Aktualitet

Zelenskiy bën thirrje për armëpushim dhe bisedime urgjente për paqe

Presidenti francez zhvilloi biseda telefonike me liderët ukrainas dhe rusë, midis frikës për një pushtim rus të Ukrainës.

Published

on

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, bëri thirrje për “regjim heshtjeje” dhe “intensifikim” të përpjekjeve për paqe, pasi presidenti francez zhvilloi biseda telefonike me liderët ukrainas dhe rusë, midis frikës për një pushtim rus të Ukrainës.

Zelenskiy po ashtu tha se Kievi do të zhvillojë një takim “të menjëhershëm” të të ashtuquajturit Grupi Trelateral i Kontaktit, që u formua me qëllim që të gjendet një zgjidhje diplomatike pas nisjes së konfliktit midis forcave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës më 2014.

Liderët perëndimorë thonë se Rusia, që ka dislokuar dhjetëra-mijëra trupa afër Ukrainës, përfshirë edhe në Bjellorusinë fqinje, tani po planifikon një sulm të shkallës së gjerë. Moska mohon se ka plane për pushtim.

“Ne jemi për intensifikimin e procesit të paqes”, tha Zelenskiy përmes një postimi në Twitter.

“Ne mbështesim thirrjen e menjëhershme të një takimi të Grupit Trelateral të Kontaktit dhe që menjëherë të vendoset një regjim heshtjeje”, shtoi ai.

Këto komente Zelenskiy i bëri pas bisedës që zhvilloi me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Macron po ashtu ka biseduar me presidentin rus, Vladimir Putin. Pallati Elize tha se kjo bisedë ishte “përpjekja përfundimtare e mundshme dhe e nevojshme për të shmangur një konflikt të madh në Ukrainë”.

Asnjë detaj nuk është bërë publik nga biseda midis Macronit dhe Putinit.

Në Grupin Trelateral të Kontaktit bëjnë pjesë Ukraina, Rusia dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Gjatë natës ndërmjet 19 dhe 20 shkurtit janë raportuar për shumë bombardime në të ashtuquajturën “vijë të kontaktit” ndërmjet ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës.

Misioni monitorues i OSBE-së ka raportuar për “rritje dramatike” të shkeljeve të armëpushimit në lindje të Ukrainës.

Ukraina ka thënë se gjatë një sulmi janë vrarë dy ushtarë ukrainas, por Zelenskiy është zotuar se forcat ukrainase nuk do t’iu përgjigjen provokimeve./REL

Vendi

Pesë raste të dhunës në familje, arrestohen disa persona

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar për disa raste të dhunës në familje të regjistruara në rajone të ndryshme të vendit, ku janë arrestuar disa persona dhe disa ratse po hetohen.

Në autostradën Ferizaj-Prishtinë, një shtetase e Shqipërisë ka pranuar tretman mjekësor pasi është sulmuar fizikisht nga i dashuri i saj pas një mosmarrëveshjeje. I dyshuari është arrestuar nga policia dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Ngjashëm ka përfunduar edhe një rast në Podujevë, ku një grua ka raportuar se pëson dhunë të vazhdueshme psikike nga bashkëshorti i saj. Policia e ka intervistuar të dyshuarin dhe me urdhër të prokurorit edhe ai është liruar për t’u hetuar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, në Pejë është shënuar një tjetër incident ku një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Edhe pse në këtë rast nuk është raportuar për të lënduar, pas intervistimit të palëve, prokurori ka vendosur që lënda të vazhdojë në procedurë të rregullt.

Në anën tjetër, dy raste të tjera kanë përfunduar me dërgim në mbajtje. Në Gjilan, policia ka prangosur një person të dyshuar për një rast të dhunës në familje që kishte ndodhur më parë, duke e dërguar atë në qendrën e mbajtjes me vendim të prokurorit.

Ndërsa në Gjakovë, një burrë i cili ndodhej nën ndikimin e alkoolit ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij, gjë që ka sjellë arrestimin e tij të menjëhershëm dhe dërgimin në mbajtje. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Dhunim në Gjilan, viktima dërgohet në QKUK

Published

on

By

Në Gjilan dyshohet se ka ndodhur një dhunim, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Policia njofton se është duke e trajtuar rastin. Ndërsa, viktima me urdhër të prokurorit është dërguar në QKUK në Prishtinë për ekzaminime më të hollësishme mjekësore. Rasti është nën hetime.

Në raportin e policisë nuk ka më shumë informata nëse ka ndonjë të dyshuar deri më tani.

Continue Reading

Vendi

Spanja mposht Francën dhe siguron finalen

Published

on

By

Kampione e Evropës dhe tashmë finaliste e Botërorit 2026. Kombëtarja e Spanjës ka siguruar biletën e madhe për në finalen e Kupës së Botës, pas një fitoreje bindëse dy me zero ndaj Francës të martën mbrëma në Dallas. Spanjollët dominuan plotësisht lojën që nga minuta e parë, duke lënë në hije yjet e Francës si Kylian Mbappe, Ousmane Dembele dhe Michael Olise, të cilët dështuan të gjenin rrugën e rrjetës përballë një Spanje tërësisht superiore.

Rrugën drejt finales e hapi Mikel Oyarzabal në minutën e 22-të, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Kjo e fundit u sigurua nga talenti Lamine Yamal, i cili u pengua brenda zonës nga Lucas Digne gjatë një tentative për të larguar topin. Ky ishte goli i pestë në këtë kampionat për Oyarzabal, i cili e dërgoi ekipin në pushim me epërsi minimale.

Me të filluar pjesa e dytë, në minutën e 58-të, Pedro Porro vulosi fatin e takimit duke shënuar golin e dytë dhe duke siguruar finalen e parë të Spanjës në një Botëror që nga viti 2010, kur u shpallën kampionë bote.

Në krahun tjetër, kjo humbje shënon një dështim të madh për Francën, e cila humb mundësinë për të luajtur në finalen e saj të tretë radhazi, pas titullit të fituar në vitin 2018 dhe finales dramatike të katër viteve më parë kundër Argjentinës. Pavarësisht eliminimit, ylli francez Kylian Mbappe e mbyll këtë Botëror me tetë gola të shënuar, po aq sa ka realizuar edhe legjenda Lionel Messi. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Sot mot i ngrohtë, por me mundësi për stuhi pasdite

Published

on

By

Dita e sotme pritet të nisë me mot të ngrohtë dhe me diell, por pasdite situata do të ndryshojë me shtimin gradual të vranësirave.

Sipas parashikimeve, orët e pasdites mund të sjellin riga lokale shiu, shtrëngata të izoluara dhe mundësi për shkarkime rrufesh në disa zona të vendit.

Temperaturat minimale për sot do të lëvizin mes 11 dhe 14 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të mbërrijnë nga 28 deri në 32 gradë Celsius.

Era do të fryjë kryesisht nga jugperëndimi, por gjatë momenteve me stuhi ajo mund të pësojë përforcime të përkohshme dhe të fryjë me hov. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara