Lajmet

Vazhdojnë lëkundjet sizmike në Santorini: Tërmeti i fundit 5 ballë shkund vendin, para tij u ndjenë edhe 6 lëkundje të tjera

Published

on

Aktiviteti sizmik në zonën detare mes Santorinit dhe Amorgos vijon të shkaktojë shqetësim, pasi tërmetet po ndodhin me një frekuencë të lartë dhe magnituda gjithnjë e më të fuqishme. Pas orës 15:00 të ditës së sotme, u regjistrua një lëkundje e fortë me magnitudë 5.0 të shkallës Rihter, që ka tronditur më tej këtë rajon të ndjeshëm ndaj tërmeteve. Epiqendra e tërmetit ishte e njëjtë me atë të sekuencës sizmike të ditëve të fundit, duke intensifikuar frikën te banorët e ishullit, të cilët po tentojnë të largohen nga Santorini për shkak të shqetësimeve të mëdha.

Tërmeti i fundit u regjistrua me një thellësi fokale prej 13.2 kilometrash, dhe epiqendra ndodhej në det, 22 kilometra në jug-perëndim të Arkesinit në Amorgos. Ky aktivitet sizmik i vazhdueshëm ka shkaktuar shqetësim të madh, ndërsa në periudhën e mëngjesit, nga ora 10:15 deri në 11:09, janë ndjerë edhe pesë lëkundje të tjera me magnitudë 4.6 ballë. Pas këtyre, në orën 12:35 është ndjerë një tërmet tjetër me magnitudë 4.1 ballë, duke konfirmuar vazhdimin e aktivitetit sizmik.

Shkencëtarët po monitorojnë nga afër këtë fenomen që ka marrë përmasa të pasigurisë për banorët e zonës dhe për autoritetet përgjegjëse. Aktiviteti sizmik ka ngritur dyshime mbi mundësinë e një tërmeti të madh, por ende askush nuk mund të parashikojë se kur dhe nëse një tërmet me intensitet më të lartë do të ndodhë. Kjo pasiguri ka shtuar shqetësimet e qytetarëve, të cilët janë të prekur nga lëkundjet e shpeshta të tokës.

Drejtori i Institutit Gjeodinamik të Athinës, Vasilis Karastathis, ka deklaruar se aktiviteti sizmik është me origjinë tektonike dhe se nuk ka mundësi që këto lëkundje të jenë rezultat i aktivizimit vullkanik. Ai ka theksuar gjithashtu se ky fenomen mund të vazhdojë për një periudhë të gjatë, mundësisht edhe për disa muaj. Karastathis ka shpjeguar se aktiviteti sizmik është i lidhur ngushtë me zonën e thyerjes që shtrihet midis Amorgos dhe Santorini, duke e quajtur këtë një proces të natyrshëm dhe të zakonshëm për këtë rajon.

Nga ana tjetër, Michel Paulato, një studiues në Imperial College London dhe pjesë e një ekipi shkencor që ka studiuar vullkanin nënujor të Colombo në tetor 2022, ka dhënë disa qetësime lidhur me mundësinë e shpërthimit të vullkanit. Paulato ka theksuar se është e pakonceptuar që vullkani Columbo të shpërthejë në të ardhmen e afërt, por ka shprehur shqetësimin se aktiviteti sizmik i fundit mund të çojë në lëkundje më të fuqishme, që mund të ndikojnë në stabilitetin e rajonit dhe të krijojnë pasoja të padëshiruara.

Aktualisht, autoritetet lokale dhe shkencëtarët po mbajnë nën vëzhgim tërmetet dhe aktivitetin sizmik në këtë zonë të pasigurt, duke bërë të mundur që banorët dhe turistët të jenë të informuar për situatën dhe mundësitë e masave të sigurisë. Por, megjithatë, ndodhitë e vazhdueshme dhe magnituda e lëkundjeve janë një kujtesë për seriozitetin e rrezikut që paraqet ky fenomen natyror./UBTNews/

Continue Reading

Lajmet

Zbulimi i varrezave masive në Zubin Potok: Kryeprokurori Gashi e cilëson si obligim ligjor e moral ndriçimin e fatit të viktimave të luftës

Published

on

By

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka reaguar përmes një deklarate zyrtare lidhur me rastin e zbulimit të varrezave masive në komunën e Zubin Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore dhe dyshohet për trupa të tjerë të viktimave nga lufta e fundit në Kosovë.

Kryeprokurori Gashi ka vlerësuar lart punën e të gjitha institucioneve ligjzbatuese që janë të përfshira në këtë proces, duke theksuar rëndësinë e madhe që ka ky rast për drejtësinë dhe familjarët.

“Zbulimi i këtyre varrezave masive është një përpjekje dhe angazhim shtetëror për zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë. Mbi të gjitha, ndriçimi i këtyre rasteve përbën një detyrim institucional dhe ligjor ndaj viktimave dhe familjeve të tyre që prej vitesh presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre“, ka deklaruar Kryeprokurori Gashi.

Në deklaratën e tij, ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit gjithëpërfshirës për identifikimin e përgjegjësve për këto krime.

“Kryeprokurori i Shtetit vlerëson praninë e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve në vendin e ngjarjes ku janë gjetur mbetjet mortore. Kontributi dhe bashkëpunimi i secilit kanë qenë dhe mbetet thelbësor për zbardhjen e këtyre rasteve, si dhe për identifikimin e personave përgjegjës të përfshirë në kryerjen e këtyre krimeve me qëllim që ata të përballen me drejtësinë“, përmbyllet deklarata. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti takon Zijadin Selën, diskutojnë zhvillimet politike dhe projektet infrastrukturore

Published

on

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e partisë Lidhja Shqiptare dhe deputetin në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Zijadin Selën.

Gjatë takimit, Kurti i uroi mirëseardhje Selës në Prishtinë dhe e falënderoi për vizitën, ndërsa bashkëbiseduan për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

Në fokus të bisedës ishin përgatitjet për konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës, formimin e Qeverisë së re dhe procesin e zgjedhjes së presidentit ose presidentes së vendit.

Palët diskutuan gjithashtu për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, me theks të veçantë te projektet infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e rrugës Prizren–Tetovë dhe aksit Bllacë–Shkup./A.K/

Continue Reading

Lajmet

KDI mirëpret vendimin e Supremes për shfuqizimin e disa dispozitave të Rregullores së KQZ-së

Published

on

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme për shfuqizimin e disa dispozitave të Rregullores Zgjedhore nr. 04/2026 për Vëzhguesit e Zgjedhjeve, duke vlerësuar se ato tejkalonin kompetencat e përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Sipas KDI-së, dispozitat e shfuqizuara i jepnin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kompetenca shtesë për të kërkuar informacione mbi burimet e financimit të organizatave, zgjeronin kërkesat për dokumentacion dhe krijonin kritere të paqarta për refuzimin e akreditimit të organizatave dhe mediave, duke lënë hapësirë për vendimmarrje arbitrare.

KDI thekson se rregullorja kufizonte edhe pjesëmarrjen e vëzhguesve që ishin në procedurë hetimore për shkelje zgjedhore, gjë që, sipas organizatës, cenonte parimin e prezumimit të pafajësisë. Po ashtu, kufizoheshin edhe të drejtat e vëzhguesve dhe mediave për të ndjekur mbledhjet publike të KQZ-së dhe Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ndonëse karakteri publik i tyre garantohet me ligj.

Sipas KDI-së, vendimi i Gjykatës Supreme konfirmon se të drejtat dhe detyrimet e subjekteve nuk mund të kufizohen apo zgjerohen përmes akteve nënligjore pa mbështetje të qartë ligjore, duke vendosur një standard të rëndësishëm për ligjshmërinë, sigurinë juridike dhe transparencën në administrimin e zgjedhjeve.

Në fund, KDI i ka bërë thirrje KQZ-së që ta zbatojë pa vonesë aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe ta harmonizojë Rregulloren për Vëzhguesit e Zgjedhjeve me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës me konsultim publik të organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe akterëve të tjerë relevantë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nga 1 shtatori vendoset tarifa e rikyçjes për konsumatorët që shkyçen për mospagesë të rrymës

Published

on

By

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike KESCO ka njoftuar konsumatorët se nga 1 shtatori 2026 do të fillojë zbatimi i tarifës së rikyçjes nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).

Sipas njoftimit të KESCO-s, kjo tarifë do t’u aplikohet të gjithë konsumatorëve të cilët shkyçen nga rrjeti elektrik për shkak të mospagesës së faturave dhe kërkojnë rikyçjen e furnizimit. Masa bazohet në Rregullën për Shkyçje dhe Rikyçje të miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Tarifa e re e rikyçjes do të aplikohet krahas tarifës së shkyçjes, e cila tashmë është në fuqi. Perveç kanaleve zyrtare të komunikimit, njoftimi do të përfshihet edhe në faturat mujore të rrymës që do të shpërndahen gjatë muajit gusht.

KESCO u ka bërë thirrje konsumatorëve që t’i kryejnë obligimet financiare brenda afateve të përcaktuara në faturë, në mënyrë që të shmangin shkyçjen dhe kostot shtesë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara