Aktualitet

Ukraina sulmon me dronë një rafineri gjigante në Rusi, pas sulmit të ashpër rus me 24 të vdekur në Kiev

Published

on

Ukraina ka ndërmarrë një sulm masiv me dronë të rrezeve të gjata, duke shënjestruar disa rajone në Rusi, përfshirë rafinerinë gjigante të naftës në Ryazan, pas disa ditësh sulmesh të ashpra të Moskës ndaj Ukrainës.

Sulmi i Kievit të premten pasoi tri ditë sulmesh radhazi me dronë dhe raketa mbi Ukrainë, duke përfshirë edhe kryeqytetin, ku një raketë kruz goditi një bllok banimi të enjten, duke vrarë 24 persona, mes të cilëve tre fëmijë.

Numri përfundimtar i viktimave në Kiev u bë i ditur pasi ekipet e emergjencës përfunduan gërmimet në rrënojat e ndërtesës nëntëkatëshe, e cila u godit në atë që forcat ajrore ukrainase e cilësuan si rrebeshin më të madh rus ndaj vendit që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë në shkurt të vitit 2022, raporton The Guardian.

Teksa Ukraina shpalli ditë zie kombëtare, Këshilli i Evropës deklaroi të premten, gjatë një samiti të 46 ministrave të jashtëm evropianë në Moldavi, se po lëviz drejt krijimit të një gjykate për krimet e luftës për të gjykuar udhëheqjen ruse për luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës.

“Tani duhet të ndërmerren veprime për të përmbushur këtë zotim politik, duke siguruar funksionimin dhe financimin e tribunalit,” tha Alain Berset, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili vizitoi vendin e ndërtesës së shkatërruar në rrethin Darnytskyi të Kievit, në bregun e majtë të lumit Dnipro, vendosi lule dhe bisedoi me punonjësit e shpëtimit.

“Ekipet tona të ndërhyrjes së shpejtë punuan pa ndërprerë për më shumë se një ditë,” shkroi Zelenskyy në aplikacionin Telegram.

“Rusët praktikisht rrafshuan një pjesë të tërë të ndërtesës me raketën e tyre,” tha ai. Zelenskyy shtoi se, sipas analizave fillestare, arma që goditi ndërtesën ishte një raketë ruse Kh-101 e prodhuar rishtazi.

Rusia, e cila filloi pushtimin e saj në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt 2022, nisi më shumë se 1,500 dronë dhe dhjetëra raketa në sulme anembanë Ukrainës këtë javë për tri ditë radhazi, thanë zyrtarët ukrainas.

“Një Rusi e tillë nuk mund të normalizohet kurrë, një Rusi që shkatërron qëllimisht jetë dhe shpreson të mbetet e pandëshkuar. Nevojitet presion,” tha Zelenskyy, duke përsëritur thirrjet drejtuar aleatëve për ta ndihmuar Ukrainën të forcojë mbrojtjen e saj ajrore.

Zyrtarët e qytetit në Kiev njoftuan se 24 trupa janë nxjerrë nga rrënojat dhe rreth 30 persona u shpëtuan të gjallë. Pothuajse 50 persona u plagosën dhe rreth 400 të tjerë patën nevojë për mbështetje psikologjike, bëri të ditur ministria e brendshme.

Rusia nuk komentoi menjëherë sulmin mbi ndërtesën e banimit. Moska mohon shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve, por gjatë më shumë se katër viteve luftë, ajo ka goditur shpesh ndërtesa banimi dhe infrastrukturë tjetër civile në sulmet ajrore në mbarë Ukrainën.

Autoritetet ruse thanë se katër persona, përfshirë një fëmijë, u goditën nga sulmet ukrainase. Komiteti Hetues i Rusisë njoftoi se ka hapur një hetim për terrorizëm pas sulmeve, duke pretenduar se ato kishin në shënjestër “infrastrukturën rezidenciale dhe civile”.

“Dy ndërtesa banimi shumëkatëshe dhe një objekt industrial u dëmtuan,” thuhet në deklaratë.

Dëshmitarët sugjeruan se objektivi i sulmeve në Ryazan duket se ishte rafineria e naftës, një nga më të mëdhatë e Rusisë, e cila u përfshi nga një zjarri i madh pasi u godit disa herë.

Zyrtarët e Kievit shpallën ditë zie të premten për të nderuar viktimat, me flamujt kombëtarë të ulur në gjysmëhark në mbarë qytetin prej 3 milionë banorësh. Të gjitha ngjarjet argëtuese u anuluan ose u shtynë.

Ministria e brendshme tha se operacioni i kërkim-shpëtimit në ndërtesën e banimit zgjati më shumë se 28 orë dhe qindra shpëtimtarë kontrolluan përmes 3,000 metrave kub rrënoja. /The Guardian/

Continue Reading

Aktualitet

Trump dhe Xi mbyllin samitin pa marrëveshje konkrete tregtare

Published

on

By

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është larguar nga Pekini pas një samiti dyditor, duke thënë se kishte arritur “marrëveshje fantastike tregtare, të shkëlqyera për të dyja vendet”, mirëpo kanë dalë pak detaje rreth asaj se çfarë kanë rënë dakord dy superfuqitë.

Trumpi mbërriti të mërkurën për një samit të rëndësisë së lartë me udhëheqësin kinez, Xi Jinping, i shoqëruar nga disa drejtorë ekzekutivë: një delegacion biznesi i profilit të lartë që përfshinte fushën e bujqësisë, aviacionit, automjeteve elektrike dhe çipave të inteligjencës artificiale (AI).

Tregtia ishte në krye të agjendës me gjithë tensionet e fundit rreth luftës në Iran, dhe bizneset shpresonin për marrëveshje kyçe si dhe për një zgjatje të armëpushimit tarifor, i cili pritet të skandojë në nëntor.

Vizita u karakterizua nga një retorikë e ngrohtë dhe simbolika. Trumpi u prit me një agjendë të ngjeshur që përfshinte një gardë nderi, një organizim shtetëror dhe një ftesë në kompleksin ekskluziv ku jetojnë dhe punojnë udhëheqësit e Partisë Komuniste të Kinës.

Presidenti amerikan u shfaq i impresionuar dhe e ftoi Ksin në Shtëpinë e Bardhë në shtator. Ai tha se bisedimet ishin “shumë të suksesshme”, ndërsa Ksi e cilësoi këtë si një vizitë “historike dhe shënjuese”.

Megjithatë, asnjëra palë nuk ka njoftuar ndonjë kthesë të madhe tregtare apo marrëveshje të rëndësishme biznesi.

Sidoqoftë, Presidenti Trump bisedoi me gazetarët në bordin e avionit “Air Force One” dhe tha se Kina ka rënë dakord të blejë 200 avionë Boeing, me një zotim potencial për të blerë edhe 750 avionë të tjerë. BBC-ja ka kontaktuar kompaninë Boeing për një koment.

Trumpi tha gjithashtu se fermerët amerikanë do të jenë të lumtur me marrëveshjet e tij tregtare, pasi Kina do të blinte sojë në vlerë prej “miliarda dollarësh”.

Por, nga ana e kinezëve nuk ka pasur asnjë konfirmim për ndonjë marrëveshje apo blerje.

Nëse porositë e Boeing-ut finalizohen, kjo do të ishte marrëveshja e parë e madhe e këtij prodhuesi të avionëve me Kinën në gati një dekadë. Kompania ishte përjashtuar kryesisht nga tregu i dytë më i madh i aviacionit në botë për shkak të tensioneve tregtare mes Pekinit dhe Uashingtonit.

I pyetur për komentet e mëparshme të Trumpit dhënë për Fox News, ku ai thoshte se marrëveshjet ishin arritur, zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze, Guo Jiakun, tha vetëm se “thelbi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA është përfitimi i ndërsjellë dhe bashkëpunimi ku fitojnë të dyja palët”.

Ai shtoi se të dyja palët duhet të punojnë për të zbatuar “konsensusin e rëndësishëm” të arritur nga dy udhëheqësit dhe për të sjellë më shumë stabilitet në lidhjet tregtare dypalëshe dhe në ekonominë globale.

Sidoqoftë, mbeten ende pikëpyetje mbi armëpushimin tarifor të rënë dakord në tetor, kur Uashingtoni pezulloi rritjet e larta të tarifave për mallrat kineze, ndërsa Pekini u tërhoq nga kufizimi i eksporteve të tokave të rralla, të cilat janë kritike për prodhimin industrial.

Çuditërisht, Trumpi u tha gazetarëve në Air Force One se ai dhe Ksi nuk kishin diskutuar fare për tarifat.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë tha se të dy udhëheqësit ranë dakord të themelojnë një “Bord Tregtie” për të menaxhuar marrëdhënien pa pasur nevojë të rihapin negociatat për tarifat.

Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, i cili ka udhëhequr bisedimet tregtare për Uashingtonin, tha në një intervistë të regjistruar paraprakisht për CNBC se priste përparim në një mekanizëm për të mbështetur investimet e ardhshme.

Zyrtarët amerikanë, megjithatë, kanë tërhequr vërejtjen se ka ende shumë punë për të bërë përpara se këto njoftime të hyjnë në fuqi.

 

Teknologjia dhe tregtia

Një nga momentet më me vëmendje ishte kur Air Force One u ul në Pekin të mërkurën mbrëma.

Drejtori ekzekutiv i Teslas, Elon Musk, zbriti nga avioni përpara zyrtarëve të lartë duke përfshirë Pete Hegseth, Marco Rubio dhe Greer – një shenjë kjo e agjendës vendimtare ekonomike që i priste.

Gjithashtu, Musk dhe shefi i prodhuesit amerikan të çipave Nvidia, Jensen Huang, qëndruan pranë Trumpit gjatë ceremonisë së mirëseardhjes dhe patën një prani të dukshme gjatë banketit.

Shfaqja e Huangut ishte mjaft rëndësishme pasi ai fillimisht nuk ishte planifikuar të ishte pjesë e delegacionit – por bashkimi i tij në këtë udhëtim nxiti spekulimet se AI dhe qasja në çipa ishin pjesë më e madhe e bisedimeve nga sa mendohej më parë.

Me automjetet elektrike, AI-n dhe gjysmëpërçuesit që po kthehen në fusha kryesore të betejës në rivalitetin SHBA-Kinë, si Tesla ashtu edhe Nvidia janë shumë të ekspozuara ndaj Kinës.

Tesla mbështetet shumë në fabrikën e saj në Shangai dhe te konsumatorët kinezë, ndërsa Nvidia dëshiron të jetë në gjendje të fillojë sërish shitjen e çipave të avancuar në Kinë, gjë që aktualisht është e ndaluar nga kontrollet amerikane të eksportit.

Continue Reading

Lajmet

Vdes Alush Gashi, një nga themeluesit e LDK-së dhe ish-ministër i Shëndetësisë

Published

on

By

Ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare Alush Gashi, një nga figurat qendrore të skenës politike dhe shëndetësisë në Kosovë, i njohur si një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-ministër i Shëndetësisë. Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e kanë bërë të ditur familjarët, të cilët njoftuan se për detajet e ceremonisë së varrimit do të njoftojnë me kohë.

I lindur më 4 tetor 1950 në fshatin Prigodë të komunës së Istogut, Alush Gashi la gjurmë të thella si në fushën e mjekësisë, ashtu edhe në atë të shtetndërtimit të Kosovës. Ai përfundoi studimet për mjekësi në Universitetin e Prishtinës në vitin 1974, ndërsa gradën e doktorit të shkencave mjekësore e mori në Universitetin e Zagrebit në vitin 1979, duke u bërë një nga profesorët dhe kirurgët e njohur në vend.

Në vitin 1989, derisa shërbente si dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Gashi iu bashkua lëvizjes kombëtare për liri dhe pavarësi, duke u bërë pjesë aktive e themelimit të LDK-së.

Gjatë viteve të ’90-ta, ai luajti një rol kyç si sekretar për marrëdhënie me jashtë i LDK-së dhe shërbeu si këshilltar i lartë dhe bashkëpunëtor shumë i afërt i presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Gashi ishte pjesë e delegacioneve të rëndësishme që përfaqësonin Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe mori pjesë në procese të shumta negociatash diplomatike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë, ai vazhdoi kontributin e tij në institucionet e Republikës së Kosovës, ku ndër të tjera shërbeu edhe si Ministër i Shëndetësisë, duke u angazhuar në reformimin e sistemit mjekësor pasluftës. Ndarja e tij nga jeta cilësohet si një humbje e madhe për komunitetin akademik, mjekësor dhe politik në Kosovë.

 

Continue Reading

Sport

Infantino uron FFK-në për 10-vjetorin e anëtarësimit në FIFA, kujton edhe Fadil Vokrrin

Published

on

By

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka uruar Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) me rastin e dhjetëvjetorit të pranimit në shtëpinë e futbollit botëror.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Instagram, Infantino vlerësoi progresin e futbollit kosovar gjatë kësaj dekrete, duke vënë theksin te rritja e vazhdueshme dhe frymëzimi që ky sport u ka dhënë lojtarëve të rinj dhe tifozëve në Kosovë.

Kreu i FIFA-s rikonfirmoi mbështetjen për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit në Kosovë, ndërsa vlerësoi kontributin e ish-presidentit të ndjerë të FFK-së, Fadil Vokrri, si dhe punën që po bëhet aktualisht nën drejtimin e Agim Ademit.

Kosova u pranua zyrtarisht si anëtare e FIFA-s më 13 maj 2016, duke shënuar një moment historik që u mundësoi klubeve dhe kombëtares kosovare pjesëmarrjen e rregullt në arenën ndërkombëtare.

 

Continue Reading

Sport

Deschamps shpjegon pse e la jashtë Botërorit yllin e Realit, Eduardo Camavinga

Published

on

By

Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, ka komentuar vendimin e tij për të mos i përfshirë në listën e Kombëtares për Kupën e Botës 2026 mesfushorin e Real Madridit, Eduardo Camavinga, dhe portierin e PSG-së, Lucas Chevalier.

Sa i përket Camavingas, Deschamps theksoi se sezoni i lojtarit u kushtëzua shumë nga lëndimet, ndërsa pranoi se konkurrenca e fortë në mesfushë bëri që ai të merrte këtë vendim.

“Camavinga po mbyll një sezon të vështirë ku ka luajtur pak për shkak të dëmtimeve. Më duhet të bëj zgjedhje për strukturën e skuadrës, por e kuptoj plotësisht që ai është i mërzitur dhe i zhgënjyer me mua sot. Është ende i ri dhe nuk dyshoj në aftësitë e tij”, deklaroi Deschamps.

Ndërkaq, për portierin Lucas Chevalier, trajneri francez shpjegoi se roli i portierit të tretë ka specifika të veçanta. Ai bëri të ditur se për këtë pozicion ka preferuar Robin Risser, duke vlerësuar entuziazmin dhe sezonin e fortë që ai ka zhvilluar.

 

Continue Reading

Të kërkuara