Aktualitet

Xi: Partneriteti Kinë-Rusi është forcë stabilizuese globale

Published

on

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, deklaroi se bota rrezikon të rikthehet në “ligjin e xhunglës”, ndërsa e cilësoi marrëdhënien mes Kinës dhe Rusisë si një forcë stabilizuese globale gjatë takimit me presidentin rus Vladimir Putin në Pekin.

Xi priti Putinin me ceremoni shtetërore madhështore në Sallën e Madhe të Popullit, vetëm pak ditë pasi kishte mirëpritur edhe ish-presidentin amerikan Donald Trump. Ushtarët kinezë dhe banda ushtarake interpretuan himnet kombëtare të dy vendeve, ndërsa fëmijë me flamuj rusë dhe kinezë brohorisnin për liderët.

Takimi mes Xi dhe Putin nisi me një mbledhje të ngushtë për çështje sensitive dhe më pas vijoi me bisedime më të gjera mes delegacioneve të të dyja vendeve. Në përfundim, palët nënshkruan një sërë marrëveshjesh në fusha si teknologjia, tregtia, kërkimi shkencor dhe pronësia intelektuale.

Sipas mediave shtetërore kineze, një nga dokumentet kryesore ishte vazhdimi i “Traktatit të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit miqësor Kinë-Rusi”, i nënshkruar fillimisht 25 vite më parë.

Pas ceremonisë së nënshkrimit, Xi tha se marrëdhëniet mes Pekinit dhe Moskës kanë arritur “nivelin më të lartë të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës”, duke bërë thirrje që të dy vendet të kundërshtojnë “çdo formë të bullizmit unilateral” në arenën ndërkombëtare.

Ai paralajmëroi gjithashtu se tensionet globale po e shtyjnë botën drejt “ligjit të xhunglës”, ndërsa theksoi se përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme është “i papranueshëm” dhe se një armëpushim i plotë është urgjent.

Nga ana tjetër, Putin e cilësoi marrëdhënien me Kinën si “në një nivel të paprecedentë”, duke shtuar se Rusia mbetet një furnizues i besueshëm energjie në kohën e krizave globale. Ai ftoi Xi të vizitojë Rusinë vitin e ardhshëm.

Marrëdhëniet mes Pekinit dhe Moskës janë forcuar ndjeshëm vitet e fundit, me të dy liderët që shpesh i referohen njëri-tjetrit si “mik i dashur” dhe “mik i vjetër”. Gjatë takimit, Putin përdori edhe një proverb kinez për të përshkruar pritjen e tij për takimin me Xi: “Edhe nëse nuk shihemi për një ditë, duket sikur kanë kaluar tre vjeshta.”

Ndërkohë, ekonomia ruse, e goditur nga sanksionet për shkak të luftës në Ukrainë, mbetet e varur nga bashkëpunimi ekonomik me Kinën, e cila është partneri më i madh tregtar i Moskës dhe blen pothuajse gjysmën e eksporteve ruse të naftës.

Takimi Xi-Putin po shihet gjithashtu në kontekstin e rivalitetit mes Kinës dhe SHBA-së, sidomos pas vizitës së fundit të Donald Trump në Pekin. Kremlini deklaroi se rëndësia e samitit nuk qëndron tek ceremonia, por tek përmbajtja dhe rezultatet e bisedimeve. /The Guardian/

 

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Panairi i Ushqimit në UBT Prizren bashkon akademinë, industrinë dhe inovacionin ushqimor

Published

on

By

Në një atmosferë që ndërthurte traditën, inovacionin dhe bashkëpunimin profesional, në ambientet e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren u mbajt edicioni i radhës i “Panairit të Ushqimit”, organizuar nga Fakulteti i Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT. Ky aktivitet, që tashmë është shndërruar në një platformë të rëndësishme akademike dhe profesionale, mblodhi studentë, profesorë, ekspertë të industrisë ushqimore, përfaqësues institucionesh dhe biznese vendore e ndërkombëtare.

Në prani të Rektorit të UBT-së, Edmond Hajrizi, nënkryetarit të Komunës së Prizrenit, Furkan Bytyç, kryetarit të Shoqatës ESNAF, Varis Xhejlani, dekanit të Fakultetit Shkenca të Ushqimit dhe Bioteknologji në UBT, Fidan Feka, përfaqësuesve të industrisë dhe stafit akademik, panairi dëshmoi edhe një herë rolin që UBT po luan në ndërlidhjen e dijes me praktikën dhe tregun e punës.

Studentët prezantuan produkte ushqimore tradicionale dhe inovative, të realizuara përmes punës praktike në laboratorët modernë të UBT-së, duke demonstruar njohuritë profesionale dhe kreativitetin e tyre në fushën e teknologjisë ushqimore dhe bioteknologjisë. Vizitorët patën mundësi të shijojnë produkte të ndryshme, të njihen me teknikat moderne të përpunimit ushqimor dhe të shohin nga afër standardet profesionale që po ndërtohen në këtë program studimi.

Në fjalën e tij, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, e cilësoi këtë aktivitet si një organizim natyrshëm të ndërtuar mes universitetit, komunës dhe industrisë.

“Ky është një organizim organik. Edhe komuna, edhe industria, edhe ne po bashkohemi natyrshëm sepse e dimë rëndësinë që ka zhvillimi i kësaj fushe. Është krijuar një format shumë i mirë, sidomos me ardhjen e kompanive të ndryshme këtu. Ia vlen të kemi një momentum të tillë dhe shpresoj që në vitet e ardhshme të na bashkëngjiten edhe më shumë qytetarë. Prizreni dhe i gjithë rajoni janë konfirmim i traditës dhe zhvillimit në industrinë ushqimore”, tha ai.

Ndërkaq, drejtori i Qendrës së UBT-së në Prizren, Vehbi Sofiu, theksoi se panairi tashmë është bërë pjesë tradicionale e aktiviteteve akademike në këtë qendër.

“Ky është viti i katërt që ky panair organizohet dhe tashmë është shndërruar në një ngjarje tradicionale, e cila po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha në lidhjen e shkencës, njohurive profesionale dhe industrisë”, u shpreh ai.

Drejtori i Institutit të Forenzikës në UBT, profesori Cengiz Cesko, vlerësoi zhvillimin që ka marrë aktiviteti ndër vite.

“Sot po dëshmojmë rritjen e një ideje dhe të një emri. Kur kemi filluar, gjithçka ishte më e thjeshtë dhe më modeste. Tash ky është një aktivitet gjithnjë në rritje falë punës dhe angazhimit të secilit student. Është një aktivitet ku bashkohen shkenca, dija, praktika dhe teoria”, deklaroi ai.

Panairi përfshiu gjithashtu prezantime nga kompani të industrisë ushqimore, takime networking ndërmjet studentëve dhe sektorit privat, shpërndarje të certifikatave dhe diskutime mbi trendet moderne në teknologjinë ushqimore, sigurinë ushqimore dhe ushqyerjen e shëndetshme.

 

 

Continue Reading

Sport

Freiburg dhe Aston Villa përballen sonte në finalen e Ligës së Evropës

Published

on

By

Sonte do të luhet finalja e madhe e Ligës së Evropës, ku Freiburg dhe Aston Villa do të përballen për trofeun e dytë më të rëndësishëm të futbollit evropian për klube.

Të dy ekipet vijnë në këtë finale pas një sezoni të suksesshëm në garë, duke treguar formë të lartë dhe duke eliminuar rivalë të fortë në fazat eliminatore.

Ndeshja finale do të zhvillohet në orën 21:00, në stadiumin “Beşiktaş Park”, dhe pritet të sjellë një duel të fortë mes përfaqësuesit gjerman dhe atij anglez.

Si Freiburg ashtu edhe Aston Villa synojnë ta mbyllin sezonin evropian me trofe, në një finale që pritet të jetë e luftuar deri në minutat e fundit.

Continue Reading

Sport

Ferizaj dhe Dukagjini përballen nesër në finalen e Kupës së Kosovës

Published

on

By

Finalja e Kupës së Kosovës në futboll do të zhvillohet nesër, më 21 maj 2026, ku Ferizaj dhe Dukagjini do të luftojnë për trofeun e madh të sezonit.

Ndeshja është e programuar të nisë në ora 20:00 dhe do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Të dy skuadrat vijnë me synime të qarta për ta mbyllur sezonin me një trofe, ndërsa pritet një atmosferë e zjarrtë në kryeqytet me mbështetje të madhe nga tifozët.

Ferizaj dhe Dukagjini kanë arritur në finale pas një rrugëtimi të suksesshëm në Kupë, duke eliminuar kundërshtarë të fortë në fazat paraardhëse.

Fituesi i finales do të shpallet kampion i Kupës së Kosovës dhe do të sigurojë gjithashtu pjesëmarrje në garat evropiane për sezonin e ardhshëm.

 

Continue Reading

Lajmet

17 raste me fruth në Kosovë, IKShPK apel urgjent për vaksinimin e fëmijëve

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 20 maj 2026 janë konfirmuar gjithsej 17 raste me fruth në vend.

Sipas të dhënave zyrtare, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Ferizaj me gjashtë raste, pasuar nga Prishtina me katër raste, Kaçaniku me tre raste, ndërsa nga një rast është raportuar në Lipjan, Fushë Kosovë, Gjilan dhe Shtime.

IKShPK bëri të ditur se të gjitha rastet e konfirmuara janë persona të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubella. Po ashtu, të prekurit kanë pasur nevojë për trajtim spitalor, çka sipas institutit tregon rrezikun serioz që paraqet kjo sëmundje dhe komplikimet që mund të shkaktojë.

Duke pasur parasysh natyrën shumë ngjitëse të fruthit, IKShPK u ka bërë thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurohen që ata të vaksinohen në qendrat e mjekësisë familjare.

Instituti rekomandon gjithashtu shmangien e kontakteve të panevojshme me persona që shfaqin simptoma të dyshimta si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë apo rrufë. Çdo person me shenja të mundshme të fruthit duhet të paraqitet menjëherë në institucionet shëndetësore.

Sipas IKShPK-së, institucionet shëndetësore po monitorojnë nga afër situatën epidemiologjike dhe në terren po ndërmerren masa konkrete për identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar, kontaktimin e prindërve dhe organizimin e ekipeve mobile për vaksinim, veçanërisht në zonat me mbulueshmëri më të ulët.

Instituti rikujtoi se vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik, duke paralajmëruar se çdo vonesë në vaksinim rrit rrezikun e përhapjes së sëmundjes dhe komplikimeve serioze, sidomos tek fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar.

 

Continue Reading

Të kërkuara