Lajmet

Viti me rritjen më të lartë të çmimeve

Rritja më e lartë është vërejtur te buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët dhe perimet.

Published

on

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore e ka vështirësuar sigurimin e artikujve të nevojshëm për familjen me gjashtë anëtarë, Përvetica, nga Prishtina.

Kjo familje jeton vetëm me 200 euro të pensionit të kryefamiljarit 76 vjeç Sheqirit. Katër fëmijët e tij, dy vajza dhe dy djem, janë në moshë pune, por të papunë.

“Unë vetëm ua jap fëmijëve paratë e pensionit dhe ata dalin blejnë. Ata po ankohen se janë rritur çmimet. Pensioni nuk mjafton, po çka të bëjmë…aq sa kemi, blejmë”, thotë Pervetica.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se norma vjetore e inflacionit në muajin nëntor të këtij viti ka arritur në 6.9 për qind, nga 0.1 për qind sa ka qenë në periudhën e njëjtë të vitit 2020.

Rritja më e lartë është vërejtur te buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët dhe perimet. Përveç produkteve për ushqim, në Kosovë është paralajmëruar edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe ujit.

Situatë e ngjashme me çmime është edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë.

Rritja e çmimeve ka ardhur për shkak të pengesave në zinxhirin e furnizimeve që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, si edhe për shkak të rritjes së çmimeve të gazit.

Rritjen e çmimeve të ushqimeve me vështirësi po e përballon edhe familja prej shtatë anëtarësh e Miradije Shabanit. Miradija, rreth 50 vjeç është nënë e pesë fëmijëve. Ajo punon në një dyqan në sektorin privat dhe për këtë paguhet 300 euro në muaj. Përveç Miradijes, pagë 320 euro merr edhe vajza saj, e cila punon po ashtu në sektorin privat.

“Me dy paga në familje me vështirësi po ia dal që t’i blej gjërat elementare. Çdo produkt është shtrenjtuar deri në një euro. Vaji është bërë gati dy euro. Paga po shpenzohet vetëm për ushqim, asgjë tjetër nuk mund të llogarisësh”, tha ajo.

Një litër vaj vitin e kaluar ka kushtuar 1.13 euro, përderisa tashmë ka arritur në 1.64 euro.

“Çmimet janë më të larta se sa ato zyrtare”

Inflacioni në këtë vit, konsiderohet më i larti në dekadën e fundit, thotë Selatin Kaçaniku, drejtor i organizatës “Konsumatori”.

Ai konsideron se çmimet janë më të larta sesa që paraqiten në të dhënat zyrtare. Sipas tij, rritja reale e çmimeve është rreth 12 për qind.

“Ne, si konsumatorë, e vërejmë në shportë se kemi rritje të çmimevenë sasi, në cilësi, në skadim dhe të tjera. Me këto paga, të gjitha familjet e Kosovës meritojnë një medalje për gjeturinë, për mënyrën se si ia dalin të bashkojnë fillimin me fundin e muajit”, vlerëson Kaçaniku.

Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet të jetë rreth 460 euro. Paga mesatare bruto në sektorin publik është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro.

Kurse, paga minimale është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Edhe profesori i Ekonomisë, Musa Limani, thotë se pagat në Kosovë janë shumë të ulëta për të përballuar inflacionin.

“Paga prej 300 eurosh është vetëm pagë minimale. Kjo pagë – sipas përllogaritjeve që kam bërë vitin e kaluar, në bazë të çmimeve publike të ASK-së, ka rezultuar se shporta mujore e jetesës është 300 euro në muaj – kur kësaj shporte i shtohet rritja e çmimeve gjatë këtij viti, atëherë edhe 1/3 e pagës shpenzohet për ushqim”, thotë ai.

Por, Sheqir Përvetica thotë se përveç ushqimit, të larta janë edhe faturat për shërbime komunale, përfshirë energjinë elektrike.

“ Rryma, uji, mbeturina duhet paguar. Nuk di, situatë e keqe. Dikush po ka shumë (para) e dikush as bukën nuk mundet ta sigurojë”, thotë ai.

Musa Limani dhe Selatin Kaçaniku thonë se rritja e çmimeve i ka goditur më së shumti familjet me asistencë sociale, pensionistët dhe ata të papunë.

Numri i përgjithshëm i përfituesve të skemave sociale gjatë këtij viti ka arritur në më se 25,500 familje me më shumë se 101,000 anëtarë.

Ndërsa, shkalla e papunësisë në Kosovë paraqitet rreth 26 për qind ose 0.8 për qind më e lartë se vitin e kaluar./REL

Vendi

Sot shënohet 29-vjetori i protestave studentore të 1 Tetorit 1997

Published

on

By

Sot shënohet 29-vjetori i protestave të Lëvizjes Studentore, të cilat vlerësohen si një nga kthesat më të mëdha historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Protesta paqësore e 1 tetorit të vitit 1997 u organizua si përgjigje ndaj masave të dhunshme të regjimit të Slobodan Milosheviqit, i cili kishte dëbuar studentët dhe profesorët shqiptarë nga objektet universitare, duke imponuar me forcë plan-programin serb.

E prirë nga rektori i atëhershëm, Ejup Statovci, së bashku me drejtuesit e Lëvizjes Studentore si Bujar Dugolli, Albin Kurti, Driton Lajçi e Muhamet Mavraj, marshimi paqësor u ndërpre dhe u shpërnda me dhunë brutale nga policia serbe. Si pasojë e ndërhyrjes policore, dhjetëra studentë dhe profesorë mbetën të lënduar e të arrestuar.

Akti i guximshëm i studentëve mori një jehonë të jashtëzakonshme në mediat vendore dhe ato ndërkombëtare, duke tejkaluar çdo zhvillim tjetër politik të asaj periudhe. Kjo ngjarje historike konsiderohet si një pikë kthese që vendosi çështjen e Kosovës në krye të agjendës diplomacisë ndërkombëtare.

Continue Reading

Aktualitet

Ish-presidentit Hashim Thaçi i vazhdohet paraburgimi për rastin e pengimit të drejtësisë

Published

on

By

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur t’i vazhdojnë masën e paraburgimit ish-presidentit Hashim Thaçi, në procesin gjyqësor ku ai akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin.

Vendimi është marrë më 30 shtator 2026 nga gjykatësi i vetëm i rastit, Christopher Gosnell, i cili konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet se i akuzuari mund të pengojë ecurinë e procesit apo të kryejë vepra të tjera penale.

Në arsyetimin e saj, gjykata bëri me dije se gjatë marrjes së këtij vendimi ka pasur parasysh edhe shpalljen fajtor dhe dënimin e mëparshëm të Thaçit në çështjen gjyqësore për krime lufte. Sipas njoftimit zyrtar të Speciales, ky dënim nuk e ndryshon nevojën për rishikime periodike të paraburgimit në rastin aktual, i cili vlerësohet në bazë të faktorëve specifikë të kësaj çështjeje.

Gjatë seancës fillestare të mbajtur më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarit e tjerë u deklaruan të pafajshëm për të gjitha akuzat. Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se bëhet fjalë për veprime të koordinuara në grup me qëllim pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.

Ndaj ish-presidentit Thaçi në këtë çështje rëndojnë tri akuza për pengim të personave zyrtarë, tri akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, si dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Publikohet në revistën ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology” studimi i profesorëve të UBT-së për sigurinë e barnave të hipertensionit

Published

on

By

Një studim i ri farmakoepidemiologjik i realizuar nga profesorët e UBT-së, Arieta Hasani Alidema dhe Fitim Alidema, ka sjellë të dhëna me rëndësi mbi përdorimin, sigurinë dhe rivlerësimin e hershëm klinik të terapisë antihipertensive në kujdesin parësor shëndetësor.

Hulumtimi shkencor, i publikuar në revistën ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology“, bazohet në analizën e 1,212 pacientëve të rritur me hipertension arterial, të trajtuar në kujdesin parësor gjatë periudhës janar 2024 – korrik 2026. Mosha mesatare e pacientëve të përfshirë në studim ishte 63.4 vjeç, ku 60.8% e tyre ishin gra dhe 80.1% banorë të zonave rurale, ndërsa mbi 82% e tyre vuanin nga hipertensioni i shkallës së dytë dhe të tretë.

Sipas gjetjeve të studimit, bari më i përshkruar nga mjekët ishte Losartani 40 mg në 56.4% të rasteve, i ndjekur nga Lisinoprili 5 mg me 25.7%. Reaksionet e padëshiruara nga barnat u dokumentuan te 25.2% e pacientëve, duke treguar dallime të ndjeshme statistikore ndërmjet klasave të ndryshme të antihipertensivëve. Në veçanti, analizat treguan se bllokuesit e kanaleve të kalciumit shoqëroheshin me mundësi më të larta për shfaqjen e efekteve anësore, ndërsa përdorimi i statinave dhe trajtimi kronik i rregullt lidheshin me një shkallë më të ulët të këtyre reaksioneve.

Gjithashtu, studimi nxori në pah se rivlerësimi i hershëm klinik brenda 7 deri në 30 ditë u realizua te 96.9% e pacientëve me përcjellje të dokumentuar, çka dëshmon rëndësinë e monitorimit të afërt. Përmes këtij hulumtimi, profesorët e UBT-së nënvizojnë nevojën për një qasje të individualizuar dhe ndjekje të strukturuar të pacientëve në mjekësinë familjare, me qëllim optimizimin e trajtimit dhe rritjen e sigurisë shëndetësore.

Continue Reading

Lajmet

Arbër Havolli dënohet me 20 vjet burgim për vrasjen në Llapashticë të Podujevës

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 20 vjet burgim unik Arbër Havollin, i akuzuar për vrasjen e ndodhur më 6 shtator 2025 në fshatin Llapashticë e Epërme të Podujevës.

Trupi gjykues e dënoi Havollin me 19 vjet burgim për veprën penale “Vrasje” dhe me dy vjet burgim për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, duke shqiptuar ndaj tij dënimin unik prej 20 vjetësh burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

I dënuari është ngarkuar po ashtu me shpenzimet e procedurës penale, përkatësisht 150 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi brenda 30 ditëve nga dita e pranimit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 6 shtator 2025, rreth orës 19:30, në rrugën “Hysen Havolli” në Llapashticë të Epërme, Havolli ishte afruar te vetura e viktimës B.S., e cila ndodhej e ndalur përballë një marketi. Pas një bisede me viktimën, i akuzuari kishte shtënë nëntë herë me armë zjarri në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur. Havolli ishte arrestuar nga policia më 23 tetor 2025.

Continue Reading

Të kërkuara