Lajmet

Xhaferi deklarohet pas pranimit të detyrës

Xhaferi u zotua se asnjëherë nuk do të mungojë funksionimi i rregullt institucional.

Published

on

Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi deklaroi se Kushtetuta dhe ligji do të jenë baza e çdo veprimi dhe vendimi në qeveri. Pas pranimit të detyrës, ai u shpreh se puna primare e kësaj qeverie është parapërgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve demokratike.

Në qeveri është bërë pranim-dorëzimi i detyrës në mes të ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të qeverisë teknike, Talat Xhaferi.

Pavarësisht se sa do të zgjasë kjo qeveri, Xhaferi u zotua se asnjëherë nuk do të mungojë funksionimi i rregullt institucional.

“Shpreh kënaqësinë dhe përgjegjësinë që e mora përsipër, duke e përsëritur atë që e thash edhe dje në ekspozenë time në Kuvend, respektivisht kushtetuta dhe ligji do të jenë baza mbi të cilën do e mbështes çdo vendim dhe veprim që e ndërmarrim si qeveri. Duke qenë se jemi në koalicionin qeveritar që punonte me programin e pranuar të punës së qeverisë 2022-2024, natyrisht se edhe qeveria që do e udhëheq unë obligohet që të vazhdojë me zbatimin e plot, efikas dhe të suksesshëm të politikave të pranuara në këtë program. S’do mend se puna primare e kësaj qeverie është parapërgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike, të rregullta dhe presidenciale me 24 prill dhe 8 maj dhe zgjedhjeve të rregullta parlamentare më 8 maj 2024”, deklaroi Xhaferi.

Pas pranimit të detyrës së kryeministrit, kryeministri teknik, Talat Xhaferi shtoi se avancimi i partneritetit strategjik të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbeten prioritet primar.

“Këtë dua ta theksoj edhe më fuqishëm tani në këtë diskurs gjeo-politik, ku çdo hezitim, lëkundje apo mos-pasje e orientimit të qartë evropian, mund të shfrytëzohet nga fuqi të treta të cilat janë në kërkim të aleatëve që mund të kenë polifoni në shprehjen e qëndrimeve shtetërore dhe potencimin e qartë të vlerave dhe përcaktimeve që përfaqësojnë vlerat e mirëfillta demokratike dhe paqedashëse. Kështu që për qeverinë ruajtja dhe promovimi i partneritetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të aleancës së NATO-s dhe mbetja besnik ndaj politikës së përbashkët të jashtme dhe sigurisë të Bashkimit Evropian nuk ka alternativë tjetër”, shtoi ai.

Dimitar Kovaçevski, i cili udhëhoqi qeverinë nga janari i vitit 2022, uroi Xhaferin për postin e kryetarit të qeverisë.

“Talat Xhaferit i uroj punë të suksesshme si kryetar i kësaj qeverie teknike me ministrat me zëvendësit. Besoj që qeveria do të jetë e përkushtuar fuqishëm në interesat, prioritet e qytetarëve dhe shtetit me kompetencat ligjore. Qeveria e re në periudhën që vijon, në 100 ditët e ardhshme do të organizojë zgjedhje parlamentare dhe presidenciale. Në të njëjtën kohë qeveria, shteti jonë si dhe bota është e drejtuar në sfida të mëdha. Duhet të ndahen dhe rregullohen sipas ligjit të përshtaten edhe nevojat e qytetarëve dhe detyrimeve që i kanë. Të gjitha procedurat ligjore dhe të cilat janë të përgatitura duhet të vazhdojnë për jetën e qytetarëve, bizneset, duhet të realizohen edhe më tutje”, përfundoi ai.

Kovaçevski dha dorëheqje më 25 janar ndërsa katër ditë më vonë, më 29 janar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u votua për kryeministër Talat Xhaferi i cili deri atëherë e drejtonte institucionin ligjvënës. Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut është nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Dorëheqja e ish-kryeministrit bazohet në Ligjin për zgjedhje dhe punën e Qeverisë, me qëllim formimin e Qeverisë teknike, e cila do të funksionojë 100 ditë, apo deri në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen më 8 maj.

Praktika e formimit të qeverive teknike, 100 ditë para zgjedhjeve në Maqedoni të Veriut, është vendosur në vitin 2016. Bazuar në ligjin për zgjedhje, pjesë e qeverise teknike do të jetë edhe opozita maqedonase.

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara