Will Smith i janë dashur tre vjet reflektimi pas incidentit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, “Oscar 2022”, kur goditi me shuplakë komedianin Chris Rock në skenë.
Në një intervistë për BBC, Smithi e përshkroi përvojën si “të vështirë për t’u përballur”.
“Pas ‘Oscar’, u tërhoqa për pak kohë. U futa në proces të brendshëm pune me veten e mora vështrim të drejtë dhe të ndershëm mbi veten time”, shpjegoi ai.
Aktori u përjashtua nga ceremonia për 10 vjet, pasi goditi Chris Rockun për një shaka që bëri për flokët e gruas së Smithit, Jada Pinkett Smith, e cila vuan nga alopecia, sëmundje që shkakton rënie të flokëve. “Për herë të parë në karrierën time, duhej të përballesha me kaq kundërshtime. Isha i varur nga miratimi i të tjerëve, dhe kur kjo u thye, ishte shkatërruese”, u shpreh aktori.
Incidenti u shpërnda në rrjet, ku miliona njerëz panë momentin kur Willi goditi Rockun, ndërsa i bërtiste: “Mos e përmend emrin e gruas sime me gojën tënde!”. Smith u largua vetë nga Akademia e “Oscar” pak ditë më pas, duke thënë se veprimi ishte “tronditës, i dhimbshëm dhe i pafalshëm”.
Aktori 56-vjeçar ka thënë se kjo përvojë i hapi rrugë një periudhe të thellë introspektimi.
“Ishte si të ishte një kapak që mbulonte pjesë të pandriçuara të shpirtit tim – dhe papritur ai kapak u hoq. Ishte e frikshme për një moment, por më pas erdhën mendime të reja, energji të reja, krijimtari e re. Gjithçka filloi të shfaqej si muzikë”, ka thënë Smith.
Ai është duke promovuar projekte të reja artistike, ndërsa thotë se është në një fazë më të pjekur të jetës dhe karrierës së tij.