Internet

WSJ: Hakerët kinezë marrin qasjen e e-mailit të ambasadorit amerikan në Kinë

Kështu raportoi të enjten Wall Street Journal.

Publikuar

Hakerët e lidhur me Pekinin hynë në llogarinë e e-mailit të ambasadorit të ShBA-së në Kinë, në një operacion spiunazhi që mendohet se ka kompromentuar të paktën qindra mijëra e-maile të qeverisë amerikane, raportoi të enjten Wall Street Journal.

Daniel Kritenbrink, ndihmës sekretari i shtetit për Azinë Lindore, u hakua gjithashtu në operacionin më të gjerë të spiunazhit të zbuluar këtë muaj nga Microsoft, tha gazeta, duke cituar njerëz të njohur me këtë çështje, shkruan Reuters.

I pyetur në lidhje me hakimin e raportuar të llogarive të dy diplomatëve, Departamenti i Shtetit nuk pranoi të jepte ndonjë detaj dhe tha se hetimi për operacionin e spiunazhit ishte duke vazhduar.

Ambasada e ambasadorit amerikan Nicholas Burns në Pekin i referoi Reutersit vërejtjet e bëra nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken këtë muaj, kur ai tha se SHBA-ja “ia ka bërë të qartë Kinës, si dhe vendeve të tjera vazhdimisht se çdo veprim që synon qeverinë amerikane ose kompanitë amerikane, qytetarët amerikanë, është me shqetësim të thellë për ne dhe ne do të bëjmë reagimin e duhur”.

Një zëdhënës i ambasadës së Kinës në Uashington tha se Kina vazhdimisht kundërshtoi hakimin dhe hodhi poshtë spekulimet “të pabaza” në lidhje me burimin e sulmeve kibernetike.

“Kina kundërshton dhe lufton me vendosmëri sulmet kibernetike dhe vjedhjet kibernetike në të gjitha format. Ky pozicion është i qëndrueshëm dhe i qartë”, tha zëdhënësi Liu Pengyu në një përgjigje me email për Reuters.

“Identifikimi i burimit të sulmeve kibernetike është një çështje teknike komplekse. Shpresojmë që palët përkatëse të marrin një qëndrim profesional dhe të përgjegjshëm… në vend që të bëjnë spekulime dhe pretendime të pabaza”.

Përpara se të shfaqej raporti i WSJ-së, Kritenbrink u pyet në një seancë dëgjimore të Kongresit mbi politikën e ShBA-së për Kinën nëse ai mund të përjashtonte që e-mailet e tij ose të stafit të tij ishin në shënjestër të hakimit ndaj Microsoft-it.

“Nuk mund të komentoj një hetim që është duke u zhvilluar nga FBI, por jo, nuk do ta përjashtoj atë”, tha Kritenbrink.

Burns dhe Kritenbrink bashkohen me Sekretaren e Tregtisë së ShBA-së, Gina Raimondo, si viktimat e vetme të emërtuara publikisht të fushatës së spiunazhit, e cila shkaktoi një paralajmërim nga kryediplomati i Uashingtonit për homologun e tij kinez.

Internet

Pronari kinez i Tiktok-ut e paralajmëroi ShBA-në se ky aplikacion nuk do të shitet

Senati amerikan e miratoi ligjin i cili parasheh që kjo platformë duhet të shitet ose të ndalohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Publikuar

nga

Kompania kineze ByteDance, e cila ka në pronësi TikTok-un, se nuk e mendon shitjen e aplikacionit të famshëm, pasi senati amerikan e miratoi ligjin i cili parasheh që kjo platformë duhet të shitet ose të ndalohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fillim të javës, TikTok-u paralajmëroi se do të ankohet në gjykatë ndaj këtij vendimi, të cilin e konsideron “jo kushtetues”.

Ndërsa presidenti amerikan, Joe Biden, nënshkori të mërkurën ligjin mbi të cilin do të ndalojë TikTok-un në Shtetet e Bashkuara, gjë e cila pritet të ndodhë nëse pronari i saj nuk do ta shesë atë brenda një viti.

Shqetësimet mbi këtë platformë janë shprehur edhe nga zyrtarët ligjorë dhe të inteligjencës, se autoritetet kineze mund të detyrojnë ByteDance-in t’ia dorëzojë të dhënat e më shumë se 170 milionë amerikanëve që e përdorin TikTok-un.

Kjo kompani ka thënë se kurrë nuk i ka ndarë me autoritetet kineze të dhënat e përdoruesve amerikanë dhe se nuk do ta bëjë këtë edhe nëse i kërkohet./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Internet

Është aprovuar nga senati amerikan projektligji për ndalimin ose shitjen e TikTok-ut

Si pasojë e shqetësimeve të mëdha në mesin e ligjvënësve amerikanë se Kina mund të ketë qasje në të dhënat e qytetarëve amerikanë apo dhe t’i vëzhgojë ata përmes këtij aplikacioni.

Publikuar

nga

Senati amerikan e ka kaluar këtë të marte një projektligj i cili do të ndalojë TikTok-un në SHBA nëse pronari i saj, firma kineze ByteDance, nuk e shet brenda një viti.

Si pasojë e shqetësimeve të mëdha në mesin e ligjvënësve amerikanë se Kina mund të ketë qasje në të dhënat e qytetarëve amerikanë apo dhe t’i vëzhgojë ata përmes këtij aplikacioni, projektligji u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së të shtunën dhe presidenti amerikan, Joe Biden, tha se do ta nënshkruajë atë të mërkurën, për ta bërë ligj.

“Për shumë vite ne e kemi lejuar partinë komuniste të Kinës të ketë kontroll mbi njërin prej aplikacioneve më të njohura në Amerikë”, tha republikani Marco Rubio nga Komiteti i Inteligjencës.

“Ligji i ri do t’i kërkojë pronarit kinez ta shesë aplikacionin. Ky është vendim i mirë për Amerikën”, shtoi ai.

Beteja katërvjeçare për TikTok-un, i cili përdoret nga 170 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara, është vetëm njëri prej shumë fronteve në luftën e internetit dhe teknologjisë mes Uashingtonit dhe Pekini.

Apple tha se Pekini ka urdhëruar t’i largonte platformat e Meta-s, WhatsApp dhe Threads, nga dyqani i saj i aplikacioneve në Kinë, për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë kombëtare.

Ndërsa TikTok pritet ta sfidojë këtë projektligj përmes Amendamentit të Parë, dhe përdoruesit e TikTok-ut pritet të ndërmarrin veprime ligjore gjithashtu. Një gjykatës në Montana e parandaloi ndalimin e TikTok-ut në këtë shtet, duke u thirrur në lirinë e shprehjes.

Megjithatë dhe në vitin 2020, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, u përpoq ta ndalojë platformën e rrjetit social përmes një urdhri ekzekutiv. Ai urdhër u shfuqizua më vonë nga gjykatat, pas padisë nga TikTok.

Administrata Trump ndërmjetësoi gjithashtu një marrëveshje më 2020, sipas të cilës korporatat amerikane Oracle dhe Walmart, do të siguronin aksione të mëdha në TikTok mbi baza të sigurisë kombëtare. Por, shitja e aksioneve nuk ndodhi asnjëherë për një numër arsyesh, ndër to Kina, e cila vendosi kontrolle më të rrepta të eksportit për ofruesit e vet të teknologjisë./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Internet

TikTok paralajmëron SHBA-në: Ndalimi i mundshëm i TikTok-ut “shkelje e fjalës së lirë”

Gjatë muajve të fundit zyrtarët amerikanë kanë shprehur alarmin për popullaritetin e TikTok te të rinjtë.

Publikuar

nga

TikTok thotë se ndalimi i mundshëm i aplikacionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të konsiderohet “shkelje e fjalës së lirë” të 170 milionë amerikanëve.

Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së votoi të shtunën për të ndaluar TikTok-un nëse pronari i aplikacionit nuk i ndërpret lidhjet me Kinën.

Legjislacioni është pjesë e një pakete të politikës së jashtme të SHBA-së, ku mes tjerash përfshihej ndihma për Ukrainën dhe mund të bëhet ligj që në fillim të javës së ardhshme.

Gjatë muajve të fundit zyrtarët amerikanë kanë shprehur alarmin për popullaritetin e TikTok te të rinjtë. Ata pretendojnë se pronari i TikTok, Bytedance, është i nënshtruar ndaj Pekinit – akuza që ai i ka mohuar vazhdimisht./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Internet

​Google pushon 28 punonjës për protesta kundër kontratës së kompanisë me Izraelin

“Sjelljet e tilla nuk kanë vend në vendin tonë të punës dhe ne nuk do ta tolerojmë atë”, thuhet në deklaratë.

Publikuar

nga

Google pushoi 28 punonjës për përfshirjen e tyre në një protestë 10-orëshe në dy nga zyrat e gjigantit të teknologjisë në Kaliforni dhe New York City, për protesta ndaj lidhjeve të kompanisë me Izraelin.

Në përgjigje të protestave të së martës të udhëhequr nga një grup i quajtur No Tech For Apartheid kundër Projektit Nimbus, një kontratë “cloud” 1.2 miliardë dollarësh me Izraelin, Google të mërkurën shkarkoi 28 punonjës të akuzuar për pjesëmarrje në protesta.

Chris Rackow, kreu i sigurisë globale i Google, theksoi politikën e tolerancës zero të kompanisë ndaj sjelljes së protestuesve në një mesazh dërguar të gjithë punonjësve që qarkulloi gjithashtu në mediat sociale.

“Sjelljet e tilla nuk kanë vend në vendin tonë të punës dhe ne nuk do ta tolerojmë atë”, thuhet në deklaratë.

“Pas hetimit, sot ne ndërpremë punësimin e njëzet e tetë punonjësve që u gjetën të përfshirë. Ne do të vazhdojmë të hetojmë dhe të marrim masa sipas nevojës”, shtoi ai.

Rreth 10 orë pas protestave, policia arrestoi grupe punonjësish në New York dhe Kaliforni, raportoi grupi në X.

Pushimet, të cilat ndodhën vetëm disa orë pasi nëntë punonjës u arrestuan nga policia gjatë protestave kanë nxitur një valë polemikash brenda kompanisë dhe më gjerë./AA/

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara