Lajmet

Vala populiste në Evropë tregon shenja dobësimi

Mbështetja për lëvizjen populiste ka rënë në 10 vende evropiane.

Published

on

A po zbehet vala populiste në Evropë?

Dy populistë, të cilët erdhën në pushtet me valën e zemërimit ndaj elitave, u rrëzuan nga pushteti këtë vit: Boyko Borisov i Bullgarisë, një ish-truproje, i cili humbi zgjedhjet në prill dhe Andrej Babiš i Republikës Çeke, një biznesmen që humbi zgjedhjet e tetorit dhe është zëvendësuar nga një profesor universiteti që po drejton një koalicion të partive politike.

Në prill të vitit të ardhshëm, kryemimistri hungarez Viktor Orban, i cili ka patur një dekadë suksesi elektoral duke u përplasur me Bashkimin Evropian mbi atë që ai e sheh si përpjekje të Brukselit për të imponuar një botëkuptim ndërkombëtar ndaj vendit të tij, përballet me një betejë të ashpër rizgjedhjeje kundër një opozite tashmë të bashkuar pro-BE-së.

Zoti Orban po shmanget nga administrata e PresidentitBiden dhe Hungaria është i vetmi vend i Bashkimit Evropian që nuk u ftua në Samitin për Demokraci të javës së ardhshme të organizuar nga Shtetet e Bashkuara, një përjashtim që zyrtarët amerikanë shpresojnë që partitë opozitare hungareze do ta shfrytëzojnë në fushatën e tyre zgjedhore.

Sipas sondazheve, batica politike po shkon kundër populistëve në Evropën Qendrore dhe gjetkë në kontinent. Sondazhet tregojnë se mbështetja për ndjenjat populiste në Evropë ka rënë ndjeshëm që nga fillimi i pandemisë.

Sondazhet

Një sondazh i publikuar javën e kaluar nga organizata britanike YouGov zbuloi se mbështetja për lëvizjen populiste ka rënë në 10 vende evropiane gjatë tre viteve të fundit, duke sugjeruar se mbështetja e elektoratit për populizmin mund të ketë arritur kulmin.Parimi populist se “vullneti i popullit duhet të jetë parimi më i lartë në politikën e një vendi” nuk është më aq i fort sa tre vjet më parë, bazuar në të dhënat e sondazhit të organzatës YouGov. Në Poloni, për shembull, 65% e votuesve tani pajtohen me këtë deklaratë në krahasim me nivelinprej 81% që ishte tre vjet më parë.

Spndazhi i YouGov-it thotë gjithashtu se shumë më pak të anketuar mendojnë se vendet e tyre janë të ndara midis njerëzve të zakonshëm dhe “elitave të korruptuara” që i shfrytëzojnë ato. Tre vjet më parë, 61% e të anketuarve në Francë u pajtuan me këtë vlerësim, por tani vetëm 49% janë dakord me këtë mendim. Edhe në Itali ka patur një rënie të dukshme të mbështetjes për populizimin, nga 65% në 54%.

Një analizë e të gjitha sondazheve mujore të mbledhura së bashku nga organizata “Europe Elects” me bazë në Gjermani sugjeron gjithashtu se ka patur një rënie të mbështetjes për populistët e ekstremit të djathtë dhe atij të majtë. “Europe Elects” vlerëson se popullariteti i partive populiste shënoi rënie në 10 vende evropiane dhe u rrit vetëm në tre, në Holandë, Portugali dhe Qipro.

Hans-Georg Betz, një studiues në Universitetin e Zyrihut dhe autor i disa librave mbi populizmin e krahut të djathtë, e lidh një pjesë të rënies së mbështetjes për lëvizjet populiste në të gjithë Evropën me zbehjen e shqetësimeve të publikut për çështjen e imigracionit.

“Për të djathtën populiste, pas fillimit të pandemisë së Covid-19, çështja e vendit të Islamit në shoqëritë perëndimore u zbeh dhe bashkë me të u pakësua apeli dhe mbështetja për të djathtën populiste”, tha ai në një shkrim për Qendrën për Analizimin e së Djathtës Radikale, një grup studimor me bazë në Britani.

“Shembulli më i qartë është Partia Popullore Daneze, DF. Deri kohët e fundit, DF ishte një aktor kryesor në politikën daneze, e cila arriti të impononte qëndrimet e saj ndaj emigrantëve dhe refugjatëve tek partitë kryesore. Tashmë, ajo praktikisht është zhdukur nga peizazhi politik. Partitë e tjera kanë ecur më mirë, por ato ende janë nën nivelin e tyre të para pandemisë”, shtoi ai.

Angela Merkel dhe Gjermania
Por është ende herët të nënvlerësohet roli i populistëve nacionalistë të kontinentit, një pikëpamje e mbështetur edhe nga kancelarja gjermane në largim Angela Merkel, veçanërisht kur bëhet fjalë për Evropën Qendrore. Në një intervistë të fundit për mediat, zonja Merkel theksoi shqetësimet e saj për grindjet e vazhdueshme mes Brukselit dhe vendeve ish-komuniste të Evropës Qendrore për sundimin e ligjit, lirinë e shtypit dhe emigracionin.

Ajo paralajmëroi se përçarjet mund të thellohen dhe paralajmëroi se “ndjenja se ka pak hapësirë kombëtare për manovrim krijon zhgënjim”. Dhe pasi mori pjesë në takimin e saj të fundit me krerët e tjerë të shteteve të BE-së muajin e kaluar, ajo i kërkoi Brukselit dhe udhëheqësve të Evropës Perëndimore që të kërkonin kompromisin me vendet e Evropës Qendrore me prirje më populiste, të cilat “u bashkuan me një klub të formuar tashmë pa dhënë kontribut në krijimin e të gjitha rregullave dhe kushteve të tij.”

Disa analistë kanë frikë se me largimin e zonjës Merkel nga skena politike, përplasjet midis BE-së dhe udhëheqësve e partive populiste me prirje nacionaliste të Evropës Qendrore mund të përkeqësohen. Angela Merkel ishte një zë frenues, që kërkonte gjithmonë të zbuste konfrontimet dhe e prirur të balanconte interesat e BE-së si bllok me interesat kombëtare të shteteve anëtare individuale.

Largimi i saj mund të lejojë daljen nga kontrolli të grindjeve midis BE-së dhe anëtarëve që mbështesin pikëpamjet ndërkombëtarë të bllokut nga njëra anë, dhe qeverive më nacionaliste të Hungarisë, Polonisë dhe Sllovenisë, në anën tjetër, nga të cilat mund të përfitojnë udhëheqësit populistë.

COVID-19
Populistët e kanë kthyer vëmendjen në fazat e fundit të pandemisë së koronavirusit për të forcuar pozitat e tyre politike ndërsa po rritet zemërimi dhe lodhja e publikut nga zgjatja e masave të reja kufizuese të vendosura nga qeveritë mes valës së katërt të infeksioneve.Këtë muaj disa vende, duke përfshirë Holandën, Italinë, Zvicrën dhe Austrinë, u ndeshën me protesta masive kundër masave të reja kufizuase për të frenuar përhapjen e virusit.Protestat u inkurajuan nga partitë populiste dhe në disa qytete, përfshirë Roterdamin, pati përleshje mes policisë dhe protestuesve.

“Me valën e katërt (të rritjes së infeksioneve me Covid-19) që përfshiu Evropën dhe pa një fund të qartë të pandemisë, shoqëritë duket se po i afrohen me shpejtësi humbjes së durimit. Kjo po reflektohet në një rritje të zhgënjimit dhe zemërimit, duke shpërthyer herë pas here në protesta të furishme, madje edhe të dhunshme”, thotë studiuesi zviceran Hans-Georg Betz.

Ai thotë se e djathta populiste mund të ketë gjetur tek masat kufizuese kundër pandemisë “një çështje të debatueshme që mund ta ndihmojë atë të rifitojë terrenin e humbur politik”.

Continue Reading

Lajmet

Kroacia reagon ndaj Hagës: Aktgjykim jo përfundimtar, pavarësia e Kosovës nuk pyetet

Published

on

By

Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë ka reaguar zyrtarisht lidhur me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar atë si një vendim jo përfundimtar të shkallës së parë dhe duke refuzuar të paragjykojë epilogun e mëtutjeshëm të procedurës.

