Lajmet

Vazhdon seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmon sërish anëtari i LDK-së

Në këtë javë do të jenë katër seanca.

Published

on

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon dita e dytë e kësaj jave në rastin gjyqësor Thaçi dhe të tjerët. Në këtë javë do të jenë katër seanca.

Dje në Dhomat e Specializuara ka përfunduar dëshminë e saj dëshmitarja e parë, ndërsa trupi gjykues ka pranuar mocionin e mbrojtjes së Rexhep Selimit, për mospranim si prova, disa pjesë të dëshmisë së saj.

Ndërkohë ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka thënë se është anëtar i LDK-së dhe ka thënë se ka qenë prezent në daljen e parë publike të UÇK-së. Ai, po ashtu ka thënë se Drejtoria Politike e UÇK-së në Malishevë, kishte ushtruar presion që LDK ta pushojë aktivitetin e saj.

Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në javën e kaluar filloi procesi i paraqitjes së provave nga ana e Zyrës së Prokurorisë Speciale, respektivisht me dëgjimin e dëshmitarëve.

Ndryshe aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Më 22 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, përmes dy vendimeve, miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, mes tjerash, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krime me synim konkret (tri apele kundër këtij vendimi, të dorëzuara nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi, u hodhën poshtë nga Gjykata e Apelit më 22 gusht 2022).

ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e ndryshuar më 3 shtator 2021. Më 23 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për ndryshim të aktakuzës me qëllim që të përfshijë një numër akuzash të reja, konkretisht qendra ndalimi të tjera në komunën e Suharekës, incidente të reja të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme në Gjilan, si dhe incidente të reja të pjesëmarrjes personale të të akuzuarit në krimet për të cilat akuzohet.

Pas hedhjes poshtë të apeleve të Thaçit dhe Veselit kundër këtij vendimi prej Panelit të Gjykatës së Apelit më 22 mars 2022, ZPS-ja dorëzoi versionin e redaktuar publik të aktakuzës së ndryshuar më 29 prill 2022. Më 22 korrik 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi, pjesërisht, kërkesën e Mbrojtjes së Thaçit që pretendon mangësi në aktakuzën e fundit dhe gjithashtu urdhëroi ZPS-në që, deri më 30 shtator 2022, të parashtrojë aktakuzën e ndryshuar më tej, me informacion shtesë lidhur me akuzat aktuale. Informacioni shtesë ka të bëjë me emrat e autorëve të drejtpërdrejt të krimeve, viktimave dhe vendodhjeve përkatëse në paragrafet konkrete në aktakuzën aktuale.

Më 29 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për tërheqjen nga aktakuza të pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt dhe urdhëroi ZPS-në që të pasqyrojë këtë tërheqje të akuzave në aktakuzën e ndryshuar më tej, e cila u dorëzua më 30 shtator 2022. Një version më pak i redaktuar i aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Aktualisht, kjo është aktakuza në fuqi për këtë çështje.

“Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së”, njoftojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Vendi

Rrahje mes të miturve në Prishtinë, arrestohen dy persona

Published

on

By

Një përleshje fizike mes disa personave të mitur ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Prishtinë, duke rezultuar në lëndime të rënda trupore për njërin prej tyre. Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:22.

Viktima ka pranuar tretmanin e nevojshëm mjekësor, ndërsa Policia ka reaguar shpejt duke identifikuar të përfshirët. Gjatë ditës së hënë (20 prill), janë arrestuar dy të dyshuar, të cilët po ashtu janë të moshës së mitur.

Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 24 orë për procedura të mëtejshme hetimore. Rasti po trajtohet si “Lëndim i rëndë trupor”.

Continue Reading

Vendi

Zbresin çmimet e derivateve në Kosovë, nafta tetohet në 1.68 euro

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës, të cilat do të jenë valide për datën 21 prill 2026.

Sipas vendimit të fundit, çmimet tavan për produktet e naftës janë: Nafta (dizel): 1.68 euro për litër, benzina: 1.41 euro për litër, gasi: 0.88 euro për litër.

Këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

Ministria ka njoftuar se qytetarët që hasin në parregullsi apo çmime mbi tavanin e lejuar, mund t’i adresojnë ankesat e tyre në emailin zyrtar [email protected] ose përmes numrit të telefonit falas 0800 11000.

Continue Reading

Vendi

Kuvendi mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për faturimin e energjisë pas dyshimeve për parregullsi te njehsorët

Published

on

By

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot, duke filluar nga ora 11:00, në një seancë të jashtëzakonshme me pikë të vetme të rendit të ditës: çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët.

Kjo mbledhje pason gjetjet e deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, i cili pas një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj, raportoi se në mbi 80 për qind të rasteve njehsorët nuk kishin orën e saktë, gjë që ndikon në llogaritjen e tarifave.

Këto pretendime janë mbështetur edhe nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e cila pas inspektimeve të para në terren ka gjetur mospërputhje të kohës te njehsorët elektrikë.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë që të nisë hetimet dhe intervistimet në terren lidhur me funksionimin e njehsorëve të KEDS-it.

Nga ana tjetër, KEDS-i ka deklaruar se matja e energjisë është e saktë dhe ka mohuar mundësitë e manipulimit, ndonëse ka konfirmuar se qytetarët do të kompensohen nëse vërtetohet ndonjë devijim teknik.

Continue Reading

Lajmet

Programi i Energjisë në UBT sjell praktikën në fokus përmes vizitave në industri

Published

on

By

Studentët e programit të Inxhinierisë së Energjisë në UBT po vazhdojnë të dëshmojnë përkushtimin e tyre drejt përgatitjes profesionale përmes aktiviteteve praktike në terren, duke realizuar një vizitë studimore në Termocentralin Kosova B – një nga asetet më të rëndësishme energjetike në vend.

E udhëhequr nga profesorët Armend Ymeri, Vehebi Sofiu, Sami Gashi dhe Nexhmi Krasniqi, kjo vizitë u mundësoi studentëve të ndërlidhin njohuritë teorike të fituara në auditor me proceset reale të prodhimit dhe menaxhimit të energjisë elektrike.

Gjatë qëndrimit në termocentral, studentët u pritën nga Drejtori Ekzekutiv, Jonuz Saraçi, i cili prezantoi kapacitetet gjeneruese, funksionimin e blloqeve prodhuese dhe sfidat aktuale të sektorit energjetik, duke ofruar një pasqyrë të qartë mbi rëndësinë strategjike të këtij sektori për zhvillimin e vendit.

Një ndër pikat kyçe të vizitës ishte turi teknik i udhëhequr nga Inxhinieri Kryesor, Enver Shabani, përmes të cilit studentët patën mundësinë të shohin nga afër funksionimin e sistemeve të avancuara si SCADA, rrjeti i tensionit 6.3 kV, sistemet DC dhe mbrojtjet rele – elemente thelbësore për operimin e sigurt dhe efikas të impianteve energjetike moderne.

Vizita u pasurua edhe me inspektimin e transformatorëve energjetikë me kapacitet 400 MVA dhe sektorit të turbinave, ku studentët u njohën me procesin e kogjenerimit dhe rolin e tij në furnizimin me ngrohje për qytetin e Prishtinës përmes Termokos-it.

Këto aktivitete dëshmojnë qasjen praktike dhe të orientuar drejt industrisë që ofron programi i Inxhinierisë së Energjisë në UBT, duke përgatitur studentët për tregun e punës përmes përvojave reale dhe bashkëpunimeve me institucionet kyçe të sektorit.

UBT vazhdon të mbetet një nga institucionet lider në zhvillimin e profesionistëve të së ardhmes në fushën e energjisë, duke krijuar ura të forta lidhëse ndërmjet akademisë dhe industrisë.

Continue Reading

Të kërkuara