Lajmet

Vendimi për vizat së shpejti; hyrja në fuqi në nëntor 2023

Diskutimi i së enjtes në grupin punues ishte i dyti me radhë për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Published

on

Vendet anëtare të BE-së në takimin e grupit punues për vizat kanë përafruar qëndrimet rreth një kompromisi, sipas të cilit do të miratohej vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që do të hynte në fuqi më 1 nëntor 2023, kur do të nisë zbatimi edhe i sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS).

Siç mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike ky ka qenë kompromisi mes kërkesës së Francës për kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me nisjen e zbatimit të ETIAS-it, dhe kundërshtimit të shumë vendeve tjera që kjo të mos lidhet. Në fund është përmendur edhe ETIAS-i, por edhe data.

Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. Ai është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.

Shtetet që e kanë kundërshtuar lidhjen me ETIAS, e kanë argumentuar këtë me faktin se ai sistem mund të mos jetë gati as më 1 nëntor të vitit 2023, dhe kjo do ta shtynte përsëri hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për Kosovën. Prandaj, sipas interpretimit të disa diplomatëve, formulimi i ri do të lërë hapësirë që liberalizimi të hyjë në fuqi edhe në rast se do të shtyhet përsëri zbatimi i sistemit ETIAS.

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian tash duhet të përgatisë një draft të ri të propozimit, i cili do të futet në procedurën e heshtur në Këshill në nivelin e grupit punues. Nëse asnjë shtet nuk e kundërshton tekstin e ri deri në një afat të caktuar, me gjasë deri në mesin e javës që vjen, atëherë kjo dosje do të bartet për vendim tek ambasadorët e vendeve anëtare në Këshill, trupin e njohur si Coreper.

Pastaj do të niste edhe trialogu formal me Parlamentin Evropian dhe Komisionin, në mënyrë që të finalizohej i tërë vendimi.

Diplomatët në BE thonë se “synimi është që deri me datën 6 dhjetor, kur në Tiranë zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor, të ketë vendim për këtë çështje në mënyrë që kjo të përmendet si një prej rezultateve të BE-së në raportet me vendet e rajonit”.

Diskutimi i së enjtes në grupin punues ishte i dyti me radhë për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Diskutimi i parë ishte zhvilluar më 13 tetor dhe atëherë shumica e madhe e vendeve e kishin mbështetur liberalizimin e vizave, asnjë nuk ishte shprehur kundër, por Franca kishte kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS.

Pas diskutimeve të së enjtes burimet në BE thonë se të gjitha vendet janë të interesuara që të mos ketë vonesa në miratimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën”.

Këto burime besojnë se kompromisi për të cilin kanë rënë dakord në takimin e së enjtes, do të mundësojë që vendimi të miratohet sa më shpejt, megjithëse hyrja e tij në fuqi do të caktohej për datën 1 nëntor të vitit 2023.

Kjo do të thotë se qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtonin në vendet e BE-ë dhe vendet tjera të zonës Schengen nga nëntori i vitit që vjen.

Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për lëvizje të lirë, por disa udhëheqës individualë të bllokut kanë shprehur vazhdimisht rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Më 12 tetor, Komisioni ka lëshuar edhe një dokument, ku ka theksuar se rekomandimi i tij “mbetet plotësisht i vlefshëm”.

Nga Republika Çeke, e cila mban Presidencën e Këshillit Evropian deri në fund të vitit 2022, kanë thënë disa herë se shpresojnë ta zgjidhin çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën gjatë mandatit të tyre./REL

Lajmet

Irani ndërpret komunikimet me SHBA-në, paralajmëron bllokimin e Ngushticës së Hormuzit

Published

on

 Irani ka vendosur të ndërpresë shkëmbimin e mesazheve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes ndërmjetësve, mes përshkallëzimit të tensioneve në rajon dhe sulmeve të fundit në Liban sipas nje raportimi të Reuters.

Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim ka bërë të ditur se ekipi negociator i Teheranit ka ndaluar komunikimet indirekte me Uashingtonin, duke e lidhur këtë vendim me zhvillimet e fundit në Liban, teksa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit vazhdojnë.

Tasnim raporton gjithashtu se Irani dhe i ashtuquajturi “Boshti i Rezistencës”, ku përfshihen aleatët e tij në Liban, Irak dhe Jemen, kanë hartuar një plan që parasheh bllokimin e plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe aktivizimin e fronteve të tjera strategjike, përfshirë Ngushticën Bab el-Mandeb.

Sipas raportimit, këto masa synojnë “ndëshkimin e Izraelit dhe mbështetësve të tij”, ndërsa autoritetet iraniane kanë theksuar se nuk do të ketë negociata derisa të ndalen operacionet ushtarake izraelite në Liban dhe Gaza.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës dhe gazit, ndërsa çdo bllokim i saj mund të ketë ndikim të madh në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Continue Reading

Lajmet

Bashkëpunim akademik ndërmjet UBT-së dhe Dicle University në kuadër të Erasmus+ Staff Mobility

Published

on

By

Në kuadër të programit Erasmus+ Staff Mobility, UBT mirëpriti gjatë javës së kaluar Assoc. Prof. Dr. Hasan Aykut Aysan dhe Assist. Prof. Dr. Yusuf Gözaçık nga Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit në Dicle University, Turqi.

Vizita u realizua në kuadër të bashkëpunimit akademik ndërinstitucional dhe përfshiu një sërë aktivitetesh profesionale dhe akademike, duke përfshirë vizita në kampusin dhe infrastrukturën universitare, organizimin e një punëtorie me studentët dhe stafin akademik, si dhe mbajtjen e një ligjërate tematike mbi shigjetarinë (archery).

Gjatë qëndrimit të tyre në UBT, profesorët prezantuan përvojat dhe ekspertizën e tyre në fushën e edukimit fizik dhe sportit, duke ofruar perspektiva bashkëkohore metodologjike dhe praktike. Aktivitetet e zhvilluara krijuan mundësi për shkëmbim të njohurive, avancim profesional dhe zgjerim të bashkëpunimit akademik ndërmjet pjesëmarrësve.

Ky mobilitet akademik kontribuoi në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet UBT-së dhe Dicle University, duke promovuar bashkëpunimin shkencor, akademik dhe kulturor ndërmjet institucioneve dhe vendeve përkatëse.

UBT vazhdon të mbetet i përkushtuar ndaj ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë, zgjerimit të partneriteteve strategjike dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillim akademik dhe profesional të studentëve dhe stafit akademik.

Continue Reading

Lajmet

Pesë ish-policë serbë akuzohen për krime lufte në Kosovë

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, duke propozuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, të akuzuarit me inicialet P.N., Z.D., I.I., S.M. dhe J.D., dyshohet se si pjesëtarë të Policisë serbe në Stacionin Policor në Fushë Kosovë, kanë kryer krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Aktakuza i ngarkon ata për ngjarjet e datës 6 maj 1999, kur sipas pretendimeve të prokurorisë, kanë ndaluar dhe marrë me forcë pesë civilë. Viktimat më pas janë transportuar nga stacioni i trenit në një lokacion të njohur si “Megja”, ku dyshohet se janë ekzekutuar me armë zjarri.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ka propozuar zhvillimin e procedurës gjyqësore në mungesë të të pandehurve, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi për rastet e krimeve të luftës.

Rasti pritet të trajtohet nga gjykata kompetente, e cila do të vendosë lidhur me konfirmimin e aktakuzës dhe vazhdimin e procedurave gjyqësore.

Continue Reading

Lajmet

Profesorët e UBT-së publikojnë punim shkencor mbi sigurinë kombëtare në revistë të indeksuar në Scopus

Published

on

By

Profesorët e UBT-së, Bahri Gashi, Ngadhnjim Brovina dhe Arian Kadriu, kanë publikuar një punim shkencor në revistën prestigjioze Journal of Strategic Security, e indeksuar në platformën Scopus.

Studimi trajton kornizën ligjore për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar në Kosovë, me fokus të veçantë në rolin e Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar (AMIK) si institucioni kryesor përgjegjës për zbatimin e standardeve dhe procedurave të sigurisë së informacionit.

Sipas autorëve, rëndësia e AMIK-ut lidhet me rolin e tij qendror në ndërtimin dhe zbatimin e kornizës ligjore dhe institucionale të Kosovës për mbrojtjen e informacionit të ndjeshëm, në kuadër të përpjekjeve të vendit për t’u përafruar me standardet euroatlantike. Në një shtet të ri si Kosova, funksionimi i institucioneve që garantojnë sigurinë e informacionit konsiderohet element thelbësor për sigurinë kombëtare.

Punimi krahason modelin kosovar me praktikat e NATO-së, Bashkimi Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke arritur në përfundimin se korniza e Kosovës është në përputhje me standardet më të avancuara ndërkombëtare në këtë fushë.

Continue Reading

Të kërkuara