Lajmet

​Zelensky sot në Tiranë

Ai është paraparë të pritet nga kryeministri Edi Rama.

Publikuar

Sonte në mbrëmje, në aeroportin e Rinasit pritet të zbresë një nga figurat më të njohura botërore të momentit. Volodimir Zelensky, Presidenti i Ukrainës, që prej dy vitesh po udhëheq luftën kundër Rusisë, duke mobilizuar kombin dhe ushtrinë si dhe duke bindur pjesën më të madhe të botës, të jetë përkrah vendit të tij.

Ai është paraparë të pritet nga kryeministri Edi Rama. Megjithatë, ngjarjet në Ukrainë dhe elementët e sigurisë do të përcaktojnë edhe agjendën e Volodymyr Zelenskyt në Tiranë, ku ajo që dihet me siguri është pjesëmarrja në samitin e 28 shkurtit. Edhe pse në agjendën paraprake ishte parashikuar një takim me presidentin Bajram Begaj dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla ato janë anuluar.

Zelenksy do të marrë pjesë në një forum që të mërkurën do të bëjë bashkë lider të BE-së dhe të Evropës Juglindore. Nga Bashkimi Evropian do të vijë Ursula Von der Leyen, ndërsa janë ende në pritje të konfirmimeve Greqia dhe Kosova, nëse do të përfaqësohen nga kryeministrat, apo nga presidentët. Serbia ka njoftuar se do të jetë e pranishme përmes presidentit Aleksander Vuçiq. Liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të qëndrojnë edhe të enjten, në një Samit për integrimin.

Pak ditë më parë në një mesazh në platformën “X” kreu i shtetit të Ukrainës vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës dhe shprehu padurimin për një të ardhme më të sigurt për gjithë Evropën. Shqipëria ka vendosur disa sanksione ndaj Rusisë, ndërsa ka dënuar luftën e saj në Ukrainë.

Lajmet

​Osmani: Kosova duhet të ecë përpara me statusin e vendit kandidat për BE

Osmani theksoi progresin e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, transparencës.

Publikuar

nga

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të Grupit Punues të BE-së për Ballkanin Perëndimor me të cilët ka biseduar mbi zhvillimet e fundit në vend dhe procesin e dialogut me Serbinë.

Osmani theksoi progresin e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, transparencës, qeverisjes së mirë dhe në veçanti respektimit të të drejtave të njeriut.

Ajo rikujtoi se Kosova ka aplikuar për statusin e vendit kandidat në BE, në dhjetor të vitit 2022 dhe se është e përkushtuar për t’i përmbushur obligimet dhe kriteret për anëtarësim.

“Kosova është në linjë të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Rrjedhimisht duhet të ecet përpara me statusin e vendit kandidat”, tha Osmani.

Duke folur për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, presidentja Osmani theksoi rëndësinë e anëtarësimit në këtë organizatë në funksion të rritjes së efektivitetit të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, duke u dhënë atyre qasje në mekanizmat për të drejta të njeriut.

Osmani theksoi se Kosova ka nevojë për mbështetje të mëtejme nga shtetet edhe në fazën e fundit, në votimin që mund të mbahet në muajin maj, në Komitetin e Ministrave.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Dalja në zgjedhjet e Maqedonisë deri ora 15:00 është rreth 35 për qind

Sipas të dhënave të deritanishme, pjesëmarrja më e madhe është shënuar në Novaci me 57,69% dhe më e ulëta në Qendër Zhupa, 13,11%.

Publikuar

nga

Deri në orën 15:00, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni të Veriut ka marrë të dhënat për pjesëmarrjen e votuesve nga 2 mijë e 110 vendvotime. Nga gjithsej 1.092.341 votues të regjistruar në këto vendvotime, votuan 392.066 ose 35.89 për qind.

Sipas të dhënave të deritanishme, pjesëmarrja më e madhe është shënuar në Novaci me 57,69% dhe më e ulëta në Qendër Zhupa, 13,11%.

MPB me detaje për disa parregullsi në vendvotime në Shtip dhe Shkup. Siç ka raportuar Alsat, deri më tani, votimi ka qenë i qetë në të gjitha qendrat e votimit.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski më herë ka njoftuar se për dallim nga zgjedhjet e kaluara presidenciale të vitit 2019, këtë herë dalja është më e madhe për gjashtë për qind.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Gjermania do të rifillojë bashkëpunimin me UNRWA

Zyra e Jashtme gjermane tha se është e lumtur që UNRWA tha se do të marrë parasysh rekomandimet e hetimit të kryesuar nga ish-ministrja e Jashtme franceze.

Publikuar

nga

Gjermania do të rifillojë bashkëpunimin me agjencinë e OKB-së për ndihmë për palestinezët në Gaza (UNRWA) pasi organizata pranoi rekomandimet për hetimin e pavarur të saj.

Zyra e Jashtme gjermane tha se është e lumtur që UNRWA tha se do të marrë parasysh rekomandimet e hetimit të kryesuar nga ish-ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna dhe do t’i zbatojë ato “me shpejtësi dhe plotësisht”.

“Në mbështetje të këtyre reformave, qeveria gjermane së shpejti do të vazhdojë bashkëpunimin e saj me UNRWA në Gaza, siç kanë bërë tashmë Australia, Kanadaja, Suedia dhe Japonia, ndër të tjera”, njoftoi zyra e jashtme./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​PE miraton planin 6 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor

Kjo është një prej paketave më ambicioze të Bashkimi Evropian për ta ndihmuar rritjen ekonomike dhe reformat në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Publikuar

nga

Parlamenti Evropian e ka miratuar sot planin për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej 6 miliardë eurosh, në seancën e parafundit të saj para zgjedhjeve të reja në BE në qershor.

Kjo është një prej paketave më ambicioze të Bashkimi Evropian për ta ndihmuar rritjen ekonomike dhe reformat në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që ato të ecin përpara më shpejt drejt integrimit të plotë në bllok.

Tani, pasi Parlamenti Evropian e miratoi paketën, ajo duhet të formalizohet edhe nga Këshilli i BE-së. Pas kësaj, mund të fillojnë pagesat e para për përfituesit.

Paketa përmban 6 miliardë euro, prej të cilave vendet e Ballkanit Perëndimor do t’i marrin 2 miliardë euro në formën e parave të gatshme pa kthim, ndërsa 4 miliardë euro në formën e kredive të favorshme.

Sipas marrëveshjes mes Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së, e cila është përfshirë në tekstin e rezolutës së sotme në Parlament, për të përfituar nga kjo ndihmë financiare, vendet e rajonit duhet të përmbushin një varg kriteresh jo edhe aq të lehta.

Në mesin e tyre janë kriteret bazike, të cilat vlejnë njëlloj për të gjitha vendet anëtare. Ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, respektimin e parimeve të demokracisë, reformat institucionale dhe ndërmarrjen e hapave të domosdoshëm për të garantuar se mjetet nuk do të keqpërdoren.

Pos kritereve që kanë të bëjnë me reforma dhe sundimin e ligjit, ka edhe kritere të natyrës politike.

Për Kosovën dhe Serbinë parakusht tjetër do të jetë angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Vlerësimet se a e përmbushin apo jo këtë kriter Kosova apo Serbia do ta japë Komisioni Evropian, i cili – i ndihmuar nga Shërbimit i Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS), që edhe luan rolin kryesor në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – do të vlerësojë në fund nëse Kosova dhe Serbia e kanë plotësuar këtë parakusht.

Parlamenti Evropian, edhe përmes vendimit të sotëm, kërkon nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor t’i përshtatin politikat e tyre të jashtme me vendimet e BE-së, përfshirë edhe me sanksionet kundër Rusisë. Por, gjatë negociatave me Këshillin ka pasur mospajtime nëse ky duhet të jetë kusht specifik apo jo për pagesat nga plani evropian për rritje ekonomike.

Ka dominuar qëndrimi i Komisionit Evropian dhe një numri më të madh të shteteve anëtare se ky nuk duhet të jetë parakusht specifik, por vetëm qëllim i përgjithshëm.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat do të përfitojnë nga kjo ndihmë, duhet të kenë plane operative për reforma dhe t’i bashkërendojnë ato me Komisionin Evropian. Në vendimet finale për pagesat do të përfshihen Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të BE-së përmes Këshillit.

Kërkohet edhe transparencë në procesin e prokurimit dhe hetime serioze në rastet e shkeljes së rregullave, apo në rast mashtrimesh. Për rastet e keqpërdorimeve kërkohet të njoftohen Zyra e Prokurorisë Publike të BE-së, dhe Zyra e BE-së për Parandalimin e Mashtrimeve (OLAFD).

Sipas tekstit të miratuar sot në Parlamentin Evropian, nga përdorimi i mundshëm i këtyre fondeve duhet të përjashtohen entitetet të cilat identifikohen si shkelëse të sanksioneve ndaj Rusisë, apo të cilat ndihmojnë në anashkalimin e tyre.

Në emër të Parlamentit Evropian, negociatat i kishin udhëhequr Toni Picula dhe Karlo Resler, dy eurodeputetë nga Kroacia, njëri nga radhët e Socialistëve dhe Demokratëve e tjetri nga Partitë Popullore Evropiane. Të dy kanë thënë se kjo paketë ka rëndësi te veçantë dhe mund t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor që të krijojnë vende të reja pune, të rrisin ekonominë e tyre dhe të investojnë në programet që janë në përputhje me prioritetet e BE-së, si energjia e pastër dhe zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Parlamenti Evropian ka ngulur këmbë që kjo paketë të jetë e veçantë dhe të mos jetë pjesë e Instrumenteve të Para-Anëtarësimit (IPA), të cilat janë fonde të rregullta të BE-së për vendet e përfshira në procesin e zgjerimit.

Këto gjashtë miliardë euro shtesë për vendet e Ballkanit do të jenë për periudhën kohore prej vitit 2024 deri në vitin 2027, sa edhe zgjat korniza aktuale shumëvjeçare financiare e Bashkimit Evropian.

Burimet diplomatike në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se Komisioni Evropian ka ambicie që pagesat e para për vendet e rajonit të Ballkanit nga kjo paketë të bëhet shumë shpejt, qysh në pjesën e dytë të këtij viti. Por, para se kjo të ndodhë duhet të konstatohet se vendet që duan të përfitojnë i kanë përmbushur kushtet për një gjë të tillë.

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara