Aktualitet

Verës, tri njësi të KEK-ut në remont

Krasniqi: Remontet ndodhin çdo vjet në KEK, edhe sivjet do të ndodhë verës remonti i B1, B2 dhe A5

Published

on

Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi ka paralajmëruar se gjatë kësaj vere do të futen në remont tri njësi të KEK-ut, B1, B2, dhe A5.

Krasniqi gjatë raportimit në Komisionin për Mbikëqyrje Financiare tha se do të bëjnë përpjekje që të mos të rrezikohet furnizimi me energji elektrike për qytetarët e Kosovës si rezultat i remonteve në këtë blloqe.

“Remontet ndodhin çdo vjet në KEK, edhe sivjet do të ndodhë verës remonti i B1, B2 dhe A5. Por, do të mundohemi ta bëjmë në atë mënyrë që mos ta rrezikojmë furnizimin, por nuk mund t’i shmangemi kësaj. Kjo është teknika, kjo është”, theksoi Kransiqi.

Gjatë raportimit të Bordit dhe kryeshefit të KEK-ut në komisionin parlamentar nuk munguan as përplasjet ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës.

Të martën gjatë këtë shqyrtimit të auditimit të performancës “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018-2020)”, kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen Financiare, Hykmete Bajrami, theksoi se gjetjet nga auditori në KEK, janë tepër shqetësuese, pasi ka dhjetëra kontrata të firmosura me negocim të drejtpërdrejt dhe mungesë të transparencës.

Madje deputetja nga LDK-ja, Bajrami thotë se të gjeturat në KEK çojnë në dyshime për mashtrim dhe korrupsion. Ajo ka numëruar kontratat, edhe sa i përket blerjes së kushinetave, të cilat sipas saj, kanë qenë të dëmshme për buxhetin e KEK-ut.

“Ne si deputetë kërkojmë që të ndërmerrni masa ndaj të gjithë këtyre që kanë bërë shkelje. Në anën tjetër auditorët u deklaruan se nuk kanë hasur në mashtrime. Ne tani saktë nuk po e dimë se çka kualifikon ZKA si mashtrim, mirëpo nëse në procedurë të tenderimit të hapur refuzohen dy kompani për papërgjegjshmëri, për mungesë të kritereve dhe prapë hyhet për negocim të drejtpërdrejt me njërin prej operatorëve që ka qenë I papërgjegjshëm dhe largohen komplet kriteret, nuk e di se si mund të kualifikohet ndryshe përpos mashtrim, edhe dyshim për korrupsion”, tha ajo.

Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, nuk ka mohuar të gjeturat nga auditori, por tha se nuk merr përgjegjësi, pasi që në krye të KEK-ut ka ardhur në tetor të vitit 2021.

“Shumica e këtyre gjetjeve nga Zyra Kombëtare e Auditimit qëndrojnë dhe nuk mund ta themi të kundërtën. Megjithëse kohë pas kohe ka gjëra që mund të jenë edhe çështje specifike, por natyra e punës së KEK-ut duke sikur ka pasur neglizhencë. Unë në këtë pozitë jam nga tetori i vitit të kaluar, kështu që periudha që po flasim është para se unë me qenë aty. Dhe nuk mund të jap përgjigje për të gjithë ato pyetje eventuale që mund të jenë… qëndron edhe ajo që neglizhenca ka ndikuar që pastaj që KEK-u të hynë në prokurime të cilat i shkelin rregullat e prokurimit. Sepse ka çështje që mund të planifikohen shumë më herët, por kur të vjen çështja në fund jemi të detyruar të bëjmë transportin e punëtorëve, sigurimin fizik dhe shumë shërbime tjera pastaj detyrimisht për shkak të kohës që duhet të fillojë shërbimi ndodhin negociatat e drejtpërdrejta”, theksoi Krasniqi.

Edhe deputeti nga PDK-ja, Rashit Qalaj, raportin e prokurimit në KEK e ka vlerësuar si mjaft të keq dhe shqetësues. Sipas tij, procesi i prokurimit në KEK është i dyshimtë.

“Kështu nuk kam parë në asnjë institucion deri më tash. Nuk po them që KEK-u nuk ka bërë punë të mira, por ne po i referohemi këtij raporti me të gjetura. Procedurat që janë zhvilluar nga prokurimi, për mua është shumë e dyshimtë”, theksoi Qalaj.

Kryeshefi ekzekutiv në KEK, Krasniqi ka pranuar se ka kontrata njëburimore pa përfillur procedurat e tenderimit dhe që paralajmëroi se do të ndodhin prapë në të ardhmen në KEK.

“A ka edhe a do të ketë kontrata të negociuara në KEK? Po, do të ketë, sepse tek turbinat nuk mund të bëjmë tender të hapur, edhe të aplikojnë kompanitë të cilat s’kanë të bëjnë me turbinat dhe nuk mund të marrësh dikë tjetër. Kështu që do të ketë kontrata me negocim, por do të jenë me më shumë operatorë”, theksoi ai.

Gjatë raportimit, pati një përplasje verbale ndërmjet deputet të PDK-së, Hajdar Beqa dhe Halil Thaçit nga VV-ja.

Beqa tha se Thaçi ka pasur ndikim në konkursin e fundit në KEK, derisa deputeti i VV-së tha se këto janë shpifje.

“A ka kontrata tani me negocim? Sepse kriza energjetike nuk është vetëm 2018-2020, por fatkeqësisht është pikërisht në periudhën që udhëhiqet nga ky bord, nga ky kryeshef dhe nga kjo qeveri. Nëse do me fol diçka tjetër dil në anën e raportuesve. Kur flas unë flas unë. I kemi ftuar drejtues të KEK-ut, KEK është i Kosovës dhe është aset i rëndësishëm. Nuk je zëdhënës i KEK-ut. Unë kam informata edhe për skandalet, pikërisht ti, që ke pasur takim edhe për punësimet me kryeshefin”, tha Beqa kurse Thaçi ia ktheu duke i thënë “shpifje, kjo është shpifje, ti je shpifës”.

Reagim ndaj deputetit Beqa pati edhe deputeti tjetër nga VV-ja, Eman Rrahmani. Ky i fundit tha se keqemenaxhimi në KEK është si pasojë e qeverisjes së PDK-së dhe AAK-së.

“Pajtohem me ty plotësisht kur thua që nëse vazhdohet në bazë të këtyre të gjeturave nga auditori, ne në 2022 do të kemi krizë, katastrofë, për shkak se kjo është pasqyrë e qeverisjes PDK-AAK. Por, të shpresojmë që bordi i ri dhe kreyshefi në raportin e ardhshëm mos me qenë me të gjeturat e tilla të cilat janë të patolerushme”, theksoi Rrahmani.

Edhe Skender Haziri, kryesues i bordit të KEK-ut, tha se nuk ka informata të plota për aktivitetet e prokurimit që kanë ndodhur në periudhën 2018-2020, por premtoi se Bordi i ri do të marrë masa për përmirësimin e prokurimit në KEK.

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Vendi

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Live

Piloti hero parandalon tragjedinë në ajër: Detaje nga sulmi dramatik brenda avionit të “FlyDubai”

Published

on

By

Kapiteni indian Smit Machchhar është shndërruar në heroin e ditës pasi parandaloi një katastrofë ajrore me më shumë se 170 pasagjerë në bord, gjatë fluturimit të kompanisë “FlyDubai” nga Dubai drejt Tel Avivit. Ngjarja dramatike ndodhi në ajër kur bashkëpiloti e sulmoi atë me thikë dhe u përpoq të merrte kontrollin për ta rrëzuar me shpejtësi mjetin fluturues.

Pavarësisht plagëve të rënda, kapiteni Machchhar gjeti forcën të reagonte ndërsa avioni po humbiste lartësi me shpejtësi marramendëse. I shtrirë në dyshemenë e kabinës, ai arriti të hapte derën nga brenda, duke u dhënë mundësi pasagjerëve dhe pjesës tjetër të ekuipazhit të ndërhynin me shpejtësi për ta neutralizuar sulmuesin.

Pas marrjes së kontrollit të situatës, dy pilotë rezervë — të cilët po udhëtonin si pasagjerë — morën drejtimin e avionit dhe realizuan një ulje emergjente të sigurt në aeroportin e Tabukut, në veriperëndim të Arabisë Saudite.

Kapiteni, i cili ka një përvojë 17-vjeçare në aviacion, u dërgua menjëhirë në spital dhe aktualisht ndodhet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore në Abu Dhabi. Gjatë një video-telefonate me kryeministrin indian Narendra Modi, ai u shpreh se nuk mund të lejonte kurrsesi që pasagjerët të vdisnin. Reagimi i tij është cilësuar si heroik edhe nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ndërsa në të gjithë Indinë dhe rrjetet sociale gjakftohtësia e tij po vlerësohet si shembull i jashtëzakonshëm i përkushtimit profesional. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

“Jo në emrin tim” para Ministrisë së Drejtësisë “Voto Ligjin”, kërkohet miratimi i ligjit për mbrojtjen e UÇK-së

Published

on

By

Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë zhvilluar sot një aksion simbolik para Ministrisë së Drejtësisë, ku kanë vendosur një baner me mbishkrimin “Voto Ligjin”, duke kërkuar procedimin dhe miratimin e ligjit për mbrojtjen e UÇK-së.

Aktivisti Rron Kafegjolli deklaroi se qytetarët prej 17 ditësh po kërkojnë miratimin e këtij ligji, duke e cilësuar vonesën si të papranueshme.

Sipas Kafegjollit, bazuar në deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, ligji po mbahet i bllokuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave.

“Ky nuk është një udhëzim çfarëdo që mund ta kaloni lart e poshtë nëpër zyra. Sepse bëhet fjalë për ligjin që mbron të vërtetën e UÇK-së dhe ne nuk do të lejojmë zvarritjen e tij”, u shpreh ai.

Kafegjolli kritikoi ministren Donika Gërvalla dhe ministrin Hekuran Murati, duke kërkuar nga institucionet që të veprojnë në përputhje me kërkesat e qytetarëve.

“Institucionet e këtij shteti nuk mund të mbeten peng i inateve apo bindjeve personale të ministres Gërvalla dhe ministrit Murati. Shteti nuk është pronë private e dikujt”, tha Kafegjolli.

Duke iu referuar afatit për zgjedhjen e presidentit, i cili skadon më 6 tetor, ai i bëri thirrje Qeverisë që të mos e zvarrisë më tej procesin e miratimit të ligjit.

“Qeveria duhet ta dijë se rinia po ju vëzhgon dhe 6 tetori po afron me shpejtësi. Mos e provokoni durimin tonë”, deklaroi ai.

Kafegjolli e përmbylli fjalimin duke i bërë thirrje Qeverisë që ta dëgjojë zërin e protestuesve dhe të veprojë lidhur me kërkesën për miratimin e ligjit.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara