Lajmet

UBT nderon jetën dhe veprën e Profesorit Naim Krasniqi

Published

on

Në ambientet e UBT-së në Kampusin Inovativ, sot u mbajt një ceremoni komemorative në nderim të jetës dhe veprës së profesorit të ndjerë, Naim Krasniqi. Familjarë, kolegë, studentë dhe përfaqësues të komunitetit akademik u mblodhën për të kujtuar kontributin e tij të pashlyeshëm në fushën e agrokulturës dhe arsimit.

Gjatë ceremonisë, u theksua se profesor Krasniqi nuk ishte vetëm një pjesë e stafit akademik, por një udhërrëfyes i përkushtuar që ndau me brezat e rinj dijen, përvojën dhe vlerat më të larta profesionale.

Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në fjalën e tij të rastit, shprehu tronditjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut të tij.

“Më lejoni që në emër të UBT-së t’ju shpreh ngushëllimet më të thella për humbjen e profesorit, kolegut, mikut dhe anëtarit të familjes tonë, Naim Krasniqit. Personalisht ka qenë një befasi, ishte diçka e papritur sepse vërtet me Naimin kemi pasur shumë punë për të bërë; ishte vetëm fillimi i një angazhimi që kishim nisur bashkë,” u shpreh Hajrizi.

Rektori Hajrizi nënvizoi gjithashtu se profesori Krasniqi ishte një shtyllë në rritjen e institucionit. “Naimi ka qenë pjesë e ndërtimit institucional dhe pjesë e historisë së UBT-së, me fokus të veçantë te Fakulteti i Ushqimit dhe ai i Agrokulturës. Arsyeja pse e integruam në strukturën tonë ishte pikerisht kompetenca e tij e lartë profesionale”, tha ai.

Ndërsa, dekani i Fakultetit Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologjia, Fidan Feka u shpreh se profesori i ndjerë ishte “agronom që i dha shpirt bujqësisë”.

“I rritur në një familje me traditë intelektuale dhe atdhedashëse, ai arriti të bëhej një urë lidhëse mes teorisë akademike dhe praktikës në terren”, tha ai.

Eksperienca e Naim Krasniqit ishte e gjerë dhe ndërkombëtare. Pasi përfundoi studimet universitare në vitin 2005, ai u specializua në Institutin Agronomik Mesdhetar në Bari të Italisë gjatë viteve 2010-2012.

Nga viti 2018, ai u bë pjesë e pandarë e Fakultetit të Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT. Përveç auditoreve, profesori la gjurmë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit përmes bashkëpunimit me organizata si USAID, ku shërbeu në programe për mundësi të reja për bujqit, si dhe në Shoqatën Nacionale të Mjedrës si koordinator për trajnime.

“Humbja e tij lë një boshtëllëk të madh në komunitetin akademik dhe shoqëror, por gjithashtu na kujton trashëgiminë e pavdekshme që ka lënë pas”, tha mes tjerash gjatë përkujtimit dekani Feka.

Në anën tjetër, profesori i Fakultetit të Bujqësisë në UP, Imer Rusinovci, dajë i të ndjerit, e pati të vështirë të mbante fjalimin mes dhimbjes së madhe, duke kujtuar natyrën e tij fisnike: “Sot fjala është e rëndë, ka ditë kur fjala mezi del nga goja sepse dhemb shpirti. Naimi ishte një specialist i vërtetë, bashkëshort dhe babë i vërtetë; ishte dritë për familjen dhe udhërrëfyes për studentët. Naimi u rrit pa babanë e tij Ibrahimin, i cili ra dëshmor i kombit. Nipi im më i mirë vdiq në moshën vetëm 40 vjeç e gjysmë, në kulmin e jetës”, tha dr. Rusinovci.

Ndarja nga jeta e profesor Naim Krasniqit konsiderohet një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë, por për të gjithë sektorin e bujqësisë në Kosovë, të cilit ai i shërbeu me devotshmëri deri në momentet e fundit.

Në emër të familjes foli Rina Krasniqi, si dhe djali i të ndjerit, Nektar Krasniqi.

 

Profesori Naim Krasniqi ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë.

Teksti: Diora Luma

Continue Reading

lajme

Muriqi shënon për Kosovën dhe golin ia dedikon çlirimtarëve: “Drejtësi për çlirimtarët”

Published

on

By

Kosova ka shënuar më në fund golin e parë. Pas një gjuajtjeje të Ermal Krasniqit, topi u përplas fillimisht në traversë pas një devijimi, ndërsa Vedat Muriqi realizoi nga afërsia me kokë, duke e dërguar topin në rrjetë.

Muriqi golin ia dedikoi ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët javën e kaluar u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Pas golit, para shikuesve, sulmuesi i Kosovës ngriti fanellën me mbishkrimin “Drejtësi për çlirimtarët”, duke përcjellë mesazhin e tij në një moment emocionues për tifozët.

D.L

Continue Reading

Vendi

REL: Keqardhje që Serbia s’ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për sulmin në Banjskë

Published

on

Në përvjetorin e tretë të sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ndaj të dyshuarve që gjenden në territorin e saj.

“BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe shpreh keqardhje që, deri më tani, Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe ndjekur penalisht ata, me akuza përkatëse, të personave që gjenden në Serbi”, tha një zëdhënës i BE-së.

Tre vjet më parë, në Banjskë të Zveçanit një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit, tre sulmues serbë u vranë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Radoiçiq ka adresë të regjistruar në Serbi, teksa Kosova vazhdimisht kërkon që ai të ekstradohet në mënyrë që të përballet me drejtësinë.

“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë juridike. Kjo çështje ka mbetur pezull për një kohë të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë atë sa më shpejt”, tha zëdhënësi i BE-së.

Në deklaratën e BE-së tha se çështjen e Banjskës, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, e ka ngritur gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Nju Jork.

Po në Nju Jork, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ngriti çështjen e sulmit në Banjskë gjatë takimit me Kallasin.

Kuri tha se Radoiçiq dhe persona të tjerë që morën pjesë në sulm po “mbrohen nga presidenti i Serbisë”, duke shtuar se ka kërkuar përkrahjen e BE-së që t’i bëjë trysni Serbisë për këtë çështje.

Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht që të përfshirët në sulm të përballen me drejtësinë.

Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiqit, për sulmin në Banjskë. Gjykimi është mbajtur vetëm ndaj tre personave, të cilët janë dënuar nga shkalla e parë e gjyqësorit: një me 30 vjet burgim dhe dy persona me burgim të përjetshëm.

Continue Reading

Vendi

Nora Gjakova diplomon në UBT, xhudistja përmbyll me sukses studimet në Shkencat e Sportit

Published

on

Xhudistja kosovare dhe kampionia olimpike, Nora Gjakova, ka diplomuar në UBT, në Fakultetin e Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes, në programin “Shëndeti dhe Aktiviteti Fizik”.
Gjakova, e cila ndër vite ka përfaqësuar Kosovën në garat më të rëndësishme ndërkombëtare të xhudos, ka përfunduar studimet me një temë diplome që lidhet drejtpërdrejt me sportin që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së saj.
Tema e punimit të saj ishte “Monitorimi i shkallës së lodhjes akute dhe rikuperimit pas një ndeshjeje të simuluar të xhudos përmes metodës indirekte (two-point velocity), të bazuar në shpejtësi në teknikën Bench Press”.
Punimi është realizuar nën mentorimin e Asoc. Prof. Dr. Milaim Berishës.
Me këtë arritje akademike, Nora Gjakova i shton një tjetër sukses rrugëtimit të saj, kësaj radhe në fushën e arsimit dhe shkencës sportive.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një zyrtar që dyshohet se mori ryshfet nga pronarë biznesesh

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Rahovec, i dyshuar për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Sipas Policisë, i dyshuari, mashkull kosovar, në periudha dhe lokacione të ndryshme në zonën e Rahovecit, dyshohet se kishte kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të bizneseve, në këmbim të moskryerjes së kontrolleve apo mosndëshkimit për shkeljet e ligjit.

Gjatë hetimeve, të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, janë siguruar dëshmi se i dyshuari dyshohet se kishte pranuar në disa raste shuma prej 300 deri në 500 euro nga pronarë të ndryshëm biznesesh.

Me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë, më 24 shtator janë kontrolluar ambienti i punës dhe veturat që i dyshuari kishte në shfrytëzim. Gjatë kontrollit është sekuestruar edhe një telefon celular.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara