Lajmet

Samiti i BE-së, Ukraina mund të marrë 1 miliard euro nga asetet e ngrira ruse

Në samitin e BE u arrit ujdia të enjten për financimin e furnizimit me armë të Ukrainës.

Published

on

Në samitin e Bashkimit Evropian që mbahet sot në Bruksel qëndron një projekt tjetër në fokus: si të forcojë mbrojtjen Europa para konfliktit në Ukrainë.

Në një pikë janë të një mendimi krerët e shteteve e qeverive të BE. Armatosja me efekt kërcënues ndaj sulmeve potenciale do të kushtojë shumë para. Se nga vijnë mjetet këtu qëndrimet ndahen. Ideja e Spanjës dhe Francës që të merren borxhe të përbashkëta si në kohën e Covid 19, shihet me dyshim nga Gjermania. Por prioritet kanë ndihmat e furnizimet me armë për Ukrainën. Këtu u arrit ujdia që të përdoren fitime nga interesat e aseteve të ngrira ruse për ndihma dhe furnizimin me armë të Ukrainës.

“Para së gjithash tani do të mundësojmë shpejt që të marrim fitimet nga asetet e ngrira ruse në BE. Dhe me një pjesë të parave do të ndihmojmë Ukrainën, edhe me mjete ushtarake”.

Samiti i BE i drejtoi të enjten apel të qartë Izraelit. Ai kërkohet që të ndalë menjëherë luftimet në Rripin e Gazës për të mundësuar arritjen e ndihmave humanitare. Më parë në samit pati një shkëmbim mendimesh me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Afrim më i madh BE-Ukrainë

Para një viti shtetet e BE i premtuan Ukrainës se do ta furnizojnë me 1 milionë municione për ushtrinë në luftën mbrojtëse kundër Rusisë. Deri tani BE nuk e ka realizuar dot këtë premtim. Në Bruksel u morën një sërë masash të tjera financiare dhe politike. Në samitin e BE u arrit ujdia të enjten për financimin e furnizimit me armë të Ukrainës.

50 miliardë për buxhetin ukrainas

Për herë të parë u zhvillua edhe takimi i Këshillit të Asociiimit Ukrainë-BE, pas dhjetorit kur BE zyrtarisht bëri të ditur fillimin e negociatave të anëtarësimit. Në këtë instancë përgatiten hapa të tjerë deri në pranimin e negociatave të anëtarësimit. Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal paraqiti një plan reformash dhe për rindërtimin e Ukrainës. Presidentja e KE, Ursula von der Leyen bëri të ditur, se të mërkurën u lirua kësti i parë prej 4,5 miliardë eurosh nga 50 miliardë euro të instrumentit të ri të financimit të BE për vendin kandidat, Ukrainën. Deri në fund të vitit 2027 do të financohet kështu buxheti i Ukrainës. “Kjo është vendimtare për Ukrainën”, tha presidentja e KE, Ursula von der Leyen.

“Jemi mirënjohës për këtë mbështetje”, u shpreh kryeministri ukrainas, Shmyhal. Mekanizimi i financimit me 50 miliardë euro për Ukrainën është çelës për stabilitet. “BE është tani në një gjendje alarmi, sepse edhe interesat e saj vitale janë në lojë”, tha Shmyhal.

Megjithatë BE ende nuk ra dakord, se kur do të fillojnë formalisht bisedimet e anëtarësimit me një konferencë qeveritare të 27 vendeve anëtare plus Ukrainën. Për këtë nevojitet vendimi unanim. Hungaria e ka shtyrë vazhdimisht procesin e anëtarësimit të Ukrainës.

Me interesat bankare ruse financohen armët për Ukrainën

Pas një vendimi parimor në shkurt nga krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, Komisioni i BE-së prezantoi edhe planin se si përfitimet nga interesat e aseteve të ngrira ruse në BE duhet të vihen në dispozicion të Ukrainës.

Bëhet fjalë për përfitimet e Rusisë nga interesi prej rreth tre miliardë euro në vit, të cilat krijohen nga aktivet e bankës shtetërore ruse në ofruesin belg të shërbimit financiar Euroclear. Asetet e bankës shtetërore ruse që arrinin pothuajse 200 miliardë euro janë ngrirë atje nga sanksionet e BE-së dhe nuk mund të tërhiqen apo transferohen më nga Banka Qendrore e Rusisë.

Bashkimi Evropian refuzon një konfiskim të plotë të këtyre fondeve, siç kërkohet nga Ukraina, për shkak të problemeve të mundshme ligjore dhe dëmtimit të besimit të investitorëve ndërkombëtarë në zonën e euros. Pas diskutimeve të gjata, shtetet e BE-së ranë dakord të konfiskojnë të paktën fitimet nga investimet ruse.

Që tani e tutje, këto do të paguhen në një buxhet të posaçëm, të ashtuquajturin “Facilimenti Evropian i Paqes”. Shtetet anëtare të BE-së e përdorin këtë fond për të financuar dërgesat e armëve në Ukrainë. Deri më tani, fondi përmban pesë miliardë euro nga kontributet e shteteve të BE-së.

Duhet të merren parasysh shqetësimet nga Banka Qendrore Evropiane se përdorimi i fondeve ruse nga Euroclear mund të çojë në vështirësi financiare për kompaninë private belge dhe në fund të fundit në një krizë të madhe financiare. Kjo i lejon Euroclear të mbajë një pjesë të të ardhurave nga asetet ruse si garanci për të financuar pretendimet nga investitorët e tjerë dhe procedurat e mundshme ligjore.

BQE ka frikë se bankat kineze ose investitorë të tjerë të mëdhenj mund të tërheqin aktivet e tyre nga Euroclear dhe, në rastin më të keq, kompania do të duhej të shpëtohej nga shteti belg. Kjo nga ana tjetër mund të çojë në një krizë financiare në zonën e euros.

Përveç kësaj, Rusia si kundërpërgjigje mund të konfiskojë asetet nga Euroclear. Rreth 33 miliardë euro nga ofruesit e shërbimeve financiare belge thuhet se kanë mbetur në Moskë. Me nxitjen e BQE-së, BE-ja dëshiron vetëm të tregtojë së bashku me vendet e tjera të industrializuara perëndimore në G7, sepse banka shtetërore ruse ka asete edhe në SHBA, Japoni dhe Britani të Madhe, megjithëse në një masë më të vogël.

Moska flet për “vjedhje”

Gjermania hoqi dorë nga rezistenca e saj ndaj këtij modeli. Belgjika ka njoftuar se do të transferojë në Ukrainë tatimin mbi kapitalin prej 25 për qind mbi fitimet ruse. BE-ja po hap terren me përdorimin e mundshëm të parave ruse për të financuar shitjet e armëve në Ukrainë.

Deri tani, konfiskimi i aseteve të huaja të bankave shtetërore ka ndodhur vetëm pas përfundimit të luftërave, për shembull pas Luftës së Parë të Gjirit të Irakut kundër Kuvajtit në 1991 ose pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Reagimi nga Moska nuk vonoi. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se po shkatërrohet reputacioni i Perëndimit si një vend i sigurt për investime.

“Dëmi është i pakundërshtueshëm. Njerëzit dhe shtetet që marrin vendime të tilla sigurisht që do të jenë objekt i ndjekjes penale për shumë dekada”, tha Peskov.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse foli për “banditizëm dhe vjedhje”.

Tarifat për produktet bujqësore nga Ukraina

Të mërkurën (20.03) vendet anëtare të BE-së ranë dakord të zgjasin importet pa taksa të mallrave nga Ukraina edhe për një vit. Megjithatë, për shkak të presionit të fermerëve protestues, disa produkte bujqësore, si mjalti, vezët, shpendët, sheqeri, misri dhe tërshëra, duhet të përjashtohen. Tarifat e importit në BE mund të paguhen sërish për këto produkte nga qershori nëse importet tejkalojnë sasi të caktuara, shkruan DW.

Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal ishte i kënaqur me vendimet, sepse Ukraina nuk do të arrinte gjithsesi kufijtë e sipërm të vendosur për produktet kritike. Kufiri i sipërm bazohet në vlerat mesatare për vitet 2022 dhe 2023. Mbetet për t’u parë nëse fermerët polakë që po bllokojnë kalimet kufitare për shkak të konkurrencës së lirë nga Ukraina mund të qetësohen./DW

Vendi

Rritet numri i viktimave në Poloni, të paktën gjashtë të vrarë nga të shtënat në Krakov

Published

on

Numri i viktimave nga të shtënat me armë zjarri në Poloni është rritur sërish.

