Kur je i famshëm, nuk ndikojnë vetëm njohja dhe pasuria. Yjet e mëdhenj duhet të përballen rregullisht me presionin e shtypit dhe të përballojnë disi pasojat, si mungesa e hapësirës private dhe shqetësimi për reputacionin e tyre.
Për t’u çlodhur, disa të famshëm largohen nga qendra e jetës shoqërore.
Lindsay Lohan, Emiratet Arabe
Sipas yllit të “Mean Girls”, vëmendja e tepërt nga shtypi e shtyu atë të bënte ndryshime 7 vjet më parë. Ajo thotë se shpërngulja në Dubai i dha asaj një energji të re. Atje, ajo filloi një jetë të re pa telashe dhe thashetheme, dhe ajo është fokusuar në punën dhe idetë e saj.
Madonna, Portugali
Mbretëresha e pop-it kurrë s’ka jetuar në Los Angeles, ndonëse atë e shihni shpesh në tepihun e kuq të Hollywood-it. Në fillim të karrierës jetoi në New YOrk, pastaj kur u martua u zhvendos në Londër.
Në vitin 2017 ajo u largua nga Londra dhe u zhvendos në Lisbonë për ta përkrahur djalin e saj në karrierën e tij drejt futbollit. Ajo jeton në një rezidencë të shekullit të 18-të. Ka katër dhoma, shtatë banjo dhe një bujtinë.
Nicole Kidman, Australi
Nicole Kidman zgjodhi ajrin e pastër dhe qetësinë në vend të glamurit hollivudian. Në vitin 2008, ajo bleu një fermë në Australi ku jeton ende me familjen e saj.
George Clooney, Itali
Prej vitit 2002, aktori jeton në një vilë luksoze italiane. Ka 25 dhoma, një fushë tenisi, madje edhe një teatër të hapur. Clooney thotë se shpërngulja në Itali i ndryshoi krejtësisht jetën. Më në fund ai arriti të pushonte pak nga shtypi dhe vëmendja.
Julia Roberts, Australi
Në vitin 2021, ylli i Hollivudit u transferua në Australi. Aty do të xhirohej filmi “Ticket to Paradise”, film në të cilin ajo dhe George Clooney kanë rolet kryesore.
Për të bërë të mundur filmin, aktorët u transferuan në Sidnei së bashku me familjet e tyre. Ka zëra se Julia Roberts po mendon të blejë pronë atje.
Natalie Portman, Australi
Prodhimi i “Thor: Love and Thunder” po ndodh gjithashtu në Australi. Natalie Portman, e cila është në film në një nga rolet kryesore, u detyrua të paketonte valixhet dhe të shkonte në Australi. Edhe pse xhirimet kanë përfunduar, aktorja nuk po largohet nga Australia. Është në kërkim të një apartamenti për të jetuar atje për një kohë të gjatë.
Tina Turner, Zvicër
Tina Turner jeton në Zvicër që nga viti 1995. Ajo tha se vendimi i saj për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte sepse audienca nga Evropa e bëri atë vërtet të famshme.
Shakira, Spanjë
Pasi u martua me futbollistin e Barcelonës, Gerard Pique, Shakira u zhvendos në Spanjë ku po jeton aktualisht.
Pamela Anderson, Kanadë
Pamela Anderson u kthye në Kanada ku u lind dhe u rrit. Ajo ka trashëguar një shtëpi nga gjyshja e saj. Aktores i pëlqen të ndajë detajet e rinovimit, kopshtarisë dhe aktiviteteve të tjera relaksuese.
Rihanna, Barbados
Rihanna përpiqet të mos e harrojë familjen e saj që jeton në Barbados. Para vitit 2013, ylli mori me qira një vend luksoz buzë bregut dhe më vonë e bleu atë. Tani ajo po planifikon të kalojë më shumë kohë në vendlindje.
Johnny Depp jetoi në Francë për pak kohë
As aktorit Johnny Depp nuk i pëlqen jeta në Hollywood. Atij i pëlqen natyra dhe ajri i freskët. Aktori gjeti një vend në një fshat të vogël në jug të Francës. Ai jetoi atje me një aktore dhe këngëtare franceze, Vanessa Chantal Paradis, deri në vitin 2012. Çifti u nda po atë vit. Tani vendi është në shitje./UBTNews
Punimi shkencor i profesorëve të Shkencave Mjekësore të UBT-së, Prof. Dr. Minire Alilaj Beqiraj, Prof. Dr. Fitim Alidema dhe Prof. Dr. Hajrullah Fejza, në bashkautorësi me MSc. Behrije Halilaj Vishi, është pranuar për publikim në revistën prestigjioze ndërkombëtare Georgian Medical News, e indeksuar në bazën e të dhënave shkencore Scopus (kuartili Q3).
Hulumtimi i titulluar “Farmakoterapia peripartum dhe rezultatet e hershme të nënës pas lindjes vaginale dhe cezariane: Një studim farmakoepidemiologjik i përdorimit të antibiotikëve, anestetikëve dhe analgjetikëve” përfshin 945 gra që kanë lindur në periudhën janar 2024 – gusht 2026 (504 lindje vaginale dhe 441 cezariane). Studimi analizon në mënyrë të integruar përdorimin e barnave para, gjatë dhe pas lindjes, si dhe ndikimin e tyre në infeksionet pas lindjes dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në spital.
Sipas gjetjeve kryesore të publikimit, lindja cezariane shoqërohet me një trajektore dukshëm më intensive farmakoterapeutike, ku profilaksia me antibiotikë është aplikuar në 92.7% të rasteve, krahasuar me 19.8% te lindjet vaginale. Gjithashtu, studimi evidenton se koha e administrimit të antibiotikëve para prerjes kirurgjikale luan rol kyç në parandalimin e infeksioneve pas lindjes, ku çdo rritje prej 10 minutash e intervalit nga administrimi deri te prerja (brenda kufirit 5–60 minuta) uli me 29% gjasat për infeksion.
Ky hulumtim përbën një kontribut të rëndësishëm në fushën e farmakologjisë klinike dhe gjinekologjisë, duke ofruar të dhëna konkrete për optimizimin e protokolleve terapeutike dhe rritjen e sigurisë shëndetësore të nënave gjatë dhe pas procesit të lindjes. /E.A/
Në kuadër të Javës së Kuzhinës Italiane në Botë, UBT, në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Kosovë dhe me pjesëmarrjen e rektorit Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe ambasadorit Maurizio Antonini, organizoi një ligjëratë të veçantë me profesorin Fabio Amadei nga akademia prestigjioze italiane e artit kulinar, ALMA.
Në fjalën e tij, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë që kanë shkenca dhe teknologjia e ushqimit, gastronomia dhe turizmi në zhvillimin akademik e shoqëror. Ai nënvizoi se Italia përbën një partner strategjik për UBT-në dhe se bashkëpunimi me universitetet e qendrat kërkimore italiane po zgjerohet vazhdimisht përmes projekteve të përbashkëta, shkëmbimit të njohurive dhe qasjeve ndërdisiplinore.
Nga ana e tij, ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me UBT-në, duke e cilësuar institucionin si një partner të besueshëm dhe të rëndësishëm në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e kulturës, ekonomisë dhe promovimit të traditës italiane. Ai vlerësoi gjithashtu angazhimin e UBT-së në zhvillimin e iniciativave që forcojnë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Italisë.
Ndërkohë, profesori Fabio Amadei, përgjegjës për programet e Kulturës Gastronomike dhe Qëndrueshmërisë në ALMA, ndau me studentët ekspertizën e tij mbi historinë e ushqimit, mbrojtjen e produkteve tradicionale agroushqimore dhe rëndësinë e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit. Përmes kësaj ligjërate, studentët patën mundësinë të njihen më nga afër me dimensionin shkencor e kulturor të gastronomisë italiane.
Sulmuesi portugez Joao Felix ka tërhequr vëmendjen e Napolit dhe Tottenham Hotspurit në prag të afatit të ardhshëm të transferimeve. Futbollisti 27-vjeçar synon rikthimin në futbollin evropian, por klubi i tij aktual, Al Nassr, kërkon rreth 45 milionë euro për ta lënë të lirë.
Sipas raportimeve të Corriere dello Sport, Napoli e sheh reprezentuesin portugez si një përforcim ideal për repartin ofensiv, falë aftësisë së tij për të luajtur si në krahun e majtë ashtu edhe pas sulmuesit. Megjithatë, çmimi i lartë i vendosur nga klubi saudit përbën pengesën kryesore për drejtuesit italianë. Felix e njeh mirë kampionatin italian, pasi ka veshur fanellën e Milanit në gjysmën e dytë të sezonit 2024/2025 gjatë një huazimi nga Chelsea.
Në anën tjetër, TEAMtalk raporton se edhe Tottenham Hotspur po shqyrton mundësinë e transferimit të tij, duke vlerësuar përvojën e tij të mëparshme në Premier League me Chelsean. Ndonëse vetë lojtari ka shprehur publikisht dëshirën për t’u rikthyer te Barcelona — ku në sezonin 2023/2024 regjistroi 10 gola dhe 6 asistime në 44 ndeshje — klubi katalunas ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret.
Forma e mirë e Joao Felixit në Arabinë Saudite ka rikthyer interesimin e klubeve evropiane. Këtë sezon ai ka realizuar tre gola dhe shtatë asistime në 11 ndeshje kampionale, ndërsa së fundmi vendosi fitoren 2-1 të Al Nassr kundër Al Sadd në Ligën e Kampionëve të Azisë me një gol akrobatik. /E.A/
Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka ftuar Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) në një takim zyrtar në Athinë, më 3 dhe 4 dhjetor, ku do të shqyrtohen vonesat dhe ngecjet e deritanishme në procesin e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Sipas njoftimit të zyrës për informim të KOK-ut, pas përfundimit të takimeve në Greqi, drejtuesit e komitetit do të raportojnë para Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” lidhur me diskutimet e zhvilluara dhe hapat e mëtejmë që duhet të ndërmerren.
Pavarësisht sfidave dhe vonesave aktuale, KOK-u ka rikonfirmuar vendosmërinë që kjo ngjarje madhore sportive të mbahet në Kosovë, duke bërë thirrje për mobilizim të përbashkët institucional.
“Komiteti Olimpik i Kosovës mbetet plotësisht i përkushtuar që Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 të mbahen në Kosovë. Suksesi i LM Prishtina 2030 do të varet nga përkushtimi i të gjitha institucioneve të përfshira”, thuhet në reagimin e KOK-ut.
Takimi i fillimit të dhjetorit në Athinë vlerësohet vendimtar për të analizuar gjendjen reale të përgatitjeve dhe për të përcaktuar dinamikën e ardhshme të punëve për projektin më të madh sportiv të planifikuar ndonjëherë në vend. /E.A/