Lajmet

Zelensky: Rezultati i betejave në lindje, vendimtar për të ardhmen e Ukrainës

Atje po zhvillohen luftime “shumë të ashpra”.

Published

on

Forcat ukrainase dhe ato ruse janë bllokuar në betejën për të kontrolluar qytetin e Bahmutit, teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se e ardhmja e Ukrainës do të vendoset në frontin lindor, ku po zhvillohen luftime “shumë të ashpra”.

Pavarësisht humbjeve të mëdha, forcat ruse kanë vazhduar të kryejnë një valë sulmesh në qytetin ukrainas Bahmut, si dhe në disa lokacione tjera përreth rajonit lindor të Donjeckut, ka thënë ushtria ukrainase më 14 mars.

“Dje, forcat tona kanë zmbrapsur 102 sulme të armiqve… në Bahmut, armiku nuk ka pushuar në tentimet për ta marrë qytetin”, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, duke shtuar se beteja të ashpra po zhvillohen edhe në Liman, Avdivka, Marinka dhe Shahtarsk.

“Është situatë shumë e rëndë në lindje, shumë e dhimbshme”, u ka thënë Zelensky ukrainasve në adresimin e tij të përditshëm.

“Ne duhet të shkatërrojmë fuqinë ushtarake të armikut, dhe do ta shkatërrojmë atë. Në Belohorivka, Marinka, Avdivka, Bahmut, Vuhledar dhe Kamianka, dhe të gjitha vendet tjera, është duke u vendosur e ardhmja jonë”, ka thënë Zelensky, duke shtuar se është mirënjohës ndaj secilit ushtar që po e rrezikon jetën në betejë.

Forcat ukrainase janë duke bërë rezistencë të fortë në perëndim të Bahmutit, duke luftuar kundrejt sulmeve të luftëtarëve të grupit mercenar rus, Wagner.

Shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin – i cili e ka postuar një video ku shihet në qendër të Bahmutit – e ka pranuar se luftëtarët e tij po përballen më shumë vështirësi për të marrë kontrollin e qytetit.

“Situata në Bahmut është e vështirë, shumë e vështirë. Armiku është duke luftuar për çdo metër”, ka thënë Prigozhin në një postim në rrjete sociale, teksa ka treguar pamje të Bahmutit të shkatërruar.

Para luftës, në këtë qytet kanë jetuar rreth 70 mijë njerëz.

Lufta për Bahmutin është konsideruar si një prej betejave më të ashpra prej kur Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë, më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Lajmet

BE-ja mbështet Specialen, nuk komenton nismën e PDK-së për ndryshimin e ligjit

Published

on

Bashkimi Evropian nuk ka komentuar nismën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, e cila është dorëzuar në Kuvend.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Christian Wigand, ka thënë se BE-ja nuk komenton njoftime apo plane të tilla, por ka theksuar se mbështetja e Bashkimit Evropian për Dhomat e Specializuara mbetet e qëndrueshme.

“Gjykata Speciale është institucion i pavarur juridik, që operon brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe puna e saj është përkrahur nga BE-ja”, ka deklaruar Wigand në konferencën për media të martën.

Ai ka theksuar se personat e dënuar në shkallën e parë kanë të drejtë të apelojnë aktgjykimet para një paneli të pavarur të Apelit në kuadër të Dhomave të Specializuara.

“Personat e dënuar në shkallën e parë kanë të drejtë ta apelojnë aktgjykimin para gjyqtarëve të pavarur të Apelit. Mbështetja jonë për Dhomat është e qëndrueshme dhe do të vazhdojë”, ka thënë Wigand.

Sipas tij, Dhomat e Specializuara po zhvillojnë procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale dënoi me gjithsej 81 vjet burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.

Ndërkohë, PDK-ja synon përmes ndryshimeve ligjore kufizimin e mandatit të Speciales dhe përfshirjen e një mekanizmi ndërkombëtar monitorimi.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se synimi është që rastet që lidhen me krimet e luftës të trajtohen në Kosovë, ndërsa në Hagë të mbeten çështjet e ngritura në raportin e Dick Martyt./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Protesta kundër aktgjykimit të Speciales vazhdon për të shtatën ditë

Published

on

By

Protestat në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdojnë edhe sonte, për të shtatën ditë me radhë.

Qytetarët pritet të mblidhen sërish në sheshin “Skënderbeu”, pas gjashtë netëve radhazi të tubimeve në kryeqytet. Protesta e së hënës ishte e gjashta dhe u zhvillua me pjesëmarrje të madhe qytetarësh.

Tubimet kanë nisur pas aktgjykimit të shpallur më 16 shtator ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa gjatë netëve të kaluara tubimet në Prishtinë janë zhvilluar pa incidente të raportuara.

Protestat janë shoqëruar me pankarta dhe thirrje për drejtësi, ndërsa në mesin e pjesëmarrësve kanë qenë qytetarë nga Kosova dhe diaspora.

D.L

Continue Reading

Lajmet

39 inspektorë dhe mbledhës borxhesh i bashkohen ATK-së

Published

on

By

Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) i janë bashkuar sot 39 punonjës të rinj, 32 inspektorë fillestarë dhe 7 mbledhës të borxheve me qëllim fuqizimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të institucionit.

Gjatë mikpritjes së punonjësve të rinj, Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, nënvizoi përgjegjësinë e madhe që ata marrin për të dëshmuar integritet dhe profesionalizëm në shërbim të shtetit dhe tatimpaguesve.

Përzgjedhja e tyre u bë përmes një procesi konkurrues publik ku morën pjesë mbi 1,800 kandidatë në fazat vlerësuese, ndërsa vlerësimi u realizua nga një komision i jashtëm mbi bazën e meritokracisë dhe transparencës. Me këtë rekrutim, ATK synon rritjen e efikasitetit në mbledhjen e detyrimeve tatimore dhe menaxhimin e borxheve. / E.A/

 

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

MINTI intensifikon kontrollet në Prishtinë e Gjilan për mbrojtjen e të drejtës së autorit

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka zhvilluar sot një aksion inspektimi në rajonin e Prishtinës dhe Gjilanit për të mbikëqyrur zbatimin e ligjit për të drejtën e autorit.

Fokusi i këtyre kontrolleve ishte te bizneset që ushtrojnë veprimtari të fotokopjimit, riprodhimit dhe shpërndarjes së materialeve të mbrojtura me e drejtë autori. Qëllimi kryesor i aksionit është parandalimi i piraterisë, verifikimi i respektimit të kërkesave ligjore dhe mbrojtja e veprave të autorëve.

Inspektimet janë mbështetur në Ligjin për të Drejtën e Autorit dhe ato do të vazhdojnë edhe në rajone të tjera të Kosovës, duke u bazuar në informacionet dhe ankesat e pranuara nga konsumatorët.

Continue Reading

Të kërkuara