Të paktën gjashtë persona kanë mbetur të vrarë nga të shtënat në qytetin jugor të Krakovit, ka bërë të ditur administrata rajonale, raporton SkyNews.

Ndërkohë, të paktën 15 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Më herët, policia kishte raportuar për të paktën pesë viktima dhe rreth një duzinë të plagosurish, transmeton Ekonomia Online

Ndwrkobw, agjencia Kosovapress ka njoftuar se autori i vrasjes së gjashtë personave sot në qendër të Krakov ishte i veshur me uniformë kamuflazh dhe, sipas portalit polak Wirtualna Polska, ai mbante veshur edhe një jelek antiplumb.

Ish-specialisti i policisë kundër terrorizmit Kuba Jaloszyński beson se pajisjet dhe armët e tij tregojnë se ai po përgatitej për sulm. Deri më tani, policia nuk ka konfirmuar veçmas se ai mbante veshur një jelek antiplumb balistik.

Zëdhënësja e policisë së Krakow, Katarzyna Cislo, konfirmoi për TVN24 se disa armë zjarri dhe municione të tjera u gjetën në veturën e sulmuesit.

Mediat polake raportojnë gjithashtu se vetura është ekzaminuar nga ekspertët e policisë për eksplozivë. Ende nuk është njoftuar saktësisht se çfarë arme ishte, sa u gjetën ose si e siguroi sulmuesi atë.

Sulmi ndodhi sot rreth orës 3 pasdite në qendrën historike të Krakov. Një burrë e drejtoi veturën e tij në sheshin kryesor të qytetit, Rynek Główny, dhe filloi të qëllonte kalimtarët. Ndërsa udhëtonte nëpër qytet, ai qëlloi gjithashtu në një tramvaj të transportit publik, duke thyer dritaren e kabinës së shoferit.

Policia qëlloi dhe plagosi sulmuesin gjatë ndërhyrjes, pas së cilës ai u arrestua dhe u dërgua në spital, ku thuhet se është në gjendje kritike. Dy oficerë policie u plagosën gjithashtu në shkëmbimin e zjarrit. Njëri prej tyre pësoi tri plagë me armë zjarri dhe është në gjendje kritike.

Policia konfirmoi se sulmuesi është shtetas polak dhe mohoi thashethemet se një polic u vra dhe se një sulmues i dytë është në kërkim. Identiteti i të dyshuarit nuk është publikuar ende zyrtarisht. Mediat polake raportojnë se ai është një burrë i moshës 25-vjeç. Policia ende nuk e ka përcaktuar motivin e sulmit.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

7 nëntor 1992

Katër të vrarë e shumë të plagosur nga policia maqedonase

Bilanci tragjik i ndërhyrjes së policisë maqedonase në lagjen e banuar me shqiptarë Bit Bazar të Shkupit, është së paku dy persona të vrarë e me dhjetëra të plagosur.

Shërbimi për Informim i Partisë për Prosperitet Demokratik na njoftoi se dje pasdite, rreth orës l6, policia maqedonase ndërhyri kundër qytetarëve shqiptarë në Bit Pazar, që është qendër tregtare e shqiptarëve. Me këtë rast, policia maqedonase rrahu brutalisht një fëmijë, rreth 14 vjeç.

Ky veprim shkaktoi indinjatë, dhe pastaj reagime të shqiptarëve. Në mesin e qytetarëve të tubuar në Bit Pazar, u përhapën fjalë se fëmiu shqiptar kishte vdekur në spital. Duket se kjo u bë me qëllim që të rritet zemërimi i qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkonin informata të sakta për gjendjen e fëmiut të rrahur dhe sqarime nga autoritetet maqedonase.

Ndërkohë, rreth orës 20, pa kurrfarë paralajmërimi policia maqedonase e cila kishte vënë gjendje të plotë shtetrrethimi në këtë lagje të banuar kryesisht me shqiptarë, ndërhyri egërsisht, duke përdorur bomba lotsjellësi, shkopinj gome, e, edhe armët e zjarrit. Sipas disa mjeteve të informimit, policia kishte për qëllim shpërndarjen e masës së madhe në grupe të vogla. Siç informojnë zyrtarët e Partisë për Prosperitet Demokratik, nga të shtënat e policisë u vra Safet Sejfullahu, 25 vjeçar. Mjetet e informimit pohojnë se janë vrarë dy persona. Me dhjetëra janë të plagosur nga armët e zjarrit, ose të lënduar nga intervenimi brutal i policisë. Mbi 85 qytetarë shqiptarë janë arrestuar mbrëmë dhe po mbahen ende në polici. Bëhet me dije se janë demoluar vetura e lokale të shumta në këtë lagje.

Ndërkaq, sot RadioShkupi, në emisionet e veta informative në gjuhën maqedonase, duke u mbështetur në informatat zyrtare, njofton se gjatë mbrëmë në Bit Pazar, janë vrarë dy shqiptarë, një grua maqedonase dhe një person i paidentifikuar ende.

Informata të hollësishme për këtë intervenim të policisë kundër popullësisë shqiptare nuk dhanë as organet zyrtare të Maqedonisë, e as partitë politike shqiptare në Maqedoni, ose degët e tyre në Shkup.

Gjatë natës të gjitha lidhjet telefonike me Shkupin ishin të bllokuara.

Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Nevzat Halili, i deklaroi Qendrës për Informim se tërë kjo që ndodhi në orët e pasditës dhe të mbrëmjes në Bit Pazar ishte një skenar për destabilizimin e gjendjes në Maqedoni, përkatësisht në territoret ku jetojnë shqiptarët.Me këtë akt, policia maqedonase deshi të provokonte pakënaqësinë e grumbulluar për shkak të gjendjes së rëndë politike, ekonomike, kulturore në mesin e popullatës shqiptare. Ne do të insistojmë, tha ai më tutje, që e vërteta për tërë ngjarjen të dalë në shesh dhe që shkaktarët të mirren në përgjegjësi. Ai theksoi se momentalisht situata nuk është dramatike si mbrëmë. Veprimtarët e kësaj partie janë në kontakt me qytetarët shqiptarë dhe po bëjnë përpjekje që të ndërprerjnë daljen e situatës nga kontrolli. Gjendja e të plagosurve dhe e të lënduarëve nuk është në rrezik. Z. Halili shpreson se do të lirohen së shpejti të arrestuarit.

Nga burime të ndryshme, sidomos nga qytetarët shqiptarë që udhëtuan mbrëmë e sot nga Shkupi për në Kosovë, mirret vesh se policia maqedonase po bën një kontroll shumë të rreptë, sidomos në Shkup.

Brenda ditës së sotme pritet që me vlerësime e qëndrime zyrtare të dalin partitë politike shqiptare dhe organet maqedonase.

Qeveria e Maqedonisë, në të cilën shqiptarët kanë pesë ministra, dhe përfaqësuesit e popullit shqiptar në Maqedoni, që përbën rreth 40% të popullsisë, deri më tash nuk kanë arritur marrëveshje për rregullimin e shtetit maqedon dhe statusin e shqiptarëve. Në janar të vitit l992 shqiptarët organizuan një referendum, në të cilin u deklaruan par autonomi politikoterritoriale. Në bisedimet e drejtëpërdrejta me autoritetet maqedonase, si edhe në bisedimet që janë bërë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Konferencës së Hagës e të Gjenevës, përfaqësuesit e shqiptarëve kanë kërkuar për shqiptarët statusin e kombit shtetformues. Mirëpo, deri më tash këto kërkesa nuk janë përfillur dhe bisedimet nuk kanë dhënë rezultat. Incidenti i djeshëm mund t’ i rëndojë këto marrëdhënie.

 

7 nëntor 1994

Represioni gjatë nëntë muajve në Istog

Gjatë nëntë muajve të kaluar në komunën e Istogut u bastisën 77 familje, u bënë pesë intervenime në institucionet legale, u morën në pyetje 96 shqiptarë, u shënuan dy raste plaçkitjeje ndërsa katër personave u janë marrë pasaportat.

Në raportin periodik të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Istog thuhet se janë maltretuar 54 persona, 10 të tjerë janë mbajtur në stacionet e policisë deri në 3 ditë, procedura për ndëshkim është inicuar kundër 7 personave, 71 janë rrahur, 2 shqiptarë janë dënuar, ndërsa jtanë kthyer 13 refugjatë.

 

7 nëntor 1995 

Në qendër të Prishtinës u dogjën disa lokale

Dje në qendër të Prishtinës në një ndërtesë dykatëshe shpërtheu një zjarr, i cili u lokalizua pas tri orëve, por stihia e zjarrit dogji tri lokalet e një ndërmarrjeje private. Pas intervenimit të zjarrfikësve u pengua përhapja e zjarrit, i cili kishte përfshirë edhe lokalet e tjera përdhese dhe katin e sipërm të ndërtesës, ku banojnë familje. Sipas njoftimeve të shtypit serb, zjarri shpërtheu për shkak të instalimeve të dobëta të rrymës.

 

 7 nëntor 1996

Dhuna e përditshme në Kosovë

Viti: – Dje, rreth orës 6:00 të mëngjesit, policia serbe ia la thirrjen Musa Misinit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Viti që të paraqitet në stacionin e policisë serbe në Viti.

  1. Misini u paraqit në polici, kur për rreth gjashtë orë u mor në pyetje për aktivitetin e tij politik.

Kamenicë: – Më 4 nëntor, policia serbe me pretekst të dorëzimit të armëve, thirri Muharrem Avdylin (66) nga Kromenata, i cili edhe u keqtrajtua fizikisht. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish dje në polici, ndërsa bëhet e ditur se nga keqtrajtimi fizik i është lënduar syri.

 

7 nëntor 1997

Mitrovicë: Policia mori në pyetje dhe plaçkiti një të ri shqiptar

Dje, rreth orës 12:00 në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, policia serbe mori Berat R. Rrahmanin (18) nga Mitrovica, i cili u dërgua në stacionin e policisë serbe në Mitrovicë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Njoftohet se Berat Rrahmani merret me shitjen e cigareve dhe ai gjatë një ore sa u mbajt në polici, u pyet se kush ka armë në lagjen e tij në “Tavnik”, ndërsa policët edhe i plaçkitën cigare në vlerë prej 320 dinarësh.

Sot, nga ora 8:00 deri në orën 12:00, policia serbe në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, legjitimuan dhjetëra të rinj shqiptarë.

 

7 nëntor 1998

Njoftohen emrat e 5 shqiptarëve të vrarë dje në Opterushë të Rahovecit

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Prizren bëti sot të ditur emrat e pesë të rinjve shqiptarë, të vrarë dje nga forcat serbe në Opterushë të Rahovecit.

Të vrarit janë Xhelal Hajda (31) e Selajdin Mullaabazi (30) nga Rahoveci, Bektesh Halili nga Gllavatini i Vushtrrisë, Hamdi Hajrizi nga Strofci i po kësaj komune dhe Nezir Ymeri nga Jezerci i Ferizajt, të gjithë pjesëtarë të UÇK-së. 

Foto: Shkupi

Continue Reading

Vendi

Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT

Published

on

By

Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.

Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.

Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.

Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.

 

 

Continue Reading

Vendi

Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, synonin marrjen e pasurisë prej 1 milion eurosh

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.K. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe ndaj të pandehurit A.K., i cili akuzohet për fajde në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, nga viti 2021 e tutje, i pandehuri E.K. ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., duke i dhënë para me kamata dukshëm jo proporcionale. Përmes kësaj skeme, vetëm në emër të kamatave, i pandehuri ka përfituar mbi 400,000 euro nga viktima.

Për më tepër, E.K. e ka detyruar viktimën të paguajë kamatat dhe të mos e denoncojë rastin në polici përmes kanosjeve serioze me vrasje ndaj tij dhe familjes së tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri të vazhdueshme.

Në pamundësi për të shlyer borxhin, në këtë marrëdhënie është përfshirë edhe viktima e dytë B.B., nga i cili të pandehurit E.K. dhe A.K. kanë kërkuar shumën prej 550,000 eurosh shkak të grumbullimit të kamatave.

Përpjekja për marrjen e pronave: I pandehuri i ka kërkuar viktimës t’i kalojë në pronësi lokale afariste dhe një shtëpi me vlerë prej rreth 1 milion eurosh për mbulimin e kamatave.

Arrestimi nga Policia: Më 11 mars 2026, gjatë kohës kur të pandehurit po shoqëronin viktimën te përmbaruesi privat dhe noteri për kalimin e pronave, Policia e Kosovës ka ndërhyrë përmes masave të veçanta hetimore dhe i ka arrestuar ata në vendngjarje.

Lidhur me rastin, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për “Pastrim të parave”, ka ngrirë disa patundshmëri, si dhe ka propozuar konfiskimin e parave të gatshme, dy automjeteve dhe dokumenteve noteriale. Prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtore të të pandehurve dhe dënimin e tyre sipas ligjit. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara