Botë

Ukraina sulmon Moskën me dronë, mbyllen aeroportet për disa orë

Published

on

Ukraina ndërmori një sulm me dronë mbi Moskën, i cili detyroi mbylljen e tre aeroporteve kryesore të kryeqytetit rus për disa orë, thanë zyrtarët rusë.

Të paktën 19 dronë ukrainas u shkatërruan teksa i afroheshin Moskës, tha kryetari i bashkisë Sergei Sobyanin në Telegram më 6 maj.

Sipas informacioneve paraprake, nuk pati “dëme serioze apo të lënduar” në vendin ku ranë mbetjet pranë njërës prej autostradave kryesore që çojnë në qytet.

Fluturimet u ndaluan në të katër aeroportet që shërbejnë Moskën — Vnukovo, Domodedovo, Sheremetyevo dhe Zhukovsky — për të garantuar sigurinë ajrore, njoftoi agjencia ruse e aviacionit në Telegram. Më pas, Rosaviatsia tha se fluturimet u rifilluan në të katër aeroportet.

Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Kievi për sulmin me dronë, por zyrtarët ukrainas më herët kanë thënë se sulme të tilla synojnë objektiva ushtarake dhe infrastrukturë që përdoret për të mbështetur përpjekjet e luftës së Moskës dhe janë një përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme ruse mbi zonat e banuara dhe infrastrukturën energjetike ukrainase.

Guvernatori i rajonit rus të Kurskut, pranë kufirit me Ukrainën, tha më herët më 5 maj se forcat ukrainase sulmuan një nënstacion energjie në pjesën perëndimore të rajonit.

Guvernatori i Kurskut, Alexander Khinshtein, tha se forcat ukrainase kishin goditur nënstacionin në qytetin Rylsk, rreth 50 kilometra nga kufiri. Sulmi plagosi dy adoleshentë dhe dëmtoi dy transformatorë, tha ai. Dëmtimi ndërpreu furnizimin me energji elektrike në zonë.

“Të dashur banorë, armiku, në agoni, po vazhdon të ndërmarrë sulme ndaj territorit tonë,” shkroi Khinshtein në Telegram.

Irina Krynina u takua me partnerin e saj në Ukrainë pasi udhëtoi nga Rusia, kur mësoi se ai ishte marrë rob. Gruaja ruse vendosi të qëndronte në Ukrainë për të ndihmuar ushtarët e tjerë rusë të kapur që të rivendosin kontaktet me familjet e tyre dhe për të ndihmuar kthimin e të burgosurve nga të dyja palët në atdhe.

Zyrtarët ukrainas nuk komentuan situatën në Kursk, ku Ukraina kreu një inkursion surprizë në gusht 2024, duke shpresuar të ndryshonte momentumin në pushtimin e plotë të Rusisë dhe të tërhiqte forcat ruse nga zona të tjera.

Gjenerali më i lartë i Rusisë tha muajin e kaluar se trupat ukrainase ishin dëbuar nga Kursku, por Kievi nuk e ka pranuar se trupat e tij u dëbuan. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka thënë se forcat e Kievit vazhdojnë të veprojnë në Kursk dhe në rajonin fqinj rus të Belgorodit.

Komandanti i Përgjithshëm i Ukrainës, Oleksandr Syrsky, tha në Facebook më 5 maj se operacioni në Kursk “ka arritur shumicën e objektivave të vendosura” dhe se zona tampon e krijuar nga Forcat e Armatosura të Ukrainës “mbetet e rëndësishme”.

Autoritetet lokale në rajonin Sumy u bënë thirrje banorëve të evakuohen nga shtëpitë e tyre në dy qytete pranë kufirit rus Belopolye dhe Vorozhba.

Aktualitet

Goditet ura e dytë kryesore në Kiev, Klitschko paralajmëron për situatë “dramatike”

Published

on

By

Një sulm rus ka goditur një urë të dytë kryesore në Kiev, ka bërë të ditur kryetari i bashkisë, Vitali Klitschko, ndërsa Rusia po intensifikon sulmet mbi infrastrukturën kritike në kryeqytetin ukrainas, raporton BBC.

Sulmi të shtunën në mëngjes dëmtoi shtresën e rrugës dhe linjat ajrore të trolejbusëve në Urën Veriore (Northern Bridge), deklaroi Klitschko, duke shkaktuar bllokimin e qarkullimit të automjeteve.

Goditja vjen pasi një tjetër urë kyçe e qytetit, Ura e Jugut, u shënjestrua disa herë nga dronët rusë të enjten dhe të premten. Klitschko më herët paralajmëroi se sulme të tilla po e “shqyejnë Kievin”.

Urat e Veriut dhe të Jugut lidhin pjesët lindore dhe perëndimore të kryeqytetit dhe nuk ishin goditur kurrë më parë para të enjtes, gjë që sinjalizon një fazë të re në strategjinë e Moskës.

Sulmet mbi Urën e Jugut kanë shkaktuar kaos të madh në transport që nga e enjtja, me pezullimin e qarkullimit të metrosë dhe makinave mbi të. Shumë nga banorët e qytetit — i cili numëron rreth tre milionë banorë — mbështeten te metroja për të udhëtuar përmes qytetit.

Në sulmin e së enjtes, një dron rus goditi kabllot e urës Pivdennyi në Kiev.

Duke shkruar në Telegram të shtunën, Klitschko tha: “Goditje në Urën e Veriut. Shërbimet e urgjencës janë rrugës.”

“Qarkullimi në urë nga bregu i majtë në të djathtin për momentin është i bllokuar,” shtoi ai.

Sulmet e mëparshme në Urën e Jugut shtynë këshillin e mbrojtjes të Kievit të mbante një mbledhje krize të premten, pas së cilës Klitschko paralajmëroi se qyteti ndodhet në një “situatë shumë dramatike”, ndërsa Moska po godet “infrastrukturën kritike, logjistikën, strehimin” dhe objekte të tjera kyçe.

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia po vepron si përgjigje ndaj sulmeve të Ukrainës mbi objektet energjetike ruse, me gjithë faktin se ishte vetë Moska ajo që kishte nisur e para sulme të tilla.

Pas sulmit në Urën e Jugut, udhëtarët përshkruan se si pluhuri nga vala e shpërthimit hyri në vagonin e tyre përmes sistemit të ventilimit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Putin ka vendosur që “tashmë nuk ka rregulla” gjatë sulmeve ndaj Ukrainës.

Në një intervistë për Financial Times, ai tha: “Rusët dështuan të na pushtojnë. Kështu që tani po kryejnë sulme masive dhe vrasje masive.”

Ai shtoi: “Ata duan të shkatërrojnë urat tona… qendrat tona të të dhënave, internetin, rrjetet celulare, spitalet, kopshtet, shkollat, universitetet — gjithçka. Ata duan që njerëzit të ikin nga qytetet e tyre.” /BBC/

 

Continue Reading

Aktualitet

Piloti hero parandalon tragjedinë në ajër: Detaje nga sulmi dramatik brenda avionit të “FlyDubai”

Published

on

By

Kapiteni indian Smit Machchhar është shndërruar në heroin e ditës pasi parandaloi një katastrofë ajrore me më shumë se 170 pasagjerë në bord, gjatë fluturimit të kompanisë “FlyDubai” nga Dubai drejt Tel Avivit. Ngjarja dramatike ndodhi në ajër kur bashkëpiloti e sulmoi atë me thikë dhe u përpoq të merrte kontrollin për ta rrëzuar me shpejtësi mjetin fluturues.

Pavarësisht plagëve të rënda, kapiteni Machchhar gjeti forcën të reagonte ndërsa avioni po humbiste lartësi me shpejtësi marramendëse. I shtrirë në dyshemenë e kabinës, ai arriti të hapte derën nga brenda, duke u dhënë mundësi pasagjerëve dhe pjesës tjetër të ekuipazhit të ndërhynin me shpejtësi për ta neutralizuar sulmuesin.

Pas marrjes së kontrollit të situatës, dy pilotë rezervë — të cilët po udhëtonin si pasagjerë — morën drejtimin e avionit dhe realizuan një ulje emergjente të sigurt në aeroportin e Tabukut, në veriperëndim të Arabisë Saudite.

Kapiteni, i cili ka një përvojë 17-vjeçare në aviacion, u dërgua menjëhirë në spital dhe aktualisht ndodhet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore në Abu Dhabi. Gjatë një video-telefonate me kryeministrin indian Narendra Modi, ai u shpreh se nuk mund të lejonte kurrsesi që pasagjerët të vdisnin. Reagimi i tij është cilësuar si heroik edhe nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ndërsa në të gjithë Indinë dhe rrjetet sociale gjakftohtësia e tij po vlerësohet si shembull i jashtëzakonshëm i përkushtimit profesional. /E.A/

Continue Reading

Botë

Protestat përshkallëzohen në Francë, rreth 400 shkolla mbyllen të premten

Published

on

By

Rreth 400 shkolla dhe institucione arsimore në Francë pritet të mbeten të mbyllura të premten, pasi protestat studentore, të nisura fillimisht për shkak të problemeve në sistemin arsimor, janë përshkallëzuar në dhunë në disa qytete të vendit.

“Ka pak më shumë se 400 shkolla dhe institucione të tjera arsimore që, sipas informacioneve që kam, do të mbyllen”, deklaroi ministri francez i Arsimit, Edouard Geffray, në një intervistë.

Sipas Reuters, duke iu referuar një burimi pranë kryeministrit francez, Sebastien Lecornu, agjencitë e inteligjencës u thanë zyrtarëve në një takim të krizës të enjten se lëvizja protestuese ishte nxitur nga politikanë të së majtës ekstreme, përfshirë anëtarë të partisë La France Insoumise (LFI).

Ligjvënësi i LFI-së, Louis Boyard, i ka mohuar këto pretendime në deklaratat e tij për mediat franceze.

Protestat, të cilat nisën muajin e kaluar në rajonin e Parisit, u nxitën nga pakënaqësitë për mungesën e mësuesve dhe gjendjen e rënduar të disa ndërtesave shkollore. Ato janë përhapur gradualisht në pjesë të ndryshme të vendit dhe janë shoqëruar me përplasje, dhjetëra të plagosur dhe qindra arrestime nga policia.

Sipas Reuters, gjatë së enjtes protestuesit dogjën zjarre në të paktën dy shkolla të mesme. Në një tjetër shkollë në qytetin jugor të Marsejës, disa mësues u spërkatën aksidentalisht me benzinë, sipas autoriteteve.

Ndërkohë, në Strasburg, në lindje të Francës, të paktën një automjet u dogj, ndërsa në Tuluzë, në jugperëndim të vendit, policia u përlesh me protestuesit e rinj.

Autoritetet franceze po përpiqen të frenojnë përshkallëzimin e protestave, ndërsa mbyllja e qindra institucioneve arsimore pritet të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin normal të mësimit të premten.

D.L

Continue Reading

Aktualitet

Trump paralajmëron ndalimin e eksportit të naftës dhe kërkon nga Evropa të hapë rezervat

Published

on

By

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë mundësinë e bllokimit të eksporteve të naftës (dizel) për shkak të krizës globale dhe rritjes së çmimeve, ndërsa Presidenti Donald Trump ka deklaruar se mund t’u kërkojë vendeve evropiane të lirojnë një pjesë të rezervave të tyre strategjike, raporton BBC.

Këto deklarata pasojnë thirrjen e Sekretarit të Thesarit amerikan, Scott Bessent, i cili i kërkoi Evropës të përgatitet menjëherë për nxjerrjen në treg të këtyre furnizimeve, duke argumentuar se “fermerët, kamionistët dhe bizneset amerikane nuk duhet të mbajnë barrën” e çmimeve që po fluturojnë.

Uashingtoni ka kërcënuar se do të kufizojë eksportet e dizelit pas rritjes drastike të kostove si pasojë e luftës në Iran. Kjo çështje është kthyer në një nga temat kryesore për votuesit amerikanë në prag të zgjedhjeve të rëndësishme nëntoriane për Kongresin.

Shtetet e Bashkuara janë një furnizues kyç i dizelit në nivel global, duke eksportuar nga 1.2 deri në 1.5 milionë fuçi në ditë. Ekspertët paralajmërojnë se një ndalim i mundshëm i dërgesave jashtë vendit do të rriste edhe më shumë presionin mbi çmimet në shtetet e tjera.

“Po e mendojmë shumë seriozisht,” tha Trump gjatë vikendit lidhur me bllokimin e eksporteve, ndërsa të enjten shtoi se mund t’u kërkojë partnerëve evropianë përdorimin e rezervave të tyre.

“Partnerët tanë evropianë duhet të përpe shpejtojnë përmbushjen e angazhimeve të tyre ekzistuese dhe të vënë menjëherë në dispozicion furnizime shtesë për të trajtuar ndërprerjet aktuale,” shkroi Bessent në rrjetet sociale.

Evropa dhe Britania në bisedime urgjente

Të enjten, Mbretëria e Bashkuar zhvilloi bisedime me partnerët evropianë për një përgjigje të koordinuar ndaj një ndalimi të mundshëm nga SHBA-ja.

Sipas të dhënave nga organizata e automobilizmit RAC, çmimet e dizelit në Britani të Madhe arritën nivele rekorde këtë javë, duke prekura kufirin e 2 paundëve për litër.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian konfirmoi se po zhvillohen “shumë telefonata dhe takime” për situatën e dizelit, përfshirë kontakte të nivelit të lartë me administratën amerikane. Nga ana tjetër, zyrtarët britanikë theksuan se vendi ka një furnizim të qëndrueshëm, por pranuan se çmimet pritet të rriten më tej.

Pse po rriten çmimet globale?

Çmimet e benzinës dhe dizelit në mbarë botën janë rritur ndjeshëm që nga shpërthimi i luftës SHBA-Izrael në Iran në muajin shkurt.

Mbyllja e ngushticës strategjike të Hormuzit — përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit në botë — ka bllokuar rrugët kryesore të transportit dhe ka çuar në shtrenjtimin e të gjitha nënprodukteve të naftës në tregjet ndërkombëtare.

 

Continue Reading

Të kërkuara