Lajmet

Vazhdon gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, dëshmitarja e parë intervistohet në seancë private

Sot seanca e radhës.

Published

on

Sot do të vazhdojë dita e tretë e dhënies së dëshmisë, të dëshmitarit të mbrojtur në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.

Ndryshe dje dëshmitarja e parë në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka vazhduar dhënien e dëshmisë, duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes.

Ndryshe, gjatë seancës së martës, dëshmitarja i është përgjigjur pyetjeve të ZPS-së, e që po ashtu ka qenë seancë e mbyllur.

Lluka Mishetiq, avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, para se te hynte dëshmitarja në sallë kërkoi që ta dorëzoi një provë të re materiale, provë e cila nuk u kundërshtua nga ZPS-ja dhe më pas u pranua nga trupi gjykues.

Ndryshe aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Më 22 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, përmes dy vendimeve, miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, mes tjerash, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krime me synim konkret (tri apele kundër këtij vendimi, të dorëzuara nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi, u hodhën poshtë nga Gjykata e Apelit më 22 gusht 2022).

ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e ndryshuar më 3 shtator 2021. Më 23 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për ndryshim të aktakuzës me qëllim që të përfshijë një numër akuzash të reja, konkretisht qendra ndalimi të tjera në komunën e Suharekës, incidente të reja të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme në Gjilan, si dhe incidente të reja të pjesëmarrjes personale të të akuzuarit në krimet për të cilat akuzohet.

Pas hedhjes poshtë të apeleve të Thaçit dhe Veselit kundër këtij vendimi prej Panelit të Gjykatës së Apelit më 22 mars 2022, ZPS-ja dorëzoi versionin e redaktuar publik të aktakuzës së ndryshuar më 29 prill 2022. Më 22 korrik 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi, pjesërisht, kërkesën e Mbrojtjes së Thaçit që pretendon mangësi në aktakuzën e fundit dhe gjithashtu urdhëroi ZPS-në që, deri më 30 shtator 2022, të parashtrojë aktakuzën e ndryshuar më tej, me informacion shtesë lidhur me akuzat aktuale. Informacioni shtesë ka të bëjë me emrat e autorëve të drejtpërdrejt të krimeve, viktimave dhe vendodhjeve përkatëse në paragrafet konkrete në aktakuzën aktuale.

Më 29 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për tërheqjen nga aktakuza të pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt dhe urdhëroi ZPS-në që të pasqyrojë këtë tërheqje të akuzave në aktakuzën e ndryshuar më tej, e cila u dorëzua më 30 shtator 2022. Një version më pak i redaktuar i aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Aktualisht, kjo është aktakuza në fuqi për këtë çështje.

“Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së”, njoftojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Lajmet

Haxhiu kërkon hetim nga Prokuroria Speciale për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë ka deklaruar se pret që të gjithë dëshmitarët e ftuar të përgjigjen para Komisionit Hetimor të formuar pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt.

Haxhiu i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që pa vonesa të nisë hetimet penale për veprimet apo mosveprimet e secilit zyrtar të përfshirë në këtë rast. Ajo sqaroi se Komisioni Hetimor shërben si mekanizëm shtesë që do të përpilojë një dokument përfundimtar për t’ia deleguar organit të ndjekjes.

Ndërsa vlerësoi pezullimin e kryeprokurores, prokurores së rastit dhe 11 zyrtarëve policorë, Haxhiu shprehu shqetësimin për mungesën e masave nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komuna e Pejës ndaj zyrtarëve përgjegjës, duke theksuar se ky rast duhet të shërbejë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Dogana e Kosovës mbledh 186.6 milionë euro të hyra në tetor, rritje prej 5.9 për qind

Published

on

Dogana e Kosovës ka mbledhur 186.6 milionë euro të hyra gjatë muajit tetor 2026, duke shënuar rritje prej 5.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas buletinit mujor të publikuar nga Dogana, në tetor të vitit 2025 të hyrat kishin arritur në 176.2 milionë euro, ndërsa këtë vit janë rritur në 186.6 milionë euro.

Përveç rritjes së të hyrave, gjatë tetorit janë shënuar edhe zhvillime të tjera në aktivitetin doganor.

Një ndër to ishte realizimi i eksportit të parë në pikën kufitare Dheu i Bardhë, pas hyrjes në zbatim të plotë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë–EFTA, e cila synon të krijojë mundësi të reja për bizneset kosovare.

Po ashtu, Sektori i Antikontrabandës ka realizuar një operacion gjatë të cilit janë ndaluar 121 telefona celularë pa dokumentacionin përkatës.

Një tjetër zhvillim ishte organizimi i punëtorisë së parë ndërkombëtare për vlerësimin doganor në Kosovë, në kuadër të programit Customs Programme, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të DG TAXUD.

Në buletinin mujor, Dogana e Kosovës ka theksuar përkushtimin për forcimin e kontrolleve doganore, luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme.

Institucioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Siguria e barnave është përgjegjësi e përbashkët e profesionistëve shëndetësorë dhe pacientëve

Published

on

By

Shkruan: Prof. Dr. Fitim Alidema

Nga këndvështrimi farmakologjik, siguria e një bari nuk përcaktohet vetëm nga efikasiteti i tij në trajtimin e një sëmundjeje. Ajo lidhet ngushtë me dozën e administruar, kohëzgjatjen e trajtimit, gjendjen shëndetësore të pacientit, funksionin e mëlçisë dhe të veshkave, praninë e sëmundjeve të tjera, si dhe ndërveprimet e mundshme me barna të tjera. Për këtë arsye, i njëjti bar mund të ketë efektin e dëshiruar terapeutik te një pacient, ndërsa te një tjetër mund të shkaktojë reaksione të padëshiruara që kërkojnë vlerësim dhe ndërhyrje mjekësore

Barnat përbëjnë një nga arritjet më të rëndësishme të mjekësisë bashkëkohore. Falë zhvillimit të farmakologjisë dhe përparimeve në trajtimin medikamentoz, sot është e mundur të parandalohen, kontrollohen dhe trajtohen sëmundje që dikur përbënin kërcënim serioz për jetën. Megjithatë, krahas përfitimeve të padiskutueshme terapeutike, përdorimi i barnave shoqërohet edhe me rreziqe të caktuara, të cilat kërkojnë vëmendje të vazhdueshme nga profesionistët shëndetësorë dhe vetë pacientët.

Në kuadër të Javës Botërore të Sigurisë së Barnave, e cila shënohet nga 2 deri më 8 nëntor 2026, vëmendja përqendrohet në një aspekt thelbësor të kujdesit shëndetësor: identifikimin, vlerësimin dhe raportimin e reaksioneve të padëshiruara që mund të shfaqen gjatë përdorimit të barnave.

Nga këndvështrimi farmakologjik, siguria e një bari nuk përcaktohet vetëm nga efikasiteti i tij në trajtimin e një sëmundjeje. Ajo lidhet ngushtë me dozën e administruar, kohëzgjatjen e trajtimit, gjendjen shëndetësore të pacientit, funksionin e mëlçisë dhe të veshkave, praninë e sëmundjeve të tjera, si dhe ndërveprimet e mundshme me barna të tjera. Për këtë arsye, i njëjti bar mund të ketë efektin e dëshiruar terapeutik te një pacient, ndërsa te një tjetër mund të shkaktojë reaksione të padëshiruara që kërkojnë vlerësim dhe ndërhyrje mjekësore.

Një rëndësi të veçantë ka dallimi ndërmjet efekteve anësore të njohura dhe reaksioneve të padëshiruara serioze. Disa reaksione janë të lehta dhe kalimtare, si shqetësimet gastrointestinale, marramendja apo përgjumja. Në raste të tjera, mund të shfaqen reaksione alergjike të rënda, çrregullime të funksionit të organeve, gjakderdhje ose komplikime të tjera që mund të rrezikojnë shëndetin dhe jetën e pacientit. Prandaj, çdo simptomë e re që shfaqet pas fillimit ose ndryshimit të një terapie duhet të vlerësohet me kujdes, pa supozuar automatikisht se është shkaktuar nga bari.

Në praktikën klinike, një ndër sfidat më të mëdha mbetet përdorimi i barnave pa këshillim profesional. Vetëmjekimi, përdorimi i antibiotikëve pa indikacion të qartë, ndryshimi i dozave sipas vlerësimit personal dhe ndërprerja e parakohshme e terapisë janë dukuri që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatet e trajtimit. Veçanërisht shqetësues është përdorimi i njëkohshëm i disa barnave pa një vlerësim të plotë të ndërveprimeve të mundshme ndërmjet tyre.

Pacientët e moshuar, fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike kërkojnë kujdes të shtuar gjatë përshkrimit dhe administrimit të barnave. Te këto kategori, ndryshimet fiziologjike dhe patologjike mund të ndikojnë në përthithjen, shpërndarjen, metabolizmin dhe eliminimin e substancave aktive. Kjo nënkupton se trajtimi medikamentoz duhet të individualizohet dhe të mbështetet në vlerësimin e përfitimeve dhe rreziqeve për secilin pacient.

Një tjetër aspekt që meriton vëmendje është përdorimi i barnave pa recetë, preparateve bimore dhe suplementeve ushqimore. Ekziston një perceptim i gabuar se produktet që merren pa recetë ose kanë origjinë natyrore janë domosdoshmërisht të sigurta. Në të vërtetë, edhe këto produkte mund të shkaktojnë reaksione të padëshiruara ose të ndërveprojnë me terapinë e përshkruar nga mjeku.

Në këtë kontekst, farmakovigjilenca përbën një mekanizëm të domosdoshëm për mbrojtjen e shëndetit publik. Ajo përfshin aktivitetet që lidhen me zbulimin, vlerësimin, kuptimin dhe parandalimin e reaksioneve të padëshiruara dhe problemeve të tjera që lidhen me përdorimin e barnave. Rëndësia e saj shtrihet përtej identifikimit të një reaksioni individual, pasi të dhënat e mbledhura nga raportimet mund të ndihmojnë në zbulimin e rreziqeve që nuk janë evidentuar plotësisht gjatë studimeve klinike.

Është e rëndësishme të kuptohet se raportimi i një reaksioni të dyshuar nuk nënkupton domosdoshmërisht se bari është shkaktari i tij. Raportimi shërben si pikënisje për vlerësimin shkencor të lidhjes së mundshme ndërmjet përdorimit të barit dhe ngjarjes së vërejtur. Pikërisht për këtë arsye, nuk duhet të pritet konfirmimi përfundimtar i shkakësisë përpara raportimit të një reaksioni të dyshuar.

Në këtë proces, mjekët, farmacistët, infermierët dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë kanë përgjegjësi të veçantë. Përshkrimi racional i barnave, informimi i pacientit, monitorimi i trajtimit dhe dokumentimi i reaksioneve të dyshuara janë pjesë përbërëse e praktikës profesionale. Njëkohësisht, edhe pacienti duhet të jetë pjesëmarrës aktiv në trajtimin e tij, duke informuar profesionistët shëndetësorë për barnat që përdor dhe për çdo ndryshim të pazakontë të gjendjes shëndetësore.

Si profesor i farmakologjisë, konsideroj se edukimi mbi sigurinë e barnave duhet të jetë pjesë e pandashme e formimit të profesionistëve të ardhshëm shëndetësorë. Njohja e mekanizmave të veprimit të barnave është themelore, por po aq e rëndësishme është aftësia për të identifikuar faktorët që rrisin rrezikun e reaksioneve të padëshiruara, për të vlerësuar ndërveprimet medikamentoze dhe për të marrë vendime të argumentuara në praktikën klinike.

Siguria e barnave nuk duhet të trajtohet si një çështje që merr vëmendje vetëm gjatë fushatave ndërkombëtare. Ajo duhet të jetë pjesë e përditshme e kulturës së kujdesit shëndetësor, duke filluar nga momenti i përshkrimit të terapisë, vazhduar me përdorimin dhe monitorimin e saj, deri te vlerësimi i rezultateve klinike.

Këshilla të rëndësishme për përdorimin e sigurt të barnave

  1. Mos përdorni barna pa këshillim profesional. Edhe barnat që merren pa recetë mund të kenë kundërindikacione, efekte të padëshiruara dhe ndërveprime me terapi të tjera.
  2. Respektoni dozën dhe kohëzgjatjen e trajtimit. Mos e rrisni, zvogëloni ose ndërprisni dozën e përshkruar pa u konsultuar me mjekun ose farmacistin. Mos merrni dozë të dyfishtë për të kompensuar një dozë të harruar pa udhëzim profesional.
  3. Informoni mjekun dhe farmacistin për të gjitha produktet që përdorni. Përfshini barnat me recetë, barnat pa recetë, suplementet ushqimore dhe preparatet bimore.
  4. Mos përdorni antibiotikë pa indikacion mjekësor. Antibiotikët nuk trajtojnë infeksionet virale, ndërsa përdorimi i panevojshëm i tyre kontribuon në zhvillimin e rezistencës antimikrobike.
  5. Kushtojini vëmendje simptomave të reja gjatë trajtimit. Nëse shfaqen skuqje të lëkurës, marramendje, shqetësime të pazakonta ose ndryshime të tjera pas marrjes së një bari, kërkoni këshillim profesional. Vështirësia në frymëmarrje, ënjtja e fytyrës ose e gjuhës dhe humbja e vetëdijes kërkojnë ndihmë urgjente mjekësore.
  6. Mos përdorni barna të përshkruara për persona të tjerë. Një trajtim që ka qenë i përshtatshëm për një pacient mund të jetë i papërshtatshëm ose i rrezikshëm për një tjetër.
  7. Kontrolloni afatin e përdorimit dhe kushtet e ruajtjes. Barnat duhet të ruhen sipas udhëzimeve të prodhuesit, larg lagështisë, temperaturave të papërshtatshme dhe vendeve të arritshme për fëmijët.
  8. Kërkoni rishikim periodik të terapisë nëse përdorni disa barna. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për pacientët e moshuar dhe personat me sëmundje kronike, për të identifikuar ndërveprimet, dyfishimet terapeutike dhe barnat që mund të mos jenë më të nevojshme.
  9. Mos i neglizhoni reaksionet e dyshuara të padëshiruara. Njoftoni mjekun ose farmacistin dhe kërkoni informacion për raportimin përmes mekanizmave përkatës të farmakovigjilencës. Edhe një dyshim i arsyeshëm meriton të dokumentohet.
  10. Informohuni për barnat që merrni. Para fillimit të një trajtimi, kërkoni të dini për çfarë shërben bari, si duhet përdorur, cilat janë reaksionet e mundshme të padëshiruara dhe në cilat raste duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.

Mesazhi përmbyllës

Java Botërore e Sigurisë së Barnave është një mundësi për të rikujtuar se trajtimi i suksesshëm nuk varet vetëm nga zgjedhja e barit të duhur, por edhe nga mënyra se si ai përdoret, monitorohet dhe vlerësohet gjatë gjithë procesit terapeutik.

Çdo raportim i një reaksioni të dyshuar të padëshiruar mund të kontribuojë në njohjen më të mirë të profilit të sigurisë së një bari dhe në parandalimin e dëmeve të mundshme te pacientët e tjerë.

Përdorimi racional i barnave është përgjegjësi profesionale, ndërsa siguria e tyre është interes i përbashkët i gjithë shoqërisë.

(Autori është dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore në UBT. Shkrimi i dedikohet Javës Botërore të Sigurisë së Barnave, e cila shënohet nga 2 deri më 8 nëntor)

Continue Reading

Lajmet

AUV asgjëson mbi 21 tonë mish te “ELKOS” dhe bllokohet mishi me salmonelë nga Brazili

Published

on

By

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka asgjësuar 21 mijë e 226 kilogramë produkte mishi, në kuadër të zbatimit të urdhëresës së Inspektoratit Veterinar.

Bazuar në këtë urdhëresë, operatori ekonomik “ELKOS SH.P.K.” ka vazhduar procesin e gjurmueshmërisë dhe tërheqjes së produkteve ushqimore nga tregu. Si rezultat, më 30 tetor 2026 janë asgjësuar 21,226 kg produkte nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së, ku përfshihen mushkëri dhe kofshë pule, mish pule, mish i grirë, mish gjedhi dhe produkte të tjera ushqimore. Këto veprime pasojnë urdhrin fillestar për ndalimin dhe asgjësimin e 3,130 kg kofshë pule të ngrira me prani myku.

Përveç këtij rasti, AUV-i ka ndaluar shitjen dhe ka urdhëruar tërheqjen e dy lotëve të mishit të ngrirë të pulës të importuar nga Brazili nga kompania “Apetit”, pasi në të është konstatuar prania e bakterit “Salmonella Minnesota”.

Po ashtu, AUV ka asgjësuar edhe 5.56 tonë misër të importuar nga Serbia për shkak të nivelit të lartë të Aflatoksinës. Agjencia bëri me dije se procesi i gjurmueshmërisë dhe kontrollit po vazhdon për çdo produkt që paraqet ndryshime cilësore apo rrezik për shëndetin e konsumatorëve. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara