Botë
Ukraina refuzon përpjekjet e SHBA-së për paqe, teksa Putin refuzon të takohet me Zelenskyn
Published
1 year agoon
By
UBTnewsKievi ka thënë se propozimin e Uashingtonit për paqe deri më tani është “plan i dështuar”, duke argumentuar se përpjekjet e Uashingtonit për një armëpushim dhe zgjedhje në Ukrainë nuk janë të mjaftueshme për të “frikësuar” presidentin rus, Vladimir Putin.
Keith Kellogg, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, tha më 2 shkurt se të dyja palët duhet të bëjnë koncesione nëse shpresojnë të negociojnë një zgjidhje për luftën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, “veçse ka lënë të kuptohet se do të zbusë qëndrimin e tij”, tha Kelogg. “Dhe presidenti rus, Vladimir Putin, po ashtu do të zbusë qëndrimin e tij”.
“Ne do të kemi diskutime me të gjithë dhe besoj në një të ardhme të afërt”, shtoi ai. “Do kjo është e mirë për të dyja palët”.
Kellogg i tha Reuters se Uashingtoni dëshiron që Ukraina të mbajë zgjedhje, potencialisht në fund të këtij viti, veçmas nëse arrihet marrëveshje për ndaljen e luftimeve.
Dmytro Lytvyn, ndihmës i Zelenskyt, tha më 2 shkurt se “nuk e kemi parë intervistën e plotë të zotit Kellogg, por vetëm disa citate për zgjedhjet, prandaj është e vështirë që të vlerësohet qëndrimi i tij”.
“Por, nëse plani i tij është vetëm armëpushim dhe zgjedhje, është një plan i dështuar – Putin nuk do të frikësohet vetëm me këto dy gjëra”, tha ai për Reuters.
Në Ukrainë vazhdon të jetë në fuqi gjendja e luftës dhe shteti nuk ka mbajtur zgjedhje që kur Rusia ka nisur pushtimin e shtetit më 2022 – diçka që Kellogg tha se lejohet sipas Kushtetutës ukrainase.
Putin e ka cilësuar Zelenskyn si udhëheqës “jolegjitim”, pasi mandati i tij presidencial zyrtarisht ka skaduar.
Pas deklaratave të Kelloggit, Trump tha se bisedimet me Ukrainën dhe Rusinë po shkojnë “shumë mirë”.
“Ne kemi takime dhe bisedime të arazhuara me shumë palë, përfshirë Ukrainën dhe Rusinë. Mendoj se këto diskutime janë duke shkuar shumë mirë”, tha ai pa përmendur diçka specifike.
Zelensky ka refuzuar çfarëdo marrëveshje që do t’i kërkonte atij të bëjë koncesione territoriale me Rusinë, shtet që kontrollon pjesë të mëdha të juglindjes së Ukrainës dhe Gadishullin e Krimesë.
Disa nga territoret, Moska i ka marrë nën kontroll më 2014 para se të niste pushtimin në shkallë të plotë.
Megjithatë, Ukraina – që ka më pak armë e më pak ushtarë sesa forcat ruse – ka pësuar humbje të mëdha në fushëbetejë në muajt e fundit, duke rritur presionin ndaj Zelenskyt që të zbusë qëndrimin sa i përket humbjes së territorit, të paktën përkohësisht.
E ardhmja e ndihmës ushtarake amerikane po ashtu është e paqartë. Trump ka kritikuar sasinë e ndihmës që i është dhënë Kievit, që sipas Kellogg arriti në vlerë prej 174 miliardë dollarësh gjatë administratës paraprake.
Rusia po ashtu ka pësuar humbje të mëdha në fushëbetejë dhe ekonomia e saj është rrënuar për shkak të shpenzimeve ushtarake dhe sanksioneve të vendosura nga Perëndimi.
Trump është zotuar se do t’i japë fund luftës shpejtë, por nuk ka dhënë detaje për ndonjë plan të mundshëm me të cilin do të mund të pajtoheshin palët.
Kellogg më 31 janar tha se Trumpi kishte një strategji “solide” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, brenda muajsh. Por, as ai nuk ka dhënë detaje se si do të ndodhë kjo.
Vlerësimi i të dërguarit Kellogg vjen teksa në prapaskenë po zhvillohen negociata për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare.
Putin ka thënë se ka vullnet që të takohet dhe ka përgëzuar Trumpin për nismën. Ai po ashtu ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve me Zelenskyn, gjë që potencialisht mund të ndërlikojë çfarëdo negociate në të ardhmen.
Ukraina kërkon garanci afatgjata të sigurisë, përfshirë edhe mundësinë e dërgimit të trupave paqeruajtëse perëndimore për të parandaluar Rusinë që të rindërtojë forcat e saj dhe ta sulmojë sërish pas një armëpushim./REL/
Aktualitet
Irani kërcënon botën: Nafta do të shkojë në 200 dollarë, vazhdojnë sulmet në det
Published
13 hours agoon
March 11, 2026By
UBTNews
Irani ka deklaruar se bota duhet të përgatitet që çmimi i naftës të arrijë në 200 dollarë për fuçi, ndërsa forcat e tij sulmuan anijet tregtare të mërkurën në Gjirin e bllokuar. Paralelisht, Irani hodhi predha drejt Izraelit dhe objektivave të tjerë në Lindjen e Mesme, duke dëshmuar se mund të kundërpërgjigjet përkundër asaj që Pentagoni i ka përshkruar si sulmet më intensive amerikano-izraelite deri më tani.
Çmimet e naftës, të cilat u rritën ndjeshëm në fillim të kësaj jave, janë stabilizuar disi dhe bursat janë rimëkëmbur, pasi investitorët po vënë bast se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të gjejë një mënyrë të shpejtë për t’i dhënë fund luftës që nisi krah Izraelit rreth dy javë më parë.
Trump, i cili vazhdimisht është përpjekur të qetësojë tregjet, tha në një intervistë telefonike për Axios se “praktikisht nuk ka mbetur asgjë” për të goditur në Iran. “Pak këtu e pak atje… Kurdo që unë dua që kjo të përfundojë, do të përfundojë,” u shpreh ai.
Ndërprerja më e rëndë e furnizimit që nga vitet ’70
Përkundër optimizmit të tregjeve, në terren nuk ka shenja të zbutjes së konfliktit apo ndonjë sinjal se anijet mund të lundrojnë të sigurta përmes Ngushticës së Hormuzit. Aty është bllokuar një e pesta e naftës në botë, duke shënuar ndërprerjen më të madhe të furnizimit me energji që nga goditjet e naftës në vitet 1970.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka rekomanduar lëshimin e 400 milionë fuçive nga rezervat strategjike globale për të stabilizuar çmimet—ndërhyrja më e madhe në histori, e cila u miratua menjëherë nga Uashingtoni. Megjithatë, ritmi me të cilin vendet mund ta lëshojnë këtë rezervë përbën vetëm një pjesë të vogël të furnizimit që zakonisht kalon përmes Ngushticës së Hormuzit.
“Bëhuni gati që nafta të shkojë në 200 dollarë për fuçi, sepse çmimi i naftës varet nga siguria rajonale, të cilën ju e keni destabilizuar,” deklaroi Ebrahim Zolfaqari, zëdhënës i komandës ushtarake të Iranit, në një mesazh drejtuar Shteteve të Bashkuara.
Çmimet e naftës, të cilat të hënën arritën për pak kohë në gati 120 dollarë, që atëherë janë stabilizuar rreth 90 dollarëve, gjë që sugjeron se investitorët shpresojnë në një përfundim të shpejtë të luftës dhe rihapjen e ngushticës. /Reuters/
Lajmet
Von der Leyen: 10 ditë luftë në Iran i kushtuan Evropës 3 miliardë euro shtesë në energj
Published
17 hours agoon
March 11, 2026By
UBTNews
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dhënë alarmin të mërkurën para ligjvënësve në Strasburg, duke bërë të ditur se përshkallëzimi i luftës në Iran ka goditur rëndë ekonominë e bllokut.
Sipas saj, tronditja e tregjeve ka bërë që çmimet e gazit të rriten me 50% dhe ato të naftës me 27%.
“Nëse e përktheni këtë në euro, 10 ditë luftë u kanë kushtuar tashmë taksapaguesve evropianë tre miliardë euro shtesë në importe të lëndëve djegëse fosile”, ka deklaruar von der Leyen, duke shtuar me prerje se “ky është çmimi i varësisë sonë”.
Gjatë fjalimit të saj, ajo vuri në dukje se për dallim nga tregjet e jashtme, çmimi i energjisë së rinovueshme dhe asaj bërthamore evropiane ka mbetur i qëndrueshëm, duke dëshmuar rëndësinë e pavarësisë energjetike.
Presidentja e KE-së ishte e prerë në qëndrimin e saj kundër thirrjeve për t’u rikthyer te burimet ruse të energjisë si zgjidhje për krizën aktuale, duke e cilësuar këtë si një rrezik për sigurinë e bllokut.
“Ky do të ishte një gabim strategjik. Do të na bënte më të varur, më të prekshëm dhe më të dobët”, ka thënë ajo, duke hedhur poshtë çdo mundësi që BE-ja të thyejë sanksionet ndaj naftës dhe gazit rus.
Von der Leyen e përfundoi fjalimin duke insistuar se Evropa duhet t’i rezistojë çdo tundimi për t’u kthyer pas, pasi rruga e vetme drejt stabilitetit është forcimi i burimeve të veta dhe largimi i plotë nga lëndët djegëse fosile të importuara nga zonat e konfliktit.
Aktualitet
Sulme me dronë ndaj bazave amerikane në Irak
Published
19 hours agoon
March 11, 2026By
UBTNews
Një dron ka goditur të martën një objekt të rëndësishëm diplomatik të SHBA-së në Bagdad, pa shkaktuar të lënduar. Besohet se ky sulm është kryer nga milicitë e mbështetura nga Irani në Irak.
Droni goditi Qendrën Diplomatike Mbështetëse në Bagdad, e cila shërben si një qendër e madhe logjistike për diplomatët amerikanë pranë aeroportit të qytetit. Sipas një njoftimi të brendshëm të SHBA-së, të cituar nga Washington Post dhe Reuters, goditja ka ndodhur pranë një kulle roje.
Washington Post raporton se gjithsej gjashtë dronë ishin lëshuar në drejtim të kompleksit, pesë prej të cilëve u rrëzuan nga sistemet mbrojtëse.
Sipas raportimeve, sulmi ka gjasë të jetë kryer nga grupet e armatosura që veprojnë nën ombrellën e “Rezistencës Islamike në Irak” (IRI). Ky koalicion i grupeve të mbështetura nga Irani ka rritur intensitetin e sulmeve që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën e tyre kundër Iranit.
Ndërkohë, në veri të Irakut, të paktën tre dronë janë interceptuar në periferi të Erbilit, në rajonin gjysmë-autonom të Kurdistanit. Deri më tani nuk raportohet për viktima apo të lënduar nga ky operacion.
Pranë aeroportit të Erbilit ndodhet një bazë ushtarake amerikane, ndërsa vetë qyteti ka qenë vazhdimisht cak i sulmeve hakmarrëse të Iranit dhe milicive pro-iraniane. /BBC/
Aktualitet
Vazhdojnë sulmet ajrore në Lindjen e Mesme: Irani kërkon ndihmë për shënjestrimin e bazave amerikane dhe izraelite
Published
20 hours agoon
March 11, 2026By
UBTNews
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli shkëmbyen sulme ajrore me Iranin në mbarë Lindjen e Mesme të mërkurën, ndërkohë që qeveria e rrethuar e Teheranit paralajmëroi se forcat e saj të sigurisë shtetërore janë gati me “gishtin në këmbëz” për t’u përballur me çdo protestë anti-qeveritare.
Pas një shkëmbimi të bombardimeve ndër më të rëndat në rajon të martën, palët luftuese rinovuan sulmet mbi objektivat kundërshtare në Izrael, Liban dhe Gjirin Persik, ndërsa lufta ka hyrë në ditën e saj të 12-të.
Konflikti ka bllokuar efektivisht rrugët jetike detare përmes Ngushticës së Hormuzit, duke ndërprerë rrjedhën e një të pestës së furnizimeve botërore me energji fosile nga Gjiri i pasur me naftë.
Pas një rritjeje të madhe të çmimeve të naftës bruto të hënën, çmimet globale të energjisë kanë pësuar rënie dhe bursat janë rimëkëmbur, teksa investitorët shpresojnë se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të kërkojë përfundimin e shpejtë të luftës.
Duke i shtuar optimizëm tregut, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka propozuar nxjerrjen më të madhe të rezervave të naftës në historinë e saj për të stabilizuar më tej çmimet e naftës bruto, raportoi të martën Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë njohës të çështjes. Reuters nuk ka mundur ta verifikojë menjëherë këtë raportim.
Sidoqoftë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit u zotua të bllokojë dërgesat e naftës nga Gjiri, përveç nëse sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndalen. Ndërkohë, sulmet ajrore mes dy palëve nuk treguan asnjë shenjë të menjëhershme zbutjeje.
Një anije mallrash u godit nga një projektil i panjohur në Ngushticën e Hormuzit, gjë që shkaktoi zjarr në bord dhe detyroi ekuipazhin të evakuohej e të kërkonte ndihmë, sipas autoritetit të Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) të mërkurën.
Ky trup detar gjithashtu njoftoi se ka marrë një raport për një incident të veçantë pranë bregdetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku kapiteni i një anijeje konteinerësh raportoi dëmtime nga një projektil i dyshuar, por i panjohur.
Shtëpia e Bardhë përsëriti të martën kërcënimin e Trumpit për ta goditur rëndë Iranin pas lëvizjeve të Teheranit për të ndaluar rrjedhën e furnizimeve energjetike përmes Ngushticës së Hormuzit. Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se 16 anije iraniane për vendosjen e minave janë “asgjësuar” pranë ngushticës të martën.
IRANI BËN THIRRJE PËR NDIHMË NË SHËNJESTRIMIN E SHBA-SË DHE IZRAELIT
Miliona izraelitë u detyruan të hyjnë vazhdimisht në vendstrehime gjatë natës, pasi ushtria paralajmëroi se Irani ka lëshuar raketa drejt Izraelit – një shenjë kjo që Teherani ruan kapacitetin për të goditur Izraelin pas gati dy javësh armiqësi.
Zhurma e shpërthimeve nga mbrojtja ajrore që interceptonte raketat ndërpreu errësirën e para-agimit, ndërsa sirenat e alarmit ajror ranë dhe izraelitët nxituan drejt dhomave të sigurta dhe strehimoreve. Nuk pati informacione të menjëhershme nëse ndonjë prej raketave ka prekur tokën.
Zëdhënësi i forcave të armatosura të Iranit, Abolfazl Shekarchi, u bëri thirrje të mërkurën vendeve të rajonit dhe besimtarëve myslimanë të tregojnë “vende-fshehjet e SHBA-Zionistëve (Izraelitëve)” për të maksimizuar saktësinë dhe ndikimin e sulmeve iraniane, duke minimizuar dëmtimin e civilëve, të cilët, sipas tij, po përdoren si “mburoja njerëzore”.
Shekarchi tha gjithashtu se Irani do t’u përgjigjet sulmeve të fundit amerikano-izraelite në zonat e banuara.
Sulmet e fundit nga Irani përkuan me një breshëri të re izraelite mbi Bejrut, që synonte eliminimin e grupit Hezbollah të mbështetur nga Irani, i cili ka gjuajtur drejt Izraelit nga Libani në shenjë solidariteti me qeverinë e Teheranit.
Tubime në shkallë të gjerë janë mbajtur në Iran në mbështetje të liderit të ri suprem, Mojtaba Khamenei, një linjë-ashpër i zgjedhur për të pasuar babanë e tij, i cili u vra në ditën e parë të luftës. Një procesion funerali për komandantët e lartë ushtarakë iranianë të vrarë herët në luftë do të mbahet në Teheran këtë të mërkurë nga ora 13:30. /Reuters/
Irani kërcënon botën: Nafta do të shkojë në 200 dollarë, vazhdojnë sulmet në det
Kurti pret komandantin e KFOR-it: Diskutohet siguria dhe bashkëpunimi
Prizren: Arrestohen dy persona për fajde, tentuan t’i zhvasin pronat 1 milionëshe
Infantino zbulon bisedën me Donald Trump për Iranin dhe Botërorin
REL: Disa studentë e profesorë protestojnë në veri kundër integrimit në sistemin kosovar të arsimit
Von der Leyen: 10 ditë luftë në Iran i kushtuan Evropës 3 miliardë euro shtesë në energj
Vazhdon kërkimi në malet e Rahovecit për personin e zhdukur
Rilindja e “Piratit”: Vedat Muriqi po kalon sezonin e jetës te Mallorca
REL: Fluturimet misterioze mes Tel Avivit dhe Beogradit ngrenë dyshime për transport armësh
Të kërkuara
-
Vendi3 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Aktualitet3 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
-
Lajmet2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet3 months agoProfesori Lulzim Beqiri përfaqëson UBT-në në mobilitetin akademik në Technische Hochschule Lübeck
