Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit po hyn në një fazë të re, pasi të gjitha partitë kryesore politike në vend kanë publikuar listat e tyre të plota me nga 110 kandidatë për deputetë. Prezantimi i këtyre listave shënon edhe zyrtarisht nisjen e garës së brendshme për votën qytetare dhe përfaqësimin në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, prezantoi listën me 110 kandidatë, ku dhjetëshja e parë kryesohet pikërisht nga ai.
Në mesin e dhjetë kandidatëve të parë renditen figura me peshë politike dhe profesionale, si Uran Ismaili, Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj, Arben Mustafa, Besa Kabashi Ramaj, Rrahman Rama, Eman Rrahmani, Sala Jashari dhe Kujtim Gashi.
Parti Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje garon në fletëvotim me numrin 130.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka publikuar listën e saj të kandidatëve, e cila udhëhiqet nga kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku. Në top-10 gjenden emra të njohur të politikës dhe akademisë, si Kujtim Shala, Hykmete Bajrami, Doarsa Kica-Xhelili, Lutfi Haziri, Avdullah Hoti, Anton Quni, Jehona Lushaku Sadriu, Ferid Agani dhe Ukë Rugova.
Abdixhiku e cilësoi listën si një “kombinim përvoje, profesionalizmi dhe energjie të re”, duke e quajtur atë “listën e shpresës” për Kosovën.

AAK garon me listë të kryesuar nga Ramush Haradinaj, ndërsa në dhjetëshen e parë përfshihen emra si Besnik Tahiri, Time Kadrijaj, Bekë Berisha, Arber Tolaj, Albania Bytyqi, Pal Lekaj, Gani Dreshaj dhe Agim Çeku.
Haradinaj u shpreh se Kosovës i duhen “përfaqësues të guximshëm”, duke siguruar se secili kandidat në listë ka peshë të barabartë për votuesit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, prezantoi listën e Lëvizjes Vetëvendosje, të përbërë edhe nga kandidatët e Guxo, Alternativa dhe PSHDK. Dhjetëshja e parë përfshin figura qeveritare dhe partiake të profilit të lartë, si Glauk Konjufca, Donika Gërvalla, Avni Dehari, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Xhelal Sveçla, Mimoza Kusari Lila, Hajrulla Çeku dhe Shqipe Mehmeti Selimi.
LVV garon në fletëvotim me numrin 116.

Kryetari Fatmir Limaj publikoi listën zgjedhore ku ai kryeson, të ndjekur nga Xhevahire Izmaku, Arbëreshë Krasniqi, Mevludin Krasniqi, Endrit Shala, Albulena Balaj Halimaj, Artan Nimani, Çerkin Dukolli, Jehona Rrafshi Lumi dhe Nehat Mustafa.
NISMA në këto zgjedhje garon me numrin 122, ndërsa Limaj e quajti listën “bashkë drejt fitores”.

Me publikimin e listave, partitë politike i kanë hapur rrugë fazës më të nxehtë të fushatës. Ato tashmë synojnë të bindin qytetarët se përfaqësuesit e tyre ofrojnë stabilitet, reformë dhe vizion të qartë për zhvillimin e vendit.
Në ditët në vijim, fokusi do të kalojë te prezantimi i programeve, takimet me qytetarë dhe debati publik, ndërsa qytetarët do të mbeten në qendër të çdo premtimi politik që synon marrjen e votës./UBTNews