Lajmet

“Vendi më i keq në botë për të qenë grua është Afganistani”

Ankthi vazhdon për fatin e atyre që rrezikojnë të përfundojnë në dënim me vdekje.

Published

on

“Nuk kam frikë nga kërcënimet me vdekje. Janë ata që kanë frikë. Përndryshe ata nuk do të donin të vrisnin një grua të vogël si unë”. Janë këto fjalët e Shirin Ebadi, gruaja e parë muslimane që u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2003.

Duke thirrur “Grua, jetë dhe liri” mijëra vajza dhe djem kanë dalë në rrugë në çdo qytet të Iranit për më shumë se 160 ditë. Ishte 16 shtatori kur Mahsa Amini u arrestua dhe më pas u rrah për vdekje në Teheran për shkak të mosmbajtjes së duhur të shamisë së kokës, sipas tyre. Që atëherë, së bashku me protestat nga gratë, ka filluar llogaritja e turpshme e vdekjeve.

Në shumë raste kemi të bëjmë me gra shumë të reja, të torturuara dhe të dhunuara para se të vriteshin nga “policia e moralit”. Mes tyre Nika Shakarami (17 vjeç), Hadis Najafi (20 vjeç), Hannaneh Kia (23 vjeç), Ghazaleh Chalavi (32 vjeç), Mahsa Moguyi (18 vjeç), Aida Rostami (36 vjeç), mjekja që mjekonte të plagosurit. Sipas OJQ-ve të të drejtave të njeriut që janë ende aktive në Iran, më shumë se 100 protestues janë në burg. Ditët e fundit janë raportuar edhe raste të helmimit të qëllimshëm të qindra vajzave në shkollat e Qomit. Dyshohet se kjo është një praktikë për të dekurajuar arsimimin e femrave.

525 të vdekur në 5 muaj

Të rinjtë iranianë megjithatë nuk e ndalin luftën e tyre. Regjimi nuk ka asnjë mëshirë për ta. Mehdi Zare Ashkzari, ish-student i Universitetit të Bolonjës, ishte pak më shumë se 30 vjeç. Ai vdiq në paraburgim në Iran, ku ishte kthyer për t’u kujdesur për nënën e tij të sëmurë, pasi u arrestua në një demonstratë. Ankthi vazhdon për fatin e atyre që mes mijëra të rinjve të arrestuar rrezikojnë të përfundojnë në dënim me vdekje ose tashmë janë dënuar me dënim kapital.

Mohammad Boroghani, u arrestua në shtator me akuzën se ishte një nga drejtuesit e revoltës dhe më pas u gjykua për krimin e “luftës kundër Zotit”. Dënim i dyfishtë me vdekje për protestuesin 18-vjeçar, i arrestuar gjatë protestave dhe i cili nuk pati mundësi të mbrohej nga një avokat.

Më 8 dhjetor, autoritetet varën protestuesin Mohsen Shekari, pas një gjyqi tejet të padrejtë me akuzën e “armiqësisë kundër Zotit”. 4 ditë më vonë të njëjtin fat pati edhe Majidreza Rahanvard, pas një gjyqi show ndaj tij. Më 7 janar ndodhën ekzekutimet e Mohammad Mehdi Karami dhe Seyed Mohammad Hosseini.

Televizioni shtetëror transmetoi “rrëfimet” e detyruara të të paktën 9 të pandehurve përpara se të zhvillohej gjyqi. Sipas Amnesty International, 525 protestues, duke përfshirë 71 fëmijë, janë vrarë dhe më shumë se 19 mijë njerëz janë arrestuar që nga shtatori.

Lufta nuk ndalet

Pavarësisht represionit, pavarësisht se frekuenca e protestave është ulur, demonstratat vazhdojnë. Gratë luftojnë kundër një regjimi që ushtron shtypje të dyfishtë: politike dhe gjinore. Dhe ato e bëjnë këtë duke hequr mbulesat e tyre në funeralet e mikeshave të tyre të vrara, duke rrezikuar jetën e tyre, ose duke prerë flokët e tyre. Ky është një gjest i huazuar nga një zakoni kurd që e bëjnë gratë që privojnë veten nga feminiliteti i tyre si një shenjë zie. Të rinjtë nuk kanë frikë nga Ajatollahu. Dhe ka shumë të rinj në Iran. Mosha mesatare është 27 vjeç.

Detyrimi për të veshur mbulesë është kthyer në një simbol të represionit femëror. Në realitet është vetëm një nga çështjet që lind në shumicën e vendeve ku feja përdoret nga regjimet teokratike për të kontrolluar popullsinë, veçanërisht atë femërore. Në Islam, sheriati është gurthemeli mbi të cilin bazohet edhe diskriminimi. Një instrument i kontrollit të drejtpërdrejtë është policia morale. Ajo iraniane ka fituar famë ndërkombëtare, por nuk është e vetmja polici fetare islame në botë e akuzuar për keqtrajtim të qytetarëve.

Vende të tjera në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azinë Juglindore ka policë të përkushtuar që monitorojnë të ashtuquajturat aktivitete jo-islame. Në Indonezi, për shembull, Wilayatul Hisbah ka juridiksion mbi myslimanët vetëm në provincën gjysmë autonome të Aceh që nga viti 2001. Këtu, ashtu si në Iran, gratë duhet të mbajnë veshje të gjera dhe shami. Dhe, teksa shkelja e kodit të veshjes mund të mos çojnë në paraburgim siç ndodh në Iran, shkelje të tjera të ligjit islam, duke filluar me tradhtinë bashkëshortore, çojnë rregullisht në burgim ose fshikullim publik.

Gratë dhe nënat egjiptiane

Në Egjipt ka shumë vajza të arrestuara dhe/ose të dënuara me gjoba për publikimin e imazheve të konsideruara të papërshtatshme në rrjetet sociale. Nga njëra anë, lëvizja feministe egjiptiane duket se po bën përparime të mëdha, me gratë e reja që shpikin forma të reja aktivizmi për të tërhequr vëmendjen ndaj dhunës seksuale endemike që i mundon ato si në shtëpitë e tyre ashtu edhe në rrugë, por në vitin 2021 qeveria e Egjiptit miratoi një projekt-ligj për statusin personal që do u kërkonte grave të merrnin pëlqimin e një kujdestari mashkull për t’u martuar, për të regjistruar lindjen e një fëmijë ose udhëtim jashtë vendit. Një projektligj që gjithashtu u jep përparësi baballarëve në çështjet e kujdestarisë së fëmijëve (aktualisht përparësi u jepet nënave).

Talibanët kanë frikë nga gratë e arsimuara

Nëse e zgjerojmë horizontin e vëzhgimit në parametra të tjerë, duke përfshirë arsimin dhe drejtësinë, sipas Indeksit të Paqes dhe Sigurisë së Grave (WPS Index), vendi më i keq në botë për të qenë grua është Afganistani.

Një vend ku gratë, pavarësisht se rrezikojnë turpërimin, gjuajtjen me gurë, arrestimin dhe torturën, kanë protestuar që nga 15 gushti 2021, data e kthimit të talebanëve në pushtet pas marrëveshjeve të Dohas të nënshkruara nga administrata amerikane e Donald Trump. Ndërmjet viteve 2001 dhe 2018, gjatë periudhës së pushtimit nga forcat ndërkombëtare, numri i grave me arsim të lartë ishte rritur pothuajse 20-fish dhe 1 në 3 të reja ishte regjistruar në universitet.

E pra, që nga shtatori 2021, kthimi në shkollë për të gjithë adoleshentët dhe vajzat afgane mbi moshën 12 vjeç është shtyrë për një kohë të pacaktuar, duke lënë 1.1 milion gra të reja pa akses në arsimin formal. Aktualisht, sipas UNESCO-s, 80% e vajzave të reja afgane të moshës shkollore (2.5 milionë njerëz) nuk shkojnë në shkollë. Gati 30% e vajzave në Afganistan nuk kanë ndjekur kurrë arsimin fillor.
Universiteti i ndaluar

Pavarësisht kësaj, mijëra njerëz morën kankorin, provimin pranues në universitet, në nëntor. Por më 20 dhjetor, talebanët – duke shpërfillur premtimet e bëra në Doha – ndaluan regjistrimin e grave në universitete dhe privuan mbi 100 mijë studente femra nga mundësia për të përfunduar studimet e tyre.
Është e lehtë të kuptosh pse që kur talebanët u kthyen në pushtet, përqindja e grave mbi 15 vjeç që ndihen të sigurta në komunitetin e tyre është ulur nga 35.5% në 9.8%.

Megjithatë ato nuk u mbyllën në shtëpi. Pas 20 dhjetorit, dhjetëra vajza u kthyen në sheshet e Kabulit dhe Nangaharit, për të demonstruar përbuzjen e tyre për mjekrat e zeza dhe për të kërkuar të drejtën e tyre për të ekzistuar. Ky 8 Mars u kushtohet grave iraniane dhe afgane dhe vajzave të minoritetit kurd Yazidi, të përdhunuara dhe vrarë nga kasapët e ISIS. 

© Corriere Della Sera, përshtati në shqip LAPSI.al

Rajoni

Protestuesit sulmojnë objektin e Gjykatës së Apelit

Published

on

By

Protestuesit në Shqipëri kanë hyrë në objektin e Gjykatës së Apelit. 

Pasi kanë qëndruar për pak minuta aty, ata janë larguar. 

Kjo është hera e parë që është sulmuar objekti i Gjykatës së Apelit.

Pasi janë larguar protestuesit, në vendngjarje kanë arritur pjesëtarë të Policisë. Njëri prej protestuesve është shoqëruar në Polici.

Continue Reading

Vendi

Presidenti i Malit të Zi në vizitë në Kosovë

Published

on

By

Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë. 

Policia e Kosovës ka njoftuar se sipas detyrës zyrtare, do të ndërmarrë masat e sigurisë si dhe do të kujdeset për rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të tij në Kosovë.

Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës, sipas itinerarit të lëvizjes, nga pika kufitare Kullë – Pejë, si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës në rajonin e Pejës, Policia e Kosovës, sipas nevojës, do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. 

Continue Reading

Rajoni

Alarm për bombë në disa institucione në Shqipëri

Published

on

By

Një mesazh kërcënues për bombë ka mbërritur në disa institucione shtetërore në Shqipëri. A2 CNN raporton se një email ka kërcënues ka mbërritur në kryeministri, ministri, institucione të drejtësisë dhe Bankën e Shqipërisë.

“Ju njoftojmë urgjentisht se në këtë moment brenda ndërtesës është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO). Sot, me lejen e Allahut, do të kryejmë një seri sulmesh terroriste të planifikuara në territorin e vendit. Ajo që do të përjetoni sot është vetëm fillimi. Një ditë, qeveria juaj do të dorëzojë pushtetin dhe do të vendoset Sheriati”, thuhet në mesazh.

Pas marrjes së mesazhit, është boshatisur Gjykata dhe Prokuroria e Fierit. Administrata është alarmuar, ndërsa në zonë është shtuar prania e forcave të Policisë. /A2 CNN/

Continue Reading

Lajmet

Vitia: 53.4 për qind e grave me kancer të gjirit diagnostikohen në stadin e parë dhe të dytë

Published

on

By

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se 53.4 për qind e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit në Kosovë janë identifikuar në stadin e parë dhe të dytë të sëmundjes, duke theksuar rëndësinë e zbulimit të hershëm për suksesin e trajtimit dhe rritjen e mundësive për mbijetesë.

Këtë deklaratë Vitia e bëri në Simpoziumin e Tretë për Kancerin e Gjirit, të organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, ku u diskutua për ndërgjegjësimin, diagnostikimin e hershëm dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për gratë.

Ai bëri të ditur se mamografia ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore, ndërsa gjatë këtij viti pritet të shtohen edhe tetë mamografë digjitalë në komunat ku mungojnë këto pajisje. Gjithashtu, përmes mamografit mobil, shërbimi po u ofrohet edhe grave në komunat që nuk kanë aparatura të tilla.

Sipas Vitisë, Kosova tashmë ka edhe planin e veprimit për skriningun e kancerit të gjirit për periudhën 2026–2028, me synim përmirësimin e diagnostikimit dhe qasjes në shërbime shëndetësore.

Ndërkaq, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë realizuar gjithsej 1.847 mamografi në kuadër të aktiviteteve për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Prej tyre, 463 janë kryer vetëm gjatë muajit tetor.

Gashi njoftoi gjithashtu se gjatë këtij viti, deri në ditën e mbajtjes së simpoziumit, janë realizuar 700 mamografi, prej të cilave rreth 150 gjatë muajit tetor.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara