Lajmet

Ukraina përgatitet për sulme të përshkallëzuara ruse

Zyrtarët nga të dyja palët thanë se evakuimi i civilëve në një fabrikë çeliku të rrethuar në Mariupol kishte përfunduar.

Published

on

Autoritetet ukrainase u përgatitën për një intensifikim të pritshëm të sulmeve ruse përpara festës së ‘Ditës së Fitores’ që shënohet më 9 maj, ndërsa zyrtarët nga të dyja palët thanë se evakuimi i civilëve në një fabrikë çeliku të rrethuar në Mariupol kishte përfunduar. Megjithatë, fati i luftëtarëve të mbetur atje është i paqartë.

Zyrtarët ukrainas më 7 maj deklaruan se të gjitha gratë, fëmijët dhe të moshuarit ishin evakuuar nga fabrika masive e çelikut Azovstal që është sulmuar prej javësh nga forcat ruse mes rrënojave të qytetit port.

“Urdhri i Presidentit është zbatuar: Të gjitha gratë, fëmijët dhe të moshuarit janë evakuuar nga Azovstal”, tha zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk në një deklaratë në mediat sociale.

“Kjo pjesë e misionit humanitar në Mariupol ka përfunduar”, shtoi ajo pa dhënë detaje.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha më vonë se një “fazë e dytë” e evakuimit do të ndodhte tani, me të plagosurit dhe personelin mjekësor që do të nxirren nga aty.

Puna do të vazhdojë më 8 maj për të siguruar të gjitha korridoret humanitare në mënyrë që kush dëshiron të largohet të ketë të mundur rrugëdaljen.

Ai shtoi se Kievi po përpiqej të nxirrte luftëtarët e fundit nga uzina e çelikut, por se “ishte jashtëzakonisht e vështirë”.

Frika po rritet se një përballje përfundimtare, e përgjakshme midis luftëtarëve ukrainas dhe trupave ruse mund të ndizet nëse mbrojtësit nuk lejohen të evakuohen.

Evakuimi i fabrikës së çelikut Azovstal u intensifikua gjatë dy ditëve të fundit edhe pse Rusia ka vazhduar të godet objektin dhe këtë qytetit strategjik, i cili tani është kryesisht i rrënuar./REL

Lajmet

“Grurin tonë s’e duan”: Fermerët kosovarë thonë se Serbia mbush tregun me grurë të vjetër

Published

on

By

Dhjetëra fermerë kosovarë – prodhues të grurit – u nisën të mërkurën drejt Prishtinës, për të protestuar para Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Arsyeja? Çmimi i ulët – vetëm 17-18 centë për kilogram grurë – që, sipas tyre, u është caktuar nga mullisët vendorë, njëherësh blerësit kryesorë të prodhimeve të tyre.

Po protestojmë për çmimin dhe për pisllëqet që janë duke i bërë, kryesisht mullisët”, tha Genc Mazreku, fermer nga Malisheva, për Radion Evropa e Lirë.

Shumë prej kolegëve të tij, që u nisën drejt Prishtinës me traktorë, u ndaluan nga policia dhe nuk u lejuan të hyjnë në qytet, pasi protesta nuk ishte paralajmëruar zyrtarisht tek autoritetet, siç e kërkon ligji.

Mazreku tha se ka të mbjellë rreth 60 hektarë me grurë dhe se sivjet pret një rendiment prej afro 4 mijë kilogramësh për hektar.

Por, çmimi që po ofrohet nga mullisët, sipas tij, është tejet i ulët.

Ai e lidh këtë situatë me importin e “grurit të vjetër” nga Serbia, që, sipas tij, ndikon negativisht në tregun vendas dhe vlerën e prodhimit të fermerëve kosovarë.

Çdo vit, kur vjen qershori, këta mullisë shkojnë dhe i pastrojnë ‘mbeturinat’ (e grurit) në Serbi dhe i sjellin në Kosovë. Gruri i para pesë vjetëve, i rezervave të Serbisë, vjen në Kosovë dhe e hanë shqiptarët. Grurin që korret këtë vit (në Kosovë), nuk e merr askush… ose të thonë 17 centë, 16 centë, si të kenë qejf”, u shpreh Mazreku i revoltuar.

Të dhënat nga Dogana e Kosovës konfirmojnë se Serbia është një prej vendeve kryesore prej nga importohet gruri në Kosovë.

Në periudhën janar-maj të këtij viti u importua grurë në vlerë prej rreth 7.9 milionë eurosh.

Pjesa më e madhe – mbi 7.2 milionë euro – u importua nga Serbia, ndërsa të tjerat nga Hungaria dhe Kroacia.

Radio Evropa e Lirë pyeti Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës për vitin e prodhimit të grurit të importuar këtë vit, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Mazreku tha se mullisët e kanë rritur këtë vit edhe tarifën e ujemit – nga 18 për qind, sa ishte vitin e kaluar, në 24 për qind.

Ujemi është sasia e grurit që mullisi e mban për vete si kompensim për bluarjen.

Kjo do të thotë se për çdo 1.000 kilogramë grurë që fermeri sjell për bluarje, mullisi i merr 240 kilogramë.

Bujkun e shkelin ku të munden. Ne nuk kemi ku t’i lëmë rezervat”, tha Mazreku.

Të njëjtin shqetësim ndau edhe Sali Ilazi, fermer nga komuna e Ferizajt.

Ai ka të mbjellë 127 hektarë me grurë, të cilin e vlerëson si të cilësisë së lartë.

Vjet na e kanë paguar 20 centë. Tash është 18 centë. Me këtë çmim të grurit, ne nuk mund të mbulojmë (koston e prodhimit)… Çmimi real duhet të jetë 22 deri në 23 centë. Por, pse ta marrin grurin tonë, kur mund ta marrin nga Serbia… E, ai është i dorës së fundit”, sipas Ilazit.

Bashkëvendësi i tij, Aziz Halili, i cili ka të mbjellë rreth gjashtë hektarë me grurë, u shpreh gjithashtu i pakënaqur me çmimin që ofrohet nga mullisët.

Ai e konsideron atë të padrejtë, sidomos në raport me rritjen e çmimit të bukës.

Shoqatat e mullisëve dhe bukëpjekësit fitojnë, e prodhimi ynë, që është kryesori, shkelet”, sipas Halilit.

Në protestë ishte edhe Ferat Xhaka nga Podujeva.

Ai tha se në komunën e tij, mullisët as që pranojnë t’ia blejnë grurin.

Nuk e marrin fare. Kanë gjetur alternativa tjera, po e sjellin nga Serbia. Doganë ka pak për grurë dhe për këto produktet e bujqësisë. Neve na shkelin”, tha ai.

Si caktohet çmimi?

Kosova nuk ka një bursë për çmimin e grurit, prandaj mullisët bazohen në çmimet rajonale, thonë nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës.

Udhëheqësi i kësaj shoqate, Bashkim Zejnullahu, thotë për Radion Evropa e Lirë se në raste të domosdoshme, mullisët nga Kosova importojnë grurë nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.

Aktualisht, çmimi për 1 tonelatë grurë në rajon është më i ulët se në Kosovë.

Në rajon, për momentin, sillet prej 150 deri në 170 euro për tonelatë”, thotë Zejnullahu.

Kjo do të thotë se çmimi për një kilogram është 15 deri në 17 centë.

Zejnullahu tregon se në Kosovë, aktualisht, ka nisur korrja e grurit vetëm në disa pjesë të Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, ndërkohë që në pjesët tjera, korrje-shirjet pritet të nisin nga java e ardhshme.

Ai thotë se mullisët kosovarë, të cilët grumbullojnë grurin, sapo kanë filluar këtë proces, por me çmime të ndryshme.

Nuk kanë çmime të njëjta. Krejt varet nga kualiteti i grurit. Prej 170 (euro) deri në 190 (euro) për një ton”, thotë Zejnullahu.

Ai shpjegon se çmimi i grurit përcaktohet kryesisht nga cilësia, që lidhet ngushtë me pastërtinë e tij.

Sipas Zejnullahut, ndodh shpesh që gruri që sjellin fermerët kosovarë, nuk është i pastër.

Ende kemi shumë kombajna, të cilat janë të vjetruara dhe hedhin shumë mbeturina në grurë. Mbeturinat nuk duhet të jenë më shumë se dy ose tre për qind, por në të shumtën e rasteve janë pesë deri në 10 për qind”, thotë Zejnullahu, duke shtuar se kjo ndikon drejtpërdrejt në uljen e çmimit për kilogram.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për t’u informuar për mundësinë e adresimit të shqetësimeve të fermerëve kosovarë lidhur me çmimin e grurit dhe politikat mbrojtëse për prodhimin vendor, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Ministria nuk iu përgjigj as pyetjeve për sipërfaqen e mbjellë me grurë në Kosovë, pritshmëritë për rendimentet, nevojat totale për grurë dhe në ç’masë plotësohen ato nga prodhuesit vendorë.

Nga raportimet e mëhershme, Kosova ka nevojë për rreth 400 mijë tonë grurë në vit, por prodhimi vendor mbulon pak më shumë se 60 për qind të kësaj sasie.

Në vitin 2022, cilësia e grurit të prodhuar në Kosovë ishte nën standardet e zakonshme, ndërsa furnizimi nga importi u rrezikua për shkak të ndalimit të përkohshëm të eksportit nga Serbia – një masë kjo që pasoi krizën globale të tregjeve, si rezultat i luftës në Ukrainë.

Gruri, si lëndë e parë për prodhimin e miellit, konsiderohet një produkt strategjik për sigurinë kombëtare të Kosovës./REL

Continue Reading

Lajmet

Osmani edhe sot vazhdon takimet me partitë politike për ngërçin në Kuvend

Published

on

By

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila dje ka nisur një seri të re takimesh me partitë politike, në përpjekje të gjetjes së një zgjidhje për të dalë nga ngërçi në Kuvendit, pritet që t’i vazhdojë edhe sot këto takime.

Bashkëkryetari i Guxo, Faton Peci ka konfirmuar dje se ka marrë ftesë për takim me presidenten Osmani, me fillim nga ora 09:00.

Ishte edhe deputetja boshnjake Duda Balje, ajo që konfirmoi se ka marrë ftesë për takim ditën e enjtë.

Osmani i priti të mërkurën kreun e VV-së, Albnin Kurtin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj – në përpjekje për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga kriza institucionale.

Në takim, Osmani u bëri thirrje liderëve që “sa më shpejt”, apo brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrijnë pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit, tha Presidenca në një komunikatë pas takimit.

Continue Reading

Lajmet

​Edhe një tentim sot për konstituimin e Kuvendit

Published

on

By

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot, më 3 korrik, në përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Ky është tentimi i 41-të që prej pesëmbëdhjetë prillit kur ka nisur seanca konstituive.

Vazhdimi i seancës të enjten vjen një ditë pasi presidentja e vendit, Vjosa Osmani, zhvilloi takime të ndara me krerët e partive parlamentare shqiptare, në përpjekje për të zgjidhur krizën institucionale.

Presidentja takoi të mërkurën në kabinetin e saj, kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku si dhe kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Osmani bëri thirrje që të arrihet “sa më shpejt” pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit.

Ashtu siç ka potencuar edhe në deklarime të mëparme, Presidentja Osmani konsideron se moskonstituimi i institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve i shprehur më 9 shkurt të këtij viti dëmton vlerat demokratike si dhe interesat e shtetit tonë, pengon një sërë përftimesh shtetërore që janë në interes të qytetarëve dhe zvogëlon besimin qytetar në institucione”, u tha në njoftimin e Zyrës së Presidencës.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës, liderët e këtyre partive kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit si dhe interpretimet e tyre për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt por ende nuk është bërë konstituimi i Kuvendit.

Deri më tash janë bërë 40 përpjekje, të pasuksesshme, për konstituimin e Kuvendit.

Procesi ka ngecur të zgjedhja e kryetarit të Kuvendit për çka Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun.

Partitë që deri më tash ishin në opozitë e kundërshtojnë emrin e Haxhiut si të papranueshëm për këtë pozitë.

Pas takimit me Osmanin të mërkurën, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se do “të bëjë çmos” që legjislatura e nëntë të konstituohet para javës së fundit të korrikut, kur edhe përfundon afati tridhjetë ditor i paraparë në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se e kanë gati lëndën për dërgim në Gjykatën Kushtetuese për “shkeljet kushtetuese të kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari dhe Lëvizjes Vetëvendosje në dy seancat e fundit”.

Ai pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se LVV-ja po vepron në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas tij, e ndalon votimin e fshehtë të zgjedhjes së kryeparlamentarit.

Të mërkurën gjithashtu, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për ta qartësuar nëse Lëvizja Vetëvendosje si grupi më i madh parlamentar në Kuvend ka shkelur aktgjykimin e këtij institucioni, sa i përket ngërçit politik në Kuvend.

Abdixhiku pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari dhe LVV-ja kanë shkelur rendin kushtetues në dy seancat e fundit konstituive, duke mos respektuar vendimin e Kushtetueses.

Në anën tjetër, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimit me presidenten, tha se nuk do të ketë ndonjë ndryshim deri në rikthimin e votimit të hapur për kandidatin për kryeparlamentar.

Vazhdimi i seancës konstituive do të bëhet sot nga ora 11:00.

Kjo është seanca e tretë që mbahet pas akgjykimit të lëshuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës e cila ka urdhëruar konstituimin e Kuvendit Brenda 30 ditësh.

Continue Reading

Lajmet

​Abdixhiku: LVV s’po e respekton aktgjykimin e Kushtetueses, do t’i drejtohemi sërish këtij institucioni

Published

on

By

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për ta qartësuar nëse Lëvizja Vetëvendosje si grupi më i madh parlamentar në Kuvend ka shkelur aktgjykimin e këtij institucioni, sa i përket ngërçit politik në Kuvend, raporton KosovaPress.

Abdixhiku pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari dhe LVV-ja kanë shkelur rendin kushtetues në dy seancat e fundit konstituive, duke mos respektuar vendimin e Kushtetueses.

Gjykata Kushtetuese më 26 qershor ka nxjerrë aktgjykim sa i përket krizës politike në Kuvend, megjithatë partitë parlamentare kanë interpretime të ndryshme për të njëjtin. Në LVV thonë se përmes këtij aktgjykimi lejohet votimi i fshehtë i kryeparlamentarit, por të kundërtën e thonë në partitë e tjera parlamentare si PDK, LDK dhe AAK.

Abdixhiku kritikoi Kurtin duke thënë se ai po qeverisë me rezultat të para katër viteve, madje sipas tij, nëse i njëjti do të kishte moral politik nuk do ta mbante postin e kryeministrit në detyrë, derisa nuk e dëshiron populli.

Kurti po qeverisë me rezultat të para katër viteve. Ai i ka pasur 50 për qind para katër viteve, prandaj ka qenë kryeministër. Mirëpo tash nuk i ka dhe meqenëse nuk i ka, s’ka legjitimitet dhe pak moral politik – se si mund të mbash një detyrë kur nuk të dëshiron populli… Këto janë qëndrime paraprake që e kanë shkaktuar krizën. Këto nuk janë kompromise dhe nuk ka lëvizje prej pozicioneve që kanë shkaktuar krizën deri tani. Edhe atë ditë në takim dhe para jush po them: kompromis është insistimi në pozicionin paraprak. Kompromisi pas aktgjykimit të Kushtetueses është i pakuptimtë dhe tani duhet zbatuar ai, përndryshe bëjnë shkelje të rënda ligjore. LDK-ja do t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që ajo të qartësojë aktin e tanishëm. Pas aktgjykimit, për bindjen tonë ka ndodhur një përmbysje e rendit kushtetues të Kosovës. Partia e parë ka refuzuar të respektojë Gjykatën Kushtetuese. Ajo duhet të deklarohet – ka bërë shkelje apo jo LVV-ja”, tha ai.

Sipas Abdixhikut, aktgjykimi i Kushtetueses është i qartë, ku detyrohet partia e parë në zgjedhje, LVV-ja, për bashkëpunim dhe kompromis në konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Ndërkaq, siç thotë lideri i LDK-së, nënvizohet se nuk lejohet votimi i fshehtë i kryeparlamentarit, por i hapur sipas praktikave të deritanishme.

Megjithatë, Abdixhiku tha se është e mirëseardhur përfshirja e presidentes Osmani në zgjidhjen e krizës politike.

Absurditeti i gjendjes së tanishme është interpretimi i interpretimit. Ai është i shkruar në gjuhën shqipe dhe nëse Gjykata Kushtetuese e thotë qartë se të parit i takon propozimi dhe krijimi i shumicës, s’kemi çka interpretojmë aty. Nëse Kushtetuesja përmes paragrafit 186 thotë se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të bëhet sipas praktikave parlamentare deri sot – ne i dimë si janë praktikat parlamentare. Takimet janë të mirëseardhura, përfshirja e presidentes është e mirëseardhur, ajo në fund të fundit është garantuese demokratike e institucioneve”, përfundoi ai.

Gjatë ditës, Osmani ka pritur në takim edhe kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, derisa tani ka përfunduar takimin me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Continue Reading

Të kërkuara