Lajmet

Zhvillimet më të fundit rreth luftës në Ukrainë

Zelensky pretendon se Rusia po përgatit sulme të fuqishme.

Published

on

Këto janë zhvillimet më të fundit sa i përket luftës në Ukrainë:

BE-ja t’i kërkojë Kinës të rimendojë çështjen e Rusisë
BE-ja do të mbajë një samit virtual me Kinën për shkak të alarmit në rritje për afërsinë mes Pekinit dhe Moskës dhe hezitimin e Pekinit për të dënuar pushtimin e Ukrainës.

“Takimi do të fokusohet në rolin që ne po i kërkojmë Kinës të ketë, të jetë në anën e parimeve të së drejtës ndërkombëtare pa paqartësi dhe të ushtrojë të gjithë ndikimin dhe presionin e nevojshëm mbi Rusinë”, tha ministri francez i çështjeve evropiane, Clement Beaune.

Zelensky: Rusia po përgatit sulme të fuqishme
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky paralajmëron se Rusia po konsolidohet dhe po përgatit “sulme të fuqishme” në jug të vendit, duke përfshirë në Mariupolin e rrethuar.

“Ne e dimë se ata po largohen nga zonat ku po i mundim – për t’u fokusuar te të tjerat që janë shumë të rëndësishme… ku mund të jetë e vështirë për ne”, thotë ai.

NATO thotë gjithashtu se nuk po sheh një tërheqje të forcave ruse në Ukrainë dhe pret “veprime sulmuese shtesë”, sipas shefit të aleancës, Jens Stoltenberg.

Liderja e parlamentit të BE-së viziton Kievin
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola është rrugës për në Ukrainë, duke e bërë atë udhëheqësen e parë të BE-së që viziton vendin e shkatërruar nga lufta.

Rusia po largohet nga Çernobili me pengje
Forcat ruse kanë filluar të tërhiqen nga centrali bërthamor i Çernobilit dhe të lëvizin drejt Bjellorusisë, por kanë marrë me vete një numër të paspecifikuar ushtarakësh ukrainas të robëruar, thonë zyrtarët në Kiev.

Trupat morën kontrollin e zonës së Çernobilit – ku ende ruhen mbetjet radioaktive – më 24 shkurt, ditën e parë të pushtimit.

Biden: Putin mund të jetë i ‘izoluar’
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, thotë se homologu rus Vladimir Putin mund të jetë “i izoluar” dhe mund të ketë vendosur disa nga këshilltarët e tij në “arrest shtëpiak”.

Në komentet e tij të para publike mbi vlerësimet perëndimore për tensionet e Kremlinit për luftën në Ukrainë, Biden thotë gjithashtu se është “skeptik” në lidhje me pretendimin e Moskës për të zvogëluar sulmin e saj në disa pjesë të vendit.

Autobusët në rrugë për në Mariupol
Qeveria e Ukrainës po dërgon 45 autobusë për të evakuuar civilët nga qyteti i rrethuar i Mariupolit.

SHBA: Konflikti ‘më i gjatë’ i mundshëm
Ripërqendrimi i përpjekjeve ushtarake nga Rusia në Donbas mund të lajmërojë një “konflikt më të gjatë dhe më të zgjatur” pasi forcat ukrainase bëjnë rezistencë të ashpër atje, thotë një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane.

“Është luftuar tashmë për tetë vjet”, thotë zyrtari për rajonin shumë të kontestuar.

Vlerësimet për Putinin
Vlerësimi për Putinin është rritur që nga fillimi i veprimeve ushtarake në Ukrainë, thotë instituti i pavarur rus i sondazheve Levada Center, me më shumë se 80 për qind të rusëve që thonë se mbështesin veprimet e tij.

Sondazhi i parë që qendra ka kryer që nga fillimi i konfliktit tregon se 83 përqind e rusëve mbështesin liderin e tyre, nga 71 përqind në fillim të shkurtit.

Diskutohet për takim mes ministrave të jashtëm ukrainas dhe rus
Turqia thotë se ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës mund të takohen “brenda një ose dy javësh” për të rritur negociatat për përfundimin e konfliktit pesë-javor.

Sanksionet e reja amerikane
Shtetet e Bashkuara godasin një sërë firmash teknologjike ruse me sanksione, duke përfshirë prodhuesin më të madh të çipave në vend, Mikron.

Rusia ndalon liderët e BE-së
Rusia thotë se do të zgjerojë listën e figurave të BE-së që u ndalohet hyrja në vend pas sanksioneve perëndimore./UBTNews/

Lajmet

Napoli dhe Tottenham në garë për Joao Felixin, Al Nassr kërkon 45 milionë euro

Published

on

By

Sulmuesi portugez Joao Felix ka tërhequr vëmendjen e Napolit dhe Tottenham Hotspurit në prag të afatit të ardhshëm të transferimeve. Futbollisti 27-vjeçar synon rikthimin në futbollin evropian, por klubi i tij aktual, Al Nassr, kërkon rreth 45 milionë euro për ta lënë të lirë.

Sipas raportimeve të Corriere dello Sport, Napoli e sheh reprezentuesin portugez si një përforcim ideal për repartin ofensiv, falë aftësisë së tij për të luajtur si në krahun e majtë ashtu edhe pas sulmuesit. Megjithatë, çmimi i lartë i vendosur nga klubi saudit përbën pengesën kryesore për drejtuesit italianë. Felix e njeh mirë kampionatin italian, pasi ka veshur fanellën e Milanit në gjysmën e dytë të sezonit 2024/2025 gjatë një huazimi nga Chelsea.

Në anën tjetër, TEAMtalk raporton se edhe Tottenham Hotspur po shqyrton mundësinë e transferimit të tij, duke vlerësuar përvojën e tij të mëparshme në Premier League me Chelsean. Ndonëse vetë lojtari ka shprehur publikisht dëshirën për t’u rikthyer te Barcelona — ku në sezonin 2023/2024 regjistroi 10 gola dhe 6 asistime në 44 ndeshje — klubi katalunas ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret.

Forma e mirë e Joao Felixit në Arabinë Saudite ka rikthyer interesimin e klubeve evropiane. Këtë sezon ai ka realizuar tre gola dhe shtatë asistime në 11 ndeshje kampionale, ndërsa së fundmi vendosi fitoren 2-1 të Al Nassr kundër Al Sadd në Ligën e Kampionëve të Azisë me një gol akrobatik. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

KOK-u ftohet në Athinë për të diskutuar vonesat e Lojërave Mesdhetare 2030

Published

on

By

Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka ftuar Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) në një takim zyrtar në Athinë, më 3 dhe 4 dhjetor, ku do të shqyrtohen vonesat dhe ngecjet e deritanishme në procesin e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Sipas njoftimit të zyrës për informim të KOK-ut, pas përfundimit të takimeve në Greqi, drejtuesit e komitetit do të raportojnë para Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” lidhur me diskutimet e zhvilluara dhe hapat e mëtejmë që duhet të ndërmerren.

Pavarësisht sfidave dhe vonesave aktuale, KOK-u ka rikonfirmuar vendosmërinë që kjo ngjarje madhore sportive të mbahet në Kosovë, duke bërë thirrje për mobilizim të përbashkët institucional.

“Komiteti Olimpik i Kosovës mbetet plotësisht i përkushtuar që Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 të mbahen në Kosovë. Suksesi i LM Prishtina 2030 do të varet nga përkushtimi i të gjitha institucioneve të përfshira”, thuhet në reagimin e KOK-ut.

Takimi i fillimit të dhjetorit në Athinë vlerësohet vendimtar për të analizuar gjendjen reale të përgatitjeve dhe për të përcaktuar dinamikën e ardhshme të punëve për projektin më të madh sportiv të planifikuar ndonjëherë në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Protestohet në Prishtinë kundër vrasjes së grave, kërkohet njohja e femicidit si vepër e veçantë penale

Published

on

By

Me kërkesën për njohjen e femicidit si vepër të veçantë penale dhe për llogaridhënie institucionale, sot në Prishtinë është mbajtur një protestë kundër vrasjes së grave, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.

Protesta, e organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” me marshim drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Nën moton “Femicidi është urgjencë kombëtare”, pjesëmarrësit kërkuan drejtësi për viktimat, reagim më efikas të Policisë dhe masa konkrete parandaluese.

Aktivistja Zana Hoxha kërkoi që vrasja e një gruaje për shkak të gjinisë së saj të trajtohet dhe emërtohet me ligj si vepër e veçantë penale në Kodin Penal të Kosovës, si dhe hetimet të shtrihen në të gjitha rrethanat paraprake.

“Kur një grua vritet për shkak të gjinisë së saj, ligji duhet ta emërtojë atë vrasje si femicid, ndërsa hetimi duhet të kthehet te gjithçka që i ka paraprirë asaj vrasjeje”, deklaroi Hoxha.

Ndërkaq, Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës theksoi se rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt obligon institucionet të japin llogari për mundësitë e humbura në parandalimin e tragjedisë, duke kërkuar reagim të menjëhershëm që në denoncimin e parë të dhunës.

“Nuk duhet të presim deri në vrasjen e një gruaje për të analizuar se ku ka dështuar sistemi. Institucionet duhet të veprojnë që në raportimin e parë të dhunës, t’i marrin seriozisht kërcënimet, ta vlerësojnë rrezikun dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e saj”, u shpreh Breznica. /E.A/

 

 

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK mban trajnim profesional për forcimin e diagnostikës mikrobiologjike

Published

on

By

Në kuadër të Javës Botërore të Ndërgjegjësimit për Rezistencën Antimikrobike, Departamenti i Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) organizoi një trajnim profesional mbi metodën e mikrodilucionit në bujon, e cila përdoret për testimin e ndjeshmërisë ndaj antimikrobikëve (AST) dhe përcaktimin e përqendrimit minimal frenues (MIC).

Aktiviteti u realizua me mbështetjen e Institutit Robert Koch (RKI) dhe IKSHPK-së, ndërsa ligjëratat u mbajtën nga Dr. Afërdita Kuqi-Hyseni dhe Dr. Afërdita Kurti-Meta.

Në këtë trajnim morën pjesë 40 mikrobiologë dhe laborantë të Departamentit të Mikrobiologjisë, si dhe profesionistë nga gjashtë Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik, duke mundësuar shkëmbimin e përvojave dhe harmonizimin e praktikave laboratorike.

Sipas IKSHPK-së, forcimi i njohurive dhe kapaciteteve laboratorike kontribuon drejtpërdrejt në sigurimin e rezultateve të besueshme, përzgjedhjen e trajtimit të përshtatshëm mjekësor dhe përdorimin e përgjegjshëm të antimikrobikëve. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara