Lajmet

Vizita e Lajçakut vlerësohet joproduktive, pesimizëm për zhbllokim të dialogut

Sipas njohësve të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ky proces ka hyrë në një ngërç të ri dhe se s’ka asnjë indicie që situata po shkon drejt zgjidhjes.

Published

on

Pavarësisht vizitës së djeshme të emisarit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak në Kosovë dhe paralajmërimeve për takim të radhës të kryengociatorëve në Bruksel, pritjet për rezultate në dialog janë minimale, madje edhe për gjetjen e një zgjidhje për Rregulloren e BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit serb në Kosovë. Sipas njohësve të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ky proces ka hyrë në një ngërç të ri dhe se s’ka asnjë indicie që situata po shkon drejt zgjidhjes, veçmas kur brenda pak muajsh do të mbahen zgjedhjet e reja në Bashkimin Evropian.

Drejtori ekzekutivi i Lëvizjes Çohu, Arton Demhasaj, thotë se për aq kohë sa nuk jepet një zgjidhje për çështjen e dinarit, s’do të ketë diskutim për zbatimin në tërësi të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Sipas tij, qeveritarët kanë gabuar që nuk kanë dëgjuar këshillat e amerikanëve për shtyrje të këtij vendimi, derisa tash për këtë temë pritet të diskutojnë në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.

“Rregullorja e re e BQK-së për dinarin në një mënyrë e ka bllokuar procesin e dialogut. Krejt energjia e emisarëve, njëkohësisht edhe palëve në dialog është orientuar kah çështja e dinarit. Për aq kohë sa nuk ka me u jep një zgjidhje për çështjen e dinarit mendoj se s’ka me pas dialog dhe as diskutim për zbatim të marrëveshjes bazë. Takimi i djeshëm temë kryesore ka qenë çështja e dinarit, me shumë gjasë edhe takimi i ardhshëm që pritet të organizohet në Bruksel mes dy kryesuesve të dy delegacioneve do të jetë temë e diskutimit dinari. Kur t’i jepet zgjidhje problemit të dinarit, atëherë mendoj se presioni do të kthehet prapë te marrëveshja bazë, zbatimi i saj që lidhet me kryerjen e obligimeve nga dy palët”, thotë Demhasaj.

Në anën tjetër, politologu, Albinot Maloku, thotë se vizita e Lajçak në Prishtinë është më shumë në vazhdën e përpjekjeve të tij për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. Mirëpo, ai shton se pa një sekuencim të qartë dhe të balancuar për zbatimin e marrëveshjes nuk pret që të ndodh një gjë e tillë.

“Ai me siguri që do të provojë maksimalisht të shtyjë përpara çështjen e të ashtuquajturës marrëveshje bazike, apo pajtimit të ndodhur në Bruksel dhe Ohër, që faktikisht Kosova e ka dhënë Po-në e vet, pavarësisht faktit se nuk ka nënshkrim. Nga lehtësuesi i dialogut dhe faktori tjetër ndërkombëtar po na thuhet se nuk është e nevojshme të kemi nënshkrimin, për pasojë palët janë të obliguara të jetësojnë pajtimin e ndodhur në Bruksel dhe Ohër. Kosova e ka pjesën e saj, tash a ka përparim në drejtim të shtyllave thelbësore për të jetësuar nuk ka. Kemi një letër të kryeministres serbe që theksojnë se nuk do të jetësojnë pjesë të kësaj marrëveshje, ndërsa në anën tjetër, qeveria e Kosovës zvarrit dhe gjen metoda nga më të ndershme që mos të jetësojnë marrëveshjen. Lajcak e ka pjesë e vet të mandatit të mbetur dhe do të insistojë në jetësimin e pajtimit të ndodhur në Bruksel dhe Ohër”, deklaron ai.

Ndërkaq Demhasaj konsideron se pavarësisht vizitës së Lajçakut në Kosovë, s’ka asnjë indicie se situata po shkon drejt zgjidhjes sa i përket ndalimit të përdorimit të dinarit serb.

“Momentalisht s’ka indicie që situata po shkon drejt zgjidhjes. Në njërën anë qeveria po këmbëngul që çështja e rregullores është në kompetencë të BQK-së si organ i pavarur, ndërsa në anën tjetër presioni ndërkombëtar është që kjo rregullore duhet të shtyhet dhe t’i jepet kohë zbatimit të marrëveshjes. Kështu që momentalisht s’ka apo nuk po duket se ka një zgjidhje”, thekson Demhasaj.

Lajçak të martën ka qëndruar në Kosovë, ku është takuar me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi. Pas takimit, ai ka thënë se do të dëshironin të shohin përparim më të madh në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

Sipas tij, kjo marrëveshje, e cila ditë më parë ka bërë 1 vit nga nënshkrimi është ujdia më e mirë që Kosova dhe Serbia mund të arrijnë. Krahas kësaj, ai ka bëri të ditur se kanë diskutuar edhe për çështjen e dinarit serb, ndërkaq paralajmëroi se shumë shpejtë do të ketë takim të kryenegociatorëve në Bruksel. Ndërkaq sipas komunikatës qeveritare, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në takim me Lajçak ka potencuar se Rregullorja e BQK-së nuk është pjesë e dialogut me Serbinë, derisa ka theksuar nevojën e zbatimit të marrëveshjes bazike Kosovë-Serbi.

Rajoni

Protestuesit sulmojnë objektin e Gjykatës së Apelit

Published

on

By

Protestuesit në Shqipëri kanë hyrë në objektin e Gjykatës së Apelit. 

Pasi kanë qëndruar për pak minuta aty, ata janë larguar. 

Kjo është hera e parë që është sulmuar objekti i Gjykatës së Apelit.

Pasi janë larguar protestuesit, në vendngjarje kanë arritur pjesëtarë të Policisë. Njëri prej protestuesve është shoqëruar në Polici.

Continue Reading

Vendi

Presidenti i Malit të Zi në vizitë në Kosovë

Published

on

By

Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë. 

Policia e Kosovës ka njoftuar se sipas detyrës zyrtare, do të ndërmarrë masat e sigurisë si dhe do të kujdeset për rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të tij në Kosovë.

Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës, sipas itinerarit të lëvizjes, nga pika kufitare Kullë – Pejë, si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës në rajonin e Pejës, Policia e Kosovës, sipas nevojës, do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. 

Continue Reading

Rajoni

Alarm për bombë në disa institucione në Shqipëri

Published

on

By

Një mesazh kërcënues për bombë ka mbërritur në disa institucione shtetërore në Shqipëri. A2 CNN raporton se një email ka kërcënues ka mbërritur në kryeministri, ministri, institucione të drejtësisë dhe Bankën e Shqipërisë.

“Ju njoftojmë urgjentisht se në këtë moment brenda ndërtesës është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO). Sot, me lejen e Allahut, do të kryejmë një seri sulmesh terroriste të planifikuara në territorin e vendit. Ajo që do të përjetoni sot është vetëm fillimi. Një ditë, qeveria juaj do të dorëzojë pushtetin dhe do të vendoset Sheriati”, thuhet në mesazh.

Pas marrjes së mesazhit, është boshatisur Gjykata dhe Prokuroria e Fierit. Administrata është alarmuar, ndërsa në zonë është shtuar prania e forcave të Policisë. /A2 CNN/

Continue Reading

Lajmet

Vitia: 53.4 për qind e grave me kancer të gjirit diagnostikohen në stadin e parë dhe të dytë

Published

on

By

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se 53.4 për qind e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit në Kosovë janë identifikuar në stadin e parë dhe të dytë të sëmundjes, duke theksuar rëndësinë e zbulimit të hershëm për suksesin e trajtimit dhe rritjen e mundësive për mbijetesë.

Këtë deklaratë Vitia e bëri në Simpoziumin e Tretë për Kancerin e Gjirit, të organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, ku u diskutua për ndërgjegjësimin, diagnostikimin e hershëm dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për gratë.

Ai bëri të ditur se mamografia ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore, ndërsa gjatë këtij viti pritet të shtohen edhe tetë mamografë digjitalë në komunat ku mungojnë këto pajisje. Gjithashtu, përmes mamografit mobil, shërbimi po u ofrohet edhe grave në komunat që nuk kanë aparatura të tilla.

Sipas Vitisë, Kosova tashmë ka edhe planin e veprimit për skriningun e kancerit të gjirit për periudhën 2026–2028, me synim përmirësimin e diagnostikimit dhe qasjes në shërbime shëndetësore.

Ndërkaq, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë realizuar gjithsej 1.847 mamografi në kuadër të aktiviteteve për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Prej tyre, 463 janë kryer vetëm gjatë muajit tetor.

Gashi njoftoi gjithashtu se gjatë këtij viti, deri në ditën e mbajtjes së simpoziumit, janë realizuar 700 mamografi, prej të cilave rreth 150 gjatë muajit tetor.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara