Lajmet

Ulen tensionet mes Britanisë dhe Francës për të drejtat e peshkimit

Published

on

Tensionet midis Britanisë dhe Francës në lidhje me të drejtat e peshkimit u ulën të enjten vonë pasi Britania tërhoqi dy luftanije nga ujërat përreth ishullit britanik të Xhersit, ku peshkatarët francezë kishin organizuar një protestë.

Rreth 20 peshkarexhe franceze lundruan drejt Xhersit të enjten herët, duke hedhur raketa ndriçuese dhe duke shfaqur parulla me thirrje për hyrje në ujërat e Xhersit. Peshkatarët francezë thanë se po u ndalohej hyrja në ujërat përreth territorit britanik që shtrihet deri afër bregdetit verior të Francës.

“Ne erdhëm sot për të protestuar sepse gjithmonë kemi peshkuar në këto ujëra dhe ata brenda natës na hoqën të gjitha të drejtat e peshkimit”, tha peshkatari francez Ludovic Lazaro për agjencinë franceze të lajmeve, AFP.

Një anije franceze hyri për pak kohë në portin kryesor të ishullin e vetëqeverisur që është nën kontrollin e Britanisë.

Britania dislokoi dy luftanije në këtë zonë për të “monitoruar situatën”, ndërsa Franca dërgoi dy anije patrulluese në ujërat franceze përreth Xhersit. Anijet britanike dhe franceze ishin në një distancë prej rreth 20 kilometrash larg njërëra-tjetrës.

“Duke marrë parasysh se për momentin situata është zgjidhur, anijet e Patrullës Detare të Marinës Mbretërore do të përgatiten të kthehen në port në Britani”, thuhet në një deklaratë të Kryeministrit britanik Boris Johnson të lëshuar të enjten. “Ne mbetemi në gatishmëri për të ofruar çdo ndihmë të mëtejshme nëse ajo kërkohet nga Xhersi.”

Dimitri Rogoff, president i shoqatës së peshkimit në rajonin e Normandisë Franceze, tha se “demonstrimi i forcës ka mbaruar. Tani, politika duhet të udhëheqë përpjekjet për zgjidhjen e kësaj çështjeje.”

Pasojat e Brexit-it

Marrëveshja për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian përcakton dispozita të veçanta për zonat e peshkimit rreth ishullit, thotë eksperti britanik i peshkimit, James Kane nga Instituti për Qeverinë, një organizatë jo-fitimprurëse.

“Anijet franceze që po peshkonin në ujërat e Xhersit për të paktën 10 ditë në vit midis 2017 dhe 2020 kanë të drejtë të vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe në të ardhmen. Ajo që duket se ka ndodhur është se autoritetet e Xhersit kanë ndjekur një qasje shumë kufizuese për ata që duhet të japin prova se kanë peshkuar në tre vitet e fundit”, tha zoti Kane për Zërin e Amerikës.

Ian Gorst, Ministër për Marrëdhëniet me Jashtë i qeverisë së Xhersit, këmbëngul se ka një zbatim të duhur të rregullave në lidhje me peshkimin rreth ishullit.

“Marrëveshja e re e tregtisë e arritur pas Brexitit është e qartë se duhet të ofrohen prova mbi natyrën dhe historinë e të drejtave të peshkimit”, tha ai të enjten për kanalin Sky News.

Duke folur para ligjvënësve në Asamblenë Kombëtare, Ministrja franceze për Çështjet Detare, Annick Girardin kërcënoi të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për Xhersin.

“Ne jemi gati të përdorim këto masa hakmarrëse. Evropa, Franca i ka mundësitë e parashikuara në marrëveshje. Pra, do të doja t’ua kujtoja, për shembull, se ne furnizojmë me energji elektrike Xhersin përmes kabllove të vendosura nën sipërfaqen e detit”, tha Ministrja franceze të martën.

Ministri britanik Nadhim Zahawi tha të enjten se qeveria britanike do të kërkonte gjetjen e një zgjidhje për këtë çështje.

“Do të punojmë së bashku për të zgjidhur çdo çështje, çdo problem në mënyrë që kjo marrëveshje historike midis Britanisë dhe BE-së, një nga marrëveshjet më të rëndësishme që kemi arritur, të jetë në funksion të njerëzve, komuniteteve, dhe komunitetit të peshkatarëve”, tha ai për kanalin Sky News.

Peshkimi përbën vetëm 1% të ekonomive britanike dhe evropiane. Por ai është një forcë e fuqishme kulturore dhe politike, thotë eksperti i peshkimit James Kane.

“Në ekonominë moderne, peshkatarët janë të vetmit njerëz që akoma merren me gjueti. Ata e gjejnë ushqimin dhe e sjellin në shtëpi. Kjo sjell një dimension primar tek peshkimi që ndoshta e bën atë pak të ndjeshëm. Përveç kësaj, pëshkimi është i rrënjosur thellë në komunitetet bregdetare. Njerëzit duket se kujdesen shumë për të në një shkallë që është jashtëzakonisht joproporcionale me rëndësinë e tij ekonomike. Pastaj edhe nga ana politike, është mjaft e dobishme që të dyja palët të trajtojnë këtë histori sepse ajo ka kaq shumë rezonancë”, thotë ai.

Analistët thonë se tensionet mbi peshkimin ka të ngjarë të vazhdojnë ndërsa Britania kërkon të përmbushë premtimin e saj për Brexitin, për të “rimarrë kontrollin” e kufijve të saj ujor dhe tokësor./ VOA

Continue Reading

lajme

Ramadan Nishori ndan rrëfimin e tij para studentëve të UBT-së në një takim të mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar

Published

on

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me UBT, organizoi një takim të veçantë me studentë, i cili u fokusua në prezantimin e librit me rëndësi të madhe dokumentuese “Zëra të Padegjura – rrëfimet e burrave mbi tejkalimin e dhunës seksuale në luftë”.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët u njohën nga afër me rrëfimin e Ramadan Nishorit, i cili njihet si i mbijetuari i parë burrë që ka folur publikisht për përvojën e tij dhe që ka ndarë historinë personale në librin “Përtej Dhimbjes, Drejt Guximit”. Ai tregoi rrugëtimin e tij nga plagët e së kaluarës drejt forcës, shërimit dhe shpresës, duke sjellë një perspektivë të rëndësishme mbi stigmat që shpesh e shoqërojnë këtë temë.

Diskutimi u përqendrua në rëndësinë e dokumentimit të përvojave të të mbijetuarve, si një mënyrë e domosdoshme për të ruajtur kujtesën historike, për të ndriçuar të vërtetën dhe për t’i dhënë zë atyre që për dekada janë mbajtur në heshtje. Studentët patën mundësinë të kuptojnë më thellë dimensionet emocionale, sociale dhe njerëzore të këtyre rrëfimeve.

Aktiviteti u mbështet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, duke dëshmuar rëndësinë ndërkombëtare të përpjekjeve për adresimin e traumave të luftës dhe mbështetjen e të mbijetuarve.

Continue Reading

Rajoni

Art, media dhe kujtesa historike: Vizita e studentëve të UBT-së në Reporting House

Published

on

Studentët e programit Art dhe Media Digjitale të UBT-së u mirëpritën në Reporting House, të shoqëruar nga profesori dhe njëkohësisht kuratori i kësaj ekspozite, Gazmend Ejupi. Ky aktivitet pati për qëllim t’u ofrojë studentëve një përvojë të thellë praktike dhe njohuri të drejtpërdrejta mbi mënyrën se si artit bashkëkohor mund t’i shërbejë gazetarisë dhe dokumentimit historik.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të eksploronin ekspozitat dhe të njiheshin me rrëfimin e historisë së Kosovës gjatë viteve 1989–1999, i paraqitur nëpërmjet instalacioneve artistike, videove dokumentare dhe formateve vizuale kreative.

Pika kryesore e diskutimit ishte roli i artit si mjet për reflektim shoqëror dhe dokumentim historik, duke u fokusuar në mënyrën se si ekspozitat dhe instalacionet bashkëkohore mund të bëjnë historinë më të prekshme dhe të kuptueshme për publikun e sotëm.

Studentët shprehën interes dhe kuriozitet të veçantë për procesin krijues pas secilit projekt dhe diskutuan për sfidat që paraqet përcjellja e historive të ndërlikuara përmes artit dhe mediave digjitale.

Vizita theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet artistëve dhe gazetarëve, dhe mënyrën se si kjo bashkëpunim mund të sjellë perspektiva të reja për edukimin dhe ndërgjegjësimin publik.

Continue Reading

Sport

​FBK emëron Bujar Locin përzgjedhës të Kosovës ndaj Shqipërisë

Published

on

Federata e Basketbollit e Kosovës njofton se Bujar Loci do të drejtojë Përfaqësuesen e Kosovës në konkurrencën e meshkujve në ndeshjen ndaj Shqipërisë në FIBA EuroBasket 2029 Pre-Qualifiers.

Bujar Loci ka qenë basketbollist i KB Pejës, ku fitoi tri herë titullin, tri herë Kupën dhe një herë Superkupën si basketbollist.

Karrierën e vazhdoi si trajner po ashtu te KB Peja, duke qenë kryetrajner e më pas edhe ndihmëstrajner. Loci me sukses ka drejtuar edhe Sigal Prishtinën e Rahovecin, kurse ka qenë trajner edhe te KBF Penza.

Për shumë vjet është ndihmëstrajner te Përfaqësuesja e Kosovës, kurse nga edicioni i kaluar është trajner në Grapeland (Rahoveci 029), duke e udhëhequr nga Liga e Parë në ProCredit Superliga, ku është trajneri i vetëm vendor në elitë.

Ndër të tjerash, Bujar Loci, ka qenë përzgjedhës i Kosovës në vitin 2005, duke udhëhequr Dardanët në turneun në Aleksandri, në lojën ndaj Egjiptit dhe Rumanisë.

Debutimi i tij do të jetë më 30 nëntor 2025, në ndeshjen e parë parakualifikuese Shqipëria vs Kosova, ora 18:00./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Real Madrid paralajmëron gjigantët evropian për Vinicius Jr

Published

on

E ardhmja e Vinicius Junior te Real Madridi po bëhet gjithnjë e më e paqartë, sepse kontrata e brazilianit skadon në vitin 2027 dhe rinovimi i tij nuk është zgjidhur ende, duke hapur derën për interesim të madh nga klubet e tjera.

Sipas DefensaCentral, Real Madridi ka bërë të ditur se nuk do të pranojë asnjë ofertë nën 100 milionë euro për sulmuesin dhe kjo shifër tashmë u është komunikuar agjentëve që pyesin çdo ditë për situatën e lojtarit.

Vetë lojtari ka treguar publikisht se dëshiron të vazhdojë te Real Madridi, por me ardhjen e trajnerit Xabi Alonso roli i tij ka ndryshuar.

Ai nuk është më titullar i padiskutueshëm, për shkak të sistemit më të ngurtë dhe rotacioneve që po përdor trajneri. Ky ndryshim ka krijuar pasiguri te lojtari dhe ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij në klub.

Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, është i vendosur të mos humbasë kontrollin mbi situatën: ose rinovim, ose shitje por asnjë largim me ulje çmimi.

Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë dhe nëse Vinicius ndihet i rëndësishëm në projektin e Xabi Alonsos, rinovimi mund të bëhet realitet.

Për momentin, një gjë është e sigurt se Real Madridi nuk pranon oferta nën 100 milionë euro për yllin brazilian./S.K/KP/Al Jazeera/

Continue Reading

Të kërkuara