Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka raportuar për tetë raste të dhunës në familje në disa komuna të vendit, ku disa persona janë arrestuar e dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Sipas raportit policor, në Fushë Kosovë më 1 mars rreth orës 15:30, dy gra janë shoqëruar në stacion policor pas një konflikti mes tyre. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, ato janë liruar dhe rasti po trajtohet në gjendje të lirë.
Në Prishtinë, po ashtu një burrë është shoqëruar në polici pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje kishte sulmuar një grua. Pas intervistimit, palët janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Një arrestim është bërë në Podujevë, ku më 28 shkurt rreth orës 19:00 një burrë dyshohet për dhunë në familje ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Gjilan, po ashtu është arrestuar një burrë nën dyshimin për dhunë në familje ndaj viktimave meshkuj. I njëjti është dërguar në mbajtje.
Arrestim ka pasur edhe në Prizren më 1 mars rreth orës 17:30, ku një burrë dyshohet për dhunë në familje ndaj viktimave kosovarë. Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Në Pejë, po ashtu për dhunë në familje është arrestuar një burrë pasi dyshohet se kishte sulmuar fizikisht një grua, e cila ka refuzuar tretmanin mjekësor. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Istog më 1 mars rreth orës 21:20, një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar dy gra, të cilat kanë pranuar trajtim mjekësor. I dyshuari është dërguar në mbajtje.
Po ashtu, në Klinë më 1 mars rreth orës 21:00, një burrë është shoqëruar në polici për dhunë në familje ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit ai është liruar dhe rasti po hetohet në gjendje të lirë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se rastet janë duke u trajtuar në koordinim me prokurorinë kompetente.