Lajmet

Zhduken mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i toksikologjisë, Haxhiu paralajmëron suspendime

Haxhiu njoftoi se në laboratorin ku ruhen epruvetat kanë qasje vetëm tre persona, për të cilët tha se i di emrat.

Published

on

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, që ndodheshin në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Siç ka thënë Haxhiu, ajo është njoftuar mbrëmë dhe më pas ka njoftuar kryeprokurorin e shtetit dhe ushtruesin e detyrës së Policisë së Kosovës. Në konferencë të jashtëzakonshme për media, ka deklaruar se në laboratorin ku ruhen epruvetat kanë qasje vetëm tre persona, për të cilët tha se i di emrat. Po ashtu, ajo theksoi se gjatë ditës pritet të ketë suspendime, bazuar në kërkesën e dërguar ndaj Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ministrja e Drejtësisë ka shprehur dyshimet se kjo ka ndodhur për shkak të raporteve ndër-kolegiale, meqë gjendja në këtë institut është e rëndë.

Para gazetarëve, Haxhiu gjatë së enjtes deklaroi se ky është një akt i rëndë dhe kriminal.

“Mbrëmë në orët e vona jam njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, nga laboratori i Toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një akt i rëndë, ky është një akt kriminal dhe për këtë arsyeje menjëherë mbrëmë kam njoftuar kryeprokurorin e shtetit, Besim Kelmendi si dhe drejtorin e Policisë, Fehmi Hotin. Sot në mëngjes e kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe nga zyrtarët kompetentë jam njoftuar si në vijim: në raksat apo mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një epruvetë e lukthit. Nga këto, IML dy epruveta me gjak ia ka dhënë Institutit Zviceran dhe një Policisë së Kosovës për ADN. Aktualisht, sipas informacioneve, sepse unë nuk kam qasje në vendin ku ruhen mostrat, mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit”, ka thënë ajo.

E pyetur se sa mund të dëmtojë kjo procesin e hetimit të rastit të vdekjes së Astrit Deharit, e para e Drejtësisë tha se ka përfunduar marrja e mostrave dhe janë bërë raportet. Ajo u zotua se ky rast do të zbardhet me çdo kusht, ani pse beson se ky akt ka një motiv për të dëmtuar procesin e zbardhjes së rastit të Deharit.

“Në vendin ku ruhen epruvetat kanë qasje vetëm tre persona. Pra, sipas informacioneve vetëm tre persona i kanë çelësat në vendin ku ruhen mostrat. Çdo kush që ka ndjekur pak rastin mbi vrasjen e Astrit Deharit dhe procesin hetimor për të, e ka të qartë se prej gjashtë vitesh të gjitha të dhënat, provat, dëshmitarët dhe çdo rrethanë e faktor është synuar të shtrembërohet, zhduket apo të eliminohet. Njëjtë ka ndodhur edhe me këdo që ka pasur vullnet për ta zbardhur këtë rast”, ka shtuar Haxhiu.

Më tej ministrja Haxhiu tha se nuk ka gjurmë se dikush nga jashtë e ka kryer këtë akt kriminal.

“Nuk ka thyerje të derës, nuk ka thyerje të vendit ky hyn çelësi. Asnjë dyshim në raport me forcën që është përdorur për ta kryer një akt të tillë kriminal. Prandaj po them që dikush nga zyrtarët përgjegjës, një person, dy, tre, kushdo qofshin ata, janë përgjegjës për këtë akt kriminal”, ka vijuar Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu potencoi se gjatë ditës së djeshme është kuptuar që janë zhdukur këto mostra gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në të rinj. Ajo para gazetarëve ka thënë se që nga tetori i vitit të kaluar nuk janë kryer kontrolla nëse janë mostra.


“Ky akt i rëndë është vërejtur dje gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në ata të rinj, por jam e bindur që ka qenë çështje kohe që ata që e kanë orkestruar do ta plasonin si një veprim dëmtues të procesit në përgjithësi. Situata e krijuar është tepër e rëndë dhe vendos hije dyshimi në gjithë Institutin e Mjekësisë Ligjore, por edhe në veprimtarinë e tij. Jo vetëm për të tashmen, por veçanërisht në atë çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Protokolli i vendit ku ruhen mostrat është shumë strikt dhe nëse ai ndiqet, kuptohet qartë se kush janë përgjegjësit për këtë krim. Por, në këtë rast ata që kanë pasur guximin të veprojnë në këtë mënyrë, as nuk zbrapsen nga protokolli dhe ndalesat ligjore e as nga përfshirja në një vepër të rëndë penale”, shtoi Haxhiu.

Megjithatë Haxhiu deklaroi se autorët do të gjenden dhe rasti do të zbardhet. Sipas saj, personat kanë dalë në vendin e punës sot dhe kanë pasur komunikimin me prokurorinë.