Përmes këtij reagimi, MPJ-ja kroate nëvizoi se ky aktgjykim nuk e ndryshon kontekstin historik të ngjarjeve, ku Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Diplomacia kroate përfundoi se përgjegjësia individuale e personave të caktuar nuk mund të përdoret aspak si bazë për relativizimin e krimeve serbe, e as për vënien në pikëpyetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Grenell: Kurti të veprojë shpejt për ta zhbërë Gjykatën Speciale, deputetët ta ndihmojnë

Published

on

By

Emisari presidencial i Trumpit, Richard Grenell, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale. Grenell ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të veprojë shpejt për ta zhbërë Gjykatën Speciale dhe sipas tij, deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta ndihmojnë në këtë.

“Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit, për një luftë të zhvilluar 25 vjet më parë, është i turpshëm.

Askush nuk është i sigurt nga këto gjykata ndërkombëtare, ku elitat akademike marrin vendime politike. Këta tre gjyqtarë dhe prokurori amerikan janë të gjithë të majtë ekstremë. Ata qartazi nuk i dëgjuan këshilltarët e Bill Clintonit, të cilët e bënë të qartë se Thaçi nuk e drejtonte luftën.

Gjyqtari zviceran Guénaël Mettraux ishte në të vërtetë udhëheqësi, duke injoruar çështjet ligjore dhe duke zgjedhur në vend të tyre politikën e Jack Smithit.

Të gjitha këto gjykata duhet të financohen më menjëherë. Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së dhe Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche duhet të veprojnë shpejt. Amerikanët po paguajnë për këto ndjekje penale politike dhe kjo duhet të ndalet.

Edhe Albin Kurti duhet të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë Gjykatë të huaj. Anëtarët e Parlamentit duhet të punojnë me Kurtin për ta bërë këtë të mundur. Kosovës nuk i duhet një gjykatë në Holandë”, ka shkruar Grenell.

 

Continue Reading

Lajmet

SHBA-ja: Respektojmë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

By

Shtetet e Bashkuara thanë se e respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që ta pranojnë vendimin e gjykatës.

“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Departamenti i Shtetit tha se SHBA-ja mbështet drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre dhe ritheksoi mbështetjen për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit.

Uashingtoni bëri thirrje, gjithashtu, për shmangien e retorikës nxitëse pas shpalljes së aktgjykimit.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Reagimi i Kurtit për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së: Padrejtësi e papranueshme, do të vazhdojmë mbrojtjen në Apel

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si një “padrejtësi të papranueshme” dhe “ndëshkim të dëmshëm” vendimin e Dhomave të Specializuara për shpalljen fajtorë të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në një adresim për qytetarët, kreu i qeverisë theksoi se ky aktgjykimi nuk përfaqëson vullnetin e popullit dhe shprehu besimin se ai do të korrigjohet në shkallën e apelit.

“Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit. Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë”, deklaroi Kurti.

Pavarësisht dënimit, Kurti vuri në dukje se procesi gjyqësor rrëzoi pretendimin më të rëndë që rëndonte mbi UÇK-në, duke vërtetuar se nuk ka pasur një sulm të gjerë apo sistematik ndaj popullsisë civile.

Ai po ashtu ngriti shqetësime për njëanshmëri etnike në procesin gjyqësor, duke kritiukuar faktin se aparati shtetëror serb që kreu krimet mbeti i pagjykuar:

“Kur në bankën e të akuzuarve gjenden vetëm pjesëtarët e një etnie, ndërsa aparati shtetëror që kreu masakra, dëbime dhe krime gjenocidale mbetet jashtë juridiksionit, krijohet në mënyrë të pashmangshme pamja e një drejtësie njëetnike”.

Kryeministri nënvizoi se pastërtia e luftës çlirimtare mbetet e paprekur dhe se gjykimi i veprimeve individuale nuk e zbeh kauzën historike të Kosovës.

“Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara; nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo. Sepse kur atdheu nuk duroi më gjakatarë, ai thirri çlirimtarë”, u shpreh ai.

Kreu i ekzekutivit rikonfirmoi se shteti i Kosovës do të vazhdojë t’u ofrojë mbështetje të plotë e institucionale katër ish-drejtuesve gjatë procedurave vijuese ligjore në shkallën e apelit.

 

Continue Reading

Të kërkuara