që janë bërë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Konferencës së Hagës e të Gjenevës, përfaqësuesit e shqiptarëve kanë kërkuar për shqiptarët statusin e kombit shtetformues. Mirëpo, deri më tash këto kërkesa nuk janë përfillur dhe bisedimet nuk kanë dhënë rezultat. Incidenti i djeshëm mund t’ i rëndojë këto marrëdhënie.

 

7 nëntor 1994

Represioni gjatë nëntë muajve në Istog

Gjatë nëntë muajve të kaluar në komunën e Istogut u bastisën 77 familje, u bënë pesë intervenime në institucionet legale, u morën në pyetje 96 shqiptarë, u shënuan dy raste plaçkitjeje ndërsa katër personave u janë marrë pasaportat.

Në raportin periodik të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Istog thuhet se janë maltretuar 54 persona, 10 të tjerë janë mbajtur në stacionet e policisë deri në 3 ditë, procedura për ndëshkim është inicuar kundër 7 personave, 71 janë rrahur, 2 shqiptarë janë dënuar, ndërsa jtanë kthyer 13 refugjatë.

 

7 nëntor 1995 

Në qendër të Prishtinës u dogjën disa lokale

Dje në qendër të Prishtinës në një ndërtesë dykatëshe shpërtheu një zjarr, i cili u lokalizua pas tri orëve, por stihia e zjarrit dogji tri lokalet e një ndërmarrjeje private. Pas intervenimit të zjarrfikësve u pengua përhapja e zjarrit, i cili kishte përfshirë edhe lokalet e tjera përdhese dhe katin e sipërm të ndërtesës, ku banojnë familje. Sipas njoftimeve të shtypit serb, zjarri shpërtheu për shkak të instalimeve të dobëta të rrymës.

 

 7 nëntor 1996

Dhuna e përditshme në Kosovë

Viti: – Dje, rreth orës 6:00 të mëngjesit, policia serbe ia la thirrjen Musa Misinit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Viti që të paraqitet në stacionin e policisë serbe në Viti.

  1. Misini u paraqit në polici, kur për rreth gjashtë orë u mor në pyetje për aktivitetin e tij politik.

Kamenicë: – Më 4 nëntor, policia serbe me pretekst të dorëzimit të armëve, thirri Muharrem Avdylin (66) nga Kromenata, i cili edhe u keqtrajtua fizikisht. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish dje në polici, ndërsa bëhet e ditur se nga keqtrajtimi fizik i është lënduar syri.

 

7 nëntor 1997

Mitrovicë: Policia mori në pyetje dhe plaçkiti një të ri shqiptar

Dje, rreth orës 12:00 në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, policia serbe mori Berat R. Rrahmanin (18) nga Mitrovica, i cili u dërgua në stacionin e policisë serbe në Mitrovicë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Njoftohet se Berat Rrahmani merret me shitjen e cigareve dhe ai gjatë një ore sa u mbajt në polici, u pyet se kush ka armë në lagjen e tij në “Tavnik”, ndërsa policët edhe i plaçkitën cigare në vlerë prej 320 dinarësh.

Sot, nga ora 8:00 deri në orën 12:00, policia serbe në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, legjitimuan dhjetëra të rinj shqiptarë.

 

7 nëntor 1998

Njoftohen emrat e 5 shqiptarëve të vrarë dje në Opterushë të Rahovecit

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Prizren bëti sot të ditur emrat e pesë të rinjve shqiptarë, të vrarë dje nga forcat serbe në Opterushë të Rahovecit.

Të vrarit janë Xhelal Hajda (31) e Selajdin Mullaabazi (30) nga Rahoveci, Bektesh Halili nga Gllavatini i Vushtrrisë, Hamdi Hajrizi nga Strofci i po kësaj komune dhe Nezir Ymeri nga Jezerci i Ferizajt, të gjithë pjesëtarë të UÇK-së. 

Foto: Shkupi

Continue Reading

Vendi

Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT

Published

on

By

Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.

Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.

Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.

Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.

 

 

Continue Reading

Vendi

Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, synonin marrjen e pasurisë prej 1 milion eurosh

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.K. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe ndaj të pandehurit A.K., i cili akuzohet për fajde në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, nga viti 2021 e tutje, i pandehuri E.K. ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., duke i dhënë para me kamata dukshëm jo proporcionale. Përmes kësaj skeme, vetëm në emër të kamatave, i pandehuri ka përfituar mbi 400,000 euro nga viktima.

Për më tepër, E.K. e ka detyruar viktimën të paguajë kamatat dhe të mos e denoncojë rastin në polici përmes kanosjeve serioze me vrasje ndaj tij dhe familjes së tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri të vazhdueshme.

Në pamundësi për të shlyer borxhin, në këtë marrëdhënie është përfshirë edhe viktima e dytë B.B., nga i cili të pandehurit E.K. dhe A.K. kanë kërkuar shumën prej 550,000 eurosh shkak të grumbullimit të kamatave.

Përpjekja për marrjen e pronave: I pandehuri i ka kërkuar viktimës t’i kalojë në pronësi lokale afariste dhe një shtëpi me vlerë prej rreth 1 milion eurosh për mbulimin e kamatave.

Arrestimi nga Policia: Më 11 mars 2026, gjatë kohës kur të pandehurit po shoqëronin viktimën te përmbaruesi privat dhe noteri për kalimin e pronave, Policia e Kosovës ka ndërhyrë përmes masave të veçanta hetimore dhe i ka arrestuar ata në vendngjarje.

Lidhur me rastin, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për “Pastrim të parave”, ka ngrirë disa patundshmëri, si dhe ka propozuar konfiskimin e parave të gatshme, dy automjeteve dhe dokumenteve noteriale. Prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtore të të pandehurve dhe dënimin e tyre sipas ligjit. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara