Lajmet

Ushqimet më të mira kundër bllokimit të hundëve, ftohjes dhe gripit

Hundët e bllokuara janë një makth i vërtetë dhe janë në varësi të imunitetit.

Published

on

Nëse jeni nga ata që vuajnë rregullisht nga bllokimi i hundëve dhe e keni shumë të vështirë të rimëkëmbeni nga e ftohura, atëherë është koha për disa ndryshime në jetën tuaj.

Hundët e bllokuara janë një makth i vërtetë dhe janë në varësi të imunitetit.

Studimet kanë treguar se ndjeshmëria ndaj të ftohtit apo gripit është e lidhur fort edhe me sasinë e sheqerit që hani por edhe me përtharjen e hundës gjatë dimrit.

Zgjidhja nuk qëndron vetëm tek drita e diellit, por edhe tek ushqyesit që forcojnë imunitetin.

Për të forcuar imunitetin, njeriu duhet të sigurohet që në çdo vakt të ushqehet me fruta dhe perime shumëngjyrëshe.

Për më tepër, këshillohet pirja e tetë deri në dhjetë gotave me ujë në ditë.

Megjithatë, ndonjëherë pavarësisht ndjekjes së të gjitha hapave të duhur, imuniteti na lë në baltë.

I gjithë faji i sheqerit

Ngrënia e tepërt e sheqerit nuk nxit vetëm shtimin në peshë.

Sipas shkencëtarëve, ngrënia e 100 gramëve sheqer paralizon rruazat e bardha të gjakut dhe pengon shkatërrimin e baktereve për 5 orë.

Rënia në peshë është e rëndësishme

Nëse jeni mbipeshë, atëherë keni vënë në rrezik zemrën, trurin dhe të gjithë organet e tjera.

Njerëzit që preken më shpesh nga gripi janë mbipeshë ose të shëndoshë.

Pesha e tepërt shkakton prishje të ekuilibrave hormonalë dhe pengon imunitetin të kryejë punën e vet.

Përtharja e hundës tregon që imuniteti funksionon

Sekrecionet e hundës janë tregues i një mbrojtjeje të mirë të trupit ndaj të ftohurës dhe gripit.

Mukusi kap viruset dhe i nxjerr ato nga trupi.

Nëse rrugët e epërme të frymëmarrjes janë të thata, puna e mukusit do të jetë më e lehtë.

Nëse thatësia është problematike për ju, atëherë mund të përdorni solucione me kripë.

Stresi është faktor nxitës

Nuk është rastësi që shumë njerëz sëmuren me grip ose ftohen menjëherë pasi kanë përfunduar një projekt ose një takim të rëndësishëm pune.

Stresi afatgjatë dobëson sistemin imunitar.

Nëse jeni me grip dhe të stresuar në të njëjtën kohë, atëherë simptomat do të përkeqësohen.

Mungesa e gjumit shkaktar i gripit

Një i rritur mund të ftohet një deri në tre herë në çdo stinë.

E ftohura mund të zgjasë normalisht nga 3 në 4 ditë.

Por nëse sëmureni më shpesh se kaq, atëherë rezistenca e trupit është e ulët.

Gjumi i jep trupit mundësinë të marrë forcat e të rimëkëmbet.

Mungesa e tij, e bën trupin një shënjestër të lehtë.

Gjumi, aktiviteti fizik dhe ushqyerja e shëndetshme me fruta e perime mund t’ju vijnë në ndihmë.

Ushqimet më të mira për të përmirësuar imunitetin

Ekspertët rekomandojnë konsumin e rregullt të kosit të pasur me probiotikë, tërshërës dhe drithërave të plota dhe produkteve të detit,

Kur vjen puna tek imuniteti, supa me mish pule është ndër më të mirat që mund të konsumoni gjatë ditëve drobitëse.

Mishi është i pasur me zink, një mineral që zbraps infeksionet.

Zinku nxit zhvillimin e rruazave të bardha të cilat identifikojnë dhe shkatërrojnë viruset dhe bakteret.

Kërpudhat janë gjithashtu të mira për zhvillimin e rruazave të bardha të gjakut.

Mos harroni të merrni multivitaminat dhe sigurohuni që këto suplementë të përmbajnë vitaminat A, B6, B12, C, D dhe mineralet kalçium, zink, krom, bakër dhe acid folik./AgroWeb.org

Vendi

Qeveria prezanton projektbuxhetin për vitin 2027, parashihen 4.27 miliardë euro

Published

on

Qeveria e Kosovës ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën e 4.27 miliardë eurove.

Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se projektbuxheti i vitit të ardhshëm është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar për vitin 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i këtij viti.

Nga shuma e përgjithshme, 908 milionë euro parashihen të ndahen si financim i drejtpërdrejtë për komunat e Kosovës.

Gjatë prezantimit, Kurti tha se rritja e vazhdueshme ekonomike ka ndikuar në zgjerimin e buxhetit dhe në qëndrueshmërinë e financave publike.

Sipas tij, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.

“Kjo na vendos te vendet me rritjen më të shpejtë në rajon dhe më gjerë. Kjo nënkupton edhe rritjen në vazhdimësi të buxhetit dhe qëndrueshmërinë e financave publike”, deklaroi Kurti.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se, sipas projektbuxhetit për vitin 2027, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) parashihet të mbledhë të hyra në vlerë sa 60 për qind e të hyrave që pritet t’i mbledhë Dogana e Kosovës.

Kurti e cilësoi projektbuxhetin si rekord edhe për komunat, duke theksuar se rritja e financimit për pushtetin lokal vjen si rezultat i rritjes së vazhdueshme të granteve qeveritare.

Pas miratimit në Qeveri, projektligji për buxhetin e vitit 2027 pritet t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe votim.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vrasja e dyfishtë në Demiraj, Prokuroria kërkon paraburgim për të pandehurin B.D.

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet B.D., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja e rëndë ka ndodhur më 1 nëntor 2026, rreth orës 9:00 të mëngjesit në fshatin Demiraj të Komunës së Gjilanit. Viktimë të këtij meksuesi kanë mbetur vajza e tij A.D., 27 vjeçe, si dhe mbesa e tij D.D., foshnje vetëm tre muajsh. I dyshuari B.D. është ndaluar menjëherë për 48 orë me urdhër të prokurorit kujdestar.

“Më 01.11.2026, në fshatin Demiraj, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast Vrasje e rëndë, ku viktimë janë A.D (27 vjeç) dhe D.D. (foshnje 3 muajsh), ku i dyshuari B.D, babai i viktimës A.D, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’”, thuhet në njoftim.

Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit i është dorëzuar sot Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Gjilan. Organet e hetimit bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha ekipet relevante policore dhe prokurori i rastit për mbledhjen e provave.

Në komunikaturën për media, Prokuroria nëntrimon angazhimin e saj për zbardhjen e tërësishme të tragjedisë:

“Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Republikës së Kosovës, ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të ndriçimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike.” /E.A/

Continue Reading

lajme

AUV ndalon hyrjen e mbi 1 ton patatinave me përmbajtje të rrezikshme

Published

on

By

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar hyrjen në Kosovë të 1,068 kilogramëve patatina “STIZA Potato Chips Paprika”, pas analizave laboratorike që konstatuan nivel të lartë të akrilamidit mbi vlerat e lejuara.

Ngarkesa me LOT 909073, e importuar nga kompania “BEST BT” nga Prizreni, është bllokuar nga Inspektorati Fitosanitar Kufitar dhe është vendosur kthimi i saj prapa, duke parandaluar hyrjen në tregun vendas.

Sipas AUV-së dhe Autoritetit Evropian për Sigurinë Ushqimore, ekspozimi afatgjatë ndaj kësaj substance kimike përbën rrezik për shëndetin publik për shkak të potencialit të saj kancerogjen. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

REL: Nga Gjermania në Shqipëri, çfarë po i nxjerr të rinjtë në rrugë?

Published

on

By

Kostoja e jetesës, mungesa e mundësive ekonomike, problemet në arsim dhe pakënaqësitë me qeveritë kanë nxjerrë mijëra të rinj në rrugët e qyteteve evropiane.

Nga Gjermania e Franca deri në Belgjikë dhe Shqipëri, protestat kanë kërkesa të ndryshme, por pasqyrojnë shqetësime të ngjashme për kushtet e jetesës dhe perspektivën e brezit të ri.

Protestat në disa vende janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe arrestime.

Çfarë ndodhi në Gjermani?

Më 31 tetor, rreth 120 mijë njerëz morën pjesë në protesta në më shumë se 30 qytete gjermane, sipas organizatorëve të nismës rinore “Gen Z regelt”.

Demonstruesit kërkuan më shumë investime në arsim, strehim të përballueshëm, drejtësi sociale dhe mbrojtje të klimës.

Ata kundërshtuan, gjithashtu, mundësinë e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Protestat ishin kryesisht paqësore gjatë ditës, por më vonë u shoqëruan me incidente të dhunshme në disa qytete, përfshirë Berlinin, Frankfurtin, Këlnin dhe Hamburgun.

Në Frankfurt, persona të maskuar hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë, ndërsa disa dyqane u dëmtuan dhe u plaçkitën.

Policia përdori topa uji dhe sprej irritues.

Organizatorët e protestave u distancuan nga dhuna, duke theksuar se demonstratat synonin të ishin paqësore.

Incidentet nxitën mospajtime brenda Qeverisë gjermane.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, fajësoi grupet e dhunshme të së majtës ekstreme dhe persona nga komunitetet migrante.

Ministrja e Arsimit, Karin Prien, tha se trazirat ngrenë pyetje për integrimin e migrantëve, duke kërkuar shqyrtimin e shkaqeve që mund t’i shtyjnë disa njerëz drejt dhunës.

Por, ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, u distancua nga deklaratat e Dobrindtit, duke vënë në pikëpyetje përdorimin e termit “grupe migrante”.

Ai pyeti nëse ky përkufizim përfshin edhe shtetas gjermanë, familjet e të cilëve jetojnë në këtë vend me gjenerata, dhe tha se nuk kishte informacion të mjaftueshëm për të konfirmuar pretendimet mbi prejardhjen e autorëve të dhunës.

Prien, ndërkohë, pranoi se shumë nga kritikat e të rinjve për arsimin janë të arsyeshme, duke theksuar se mundësitë arsimore në Gjermani vazhdojnë të varen shumë nga prejardhja sociale.

Pse po protestojnë të rinjtë në Francë?

Në Francë, protestat nisën në mesin e shtatorit, në periferi të Parisit, për shkak të mungesës së mësimdhënësve dhe kushteve të dobëta në shkolla.

Pakënaqësitë u përhapën në qytete të tjera dhe u zgjeruan te kostoja e jetesës, pabarazitë sociale dhe gjendja e shërbimeve publike. Nxënësve dhe studentëve iu bashkuan edhe mësimdhënës, sindikata dhe qytetarë të tjerë.

Protestat janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe mijëra arrestime.

Ndërhyrjet e forcave të rendit kanë nxitur gjithashtu kritika, sidomos pas lëndimit të rëndë të disa protestuesve të mitur.

Më 31 tetor, rreth 320 mijë njerëz dolën në rrugë në mbarë Francën, sipas autoriteteve, ndërsa organizatorët raportuan rreth 500 mijë pjesëmarrës.

Në Paris, disa protestues hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë.

Autoritetet raportuan 565 arrestime në nivel kombëtar, ndërsa prokuroria nisi hetime për tentativë vrasjeje pas sulmeve me mjete ndezëse ndaj forcave të sigurisë.

Më 2 nëntor, pas një pushimi dyjavor, nxënësit rifilluan bllokimin e shkollave, por në përmasa më të vogla.

Sipas Ministrisë së Arsimit, 41 shkolla u bllokuan ose u përballën me përpjekje për bllokim, krahasuar me qindra të tilla para pushimit.

Qeveria franceze ka propozuar katër miliardë euro për rinovimin e shkollave, kufizimin e numrit të nxënësve në klasa në 28, hapjen e 15 mijë vendeve të reja në arsimin e lartë dhe reformimin e sistemit të pranimit në universitete deri më 2028.

Por, përfaqësuesit e nxënësve dhe studentëve i konsiderojnë masat të pamjaftueshme dhe kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave.

Çfarë po kërkojnë të rinjtë në Belgjikë?

Në Belgjikë, studentët po protestojnë kundër rritjes së kostos së arsimit, mbipopullimit të klasave dhe reformave që, sipas tyre, mund ta vështirësojnë qasjen në studimet e larta.

Një nga shqetësimet kryesore është rritja e tarifave universitare nga 835 në 1.194 euro për shumicën e studentëve në komunitetin frëngjishtfolës të vendit.

Protestat, të frymëzuara pjesërisht nga lëvizja në Francën fqinje, janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe arrestime.

Në fillim të tetorit, në qytetin e Liezhit u raportuan mbi 100 ndalime dhe arrestime gjatë trazirave.

Më 9 tetor, studentët iu bashkuan një demonstrate më të gjerë në Bruksel kundër masave buxhetore të Qeverisë. Rreth 30 mijë njerëz morën pjesë në marshim, ndërsa përleshjet me policinë përfunduan me 21 persona të ndaluar ose arrestuar.

Incidentet vazhduan edhe më 17 tetor, kur policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit në Bruksel.

Përtej dhunës, studentët thonë se shqetësimet e tyre nuk janë marrë seriozisht nga autoritetet.

Maya Gourdel, një nxënëse 19-vjeçare në Bruksel, i tha agjencisë Reuters se përpjekjet e mëparshme për t’u dëgjuar në mënyrë paqësore nuk kishin tërhequr vëmendje.

“U përpoqëm ta bënim në mënyrë paqësore. Askush nuk na dëgjoi”, tha ajo, duke shtuar se mediat filluan t’u kushtonin vëmendje vetëm pasi nisën incidentet.

Si u përshkallëzuan protestat në Shqipëri?

Në Shqipëri, protestat kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama kanë kaluar nga kundërshtimi i një projekti turistik në një lëvizje më të gjerë, të udhëhequr nga të rinjtë, që kërkon ndryshime politike dhe ekonomike.

Demonstratat nisën në maj, fillimisht kundër një projekti turistik luksoz në bregdetin jugor, të mbështetur nga investitorë që përfshijnë Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump. Projekti është përballur me kundërshtime dhe konteste ligjore.

Në mesin e tetorit, protestat u përshkallëzuan, ndërsa nxënës dhe studentë dolën në rrugë për të kërkuar arsim më cilësor, ulje të kostos së studimeve dhe më shumë mundësi punësimi.

Pakënaqësitë u zgjeruan edhe te korrupsioni i pretenduar dhe mungesa e besimit ndaj institucioneve.

 

Protestat u përhapën nga Tirana në qytete të tjera, përfshirë Shkodrën, Lezhën, Elbasanin dhe Korçën, ndërsa disa demonstrata u shoqëruan me përleshje të dhunshme.

Në kryeqytet, protestues hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë, u vunë flakën ndërtesave qeveritare dhe dëmtuan banka e biznese. Policia përdori gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome.

Tensionet vazhduan edhe fundjavën që shkoi, kur persona të maskuar hodhën gurë dhe bomba ndezëse drejt policisë pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Qeveria ka paralajmëruar gjoba deri në 5.500 euro për pjesëmarrësit që ushtrojnë dhunë.

Rama ka dënuar incidentet dhe ka refuzuar të japë dorëheqje, duke theksuar se qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike.

A mund të sjellin ndryshime?

Serbia është shembulli më i fundit se si një lëvizje studentore mund të shndërrohet në forcë politike.

Pas gati dy vjetësh protestash kundër korrupsionit dhe kërkesash për përgjegjësi institucionale, lista e mbështetur nga studentët fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, duke i dhënë fund qeverisjes 14-vjeçare të partisë së Aleksandar Vuçiqit.

Por, fitorja zgjedhore nuk garanton se kërkesat e protestuesve do të përmbushen. Lëvizja studentore në Serbi ende përballet me sfidën e formimit të qeverisë dhe zbatimit të reformave të premtuara.

Në vendet e tjera evropiane, rezultatet e mobilizimit mbeten të paqarta.

Qeveritë po përballen me presion për t’iu përgjigjur kërkesave të të rinjve, ndërsa incidentet e dhunshme kanë hapur debate për kufijtë e ndërhyrjes policore dhe mbrojtjen e së drejtës për protestë paqësore.

Nëse protestat do të sjellin ndryshime të qëndrueshme, do të varet jo vetëm nga sa gjatë do të vazhdojnë, por edhe nga aftësia e lëvizjeve për t’i shndërruar kërkesat e tyre në rezultate konkrete. /REL/

Continue Reading

Të kërkuara