Lajmet

Zemërimi i shqiptarëve të Luginës: Protestë për “Identitet dhe Dinjitet”

Published

on

Banorët shqiptarë të Luginës së Preshevës, në jug të Serbisë, u mblodhën sot në Bujanoc për të protestuar kundër asaj që ata e quajnë diskriminim sistematik nga Qeveria serbe. Duke mbajtur flamuj kombëtarë shqiptarë dhe amerikanë, si dhe pankarta me mbishkrime si “Stop pasivizmit selektiv”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo” dhe “Kthema adresën”, protestuesit kërkuan respektimin e të drejtave të tyre për identitet dhe dinjitet. Shumë prej tyre ishin të veshur me fanella që mbanin sloganin “Për identitet dhe dinjitet”.

 Kjo protestë u organizua nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, me iniciativën e kryetarit, Nevzad Lutfiu, i cili të shtunën shpalli thirrjen për këtë tubim përmes një postimi në Facebook. Protesta erdhi si reagim ndaj praktikave që, sipas banorëve të Luginës, përfshijnë pasivizimin e adresave dhe mosintegrimin e shqiptarëve në organet shtetërore.

Në fjalën e tij gjatë protestës, Shaip Kamberi, përfaqësues i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, akuzoi Qeverinë serbe për mohimin e të drejtave të pakicës shqiptare. Ai theksoi se Beogradi vazhdon t’i trajtojë shqiptarët si qytetarë të rendit të dytë, duke refuzuar njohjen e diplomave të tyre dhe duke i përjashtuar nga pjesëmarrja në institucione shtetërore. Kamberi kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të ndërhyjë dhe të bëjë presion mbi Serbinë për të ndalur atë që ai e quajti “diskriminim klasik” dhe “aparteid.”

Kamberi, i cili ka fituar edhe një mandat në Parlamentin e Serbisë pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, e përsëriti kërkesën e tij për Qeverinë serbe që të zbatojë obligimet e saj nga marrëveshjet e nënshkruara, duke përmendur Marrëveshjen e Konçulit të vitit 2001 dhe planin 7-pikësh të vitit 2013. Ai theksoi se shqiptarët në Luginë kanë pasur gjithmonë besim në vlerat demokratike perëndimore dhe jo në premtimet e Beogradit.

Profesori i gjuhës shqipe, Llukman Misini, ka ngritur shqetësimin për mungesën e teksteve shkollore, një problem i rëndë për arsimin në Luginën e Preshevës.

“Në mungesë të teksteve shkollore, profesorët detyrohen të japin mësim në mënyrë alternative. Ndërkohë, vendet e rajonit përdorin mjete të avancuara në sistemin e tyre mësimor, ndërsa neve po na mohohet sigurimi i këtyre teksteve. Historia dhe gjeografia po na ndalohen si lëndë, duke krijuar një boshllëk të madh në edukimin e nxënësve,” ka deklaruar ai.

Studenti Enis Fejzullahu ka theksuar vështirësitë me të cilat përballen studentët shqiptarë për shkak të mosnjohjes së diplomave nga shteti i Serbisë.

“Gjatë gjithë kohës së studimeve dhe pas diplomimit, studenti nga Lugina e Preshevës përballet me barrën e rëndë të mosnjohjes së diplomës. Ky është një burim i vazhdueshëm brenge, sepse pas përfundimit të studimeve, ekziston frika e madhe që nuk do të mund të ushtrojë profesionin e tij në vendin e tij,” ka theksuar ai.

Ndërkohë, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, ka vënë në pah sfidat unike me të cilat përballet komuniteti shqiptar në Serbi.

“Ne jetojmë brenda një shteti ku etnia më e urryer janë shqiptarët, edhe pse ne jemi në tokat tona dhe nuk i kemi uzurpuar ato. Përkundrazi, dikur ishim shumë më të shumtë dhe shtriheshim shumë më gjerë sesa jemi sot. Padrejtësia në Luginën e Preshevës është evidente në çdo aspekt të jetës,” ka deklaruar Lutfiu.

Sipas të dhënave zyrtare, shqiptarët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe në Serbi, me një numër prej 61,687 banorësh, por ata vazhdojnë të përballen me sfida të shumta në përpjekjet e tyre për të ruajtur identitetin dhe dinjitetin e tyre në këtë rajon./UBTNews/

Vendi

Nafta shtrenjtohet në 1.89 euro për litër

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve për datën 10 prill 2026. Sipas njoftimit, çmimet kanë shënuar rritje, duke reflektuar paqëndrueshmërinë në bursat ndërkombëtare:

  • Nafta (Dizel): 1.89 euro/litër
  • Benzina: 1.47 euro/litër
  • Gasi: 0.82 euro/litër

Kjo rritje vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e konfliktit të përshkallëzuar në Lindjen e Mesme mes Iranit dhe boshtit SHBA-Izrael. Lufta, e cila ka nisur që prej fundit të shkurtit 2026, ka shkaktuar ndërprerje masive të furnizimit, veçanërisht për shkak të bllokimit të pothuajse plotë të Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës botërore.

Edhe pse ditëve të fundit ka pasur një marrëveshje armëpushim dyjavor të propozuar nga SHBA, çmimet në pompat e Kosovës mbeten të larta.

Ekspertët paralajmërojnë se për sa kohë tensionet ushtarake mbeten aktive dhe rrugët detare të pasigurta, kostoja e transportit dhe energjisë do të vazhdojë të rëndojë xhepat e konsumatorëve globalë, përfshirë edhe ata në vendin tonë.

Continue Reading

Lajmet

Sot mblidhet Kuvendi: Rezoluta për vlerat e luftës dhe marrëveshjet ndërkombëtare në qendër të debatit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në një seancë plenare të shoqëruar me tensione politike dhe mungesë konsensusi për rendin e ditës. Përplasja kryesore po ndodh mes PDK-së, që kërkon që rezoluta për “mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës 1998–1999” të jetë pika e parë, dhe LVV-së, e cila kërkon harmonizim paraprak dhe radhitjen e saj si pikë të fundit.

Ky bllokim ka lënë pezull edhe katër marrëveshje ndërkombëtare financiare që dështuan të miratoheshin në seancën paraprake. Ndërsa opozita (LDK dhe AAK) mbështet rezolutën e PDK-së, LVV insiston që temat nacionale të mos trajtohen si parciale.

Rendi i ditës i paraparë për këtë seancë:

  1. Miratimi i rendit të ditës.
  2. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme.
  3. Deklarimet jashtë rendit të ditës.
  4. Pyetjet parlamentare.
  5. Votimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (Projekti i Sektorit Financiar).
  6. Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim.
  7. Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë me KfW për Energji dhe Klimë.
  8. Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit 2.0).
  9. Votimi i Propozim-Rezolutës për rritjen e çmimeve të naftës dhe koston e jetesës.
  10. Zgjedhja e një anëtari joprokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
  11. Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999.
  12. Propozimi i PDK-së dhe AAK-së për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

Continue Reading

Vendi

Ferizaj: Sulmohen policët në krye të detyrës, një i arrestuar dhe një zyrtar i lënduar

Published

on

By

Gjatë 24 orëve të fundit në Policinë e Kosovës është raportuar një incident i rëndë në Ferizaj, ku tre persona kanë kanosur dhe penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Sipas raportit policor, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes rreth orës 22:10, ku si pasojë e rezistencës dhe sulmit, një zyrtar policor ka pësuar lëndime trupore.

Njëri nga të dyshuarit, i cili ndodhej në gjendje të dehur, është arrestuar menjëherë dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë liruar dhe do të ndiqen në procedurë të rregullt.

Rasti po trajtohet si kanosje dhe pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës.

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë raste të dhunës në familje brenda një dite

Published

on

By

Gjatë 24 orëve të fundit në Policinë e Kosovës janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje dhe kanosjes në disa qytete të ndryshme.

Sipas raportit lidhur me këto raste janë arrestuar katër persona.

Në Drenas është arrestuar një i dyshuar pasi ka sulmuar fizikisht dhe ka kanosur një grua, e cila ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ngjashëm, në Podujevë dhe Kamenicë, dy persona janë dërguar në mbajtje nën dyshimin për dhunë në familje dhe kanosje ndaj viktimave.

Në Mitrovicën e Jugut, një person nën ndikimin e alkoolit ka sulmuar fizikisht një grua, e cila ka marrë ndihmë mjekësore, mirëpo i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në Pejë po ashtu është raportuar një rast i kanosjes ku i dyshuari po hetohet në procedurë të rregullt.

Ndërsa në Vushtrri policia po vazhdon hetimet për një rast tjetër të dhunës ku viktima nuk ka kërkuar trajtim mjekësor. Të gjitha rastet janë iniciuar në koordinim me prokuroritë përkatëse.

Continue Reading

Të kërkuara