Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar dënimin maksimal, burgimin e përjetshëm, për të akuzuarit në rastin e sulmit terrorist në Banjskë, duke argumentuar se ky është i vetmi sanksion që i përgjigjet gravitetit të krimeve të kryera.
Gjatë fjalës përfundimtare, prokurori i rastit Naim Abazi kërkoi nga trupi gjykues që të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq të shpallen fajtorë dhe ndaj tyre të shqiptohet masa më e rëndë e paraparë me ligj.
Prokurori Abazi ishte i prerë në argumentimin e tij, duke thënë se: “Në një rast si ky, ku kemi të bëjmë me një sulm të armatosur kundër Policisë së Republikës së Kosovës dhe kundër rendit kushtetues, mesazhi juridik duhet të jetë i qartë, i prerë dhe i padiskutueshëm”.
Sipas tij, caktimi i një dënimi më të ulët do të krijonte një rrezik për sigurinë kombëtare, duke shtuar se: “Nëse në një rast me këto përmasa, me këtë shkallë të organizimit dhe me këtë pasojë fatale nuk aplikohet dënimi maksimal, atëherë dëmtohet ndjeshëm efekti parandalues i ligjit penal dhe krijohet perceptimi i rrezikshëm i relativizimit të cenimit të rendit kushtetues”.
Duke u fokusuar te pasojat e sulmit dhe natyra e organizimit, prokuroria vlerësoi se nuk ekzistojnë rrethana lehtësuese që do të arsyetonin butësi ndaj të pandehurve. “Në aspektin e proporcionalitetit, duke marrë parasysh natyrën terroriste të veprës, pasojën fatale të shkaktuar, rrezikshmërinë e lartë shoqërore të operacionit dhe organizimin para-ushtarak të strukturuar, prokuroria vlerëson se dënimi i vetëm proporcional është burgimi i përjetshëm”, deklaroi prokurori para gjykatës.
Në fund, ai bëri thirrje që drejtësia të jetë në nivelin e detyrës për të mbrojtur integritetin e shtetit, duke përfunduar: “Çdo dënim më i ulët do të ishte disproporcion i qartë me gravitetit dhe pasojat dhe rrezikshmërinë e veprimit dhe nuk do të përmbushte as funksionin ndëshkues e as parandalues të sanksionit penal”. Ky qëndrim i Prokurorisë Speciale vjen pas një procesi të gjatë të administrimit të provave që dëshmuan shkallën e lartë të rrezikshmërisë së grupit që kreu sulmin në veri të vendit. /Ekonomia online/