Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
11 nëntor 1992
Të shtëna në qendër të Prishtinës
Sot, rreth orës 5,45 të mëngjesit, në Qendër të Prishtinës, afër Komandës Ushtarake të Prishtinës, qytetarët kanë dëgjuar të shtëna automatikësh. Mjetet serbe të informimit sot kanë njoftuar se në afërsi të Komandës Ushtarake të Prishtinës, gjatë një përleshjeje, është vrarë një civil dhe është plagosur rëndë një ushtar.
Dëshmitarët thonë se tre të rinj, duke kaluar afër Komandës Ushtarake, që është në qendër të Prishtinës, u provokuan nga roja dhe me këtë rast erdhi deri te përleshja. Njëri nga të rinjtë ia mori automatikun ushtarit dhe e qëlloi. Ndërkohë, nga pozicione tjera të rojeve u gjuajt në këta të rinj, dhe siç merret vesh, njëri nga këta mbeti i vrarë.
Dëshmitarët theksojnë se dy të tjerët arritën të ikin nga vendi i ngjarjes dhe njeri mund të jetë i plagosur.
Më vonë, është vërejtur se ushtarakët kanë bërë ndërrimin e vendit ku ishte vrarë i riu, që merret vesh, është shqiptar, Naser Rushit Selimi (1966), nga rrethina e Bujanovcit, student i vitit të katër të Fakultetit të Bujqësisë në Prishtinë. Ushtarakët pasi kryen inskenimin, bënë inçizimet, të cilat pritet t`ia servojnë opinionit.
Nga të shtënat e automatikëve të ushtarakëve janë goditur objektet e banimit përreth Komandës Ushtarake të Prishtinës. Dy plumba kanë goditur banesën e Remzi Berishës, “Sheshi i Republikës”, 16/29.
Ishim duke fjetur me gruan dhe katër fëmijët kur dëgjuam të shtëna. Nuk guxuam të dalim të shikojmë në dritare. Njëri nga dy plumbat ka arritur të depërtojë edhe në korridor, pasi ka qëlluar derën e hyrjes, deklaroi Remziu.
Gjatë natës edhe në pjesë të tjera të Prishtinës janë dëgjuar të shtëna armësh. Kjo është një praktikë e përhershme e serbëve civilë të armatosur.
Përfaqësuesit e misionit të përhershëm të KSBEsë në Kosovë, dolën në vendin e ngjarjes.
11 tetor 1993
Dojçe Wele: Policia e Maqedonisë burgosi disa shqiptarë
Radioja Dojçe Wele dje lajmëroi duke iu referuar lajmeve të Radios Maqedone se policia e këtij shteti parmbrëmë ka burgosur zëvendësministrin e mbrojtjes, Hysen Haskajn dhe zëvendësministrin e shëndetësisë Ymer Ymerin, të dy shqiptarë. Këta dy zëvendësministra shqiptarë në qeverinë e Maqedonisë, siç njofton Radioja e Kellnit u burgosën për shkak të dyshimit se kanë bërë përpjekje ose kanë formuar njësitë paraushtarake.
Radioja gjermane thekson se këto informacione që siç pohon i ka dhënë radioja e Maqedonisë, në Shkup nuk u vërtetuan zyrtarisht por as nuk u demantuan gjatë ditës së sotme. Në të njejtën kohë njoftohet se parmbrëmë gjatë natës policia e Maqedonisë ka burgosur shumë shqiptarë në Tetovë e Gostivar. Radioja nuk thekson arsyet e arrestimeve të tilla, por konfirmon se njoftimet vijnë nga burime mirë të informuara në Shkup.
11 nëntor 1994
Në komunën e Pejës gjatë periudhës janar-tetor u bastisën 59 familje
Vetëm gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti, policia serbe kryesisht nën pretekst të kërkimit të armëve në komunën e Pejës bastisi 59 familje shqiptare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Pejë.
Gjatë kësaj kohe policia serbe rrahu rëndë 178 persona, në institucione ndërhyri 10 herë, në të ashtuquajturën bisedë innformative ishin 140 sish, u plaçkitën 9 persona u konfiskuan 8 pasaporta, u maltretuan në forma të ndryshme 76 persona, në polici deri në tri ditë u mbajtën 6 persona, ndërsa procedura gjyqësore u hapën kundër 12 personave.
Vlenët të theksohet se edhe në komunën e Pejës, shifra e familjeve të bastisura shqiptare dhe e pesonave të keqtrajtuar është disa herë më e madhe, mirëpo shumica e personave rastet e bastisjeve dhe keqtrajtimeve nuk i kanë paraqitur në Komisionin për Informim të Degës së LDK-së në Pejë nga frika se do të pësojnë edhe më keq nga ana e policisë serbe, pasi që ka patur shumë raste kur policia u është kërcënuar atyre që rastet të mos i paraqesin në LDK.
11 nëntor 1995
U gjet një varrezë e përbashkët afër Shkodrës
Afër Shkodrës është zbuluar një varrezë e përbashkët, ku për më shumë se 20 vjet u pushkatuan dhe u groposën kundërshtarët politikë të regjimit komunist. Praninë e kësaj varreze e konfirmuan burimet e Komesariatit të këtij rrethi. Mësohet se varreza e përbashkët ndodhet rreth një kilometër larg Shkodrës në territorin e transmetuesit të Radio Shkodrës.
Njëri nga dëshmitarët e ekzistencës së kësaj varreze, inxhinieri i Radio Stacionit të Shkodës, Nikolin Noçi tha se ky vend ishte zgjedhur me kujdes nga ana e ekzekutorëve. Pushkatimet dhe groposjet e kufomave mendohet që të kenë filluar gjatë viteve ’70, për të vazhduar deri në fund të vitit 1990.
Burimet nga Komesariati i policisë bëjnë të ditur se veç të vrarëve në kufi, në këtë varrezë të përbashkët gjenden edhe trupat e të pushkatuarave për motive politike, në mesin e të cilëve edhe ata të revoltës të vitit 1985 në burgun e Qalbarit. Këtu gjenden edhe të pushkatuarit për krime ordinare, trupat e të cilëve nuk iu dhanë kurrë familjeve të tyre.
Ndërkohë dëshmitë rrënqethëse vinë pas zhvarrosjeve të para në këtë varrezë masive. Mendohet se janë varrosur rreth 40 kufoma. Kërkimet në këtë varrezë hasin në vështirësi nga fakti se në këtë zonë janë shtrirë një numër kabllosh të tensionit të lartë të rrjetit elektrik. Pritet të mësohen emrat e personave të groposur gjatë viteve dhe dëshmitë e tjera që lidhen me ekzistencën e kësaj varreze të përbashkët, transmeton “Bujku” njoftimi e Radio-Tiranës.
11 nëntor 1997
Malishevë: Një i ri nga Banja u mor 15 herë në polici
Brahim Xh. Shurdhaj (1968) nga Banja e Malishevës gjatë muajve të fundit në stacionin e policisë serbe në Suharekë u mor 15 herë në të ashtuquajturat biseda informative, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.
Njoftohet se i riu Brahim Xh. Shurdhaj është marrë në pyetje me pretekst të dorëzimit të armës dhe gjithashtu është pyetur për Fatmir Limajn, anëtar i Degës së PPK-së në Malishevë, i cili është arratisur në shkurt të këtij viti.
11 nëntor 1998
Shtime: Një i ri u lëndua nga granata
Shaban Dugolli (16) nga Pjetërshtica e Shtimes u lëndua të martën nga shpërthimi i një granate që kishte mbetur e pashpërthyer, njofton KMDLNJ.
Merret vesh se i plagosuri është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Foto: Shkodra