Kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja, Uran Ismaili ka premtuar se zëri i ankesave të qytetarëve do të dëgjohet gjatë qeverisjes së tij nëse fiton besimin për katër vjetët e ardhshëm në zgjedhjet komunale të 12 tetorit.
Gjatë shpalosjes së programit të tij në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, ai ka premtuar hapjen e sheshit “George Bush” me një shesh modern, nënkalim për vetura e hapësirë për këmbësorët dhe një zgjidhje për të zhbllokuar Prishtinën nga kaosi i kolonave të stërgjata.
Ismaili tha se zhbllokimi i trafikut do të ndodhë për 18 muaj, duke siguruar 100 autobusë të rinj, 60 semaforë të rinj dhe do të ndërtojnë parkingje në çdo hyrje të qytetit që të ulet fluksi i madh i veturave që hyjnë në kryeqytet.
“25 vjet pas qeverisjes lokale e sidomos këto vitet e fundit kanë treguar që qytetari as nuk është dëgjuar e as nuk është pyetur, planet kanë ardhur vetëm prej zyrave e jo prej lagjeve tona. Unë e kam pa dhe e shoh qeverisjen time pikërisht me atë lloj afërsie, me thirr qytetari lirë. Hapja e sheshit George Bush do të jetë vendimi në javën e parë të qeverisjes sime. Punimet do të fillojnë me shesh modern, nënkalim për vetura dhe hapësirë për këmbësorët për mbarë jo mbrapsht me plan jo me improvizi”, tha Ismaili.
Për problemin e mbeturinave në kryeqytet, kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili tha se do të blejnë 60 kamion të rinj, dy mijë e 100 kontejnerë.
Ndërsa për ndërtimet, Ismaili theksoi se gjashtë muajt e parë nuk do të japin leje për ndërtim, por do të vendosin rregulla strikte që ndërtimet të bëhen sipas planeve rregulluese, ku secila lagje do ketë nga një park 300 metra nga çdo banesë.
“Do të ndriçojmë një mijë rrugë të reja në qytet, do regjistrojmë, vaksinojmë dhe largojmë çdo qen endacak nga rrugët. Do të vendosim nga një oficer të sigurisë në çdo shkollë të qytetit për të rritur sigurinë e fëmijëve dhe nxënësve tanë. Do blemë 60 kamionë të rinj që ato të mblidhen rregullisht dhe çdo ditë, do të blejmë 2 mijë e 100 kontejnerë të rinj në shërbim te qytetarëve dhe bizneseve në çdo lagje”, shtoi Ismaili.
Fjalim mbajti edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i cili tha se Ismaili nuk merr përsipër asnjë punë që nuk e beson që mund ta zgjidh.
Në garën për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e 12 tetorit janë edhe kryetari aktual Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Besa Shahini nga Partia Socialdemokrate (PSD).