Lajmet

Dokumenti i shtatorit 1999: Hashim Thaçi shkoi në Prekaz për të kërkuar mbështetje nga Rifat Jashari

Published

on

E Përditësuar:

13:35 – Gjatë shtatorit të vitit 1999, Hashim Thaçi kishte marrë rrugë drejt fshatit të Prekazit për të kërkuar mbështetje nga Rifat Jashari, në kohën kur ai e kishte menduar formimin e një partie politike.

Kështu lexohej në një dokument të datës së lartpërmendur, e për të cilin u fol sot gjatë dëshmisë së Jock Covey në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Pos Jasharit, në dokument thuhej se Thaçi shkoi ta takonte edhe një komandant të UÇK-së në Drenicë.

Lidershipi i UÇK-së është shpërbërë në disa parti, partia PBD që drejtohej nga Bardhyl Mahmuti dhe e cila binte më shumë në sy që ia ka dalë të tërheq mbështetjen e shumë përfaqësuesve dhe komandantëve të respektuar në terren të UÇK-së. Hashim Thaçi kryeministër i përkohshëm i Kosovës, e cila nuk njihej nga UNMIK, njoftoi se edhe ai do të formonte partinë e tij politike pa dhënë hollësi. Ai vizitoi fshatin e Prekazit ku u takua me Rifat Jasharin, që është i vetmi vëlla i mbijetuar i familjes së Adem Jasharit. Mbështetja e familjes së Jasharëve do të ishte avantazh në zgjedhje. Ai u takua edhe me komandantin e Drenicës së UÇK-së, por kishte ndasi midis Thaçit dhe Mahmutit i cili ka mbështetës të tij brenda segmentit të UÇK-së. Megjithatë këto janë lojtarë politik të rinj dhe nuk është e qartë çfarë agjende politike do të jenë ato”, lexohej në dokument.

Dëshmitari amerikan, Jock Covey tha: “Mund të pritej që një politikan të takohej me zgjedhësit megjithatë në qoftë se do të kisha lexuar një informacion të tillë në atë kohë, do të isha befasuar sepse nuk më dukej një gjë e natyrshme”.

Pos kësaj, Covey konfirmoi se gjatë asaj kohe, kishte informacione se kishte një lloj përçarje brenda UÇK-së.

Kishim informacione që nuk kishte konsensus të qartë ndërmjet individëve të lartë të UÇK-së, kishte një lloj përçarje por nuk e dinim deri në çfarë mase ishte kjo përçarje. Ishim të informuar që nuk kishte konsensus ndërmjet udhëheqësve të lartë të UÇK-së”, tha Covey./D.B/EO

11:09 – Dëshmitari i katërt i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, Jock Covey derisa foli për UÇK-në tha para Gjykatës Speciale në Hagë se nuk ka pasur komandë qendrore.

Në ditën e parë të dëshmisë së tij në gjykatoren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, ai tha se “UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa ushtri”.

Ai foli për një takim i cili sipas tij ishte mbajtur për t’i bindur komandantët e zonave për marrëveshjen për çarmatim. Aty sipas tij, është vërejtur se marrëdhënia e Thaçit me komandantët e zonave ishte “e ndërlikuar”.

Dukej sikur po konfirmonte fuqishëm atë që besonim që në fillim lidhur me zotëri Thaçin, kur jemi njohur me të, pra që ai kishte një marrëdhënie të ndërlikuar me komandantët në terren, dhe se ata kishin pak kohë, ose më mirë thënë, kishin shfaqur mungesë respekti ndaj tij, në këtë rast për të cilin po flasim, po të shohim këtë vizatim, më lejoni të kthehem pak prapa. Gjenerali Jackson i cili kishte mospajtim me gjeneralin Clark sa i takon përpjekjeve të rusëve për të marrë aeroportin përpara se KFOR-i të hynte në Kosovë dhe unë, gjenerali Clark dhe gjenerali Jackson, dhe është meritë e tyre kjo, kishim tejkaluar këtë mosmarrëveshje serioze dhe gjenerali Jackson pati nevojë që të sjelltë komandantët e UÇK-së dhe t’i rivendoste, t’i bindte ata që t’i pranonin kushtet e zbatimit të marrëveshjes, konkretisht marrëveshje për krijimin e një force mbrojtëse të Kosovës, si organizatë civile e paarmatosur, KFOR-i ishte afër afatit kohor, dhe i duhej ndihmë për t’i bindur komandantët për përgjigje pozitive”, tha ai.

Zotëri Thaçi nuk kishte marrëdhënie të rëndësishme me këtë trupë të komandantëve në terren dhe kishte shumë pak gjasa që ata të kërkonin udhëzimet e tij, aq më pak urdhrat e tij, apo që të raportonin aktivitetet e tij te ai”, shtoi dëshmitari.

Duke folur për periudhën e vitit 1999, ai tha se e kishin kuptuar që në UÇK nuk ka pasur komandë qendrore.

Ashtu siç e kemi kuptuar në atë kohë, nuk ka pasur komandë qendrore. Gjeneral Ceku ishte individi me më ndikim në UÇK, me shumë ndikim se të tjerët, megjithatë nuk duhej të ishte në një pozitë të tillë që të merrte përsipër këtë dhe kishte nevojë të dinte që kishte marrëveshje midis tyre. Gjatë takimit ne mund të shihnim gjeneral Çekun shumë të qetë i cili shikonte prapa për t’u siguruar që komandantët e mbështesnin, që mbështesnin hollësitë e marrëveshjes që po diskutohej. Neve na dhanë përshtypje që Çeku kishte nevojë të sigurohej që kishte konsensus që merrte pra mbështetje nga komandantët në terren. Dhe kjo ishte tërësish në përputhje me atë që kuptonim ne, sepse ne kuptonim që UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa një ushtri ku secili individ në zona apo komandant në terren kishte autonomi të gjerë, qoftë kjo në realitet apo imagjinatën e tyre, por ata kishin këtë autonomi, ata mendonin që mund të bënin atë që vendosnin të bënin në zonën e tyre, që ishin të pavarur”, tha ai.

Jock Covey është dëshmitari i katërt në Hagë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai ka shërbyer në Kosovë si zëvendës i përfaqësuesit special të sekretarit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kushner.

Dëshmia e tij vjen pasi në gjykatore u dëgjuan dëshmia e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ajo e ish-këshilltarit ligjor të ekipit të Kosovës në Rambuje, si dhe dëshmia e ish-diplomatit britanik John Stewart Duncan./D.B/KP

10:18 – Jock Covey është dëshmitari i radhës në Hagë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Amerikani e ka nisur dëshminë para Dhomave të Specializuara sot, më 30 tetor.

Ai ka shërbyer në Kosovë si zëvendës i përfaqësuesit special të sekretarit të OKB-së, Bernard Kushner.

Dëshmia e tij vjen pasi në gjykatore u dëgjuan dëshmia e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ajo e ish-këshilltarit ligjor të ekipit të Kosovës në Rambuje, si dhe dëshmia e ish-diplomatit britanik John Stewart Duncan./D.B/KP

07:45

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ku do vazhdojë paraqitja e provave të mbrojtjes me thirrjen e dëshmitarëve në këtë rast të gjykimit.

Specialja njofton se në këtë çështje gjyqësore pritet që dy dëshmitarë të japin dëshmi në sallë të gjyqit këtë javë.

Gjatë dy javëve të kaluar kanë dëshmuar tre dëshmitarë të thirrur nga Mbrojtja, si John Duncan i cili ishte dëshmitari i tretë i cili ishte një ish-punonjës i shërbimit diplomatik të Britanisë së Madhe.

Ai dha dëshmi kryesisht në seancë publike.

Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët për krime lufte, Trupi Gjykues më 18 shtator urdhëroi vazhdimin e paraburgimit për Rexhep Selimin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, duke konstatuar se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që të akuzuarit mund të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë vepra penale të tjera.

Trupi Gjykues gjykoi se lirimi i të akuzuarve në posedim të informacionit të ndjeshëm nuk do të ndihmonte mbrojtjen efikase të dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi tashmë ose të atyre që mund të dëshmojnë në procese paralele.

Në rastin e z. Selimi, Trupi Gjykues rikujtoi se duket se z. Selimi nxori informacion konfidencial për palë të treta të paautorizuara, çka përforcoi konstatimin e Trupit Gjykues se ekziston rreziku që z. Selimi të pengojë ecurinë e procesit.

Trupi Gjykues tha se të akuzuarit gjenden në paraburgim për një kohë të gjatë, por vazhdimin e paraburgimit e gjykoi të arsyeshëm bazuar në faktet se ndaj të akuzuarve janë ngritur akuza për krime të rënda ndërkombëtare, ku pretendohet se ata luajtën rol të rëndësishëm dhe mund të përballen me burgim të gjatë në qoftë se shpallen fajtorë./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Kurti pret komandantin e KFOR-it: Diskutohet siguria dhe bashkëpunimi

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim komandantin e misionit të NATO-s, gjeneralmajorin Özkan Ulutas, me të cilin ka diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon.

Gjatë këtij takimi, komandanti Ulutaş e ka uruar kryeministrin Kurti për mandatin e ri qeverisës, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Fokusi kryesor i bisedës ishte stabiliteti i sigurisë në një kohë të zhvillimeve dhe ndryshimeve të mëdha globale, të cilat mund të sjellin sfida të reja.

Kryeministri Kurti vlerësoi komunikimin e vazhdueshëm me misionin e NATO-s dhe falënderoi gjeneralmajorin Ulutaş për kontributin dhe rolin e tij të rëndësishëm në krye të KFOR-it.

Kurti dhe  Ulutas rikonfirmuan përkushtimin për të mbajtur një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës

Continue Reading

Lajmet

Prizren: Arrestohen dy persona për fajde, tentuan t’i zhvasin pronat 1 milionëshe

Published

on

By

Policia e Kosovës ka realizuar sot një operacion në qytetin e Prizrenit, që ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për veprën penale të fajdesë.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prizren, pasi u vërtetua se të dyshuarit kishin ushtruar presion të vazhdueshëm mbi një viktimë.

Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit me inicialet E.K. dhe A.K., e kishin detyruar viktimën në vazhdimësi që të paguante shuma të mëdha parash në emër të kamatave të fajdesë.

Presioni kishte arritur deri në atë pikë sa të dyshuarit po tentonin t’ia merrnin viktimës pronat e tij në Prizren – një shtëpi dhe dy lokale afariste – vlera e të cilave vlerësohet të jetë rreth 1 milion euro.

Arrestimi i dy personave u bë në flagrancë, pikërisht në momentin kur ata po e detyronin viktimën të rregullonte dokumentacionin e nevojshëm për bartjen e pronësisë së shtëpisë dhe lokaleve në emër të tyre. Pas arrestimit, me urdhëresë të gjykatës, Policia ka bastisur vendbanimet e të dyshuarve, ku ka gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale që do të shërbejnë për procedurën penale.

Prokurori i Shtetit në Prizren ka lëshuar aktvendim për ndalim ndaj dy të dyshuarve, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht këtë rast të rëndë të zhvatjes dhe krimit ekonomik.

 

Continue Reading

Lajmet

REL: Disa studentë e profesorë protestojnë në veri kundër integrimit në sistemin kosovar të arsimit

Published

on

By

Disa studentë dhe profesorë të Universitetit në Mitrovicën e Veriut kanë protestuar të mërkurën kundër shkrirjes së sistemit të tyre të arsimit në atë kosovar.

Duke mbajtur pankarta me mbishkrime si “Pse po hesht Beogradi” dhe “Sipas cilit sistem të marrim frymë”, ata u mblodhën në qendër të qytetit për ta kundërshtuar synimin e autoriteteve kosovare për një sistem të vetëm arsimor.

Universiteti në Mitrovicën e Veriut punon në sistemin e Serbisë.

Studenti i Fakultetit Filologjik në këtë universitet, Lluka Peçenkoviq, tha se “jemi lënë në mëshirë të fatit”, dhe se autoritetet po heshtin sepse “kështu janë urdhëruar”.

Ai tha gjithashtu se protesta e së mërkurës u mbajt pa mbështetjen e rektoratit dhe se themeluesi i universitetit, pra Qeveria e Serbisë, “na e ka kthyer shpinën”.

“Profesorë, të tjerë që kanë frikë, që janë të shantazhuar, gjithsesi do të humbim. Ata që ju kërcënojnë me humbjen e vendit të punës, nuk do të mund ta zbatojnë atë kërcënim. Luftoni për interesin tuaj dhe tonin, interesin e përbashkët”, tha Peçenkoviq.

Profesoresha Mitra Reliq u bëri thirrje autoriteteve kosovare që t’u lëshojnë “vërtetim për jetë”, për arsimim dhe për ruajtjen e identitetit, ndërsa Beogradin zyrtar e ftoi të qëndrojë përkrah Universitetit që e ka themeluar.

Çështja e integrimit të shëndetësisë dhe arsimit serb në Kosovë u ngrit në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri Albin Kurti theksoi se sistemi i dyfishtë nuk është i qëndrueshëm dhe se është e nevojshme shkrirja e tyre në një.

Ai tha asokohe se për integrimin do të punohej së bashku me përfaqësuesit politikë të komunitetit serb, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare, gjë që ua përcolli përsëri ambasadorëve të vendeve të QUINT-it (SHBA, Francë, Britani e Madhe, Gjermani dhe Itali) në dy raste që nga fillimi i vitit.

Megjithatë, deri më tani nuk është saktësuar qartë se cilat modele të integrimit po shqyrtohen.

Bashkimi Evropian, në një përgjigje më herët për Radion Evropa e Lirë, kishte deklaruar se statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore dhe arsimore që në Kosovë mbështeten nga Serbia do të zgjidhet në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe me ligjet e Kosovës.

Për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit ngul këmbë edhe Beogradi zyrtar, si dhe Lista Serbe si partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e pushtetit të tanishëm në Serbi.

Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës më 10 shkurt i dha afat prej 30 ditësh Fakultetit të Shkencave Teknike të Universitetit në Mitrovicën e Veriut që të largohet nga hapësirat që përdor ose të fillojë të paguajë qira.

Serbët në Kosovë druhen nga integrimi i institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha më herët për Radio Evropa e Lirë se kërkesa për lirimin e pronës së “uzurpuar” është dërguar në bazë të ligjeve në fuqi dhe procedurave të Kosovës.

Ai tha gjithashtu se Universiteti i Prishtinës është i përkushtuar për vënien në përdorim të “të gjitha objekteve dhe hapësirave të tij, për të cilat ekziston nevojë e madhe, pa vonesa të mëtejshme”.

Nga ana tjetër, rektori i Universitetit në Mitrovicën e Veriut, Nebojsha Arsiq, kishte thënë për portalin Kossev se Fakulteti i Shkencave Teknike nuk funksionon në sistemin juridik të Kosovës dhe se nuk kishte mundësi t’i përgjigjej kërkesës në mënyrë institucionale, por se në lidhje me hapat e mëtejshëm “pret udhëzime”.  /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Von der Leyen: 10 ditë luftë në Iran i kushtuan Evropës 3 miliardë euro shtesë në energj

Published

on

By

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dhënë alarmin të mërkurën para ligjvënësve në Strasburg, duke bërë të ditur se përshkallëzimi i luftës në Iran ka goditur rëndë ekonominë e bllokut.

Sipas saj, tronditja e tregjeve ka bërë që çmimet e gazit të rriten me 50% dhe ato të naftës me 27%.

“Nëse e përktheni këtë në euro, 10 ditë luftë u kanë kushtuar tashmë taksapaguesve evropianë tre miliardë euro shtesë në importe të lëndëve djegëse fosile”, ka deklaruar von der Leyen, duke shtuar me prerje se “ky është çmimi i varësisë sonë”.

Gjatë fjalimit të saj, ajo vuri në dukje se për dallim nga tregjet e jashtme, çmimi i energjisë së rinovueshme dhe asaj bërthamore evropiane ka mbetur i qëndrueshëm, duke dëshmuar rëndësinë e pavarësisë energjetike.

Presidentja e KE-së ishte e prerë në qëndrimin e saj kundër thirrjeve për t’u rikthyer te burimet ruse të energjisë si zgjidhje për krizën aktuale, duke e cilësuar këtë si një rrezik për sigurinë e bllokut.

“Ky do të ishte një gabim strategjik. Do të na bënte më të varur, më të prekshëm dhe më të dobët”, ka thënë ajo, duke hedhur poshtë çdo mundësi që BE-ja të thyejë sanksionet ndaj naftës dhe gazit rus.

Von der Leyen e përfundoi fjalimin duke insistuar se Evropa duhet t’i rezistojë çdo tundimi për t’u kthyer pas, pasi rruga e vetme drejt stabilitetit është forcimi i burimeve të veta dhe largimi i plotë nga lëndët djegëse fosile të importuara nga zonat e konfliktit.

Continue Reading

Të kërkuara