Paul Pogba është shumë pranë rikthimit në futboll pas një periudhe të gjatë mungese tha trajneri i Monacos, Adi Hütter. Ai zyrtarisht ka konfirmuar se mesfushori francez po përparon ndjeshëm.
“Fizikisht dhe mendërisht po shkon mirë. Është stërvitur për tre muaj dhe është afër kthimit në skuadër,” deklaroi Hütter.
Sipas mediave franceze, Pogba pritet të jetë i disponueshëm më 5 tetor, në ndeshjen e Ligue 1 kundër Nice në Stade Louis II.
Ndërkohë, rikthimi në sfidën e së shtunës kundër Lorient shihet më pak i mundshëm.
Ish-mesfushori i Juventusit nuk ka luajtur një ndeshje zyrtare që prej 3 shtatorit 2023, kur u aktivizua ndaj Empolit.
Pak javë më vonë, ai u pezullua për doping dhe u dënua fillimisht me katër vite jashtë fushave. Megjithatë, në tetor 2024, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv uli ndalimin në 18 muaj, që skadoi më 11 mars 2025.
Pas ndarjes me Juventusin, Pogba refuzoi një transferim në MLS dhe verën e kaluar nënshkroi një kontratë dyvjeçare me Monacon, e vlefshme deri më 30 qershor 2027.
Klubi monegask e ka regjistruar 31-vjeçarin edhe për Ligën e Kampionëve, ku pritet të rikthehet në tetor.
Ky rikthim do të shënojë një moment të rëndësishëm për kampionin e botës 2018, i cili synon të rifitojë formën dhe të lërë pas periudhën më të vështirë të karrierës së tij./S.K/KP/CNN/