Një shtetas i Kosovës dhe një me shtetësi të huaj janë arrestuar gjatë një kontrolli rutinor në Prishtinë, pasi tek të dyshuarit u gjetën mbi 2 kilogram kokainë dhe mbi 13 mijë euro para të gatshme.
Policia ka njoftuar se i dyshuari ka rezistuar dhe ka sulmuar policët.
“Policia e Kosovës, më saktë Njësia për Reagim të Shpejtë- Prishtinë me datën 21.10.2025 gjatë një pike të rregullt kontrolli në Prishtinë ka ndaluar një automjet me targa të huaja me drejtues të dyshuarin mashkull kosovar dhe pasagjerin mashkull shtetas i huaj. Njësia e lartcekur policore gjatë zbatimit të autorizimeve të saj, pasi ka kërkuar realizimin e një kontrolli rutinor, i dyshuar mashkull shtetas i huaj ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, mirëpo si rezultat i reagimit profesional policor i njëjti është ndaluar nga njësia policore. I dyshuari gjatë tërë kohës ka rezistuar në mënyrë agresive duke i sulmuar zyrtarët policorë dhe tek i njëjti gjatë arrestimit janë gjetur dy paketime të mbështjella të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë të dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë pesha e përgjithshme e së cilës arrin rreth 2270.6 gramë (2 kilogramë e 270.6 gramë)” , njofton policia.
Gjithashtu, Policia ka njoftuar se përveç substancës së dyshuar narkotike pas kontrollit tek të dyshuarit në vendngjarje janë gjetur edhe: para të gatshme 12550 euro, para të gatshme 1000 euro, një telefon mobil.
“Përveç substancës së dyshuar narkotike pas kontrollit tek të dyshuarit në vendngjarje janë gjetur edhe: para të gatshme 12550 euro, para të gatshme 1000 euro, një telefon mobil. Lidhur me rastin në vendngjarje ka dalë edhe Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë si dhe është njoftuar edhe prokurori kompetent, me urdhër të të cilit është kryer kontroll edhe tek shtëpia e të dyshuarit shtetas kosovar mirëpo nuk është gjetur diçka e dyshuar. Të dyshuarit pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.