Po ashtu, theksoi se para pesë ditësh komisioni përzgjedhës e ka zgjedhur Flutura Gogën, si drejtuese të Institutit të Mjekësisë Ligjore.


“Ka edhe shumë rrethana të tjera të raporteve ndër kolegiale në këtë institucion nga e kaluara e errët, e që japin indicie që mund të jetë vepruar për të fajësuar njëri-tjetrin, me qëllime e motive të ulëta duke ditur se çfarë peshe dhe ndjeshmëri ka raste Dehari, prandaj janë marrë edhe me këtë rast. Por, këtë mbesin ta hetojnë prokuroria dhe policia. Me rëndësi që është që janë njoftuar institucionet përgjegjëse. Nga aspekti administrativ, menjëherë pas kësaj konference do të merren masa në përputhje me përgjegjësitë”, ka theksuar në konferencë për media.

Haxhiu ka shtuar se janë interesuar edhe për kamerat, por i është thënë se filmimet nuk mund të qëndrojnë më shumë se një muaj.

Më tej shtoi se siguria në IML as më herë nuk ka qenë në nivel, por edhe me gjitha përpjekjet as tani nuk është në nivelin e duhur.

“Më duhet të theksoj që unë i di emrat e personave të cilët kanë qasje në këtë institucion, në laboratorin e Toksikologjisë por unë nuk mund t’i them ata. Për faktin se tashmë të njëjtit i di edhe policia edhe prokuroria. Sa i përket masave, neve na takon që të ndërmarrim masa disiplinore ndaj zyrtarëve përgjegjës. Pra, komisioni disiplinor i Institutit të Mjekësisë Ligjore tashmë ka marrë kërkesë për adresim të veprimeve. Unë besoj që sot do të përfundojë puna me suspendimin. Sepse legjislacioni në fuqi nuk lejon menjëherë shkarkimin, por suspendimin deri në një procedurë përfundimtare. Sigurisht në përputhje me kompetencat e mia do t’i ndërmarrë edhe unë përgjegjësitë e mia apo do të ndërmarrë masa ndaj atyre të cilët kanë qenë në krye të institucionit”, ka përfunduar ajo.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se për këtë rast është njoftuar mbrëmë para fillimit të koncertit të Filharmonisë nga udhëheqësja e Departamentit të Laboratorit të Toksikologjisë.

lajme

UBT organizon Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë

Published

on

By

Më 23 deri më 25 tetor 2026, UBT do të organizojë Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, në kuadër të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare të UBT-së. Ngjarja pritet të mbledhë mbi 155 pjesëmarrës dhe do të prezantojë më shumë se 50 punime shkencore me fokus në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Programi shkencor mbulon tema të avancuara si inteligjenca artificiale, mësimi makinerik, siguria kibernetike, inxhinieria softuerike, IoT, blockchain dhe zbatimi i teknologjive inteligjente në arsim e shëndetësi.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në UBT, Besnik Qehaja, theksoi rolin e veçantë që kanë studentët në këtë ngjarje shkencore.

“Rreth 70% e pjesëmarrësve pritet të jenë studentë të niveleve Bachelor dhe Master, duke dëshmuar rëndësinë që UBT i kushton përfshirjes së studentëve në kërkimin shkencor, zhvillimit të tyre akademik dhe krijimit të mundësive për prezantimin e rezultateve të hulumtimeve të tyre”, ka thënë Qehaja.

Duke folur për synimet kryesore të këtij organizimi, dekani Qehaja nënvizoi se kjo platformë shërben për të lidhur arsimin me inovacionin e ardhshëm:

“Përmes kësaj konference, UBT synon të forcojë lidhjen ndërmjet kërkimit shkencor, arsimit universitar dhe inovacionit teknologjik, duke krijuar një platformë për prezantimin e ideve të reja dhe avancimin e shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë”, shprehet Qehaja.

Konferenca do të shërbejë si një udhëkryq i rëndësishëm bashkëpunimi mes akademikëve, hulumtuesve dhe studentëve vendorë e ndërkombëtarë për shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta shkencore.

 

Continue Reading

Vendi

Presidenti i FIMS-it, Prof. Dr. Fabio Pigozzi, pjesë e Konferencës së Mjekësisë Sportive në UBT

Published

on

By

Nesër, më 21 tetor, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së do të mbahet Konferenca e Dytë Ndërkombëtare e Mjekësisë Sportive (ICSM 2026), e organizuar nga Instituti për Mjekësi Sportive i UBT-së, nën temën “Innovation and Resilience in Sport Medicine”.

Në mesin e pjesëmarrësve të kësaj konference do të jetë edhe Prof. Dr. Fabio Pigozzi, President i Federatës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS) dhe një nga figurat e njohura ndërkombëtarisht në mjekësinë sportive dhe shëndetin olimpik.

Pjesëmarrja e tij i jep konferencës një dimension të veçantë ndërkombëtar, duke krijuar mundësi për shkëmbim të përvojave dhe diskutim të zhvillimeve më të fundit në këtë fushë.

Në kuadër të programit të konferencës, si ligjerues kryesor do të jenë:

Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Themelues dhe President i UBT-së, me fokus në inovacionin në arsim, teknologji dhe zhvillimin e shoqërisë inteligjente.

Prof. Dr. Fabio Pigozzi, Prof. Dr. Norbert Bachl, Zëvendëspresident i FIMS-it dhe specialist i fiziologjisë së ushtrimeve dhe mjekësisë sportive,

Prof. Dr. Ilir Ahmetgjekaj, profesor dhe specialist i radiologjisë;

Christian Stammel, Drejtor Ekzekutiv i Wearable Technologies;

Dr. Arian Bujupi, specialist i ortopedisë dhe traumatologjisë.

Konferenca do të trajtojë tema kyçe që ndërlidhin mjekësinë sportive me shëndetin funksional, radiologjinë, ortopedinë, teknologjitë e veshshme (wearable technologies), inteligjencën artificiale dhe rolin e inovacionit në praktikën klinike dhe sportive. Aktiviteti është i akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP). Regjistrimi bëhet përmes Platformës Digjitale të OMK-së, ndërsa detajet e plota të konferencës gjenden në ueb-faqen zyrtare: icsm.ubt-uni.net/2026/.

 

 

Continue Reading

Rajoni

Nisin përplasjet në protestën në Tiranë

Published

on

By

Përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë nisur në Tiranë, pas përshkallëzimit të situatës gjatë marshimit drejt Ministrisë së Arsimit.

Protesta fillimisht ishte e qetë, me studentët dhe mësimdhënësit që marshuan në mënyrë paqësore nga Kryeministria drejt Ministrisë së Arsimit. Megjithatë, situata u tensionua kur protestuesit hodhën gurë në drejtim të ndërtesës së ministrisë.

Policia reagoi duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, por protestuesit nuk u larguan nga Rruga e Durrësit. Ata vazhduan të qëndronin pranë efektivëve të policisë, duke kërkuar rikthimin para Ministrisë së Arsimit.

Tensionet vijnë pas disa ditësh protestash në Shqipëri, gjatë të cilave janë përdorur gaz lotsjellës, ujë, gurë dhe, në disa raste, edhe plumba gome.

Foto: REL

D.L

Continue Reading

Lajmet

Konferenca e MBE-së në UBT: Fokusi në transformimin digjital

Published

on

By

Këtë fundjavë më 24 tetor, do të mbahet Konferenca e Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë (MBE), në kuadër të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare të UBT-së. Ngjarja pritet të bëjë bashkë hulumtues, akademikë dhe ekspertë nga Kosova dhe bota për të diskutuar prirjet e reja ekonomike, financiare dhe menaxheriale.

Dekani i Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT, Muhamet Gërvalla, njoftoi se përgatitjet janë në fazën përfundimtare dhe se programi sjell një larmi tematike.

“Për ne është e rëndësishme që konferenca të jetë jo vetëm një mundësi për prezantimin e rezultateve shkencore, por edhe një hapësirë për diskutim, shkëmbim përvojash dhe krijim të bashkëpunimeve të reja akademike. Temat kryesore përfshijnë transformimin digjital dhe inteligjencën artificiale, zhvillimin ekonomik, financat, inovacionin dhe ndërmarrësinë”, ka thënë Gervalla.

Hulumtimet e prezantuara nga akademikët vendorë u kushtojnë vëmendje të veçantë sfidave konkrete të tregut vendas, si përdorimi i inteligjencës artificiale në biznese, zhvillimi i NMM-ve, turizmi, politikat tatimore dhe pjesëmarrja e grave në menaxhment.

Lidhur me dobinë e kërkimeve vendore, dekani Gërvalla nënvizoi se këto punime lidhen me sfidat konkrete të Kosovës dhe përpjekja për të ofruar analiza që mund të ndihmojnë në përmirësimin e vendimmarrjes.

Përveç studiuesve kosovarë, konferenca ka tërhequr edhe pjesëmarrës ndërkombëtarë nga vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Maroku, Kameruni, India, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shtete të ndryshme evropiane, të cilët do të trajtojnë tema të tregjeve financiare, rritjes së gjelbër dhe teknologjisë.

Dekani Muhamet Gërvalla e vlerësoi lart këtë ndërthurje përvojash ndërkombëtare:

“Konferenca e MBE-së synon të lidhë hulumtimet që trajtojnë sfidat konkrete të Kosovës me perspektiva dhe përvoja ndërkombëtare, duke kontribuar në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe në forcimin e bashkëpunimit akademik”, shprehet Gervalla.

 

 

 

Continue Reading

Të kërkuara